Doktrina e Besëlidhje 2021
1–7 Mars. Doktrina e Besëlidhje 20–22: “Ngritja e Kishës së Krishtit”


“1–7 Mars. Doktrina e Besëlidhje 20–22: ‘Ngritja e Kishës së Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“1–7 Mars. Doktrina e Besëlidhje 20–22”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

shtëpia e Piter Uitmerit

Shtëpia e Piter Uitmerit, nga Al Rounds

1–7 Mars

Doktrina e Besëlidhje 20–22

“Ngritja e Kishës së Krishtit”

Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 20–22, jini të hapur ndaj mbresave nga Fryma e Shenjtë. Merrni parasysh t’i mbani shënim që të mund t’u referoheni sërish atyre.

Shënojini Mbresat Tuaja

Puna e Profetit Jozef Smith për përkthimin e Librit të Mormonit tanimë kishte përfunduar. Por puna e Rivendosjes vetëm sapo kishte filluar. Ishte e qartë nga zbulesat e hershme që përveç rivendosjes së doktrinës dhe autoritetit të priftërisë, Zoti dëshironte që të rivendoste një organizatë zyrtare – Kishën e Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 10:53; 18:5). Kështu, më 6 prill 1830, më shumë se 40 besimtarë u mblodhën në shtëpinë prej druri të familjes Uitmer në Fajet të Nju‑Jorkut, për të dëshmuar organizimin e Kishës së Jezu Krishtit.

Megjithatë disa njerëz e pyetin veten: Pse është e nevojshme një Kishë e organizuar? Përgjigjja mund të gjendet, të paktën pjesërisht, te zbulesat që lidhen me atë mbledhje të parë të Kishës në vitin 1830. Këtu përshkruhen bekime që nuk do të ishin të mundura nëse Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit nuk do të ishte “organizuar dhe ngritur në mënyrë të rregullt” në ditët e mëvonshme (Doktrina e Besëlidhje 20:1).

Shih edhe Shenjtorët, 1:84–86 dhe “Build Up My Church”, Revelations in Context, f. 29–32.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 20:1–36

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme themelohet mbi doktrinën e vërtetë.

Seksioni 20 paraqitet si një “zbulesë mbi organizimin dhe qeverisjen e Kishës” (kreu i seksionit). Por përpara përshkrimit të shkurtër të rregulloreve të Kishës, të detyrave të priftërisë e të procedurave për kryerjen ordinancave, kjo zbulesë fillon duke na mësuar doktrinën themelore. Teksa lexoni 36 vargjet e para të kësaj zbulese, bëjini vetes pyetjen se cila mund të ishte arsyeja për këtë gjë. Gjithashtu mund të bëni një listë të të vërtetave të ungjillit që i gjeni. Ja disa shembuj:

Përse këto të vërteta do të ishin të rëndësishme të theksoheshin teksa po krijohej Kisha?

Doktrina e Besëlidhje 20:37, 75–79

Ordinancat e shenjta janë pjesë thelbësore e Kishës së rivendosur.

Kur u organizua Kisha, Zoti u dha mësim shenjtorëve të Tij rreth ordinancave të shenjta, përfshirë pagëzimin dhe sakramentin. Ndërsa lexoni udhëzimet “lidhur me mënyrën e pagëzimit” te vargu 37, mendoni për vetë pagëzimin tuaj. A patët ndonjë nga ndjenjat e përshkruara në këtë varg? A i keni tani? Përsiatni se çfarë mund të bëni për ta mbajtur të gjallë “vendosmëri[në tuaj] për t’i shërbyer [Jezu Krishtit] deri në fund”.

Ndërsa lexoni rreth sakramentit te Doktrina e Besëlidhjet 20:75–79, përpiquni t’i lexoni këto lutje të shenjta sipas këndvështrimit të dikujt që po i dëgjon për herë të parë. Çfarë idesh merrni rreth sakramentit? Rreth vetes suaj? Si mund të ndikojnë këto ide në mënyrën se si përgatiteni për ta marrë sakramentin këtë javë?

dhjakë duke shpërndarë sakramentin

Sakramenti është një ordinancë e shenjtë.

Doktrina e Besëlidhje 20:38–60

Shërbimi i priftërisë i bekon anëtarët e Kishës dhe familjet e tyre.

Nëse dikush do t’ju kërkonte të përmendnit detyrat e një mbajtësi të priftërisë, çfarë do të thoshit? Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 20:38–60, ku renditen detyrat e funksioneve të ndryshme në priftëri. A e ndryshon ndonjë gjë në këto vargje mënyrën se si mendoni rreth detyrave të priftërisë dhe se si e bën Shpëtimtari punën e Tij? Si jeni bekuar ju nëpërmjet punës së përshkruar në këto vargje?

Për të mësuar se si gratë e ushtrojnë autoritetin e priftërisë në punën e Kishës, shihni Dallin H. Ouks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 49–52.

Doktrina e Besëlidhje 21

Kisha e Jezu Krishtit udhëhiqet nga një profet i gjallë.

Çfarë mësoni nga Doktrina e Besëlidhje 21:4–9 rreth fjalëve të profetëve të Zotit? Merrini në shqyrtim premtimet e përshkruara te vargu 6 për ata njerëz që i marrin fjalët e Zotit nëpërmjet profetit të Tij. Çfarë domethënie kanë këto premtime për ju?

Si mund ta merrni fjalën e profetit të gjallë “si nga goja [e Perëndisë]”? (Vargu 5.) Çfarë këshille ka dhënë profeti i sotëm, e cila mund të na çojë drejt bekimeve të premtuara te vargu 6?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 20.Çfarë do të thoshim nëse dikush do të na pyeste se përse na nevojitet Kisha? Çfarë përgjigjesh gjejmë te Doktrina e Besëlidhje 20? Shih edhe D. Tod Kristoferson, “Përse Kisha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 108–111.

Doktrina e Besëlidhje 20:69.Çfarë do të thotë të “ec[ësh] në shenjtëri përpara Zotit”? Mund të jetë argëtuese për pjesëtarët e familjes që të vizatojnë ose shkruajnë në fletë letre disa gjëra që mund t’i ndihmonin të ecnin në shenjtëri ose gjëra që mund t’ua largonin vëmendjen nga bërja e kësaj gjëje. Më pas ata mund të krijojnë një shteg duke i përdorur fletët dhe të përpiqen të ecin në atë shteg, duke shkelur vetëm mbi vizatimet që do t’i sjellin te Krishti.

Doktrina e Besëlidhje 20:37, 71–74.Nëse dikush në familjen tuaj nuk është pagëzuar ende, këto vargje mund të çojnë drejt një diskutimi për mënyrën se si të përgatiten për pagëzim (shih vargun 37) dhe mënyrën se si kryhen pagëzimet (shih vargjet 71–74). Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë fotografi ose kujtime nga dita e pagëzimit të tyre.

Doktrina e Besëlidhje 20:75–79.Si mund t’i përdorë familja juaj këto vargje që të përgatitet për përvoja domethënëse dhe nderuese me sakramentin? Këto vargje mund të sugjerojnë gjëra që ju mund t’i përsiatni gjatë sakramentit dhe pjesëtarët e familjes mund të gjejnë ose të vizatojnë figura të atyre gjërave. Si të jetë e përshtatshme, ju mund t’i sillni ato figura në mbledhjen tuaj të ardhshme të sakramentit si kujtues se për çfarë të mendoni gjatë sakramentit.

Doktrina e Besëlidhje 21:4–7.Merrni parasysh t’i ftoni pjesëtarët e familjes që të kërkojnë fjalë e fraza te vargjet 4–5, të cilat na mësojnë se si ta ndjekim profetin e Zotit. Çfarë do të thotë t’i marrësh fjalët e profetit me durim? Me besim? Kur i kemi marrë bekimet e premtuara te vargu 6?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Kisha e Jezu Krishtit”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 48.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Mbajeni si shembull jetën e Shpëtimtarit. “Fuqia e Shpëtimtarit për t’i mësuar e lartësuar të tjerët erdhi nga mënyra se si jetoi Ai dhe lloji i njeriut që ishte Ai. Sa më me zell që përpiqeni të jetoni si Jezu Krishti, aq më shumë do të jeni në gjendje të jepni mësim si Ai” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 13).

Oliver Kaudëri duke shuguruar Jozef Smithin

Oliver Kaudëri Shuguron Jozef Smithin, nga Walter Rane