“22–28 Mars. Doktrina e Besëlidhje 29: ‘Jezu Krishti do t’i Mbledhë Njerëzit e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“22–28 Mars. Doktrina e Besëlidhje 29”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
22–28 Mars
Doktrina e Besëlidhje 29
Jezu Krishti do t’i Mbledhë Njerëzit e Tij
Njëri nga qëllimet e studimit të shkrimeve të shenjta është të mësojmë doktrinën ose të vërtetat e ungjillit që janë thelbësore për shpëtimin tonë. Ndërsa studioni këtë javë te Doktrina e Besëlidhje 29, kërkoni pikëpamje doktrinore që janë domethënëse për ju.
Shënojini Mbresat Tuaja
Edhe pse Kisha e Jezu Krishtit u organizua në vitin 1830, shumë të vërteta ungjillore ende duhej të zbuloheshin dhe disa anëtarë të hershëm të Kishës kishin pyetje. Ata kishin lexuar profeci në Librin e Mormonit për mbledhjen e Izraelit dhe ndërtimin e Sionit (shih 3 Nefi 21). Si do të ndodhte ajo? Zbulesat që shpalli se i mori Hajrëm Pejxhi, flitnin për atë çështje, gjë e cila vetëm sa e shtoi kureshtjen e anëtarëve (shih Doktrina e Besëlidhje 28). Njerëz të tjerë pyetnin veten rreth Rënies së Adamit e të Evës dhe vdekjes shpirtërore. Zoti i mirëpriti këto pyetje në vitin 1830: “Çfarëdo që do të kërkoni me besim”, u tha Ai shenjtorëve, “duke qenë të bashkuar në lutje sipas urdhërit tim, do ta merrni” (Doktrina e Besëlidhje 29:6). Dhe Ai i mirëpret pyetjet tona sot; Ai thjesht po pret që ne ta pyetim Atë në lutje. Në fakt, siç e tregon zbulesa mjaft e pasur nga ana doktrinore që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 29, Ai nganjëherë përgjigjet duke dhënë të vërtetë e dituri përtej pyetjeve që i bëmë në fillim.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Ati Qiellor përgatiti planin e përsosur për ekzaltimin tonë.
Doktrina e Besëlidhje 29 jep mësim shumë të vërteta rreth planit të Perëndisë për fëmijët e Tij. Teksa lexoni, kërkoni të vërteta që i mësoni për secilën prej pjesëve vijuese të planit:
-
Jeta para lindjes (shih vargjet 36–37)
-
Krijimi (shih vargjet 31–33)
-
Rënia e Adamit dhe e Evës (shih vargjet 40–41)
-
Jeta në vdekshmëri (shih vargjet 39, 42–45)
-
Shlyerja e Jezu Krishtit (shih vargjet 1, 42–43, 46–50)
-
Ringjallja (shih vargjet 13, 26)
-
Gjykimi Përfundimtar (shih vargjet 12–13, 27–30)
Çfarë pikëpamjesh të reja fituat? Si do të ishte ndryshe jeta juaj nëse nuk do të dinit rreth këtyre të vërtetave?
Mund të studioni më shumë rreth planit të Atit Qiellor te “Plani i Shpëtimit” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar, [2005], ChurchofJesusChrist.org/manual/missionary).
Jezu Krishti do t’i mbledhë njerëzit e Tij përpara Ardhjes së Tij të Dytë.
Jezu Krishti flet për mbledhjen e njerëzve të Tij “ashtu sikurse një klloçkë mbledh zogjtë e saj nën krahë” (Doktrina e Besëlidhje 29:2). Çfarë ju mëson ky përfytyrim rreth dëshirës së Shpëtimtarit për t’ju mbledhur? Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 29:1–8, kërkoni ide rreth arsyes përse mblidhemi, kush do të mblidhet dhe rreth mënyrës se si mund të ndihmojmë për t’i mbledhur “të zgjedhur[it]” (vargu 7).
Në kohën tonë, mbledhja në Sion do të thotë bashkimi në kunjet e Sionit anembanë botës. Si na ndihmon mbledhja si shenjtorë “për t’u përgatitur në gjithçka” për vuajtjet që do të vijnë përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit? (Vargu 8; shih edhe vargjet 14–28.)
Shih edhe Nenet e Besimit 1:10; Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018, ChurchofJesusChrist.org).
Doktrina e Besëlidhje 29:31–35
“Gjithë gjërat për mua janë shpirtërore.”
Në çfarë kuptimi të gjitha urdhërimet janë shpirtërore? Çfarë ju mëson rreth qëllimit të urdhërimeve njohuria se të gjitha urdhërimet janë shpirtërore? Mund të renditni disa urdhërime dhe t’i merrni në shqyrtim parimet shpirtërore që lidhen me secilin prej tyre.
Çfarë mund të ndryshojë nëse kërkoni domethënie ose qëllim shpirtëror në detyrat tuaja të përditshme, edhe në ato detyra që duken si fizike apo të rëndomta?
Shih edhe Romakëve 8:6; 1 Nefi 15:30–32.
Doktrina e Besëlidhje 29:36–50
Jezu Krishti na shëlben nga Rënia.
Kjo zbulesë hapet me Zotin që e paraqet veten e Tij si Shëlbuesi ynë, i cili ka “shlyer për mëkatet t[ona]” (vargu 1). Zbulesa vazhdon duke shpjeguar disa nga arsyet përse kemi nevojë për një Shëlbues. Merreni parasysh se si do t’i përdornit vargjet 36–50 që të shpjegoni përse kemi nevojë për shëlbim nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht. Në shumë tradita fetare, Rënia shihet si tragjedi; çfarë gjeni në këto vargje që na mësojnë rezultatet pozitive të Rënies? (Shih edhe 1 Korintasve 15:22; 2 Nefi 2:6–8, 15–29; Mosia 3:1–19; Moisiu 5:9–12.)
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 29.Mund të përdorni figurat në fund të këtij përvijimi së bashku me seksionin Doktrina e Besëlidhje 29 që t’i mësoni familjes suaj për planin e shpëtimit. Për shembull, pjesëtarët e familjes mund të mësojnë për pjesët e ndryshme të planit duke lexuar dhe diskutuar vargjet e sugjeruara. Ata mund të gjejnë të vërteta shtesë në Gospel Topics [Temat e Ungjillit] (topics.ChurchofJesusChrist.org) ose në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Shkruajeni atë që mësoni. Çfarë jemi mirënjohës të dimë rreth planit të shpëtimit? Si ndikon në jetën tonë të përditshme njohuria për atë plan?
-
Doktrina e Besëlidhje 29:2, 7–8.Çfarë do të thotë të mblidhemi nga Shpëtimtari? Si mund ta ndihmojmë Atë që t’i mbledhë të zgjedhurit?
-
Doktrina e Besëlidhje 29:3–5.Çfarë mësojmë për Shpëtimtarin nga këto vargje që na ndihmon të “gëzoh[em]i në zemrat [tona] e [të] ngazëlleh[em]i? (Vargu 5.) Materiali filmik “We Can Find Happiness” [“Ne Mund të Gjejmë Lumturi”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’ju ndihmojë të diskutoni se si njohuria për planin e shpëtimit i ka sjellë lumturi familjes suaj.
-
Doktrina e Besëlidhje 29:34–35.Leximi i këtyre vargjeve mund t’u japë pjestarëve të familjes suaj një mundësi që të flasin rreth arsyeve shpirtërore që qëndrojnë pas disa prej urdhërimeve ose pas këshillës profetike që ju po përpiqeni të ndiqni. Për shembull, përse Zoti dëshiron që ne t’i lexojmë shkrimet e shenjta si familje? Çfarë përfitimesh shpirtërore kemi parë nga zbatimi i urdhërimeve?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Izrael, Per’ndia po Th’rret”, Himne, nr. 7.