“12–18 Prill. Doktrina e Besëlidhje 37–40: ‘Nëse Nuk Jeni Një, Nuk Jeni të Mitë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“12–18 Prill. Doktrina e Besëlidhje 37–40”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
12–18 Prill
Doktrina e Besëlidhje 37–40
“Nëse Nuk Jeni Një, Nuk Jeni të Mitë”
Mbajtja shënim e mbresave teksa studioni, është një mënyrë se si mund t’i bindeni këshillës së Perëndisë për të “mbl[edhur] si thesar urtësi[në]” (Doktrina e Besëlidhje 38:30).
Shënojini Mbresat Tuaja
Për shenjtorët e hershëm Kisha ishte më shumë se një vend për të dëgjuar ca predikim të dielën. Në të gjitha zbulesat e Tij të dhëna Jozef Smithit, Zoti e përshkroi Kishën me fjalë të tilla si kauzë, mbretëri, Sion dhe shpesh vepër/punë. Kjo mund të ketë qenë pjesë e asaj që i tërhoqi shumë anëtarë të hershëm të Kishës. Pavarësisht sa shumë e pëlqenin doktrinën e rivendosur të Kishës, shumë njerëz gjithashtu dëshironin diçka së cilës mund t’ia përkushtonin jetën. Megjithëkëtë, urdhri i Zotit i vitit 1830 dhënë shenjtorëve që të mblidheshin në Ohajo, nuk ishte i lehtë për disa që ta zbatonin. Për njerëz si Fibi Karteri, ai urdhër do të thoshte që të largoheshin nga shtëpitë e rehatshme për në një vend kufitar të panjohur (shih “Zëra të Rivendosjes” në fund të këtij përvijimi). Sot ne mund të shohim qartë atë që ata shenjtorë mund ta shihnin vetëm me syrin e besimit: Zoti kishte bekime të mëdha që i prisnin në Ohajo.
Nevoja për t’u mbledhur në Ohajo nuk është më si atëherë, por shenjtorët sot ende mblidhen përreth së njëjtës kauzë, së njëjtës vepër: të “sjell[in] Sionin” (Doktrina e Besëlidhje 39:13). Ashtu si ata shenjtorë të hershëm, ne i braktisim “përkujdesjet e botës” (Doktrina e Besëlidhje 40:2) ngaqë i mirëbesojmë premtimit të Zotit: “Do të m[errni] … një bekim kaq të madh, sa kurrë nuk e ke[ni] njohur” (Doktrina e Besëlidhje 39:10).
Shih edhe Saints [Shenjtorët], 1:109–111.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Çfarë po përkthente Jozef Smithi në 1830‑ën?
Në këtë varg Zoti po i drejtohej punës së Jozef Smithit për një rishikim të frymëzuar të Biblës, të cilës i referoheshin si një “përkthim”. Kur Jozefi mori zbulesën e shënuar te seksioni 37, ai kishte përfunduar disa kapituj të librit të Zanafillës dhe sapo kishte mësuar rreth Enokut dhe qytetit të tij të Sionit (shih Zanafilla 5:18–24; Moisiu 7). Disa prej parimeve që Zoti ia mësoi Enokut, janë të ngjashme me ato që Ai i zbuloi në seksionin 38.
Shih edhe Church History Topics, “Joseph Smith Translation of the Bible”, ChurchofJesusChrist.org/study/topics.
Perëndia na mbledh që të na bekojë.
Zoti e përfundoi urdhrin e Tij për t’u mbledhur në Ohajo duke thënë: “Vini re, këtu ka urtësi” (Doktrina e Besëlidhje 37:4). Por jo çdokush e kuptoi menjëherë urtësinë e atij urdhri. Te seksioni 38, Zoti e zbuloi urtësinë e Tij me më shumë hollësi. Çfarë mësoni nga vargjet 11–33 rreth bekimeve të mbledhjes? Anëtarët e Kishës nuk urdhërohen më që të mblidhen duke u shpërngulur për në një vend; në çfarë mënyrash mblidhemi ne sot? Si gjejnë zbatim për ne këto bekime? (Shih Rasëll M. Nelson, “Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 79–81; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 106–110.)
Teksa lexoni pjesën e mbetur të këtij seksioni, kërkoni fragmente që mund t’i kenë ndihmuar shenjtorët për ta fituar besimin që iu nevojitej për t’iu bindur urdhërimit të Perëndisë që të mblidheshin në Ohajo. Gjithashtu mendoni rreth urdhërimeve që Ai ju ka dhënë dhe besimit që ju nevojitet për t’iu bindur atyre. Pyetjet vijuese mund ta udhëzojnë studimin tuaj:
-
Çfarë gjeni te vargjet 1–4 që ju jep vetëbesim te Zoti dhe urdhërimet e Tij?
-
Si mund t’ju ndihmojë vargu 39 që t’u bindeni urdhërimeve të Perëndisë edhe kur ato kërkojnë sakrificë?
Çfarë tjetër gjeni?
Doktrina e Besëlidhje 38:11–13, 22–32, 41–42
Nëse jam i/e përgatitur, unë s’do të frikësohem.
Shenjtorët tashmë ishin përballur me shumë kundërshtim dhe Zoti e dinte se më shumë po vinte (shih Doktrina e Besëlidhje 38:11–13, 28–29). Që t’i ndihmonte të mos kishin frikë, Ai zbuloi një parim të vyer: “Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni” (Doktrina e Besëlidhje 38:30). Përdorni një minutë për të përsiatur sfidat me të cilat përballeni. Më pas, teksa studioni seksionin 38, ua vini veshin nxitjeve nga Shpirti rreth mënyrave se si mund të përgatiteni për sfidat që të mos keni nevojë të frikësoheni.
Shih edhe Ronald A. Rasband, “Mos u Shqetësoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 18–21.
Përkujdesjet e botës nuk duhet ta largojnë vëmendjen time nga bindja ndaj fjalës së Perëndisë.
Lexojini seksionet 39–40, përfshirë sfondin historik në krerët e seksioneve dhe merrini parasysh mënyrat se si përvoja e Xhejms Kovelit mund të gjejë zbatim për ju. Për shembull, mendoni për raste kur “zemra [juaj] … ishte tamam përpara [Perëndisë]” (Doktrina e Besëlidhje 40:1). Si u bekuat për besnikërinë tuaj? Gjithashtu mendoni se me çfarë “përkujdesje[sh] të botës” përballeni (Doktrina e Besëlidhje 39:9; 40:2). Çfarë gjeni në këto seksione që ju frymëzojnë të jeni më të bindur vazhdimisht?
Shih edhe Mateu 13:3–23.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 37:3.Për ta ndihmuar familjen tuaj të kuptojë sakrificën që bënë shenjtorët për t’u mbledhur në Ohajo, ju mund t’i drejtoheni hartës që e shoqëron këtë përvijim.
-
Doktrina e Besëlidhje 38:22.Si mund ta bëjmë Jezu Krishtin “ligjëdhënësi[n]” e familjes sonë? Si na bën zbatimi i ligjeve të Tij “një popull [të] lirë”?
-
Doktrina e Besëlidhje 38:24–27.Për t’i mësuar fëmijët se çfarë do të thotë të “jini një”, ju mund t’i ndihmoni të numërojnë pjesëtarët e familjes suaj dhe të flasin rreth arsyes përse secili person është i rëndësishëm për familjen tuaj. Theksoni se së bashku ju jeni një familje. Mund t’i ndihmoni fëmijët të vizatojnë një numër 1 të madh në një afishe dhe ta zbukurojnë me emra dhe vizatime ose fotografi të secilit pjesëtar të familjes. Mund të shkruani gjithashtu në afishe gjëra që do t’i bëni për të qenë më të bashkuar si familje. Mund të shihni edhe materialin filmik “Love in Our Hearts” [“Dashuri në Zemrat Tona”] (ChurchofJesusChrist.org) ose lexoni Moisiu 7:18.
-
Doktrina e Besëlidhje 38:29–30.Ju mund të diskutoni për përvoja familjare ose vetjake të kohëve të fundit që kërkuan përgatitje. Si ndikoi përvoja te përgatitja juaj? Për çfarë do Zoti që ne të përgatitemi? Në ç’mënyrë të qenit të përgatitur na ndihmon të mos kemi frikë? Çfarë mund të bëjmë për t’u përgatitur?
-
Doktrina e Besëlidhje 40.Çfarë do të thotë për ne fraza “përkujdesjet e botës” (vargu 2)? A ka ndonjë përkujdesje të botës që po na pengon për të mos e marrë “me gëzim” fjalën e Perëndisë? Si do t’i kapërcejmë ato?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Jezus’ Tha t’i Doni t’Gjith’”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 39.
Zëra të Rivendosjes
Mbledhja në Ohajo
Mes shenjtorëve të shumtë që u mblodhën në Ohajo në vitet 1830, ishte Fibi Karteri. Ajo u bashkua me Kishën në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara në moshën njëzetepesëvjeçare, edhe pse prindërit e saj nuk u bashkuan. Më vonë ajo shkroi për vendimin e saj që të shpërngulej në Ohajo për t’u bashkuar me shenjtorët:
“Miqtë e mi u habitën për vendimin tim, ashtu siç u habita dhe vetë, por diçka brenda meje më nxiti të shkoja. Pikëllimi i nënës sime për largimin tim nga shtëpia ishte pothuajse më i madh nga ç’mund të duroja; dhe nëse nuk do të kishte qenë për shpirtin brenda meje, unë duhej të isha lëkundur më në fund. Nëna më tha se do të parapëlqente të më shihte të varrosur sesa të shkoja kështu e vetme në botën e pamëshirshme.
‘[Fibi]’, tha ajo në mënyrë mbresëlënëse, ‘a do të kthehesh sërish tek unë, në qoftë se zbulon që mormonizmi është i rremë?’
Iu përgjigja: ‘Po, nënë; do të kthehem’. … Përgjigjja ime ia lehtësoi shqetësimin; por na shkaktoi ne të gjithëve shumë hidhërim që po ndaheshim. Kur erdhi koha për largimin tim, nuk arrija t’i besoja vetes se mund t’u thosha lamtumirë; prandaj ua shkrova secilit fjalët e mia të lamtumirës dhe duke i lënë mbi tavolinën time, dola me vrap jashtë dhe hipa në karrocë. Kështu u largova nga shtëpia ime e dashur e fëmijërisë për ta lidhur jetën time me shenjtorët e Perëndisë.”1
Në njërin nga ato mesazhe lamtumire Fibi shkroi:
“Prindër të shtrenjtë – tani jam duke u larguar nga shtëpia ime prindërore për njëfarë kohe … nuk e di për sa kohë – por jo pa ndjenja mirënjohjeje për mirësinë të cilën e kam marrë që nga foshnjëria ime deri në kohën e tanishme – por Perëndia duket se e urdhëron këtë tani ndryshe nga ç’ka qenë më parë. Le t’i lëmë të gjitha këto gjëra në duart e Perëndisë dhe të jemi mirënjohës që jemi lejuar të jetojmë së bashku për kaq kohë në kushte kaq të favorshme si ato në të cilat kemi jetuar, duke besuar se të gjitha gjërat do të veprojnë për të mirën tonë nëse e duam Perëndinë mbi gjithçka. Le të kuptojnë se ne mund t’i lutemi një Perëndie i cili do t’i dëgjojë lutjet e sinqerta të të gjitha krijesave të Tij dhe do të na japë atë që është më e mira për ne. …
Nënë, unë besoj se është vullneti i Perëndisë që të shkoj drejt perëndimit dhe jam e bindur se ka qenë për një kohë të gjatë. Tani udha është hapur … ; unë besoj se është shpirti i Zotit që e ka bërë këtë gjë, që është e mjaftueshme për të gjitha gjërat. O mos kini ankth për fëmijën tuaj; Zoti do të më ngushëllojë. Unë besoj se Zoti do të kujdeset për mua dhe do të më japë atë që është për të mirën time. … Po shkoj pasi Mësuesi im më thërret – Ai e ka bërë të qartë detyrën time.”2