Doktrina e Besëlidhje 2021
5–11 Prill. Doktrina e Besëlidhje 30–36: “Ti Je Thirrur për të Predikuar Ungjillin Tim”


“5–11 Prill. Doktrina e Besëlidhje 30–36: ‘Ti Je Thirrur për të Predikuar Ungjillin Tim’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“5–11 Prill. Doktrina e Besëlidhje 30–36”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

misionarët e hershëm të Kishës

5–11 Prill

Doktrina e Besëlidhje 30–36

“Ti Je Thirrur për të Predikuar Ungjillin Tim”

Në shkrimet e shenjta ne mund të gjejmë ide për rrethanat tona të veçanta. Kërkojini Zotit t’ju ndihmojë që të gjeni një mesazh i cili ka domethënie për ju, te Doktrina e Besëlidhje 30–36.

Shënojini Mbresat Tuaja

Parli P. Prati kishte qenë anëtar i Kishës për gati një muaj kur ai u thirr për “në vendin e shkretë” që të predikonte ungjillin (Doktrina e Besëlidhje 32:2). Tomas B. Marshi kishte qenë anëtar për edhe më pak kohë se aq kur atij iu thanë fjalët: “Ora e misionit tënd ka ardhur” (Doktrina e Besëlidhje 31:3). Orson Prati, Eduard Partrixhi dhe shumë të tjerë po ashtu sapo ishin pagëzuar kur erdhën thirrjet e tyre për misione. Ndoshta [thirrja në] këtë çast në kohë ishte e gjitha nga domosdoshmëria – në vjeshtën e vitit 1830 askush nuk kishte qenë anëtar i Kishës për më shumë se gjashtë muaj. Por në këtë model ka edhe një mësim për ne sot: nëse dini mjaft sa ta pranoni ungjillin e rivendosur nëpërmjet pagëzimit, ju dini mjaft sa ta përhapni atë tek të tjerët. Sigurisht ne gjithmonë dëshirojmë ta shtojmë diturinë tonë për ungjillin, por Perëndia nuk ka nguruar kurrë që të thërrasë “të pamësuar[it]” për ta predikuar ungjillin e Tij (Doktrina e Besëlidhje 35:13). Në fakt, Ai na fton ne të gjithëve: “Hap[eni] gojën për të shpallur ungjillin tim” (Doktrina e Besëlidhje 30:5). Dhe ne e bëjmë atë në mënyrën më të mirë jo nëpërmjet urtësisë dhe përvojës sonë, por “me anë të fuqisë së Shpirtit” (Doktrina e Besëlidhje 35:13).

Shih edhe “The Faith and Fall of Thomas Marsh”, “Ezra Thayer: From Skeptic to Believer”, “Orson Pratt’s Call to Serve”, Revelations in Context, f. 54–69.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 30–36

Unë thirrem për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit.

Pavarësisht nëse keni apo jo një thirrje formale si misionar/e, Zoti dëshiron që ju ta përhapni ungjillin e Tij dhe shumë prej fjalëve të Tij drejtuar misionarëve të hershëm të kësaj periudhe ungjillore janë edhe për ju. Ndërsa studioni seksionet te Doktrina e Besëlidhje 30–36, mbani shënim atë që mësoni rreth thirrjes për të predikuar ungjillin. Mund të bëni një listë të gjërave që Zoti i kërkoi prej misionarëve të Tij (për shembull, shih Doktrina e Besëlidhje 30:8) dhe një listë tjetër të gjërave që Zoti ua premton atyre (për shembull, shih Doktrina e Besëlidhje 30:11).

Si mund ta nxitin këto vargje dikë që e njihni, që po shërben ose po përgatitet për të shërbyer në një mision predikues ose me shërbim në Kishë? Çfarë gjeni që ju frymëzon ta përhapni ungjillin?

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 35:13–15; Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org; Silvia H. Ollred, “Shkoni, Pra”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 10–12.

misionare duke dhënë mësim

Ne të gjithë jemi misionarë për Kishën e Jezu Krishtit.

Doktrina e Besëlidhje 31:1–2, 5–6, 9, 13

Zoti mund të më ndihmojë për marrëdhëniet e mia familjare.

Familjet në vitet 1830 hasnin vështirësi me shumë prej të njëjtave çështje me të cilat përballen familjet sot. Çfarë udhëzimi dhe premtimesh i dha Zoti Tomas B. Marshit për familjen e tij? Si mund t’ju ndihmojnë fjalët e Tij në marrëdhëniet tuaja familjare?

Për më shumë informacion rreth Tomas B. Marshit, shih Saints [Shenjtorët] 1:79–80, 119–120.

Doktrina e Besëlidhje 3235

A ishte një dështim misioni te lamanitët?

Kur Oliver Kaudëri, Piter Uitmer i Riu, Parli P. Prati dhe Ziba Pitersoni u nisën që t’u predikonin indianëve të Amerikës në perëndim të Misurit, ata besuan se po i përmbushnin profecitë e Librit të Mormonit rreth lamanitëve që do ta merrnin ungjillin në ditët e mëvonshme (shih, për shembull, 1 Nefi 13:34–41; Enosi 1:11–18). Dhe prapëseprapë në fund të misionit të tyre, edhe pse kishin pasur takime pozitive me disa grupe, ata nuk kishin pagëzuar asnjë indian të vetëm të Amerikës. Por kishin pagëzuar mbi njëqind veta pranë Kirtlandit në Ohajo, ku kishin ndaluar në udhë e sipër për në Misuri. Mes atyre të kthyerve në besim ishin udhëheqës ndikues të Kishës, përfshirë Sidni Rigdonin, dhe Kirtlandi më vonë u bë një vend i rëndësishëm mbledhjeje për Kishën. Çfarë ju mëson kjo përvojë rreth mënyrës se si Zoti e kryen punën e Tij?

Shih edhe “A Mission to the Lamanites”, Revelations in Context, f. 45–49.

Doktrina e Besëlidhje 33:12–18

Nëse e ndërtoj jetën time mbi ungjillin e Shpëtimtarit, unë nuk do të bie.

Doktrina e Besëlidhje 33 iu drejtua Northrop Suitit dhe Ezra Thajrit, dy të kthyerve në besim të kohëve të fundit. Northropi e la Kishën pak kohë pasi u dha kjo zbulesë. Ezra shërbeu besnikërisht për njëfarë kohe, por përfundimisht edhe ai u largua nga Kisha. Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për të vlerësuar se me sa qëndrueshmëri jeni ngritur “mbi … shkëmb[in]” (vargu 13) e ungjillit. Çfarë të vërtetash në këto vargje mund t’ju ndihmojnë të mbeteni besnikë ndaj Shpëtimtarit?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 30:2.Si po veprojmë si familje që të përqendrohemi te gjërat e Perëndisë në vend të “gjëra[ve të] tokës”?

Doktrina e Besëlidhje 31.Teksa lexoni premtimet e Zotit drejtuar Tomas B. Marshit rreth familjes së tij, ju mund të flitni për bekimet që i kanë ardhur familjes suaj për shkak të punës misionare. Gjithashtu mund të këndoni një himn që lidhet me këtë gjë, të tillë si “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj” (Himne, nr. 173). Si është bekuar familja juaj nëpërmjet përhapjes së ungjillit tek të tjerët?

Doktrina e Besëlidhje 33:7–10.Çfarë përshkrimesh figurative përdori Zoti në këto vargje që ta përshkruante përhapjen e ungjillit? Për çfarë përshkrimesh figurative ose metaforash të tjera mund të mendojë familja juaj? Ndoshta këto përshkrime figurative mund ta ndihmojnë familjen tuaj që të mendojë për mënyra krijuese për ta përhapur ungjillin. Ky diskutim më pas mund të çojë drejt një plani për ta përhapur ungjillin. Merreni parasysh interpretimin me role të disa situatave të mundshme.

Doktrina e Besëlidhje 34:10.Zgjidhni një frazë nga vargu 10 dhe ftoni një pjesëtar të familjes për ta pëshpëritur atë. Pjesëtarë të tjerë të familjes mund të përpiqen ta gjejnë atë frazë. Pastaj kërkojini një pjesëtari të familjes ta thotë frazën me zë të lartë. Si ju ndihmon kjo veprimtari që të kuptoni arsyen përse Zoti na urdhëron ta “ngr[emë] zërin”?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Shpresoj të më Th’rrasin në Mision”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 91.

ikona zëra të rivendosjes

Zëra të Rivendosjes

Të Kthyerit e Hershëm në Besim

Edhe përpara se Kisha të organizohej, Zoti shpalli: “Fusha është e bardhë gati për t’u korrur” (Doktrina e Besëlidhje 4:4). Kjo thënie u provua të ishte e vërtetë në muajt që pasuan, teksa shumë kërkues të së vërtetës u udhëhoqën nga Shpirti i Perëndisë për të gjetur Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit.

Shumë prej këtyre të kthyerve të hershëm në besim ishin vendimtarë në hedhjen e themelit të Rivendosjes dhe historitë e tyre të kthimit në besim janë me vlerë për ne sot. Besimi që ata treguan, është i njëjti besim që na nevojitet për t’u bërë të kthyer në besimin tek ungjilli i Jezu Krishtit.

Abigejll Kalkins Lenërdi

Kur Abigejll Kalkins Lenërdi ishte rreth tridhjetë e pesë vjeçe, ajo ndjeu dëshirën që të merrte falje për mëkatet e saj. Me raste e lexonte Biblën dhe njerëz nga kisha të krishtera e vizitonin shtëpinë e saj, por ajo ishte e pështjelluar rreth gjërave që e dallonin njërën kishë nga tjetra. “Një mëngjes”, tha ajo, “mora Biblën time dhe shkova në pyll, ku rashë në gjunjë.” Iu lut Zotit me zjarr. “Menjëherë një vegim kaloi përpara syve të mi”, tha ajo, “dhe sektet e ndryshme kaluan përpara meje njëri pas tjetrit dhe një zë më thirri duke thënë: ‘Këta janë ndërtuar për të përfituar’. Pastaj, më tej, mund të shihja një dritë të madhe dhe një zë nga lart thirri: ‘Unë do të ngre një popull, të cilin me kënaqësi do ta quaj timin dhe do ta bekoj’.” Pak kohë më pas, Abigejlli dëgjoi për Librin e Mormonit. Edhe pse ajo ende nuk kishte një kopje, u përpoq të “dinte të vërtetën për këtë libër, nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë” dhe “menjëherë e ndjeu praninë e tij”. Kur më në fund ishte në gjendje ta lexonte Librin e Mormonit, ajo ishte “gati ta pranonte atë”. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Lajmëni, u pagëzuan në vitin 1831.1

Tomas B. Marshi

Kur Tomas B. Marshi ishte një i ri në moshë madhore, ai e studioi Biblën dhe u bashkua me një kishë të krishterë. Por ishte i pakënaqur, duke u larguar më së fundi nga të gjitha kishat. “Unë kisha një përmasë të shpirtit të profecisë”, tha ai, “dhe i thashë [një udhëheqësi fetar] se prisja që një kishë e re do të ngrihej, e cila do ta kishte të vërtetën në pastërti të plotë.” Jo shumë kohë pas kësaj, Tomasi pati një nxitje shpirtërore që të largohej nga shtëpia e tij në Boston të Masaçusetsit dhe të udhëtonte drejt perëndimit. Pasi kaloi tre muaj në Nju‑Jorkun perëndimor pa e gjetur atë që po kërkonte, ai u nis për në shtëpi. Gjatë udhës, një grua e pyeti Tomasin nëse kishte dëgjuar për “Librin e Artë, të gjetur nga një i ri i quajtur Jozef Smith”. I pushtuar nga ky mendim, Tomasi menjëherë udhëtoi për në Palmira dhe u takua me Martin Harrisin te shtypshkronja, pikërisht kur 16 faqet e para të Librit të Mormonit po dilnin nga shtypja. Tomasin e lejuan të merrte një kopje të atyre 16 faqeve dhe ia solli ato në shtëpi bashkëshortes së tij, Elizabetës. “Ajo u kënaq shumë” me librin, kujtoi ai, “duke besuar që ishte vepra e Perëndisë.” Tomasi dhe Elizabeta më vonë u shpërngulën në Nju‑Jork me fëmijët e tyre dhe u pagëzuan.2 (Për më shumë informacion rreth Tomas B. Marshit, shih Doktrina e Besëlidhje 31.)

Parli dhe Thenkful Prati

Sikurse Tomas Marshi, Parli dhe Thenkful Prati iu përgjigjën nxitjeve shpirtërore për ta lënë fermën e tyre të begatë në Ohajo me qëllim që të predikonin ungjillin siç e kuptonin nga Bibla. Siç i tha Parli vëllait të vet: “Shpirti i këtyre gjërave kishte ardhur kaq fuqishëm në mendjen time kohët e fundit sa nuk mund të gjeja qetësi”3. Kur mbërritën në Nju‑Jorkun lindor, Parli pati një nxitje që të qëndronte më gjatë në atë zonë. Thenkfulli, vendosën ata, do të vazhdonte udhën pa të. “Kam një punë për të bërë në këtë krahinë të vendit”, i tha Parli asaj, “dhe se çfarë është apo sa kohë do të më marrë për ta kryer, nuk e di; por do të vij kur ajo të mbarohet.”4 Ishte atje që Parli dëgjoi për herë të parë për Librin e Mormonit. “Ndjeva një interesim të çuditshëm për librin”, tha ai.5 Kërkoi një kopje dhe e lexoi gjatë gjithë natës. Në mëngjes, ai e dinte se libri ishte i vërtetë, duke e vlerësuar atë “më shumë se të gjitha pasuritë e botës”6. Brenda pak ditësh Parli u pagëzua. Më pas u kthye tek Thenkfulli, e cila gjithashtu u pagëzua. (Për më shumë informacion rreth Parli P. Pratit, shih Doktrina e Besëlidhje 32.)

Parli P. Prati

Pikturë e Parli P. Pratit nga Jeffrey Hein

Sidni dhe Fibi Rigdoni

Në udhë e sipër nga Nju‑Jorku për në misionin në Misuri, Parli Prati dhe bashkëpunëtorët e tij ndaluan në Mentor të Ohajos, në shtëpinë e Sidni dhe Fibi Rigdonit – miq të vjetër të cilët Parli i njihte që nga koha kur kishte qenë në Ohajo. Sidni ishte një shërbestar i krishterë dhe Parli dikur ishte anëtar i bashkësisë së tij dhe e konsideronte atë një këshillues shpirtëror. Parli me zell u tregoi miqve të tij rreth Librit të Mormonit dhe Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Sidni vetë kishte qenë duke kërkuar për një rivendosje të Kishës së vërtetë, gjë që e gjeti të përshkruar në Dhiatën e Re, edhe pse fillimisht ishte në mëdyshje për Librin e Mormonit. “Por do ta lexoj librin tënd”, i tha ai mikut të vet, Parlit, “dhe do të përpiqem të sigurohem nëse është një zbulesë nga Perëndia apo jo.”7 Pas dy javësh studimi e lutjeje, që të dy, ai dhe Fibi ishin të bindur se libri ishte i vërtetë. Por Sidni e dinte edhe se bashkimi me Kishën do të ishte një sakrificë e madhe për familjen e tij. Ishte e qartë që do të humbte punën e tij si shërbestar, së bashku me gjendjen e tij shoqërore në komunitet. Teksa ai dhe Fibi e diskutuan këtë mundësi, Fibi shpalli: “E kam llogaritur koston dhe … është dëshira ime të bëj vullnetin e Perëndisë, gjallë a vdekur”8.

burra duke ecur në dëborë

Shkoni në Vendin e Shkretë, nga Robert T. Barrett