“8–14 Mars. Doktrina e Besëlidhje 23–26: ‘Forcimi i Kishës’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“8–14 Mars. Doktrina e Besëlidhje 23–26”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
8–14 Mars
Doktrina e Besëlidhje 23–26
“Forcimi i Kishës”
Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 23–26, mbani shënim mbresat që merrni nga Fryma e Shenjtë. Si mund ta zbatoni këshillën në këto zbulesa për të forcuar vetë dishepullimin tuaj dhe gjithashtu Kishën?
Shënojini Mbresat Tuaja
Pasi u organizua Kisha, shenjtorët u përballën me një sfidë të re – të përhapnin ungjillin dhe t’i forconin ata që ishin bashkuar tashmë me Kishën, e gjitha kjo ndërkohë që përndjekja vazhdonte të rritej. Ema Smithi e dëshmoi kundërshtimin personalisht. Në qershor 1830, Ema dhe pjesëtarët e familjes Najt dëshironin të pagëzoheshin. Por armiqtë e Kishës u përpoqën ta prishnin atë që duhej të kishte qenë një përvojë e shenjtë. Fillimisht ata e shkatërruan pritën që ishte ndërtuar për të siguruar ujë mjaftueshëm të thellë për pagëzimet. Edhe pasi u riparua prita, përndjekësit u mblodhën që t’u bënin kërcënime dhe të talleshin me ata që po pagëzoheshin. Më pas, pikërisht kur Jozefi ishte gati t’i konfirmonte anëtarët e rinj, atë e arrestuan ngaqë e kishte shqetësuar komunitetin duke predikuar rreth Librit të Mormonit. Dukej si një fillim jopremtues për Kishën e saporivendosur të Zotit. Por mes kësaj pasigurie dhe trazire, Zoti dha fjalë të vyera këshille dhe inkurajimi, të cilat përfaqësojnë “zëri[n e Tij] për të gjithë” (Doktrina e Besëlidhje 25:16).
Shih edhe Saints [Shenjtorët], 1:89–90, 94–97.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Unë mund të ndihmoj për ta forcuar Kishën e Zotit.
Sot, gati 200 vjet pasi u organizua Kisha e rivendosur, nevoja për “forcimi[n e] kishës” vazhdon (Doktrina e Besëlidhje 23:3–5). Dhe kjo punë nuk është vetëm për Jozef Smithin, Oliver Kaudërin ose udhëheqësit tanë të tanishëm të Kishës – ajo është për ne të gjithë. Gjatë gjithë studimit tuaj te Doktrina e Besëlidhje 23–26, përsiatni këshillën që Zoti ua dha anëtarëve të hershëm të Kishës për t’i ndihmuar ata që ta forconin Kishën. Çfarë mendoni se dëshiron Zoti që ju të bëni për të marrë pjesë në këtë përpjekje?
Shpëtimtari mund të më shpëtojë “nga të gjitha mundimet e [mia]”.
Drejtimi i Kishës gjatë një kohe përndjekjeje të madhe, duhej të kishte qenë një barrë e rëndë për Jozef Smithin. Kërkojini fjalët nxitëse të Zotit te Doktrina e Besëlidhje 24.
Çfarë ju sugjerojnë shkrimet e shenjta vijuese rreth mënyrës se si Shpëtimtari mund t’ju shpëtojë nga mundimet tuaja?
Në ç’mënyrë ju ka shpëtuar Jezu Krishti nga mundimet tuaja? Çfarë mund të bëni që të vazhdoni të kërkoni ndihmën e Tij gjatë kohëve të vështira?
Ema Smithi është “një zonjë e zgjedhur”.
Kur Ema Hejli u martua me Jozef Smithin, ajo ndoshta nuk e dinte se do të bënte sakrifica. Ajo po dilte kundër dëshirave të babait të saj dhe po shkëmbente një jetë relativisht të rehatshme me një jetë plot pasiguri. Mund ta ketë pyetur veten se çfarë priste Zoti prej saj në punën e Rivendosjes. Kërkoni përgjigjet që dha Zoti te Doktrina e Besëlidhje 25. Shënojini fjalët e Zotit te vargu 16 – a gjeni diçka në këtë seksion që e ndieni se është “zëri [i Tij] për [ju]”?
Shih edhe “An Elect Lady” [“Një Zonjë e Zgjedhur”] (material filmik, ChurchofJesusChrist.org); “Thou Art an Elect Lady”, Revelations in Context, f. 33–39; Xhoi D. Xhons, “Një Thirrje Veçanërisht Fisnike”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 15–18.
Çfarë është miratimi i përbashkët?
Kur anëtarët marrin thirrje ose shugurime priftërie në Kishë, ne kemi mundësinë t’i mbështetim formalisht duke ngritur dorën tonë si shenjë përkrahjeje. Parimi i shfaqjes së përkrahjes dhe marrëveshjes publike quhet miratim i përbashkët. Sikurse dha mësim Presidenti Gordon B. Hinkli: “Procedura e mbështetjes është shumë më tepër se një ngritje e dorës në mënyrë rituale. Ajo është një zotim për t’i përkrahur, për t’i mbështetur, për t’i ndihmuar ata që janë zgjedhur” (“This Work Is Concerned with People”, Ensign, maj 1995, f. 51).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 23:6.Përse dëshiron Zoti që ne të lutemi “në familjen t[onë], dhe midis miqve t[anë], dhe në të gjitha vendet”? Çfarë na mëson për fuqinë e lutjes kënga “Dashuri Këtu Ka” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 102) ose një këngë tjetër që flet për lutjen?
Shih edhe 2 Nefi 32:8–9; 3 Nefi 18:18–23.
-
Doktrina e Besëlidhje 24:8.A do të ishte e dobishme për familjen tuaj që të flitni rreth asaj që do të thotë të “ji[ni të] duruar në mundime”? Nëse keni fëmijë të vegjël, mund të jetë argëtuese të rikrijoni eksperimentin që Presidenti Diter F. Uhtdorf e përshkroi te biseda “Vazhdoni me Durim” (Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 56; shih edhe materialin filmik te ChurchofJesusChrist.org). Çfarë na mëson Doktrina e Besëlidhje 24:8 rreth durimit? Si na ndihmon Zoti që të jemi të duruar në mundimet tona?
-
Doktrina e Besëlidhje 25:11–12.Ndoshta mund të këndoni himnin ose këngën e parapëlqyer të secilit pjesëtar të familjes dhe të flitni rreth arsyes përse ajo është “këng[a] e zemrës” së tij ose të saj. Në ç’mënyrë janë këto këngë si “një lutje për [Perëndinë]”?
-
Doktrina e Besëlidhje 26:2.Mund të jetë e dobishme të shihni frazën “Miratim i Përbashkët” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Si e tregojmë përkrahjen tonë për udhëheqësit tanë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Me Zë të Lart’ t’Këndojm’”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 124 (shih “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”).
Zëra të Rivendosjes
Ema Hejl Smithi
Fjalët e Zotit drejtuar Ema Smithit, të shënuara te Doktrina e Besëlidhje 25, zbulojnë se si u ndie Ai për të dhe ndihmesat që ajo mund të jepte në punën e Tij. Por si ishte Ema? Çfarë dimë rreth personalitetit të saj, marrëdhënieve të saj, anëve të saj të forta? Një mënyrë se si mund të arrijmë ta njohim këtë “zonjë [të] zgjedhur” (Doktrina e Besëlidhje 25:3), është të lexojmë fjalët e njerëzve që e njihnin atë personalisht.
Jozef Smith i Riu, bashkëshorti i saj
“Me ç’gëzim të papërshkrueshëm dhe me sa shumë lumturi u mbush kraharori im, kur e mora për dore, atë natë, Emën time të dashur – ajo që ishte gruaja ime, madje gruaja e rinisë sime; dhe zgjedhja e zemrës sime. Të shumta ishin mendimet në mendjen time kur, për një çast, solla ndër mend skenat e shumta që ishim thirrur të kalonim. Lodhjet e mundimet, hidhërimet e vuajtjet, si dhe gëzimet e ngushëllimet, herë pas here, i kishin shtruar shtigjet tona dhe e kishin bekuar jetën tonë. Oh, çfarë mendimesh të trazuara e pushtuan mendjen time për një çast, ajo është përsëri këtu, pavarësisht nga shqetësimi që kemi, e paepur, e fortë dhe e patundur, e pandryshueshme, e dashura Ema!”1
Lusi Mek Smithi, vjehrra e saj
“Ajo ishte atëherë e re dhe, duke qenë nga natyra ambicioze, tërë zemra e saj ishte në punën e Zotit dhe ajo nuk ndiente ndonjë interesim përveçse për kishën dhe kauzën e së vërtetës. Çfarëdo që gjenin për ta bërë duart e saj, ajo e bënte me fuqinë e saj dhe nuk bënte pyetjen egoiste: ‘A do të përfitoj më shumë se gjithë të tjerët?’ Nëse pleqtë dërgoheshin larg për të predikuar, ajo ishte e para që i jepte në mënyrë vullnetare shërbimet e saj për të ndihmuar me veshjet për udhëtimin e tyre, pavarësisht se cilat ishin mundimet e veta.”2
“Nuk kam parë kurrë një grua në jetën time që do të duronte çdo lloj lodhjeje dhe vështirësie, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit, me atë kurajë, zell dhe durim sypatrembur, gjë që ajo e ka bërë gjithmonë; sepse e di se çfarë i është dashur të durojë; se ajo është hedhur në oqeanin e pasigurisë; se ajo i ka bërë ballë stuhisë së përndjekjes dhe ka luftuar kundër tërbimit të burrave e djajve, derisa është përpirë në detin e shqetësimeve, gjë që do ta kishte rrëzuar përtokë pothuajse çdo grua tjetër.”3
Jozef Smith Plaku, vjehrri i saj
Bekimi patriarkal i Emës, i shqiptuar nga Jozef Smith Plaku, i cili po shërbente si patriark i Kishës:
“Ema, nusja e birit tim, ti je e bekuar nga Zoti për besnikërinë dhe vërtetësinë tënde: ti do të bekohesh me bashkëshortin tënd dhe do të gëzohesh në lavdinë që do të vijë mbi të: Shpirti yt është munduar për shkak të ligësisë së njerëzve që kërkojnë shkatërrimin e bashkëshortit tënd dhe tërë shpirti yt është derdhur në lutje për çlirimin e tij: gëzohu, ngaqë Zoti, Perëndia yt, e ka dëgjuar përgjërimin tënd.
Ti je e pikëlluar për ngurtësinë e zemrave të shtëpisë së atit tënd dhe e ke dëshiruar prej kohësh shpëtimin e tyre. Zoti do të ketë nderim për thirrjet e tua dhe nëpërmjet gjykimeve të Tij, Ai do të bëjë që disa prej tyre ta kuptojnë marrëzinë e tyre dhe të pendohen për mëkatet e tyre; por do të jetë nëpërmjet mundimit, që ata do të shpëtohen. Ti do të shohësh shumë ditë; po, Zoti do të të ruajë derisa të jesh e kënaqur, pasi ti do ta shohësh Shëlbuesin tënd. Zemra jote do të gëzohet në punën e madhërishme të Zotit dhe askush nuk do ta largojë ngazëllimin tënd prej teje.
Gjithmonë duhet të kujtosh denjimin e madh të Perëndisë tënd, që të lejoi ty, për ta shoqëruar birin tim kur engjëlli e dorëzoi analin e nefitëve në përkujdesjen e tij. Ti ke parë shumë hidhërime ngaqë Zoti ka marrë prej teje tre nga fëmijët e tu: për këtë gjë ti nuk je fajtore, sepse Ai i di dëshirat e tua të pastra për të rritur një familje, që emri i birit tim të mund të bekohet. Dhe tani, vër re, unë të them, se kështu thotë Zoti, nëse do të besosh, ti akoma do të bekohesh në këtë gjë dhe do të sjellësh fëmijë të tjerë, për gëzimin dhe kënaqësinë e shpirtit tënd, dhe për ngazëllimin e miqve të tu.
Do të bekohesh me kuptueshmëri dhe do të kesh fuqi për t’u dhënë udhëzim grave të tjera. Mësoji familjes tënde drejtësi dhe të vegjëlve të tu mënyrën e jetës, dhe engjëjt e shenjtë do të vëzhgojnë mbi ty: dhe ti do të shpëtohesh në mbretërinë e Perëndisë; madje kështu. Amen.”4