Doktrina e Besëlidhje 2021
29 Mars – 4 Prill. Pashka: “Unë Jam Ai që Jeton, Unë Jam Ai që u Vra”


“29 Mars – 4 Prill. Pashka: ‘Unë Jam Ai që Jeton, Unë Jam Ai që u Vra’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“29 Mars – 4 Prill. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

statuja e Krishtit

29 Mars – 4 Prill

Pashka

“Unë Jam Ai që Jeton, Unë Jam Ai që u Vra”

Teksa përgatiteni për të kremtuar Ringjalljen e Shpëtimtarit në të dielën e Pashkës, përsiatni se si zbulesa moderne e ka thelluar besimin tuaj se Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë dhe Shëlbuesi i botës.

Shënojini Mbresat Tuaja

Data 3 prill 1836 ishte e diela e Pashkës. Pasi ndihmuan në administrimin e sakramentit për shenjtorët e mbledhur në Tempullin e sapopërkushtuar të Kirtlandit, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri gjetën një vend të qetë prapa një veli në tempull dhe ulën kokat në lutje të heshtur. Atëherë, në këtë ditë të shenjtë kur të krishterët kudo po kremtonin Ringjalljen e Jezu Krishtit, Vetë Shpëtimtari i ringjallur u shfaq në tempullin e Tij, duke shpallur: “Unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra” (Doktrina e Besëlidhje 110:4).

Çfarë kuptimi ka të thuash që Jezu Krishti është “ai që jeton”? Nuk do të thotë thjesht që Ai u ngrit nga varri në ditën e tretë dhe iu shfaq dishepujve të Tij galileas. Do të thotë që Ai jeton sot. Ai flet nëpërmjet profetëve sot. Ai e udhëheq Kishën e Tij sot. Ai shëron shpirtrat e lënduar dhe zemrat e thyera sot. Prandaj ne mund të përsëritim fjalët e dëshmisë së fuqishme të Jozef Smithit: “Pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia … që ne japim për të: Se ai jeton!” (Doktrina e Besëlidhje 76:22.) Mund ta dëgjojmë zërin e Tij në këto zbulesa. Mund ta dëshmojmë dorën e Tij në jetën tonë. Dhe secili nga ne mund ta ndiejë “gëzim[in që] jep o kjo fjali: ‘E di, jeton Shëlbuesi im!’” (Himne, nr. 74.)

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 29:5; 38:7; 62:1; 76:11–14, 20–24; 110:1–10

Jezu Krishti jeton.

Profeti Jozef Smith e pa Shpëtimtarin e ringjallur disa herë dhe dy prej këtyre përvojave shënohen te Doktrina e Besëlidhje. Teksa lexoni seksionet 76:11–14, 20–24; 110:1–10, çfarë ju bën përshtypje te dëshmia e Jozef Smithit? Përse dëshmia e tij është me vlerë për ju?

Gjatë gjithë librit Doktrina e Besëlidhje, Shpëtimtari dha dëshmi për vetë misionin dhe hyjninë e Tij. Çfarë mësoni rreth Krishtit të gjallë nga fjalët e Tij te Doktrina e Besëlidhje 29:5; 38:7; 62:1? Ju mund ta merrni parasysh t’i shënoni shpalljet si këto që i gjeni teksa lexoni librin Doktrina e Besëlidhje.

Shih edhe Joseph Smith – Historia 1:17.

Doktrina e Besëlidhje 29:26–27; 42:45–46; 63:49; 88:14–17, 27–31; 93:33–34

Në saje të Jezu Krishtit, unë do të ringjallem.

Jozef Smithi e dinte se çfarë ndiejmë kur vajtojmë për vdekjen e njerëzve të dashur. Dy prej vëllezërve të tij, Alvini dhe Don Karlosi, vdiqën kur ishin djem të rinj. Jozefi dhe Ema varrosën gjashtë fëmijë, secili më i vogël se dy vjeç. Por nga zbulesat që mori, Jozefi fitoi këndvështrim të përjetshëm mbi vdekjen dhe planin e përjetshëm të Perëndisë. Merrini në shqyrtim të vërtetat e zbuluara te Doktrina e Besëlidhje 29:26–27; 42:45–46; 63:49; 88:14–17, 27–31; 93:33–34. Si ndikojnë këto zbulesa mbi mënyrën se si e shihni vdekjen? Si mund të ndikojnë ato mbi mënyrën se si jetoni?

Shih edhe 1 Korintasve 15; M. Rasëll Ballard, “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 71–74; Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 182–184.

Doktrina e Besëlidhje 18:10–13; 19:16–19; 45:3–5; 76:69–70

Jezu Krishti përmbushi një “shlyerje të përsosur”.

Një mënyrë për t’u përqendruar te Shpëtimtari në kohën e Pashkës është të studiojmë zbulesat te Doktrina e Besëlidhje që na mësojnë rreth flijimit të Tij shlyes. Disa prej këtyre mund të gjenden te Doktrina e Besëlidhje 18:10–13; 19:16–19; 45:3–5; 76:69–70. Ndoshta mund të bëni një listë të të vërtetave për Shlyerjen e Shpëtimtarit që i gjeni te këto vargje. Për ta thelluar studimin tuaj, ju mund ta shtoni listën tuaj duke kërkuar referenca të shkrimeve të shenjta të renditura te “Shlyej, Shlyerje” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

Këtu janë disa pyetje që mund ta udhëzojnë studimin tuaj:

  • Pse zgjodhi Jezu Krishti të vuante?

  • Çfarë duhet të bëj unë për të marrë bekimet e flijimit të Tij?

  • Si mund ta dalloj nëse Shlyerja e Tij është duke pasur ndikim në jetën time?

Jezusi duke u Lutur

Zoti i Lutjes, nga Yongsung Kim

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Konferenca e përgjithshme.Meqë këtë vit konferenca e përgjithshme përkon me të dielën e Pashkës, ju mund ta merrni parasysh se si mesazhet e konferencës (si edhe muzika) mund ta thellojnë dëshminë e familjes suaj për Jezu Krishtin. Për shembull, fëmijët e vegjël mund të vizatojnë një figurë të Shpëtimtarit ose të mbajnë lart një figurë të Tij, kur dëgjojnë një mesazh ose këngë për Jezu Krishtin. Pjesëtarë të tjerë të familjes mund të bëjnë një listë të të vërtetave që dëgjojnë për Shpëtimtarin. Më pas, pjesëtarët e familjes mund t’i tregojnë vizatimet ose listat e tyre dhe të japin dëshmitë e veta për Jezu Krishtin.

Doktrina e Besëlidhje 88:14–17; 138:17, 50.Familja juaj mund të kënaqet duke menduar për një analogji ose mësim me sende për të shpjeguar se çfarë do të thotë të vdesësh dhe të ringjallesh – një analogji ose mësim që ilustron trupin e shpirtin duke u ndarë dhe më pas duke u ribashkuar, si për shembull një dorë e një dorashkë. Si e thellojnë këto vargje vlerësimin tonë për atë që bëri Shpëtimtari për ne?

“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve.”Për të nxitur diskutim rreth dëshmive të profetëve bashkëkohorë për Shpëtimtarin, ju mund t’i caktoni secilit pjesëtar të familjes që të lexojë një pjesë të dokumentit “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (Ensign ose Liahona, maj 2017, brenda kapakut të përparmë) dhe të tregojë atë që mësoi për Jezu Krishtin. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “Apostle Testimony Montage” [“Montazh i Dëshmive të Apostujve”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë të vërtetash gjejmë që na frymëzojnë?

“E Di, Jeton Shëlbuesi Im.”Për ta ndihmuar familjen tuaj që të marrë në shqyrtim shumë mënyra se si Shpëtimtari i ringjallur na bekon ne sot, ju mund të këndoni së bashku “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74) dhe t’i lidhni të vërtetat e dhëna mësim në këtë këngë me ato të dhëna mësim në vargjet vijuese: Doktrina e Besëlidhje 6:34; 45:3–5; 84:77; 98:18; 138:23. Familja juaj gjithashtu mund të kënaqet duke shkruar strofa shtesë për himnin, të cilat shprehin se si e dinë që Shëlbuesi i tyre jeton.

Për një material filmik dhe burime të tjerë për Pashkën, shih Easter.ComeUntoChrist.org.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Jezusi u Ngrit”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 44.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Gjeni mësime në gjërat e përditshme. Merrni parasysh se si përvojat e përditshme të pjesëtarëve të familjes suaj mund të çojnë drejt bashkëbisedimeve kuptimplote për një të vërtetë të ungjillit (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 4). Për shembull, një stuhi me shi mund të jetë një mundësi për të folur rreth mënyrës se si Perëndia derdh bekime mbi fëmijët e Tij.

Jezusi u shfaqet Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit

Jezu Krishti u Shfaqet Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit, nga Walter Rane