Doktrina e Besëlidhje 2021
8–14 Mars. Doktrina e Besëlidhje 23–26: “Forcimi i Kishës”


“8–14 Mars. Doktrina e Besëlidhje 23–26: ‘Forcimi i Kishës’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“8–14 Mars. Doktrina e Besëlidhje 23–26”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Ema Smithi

8–14 Mars

Doktrina e Besëlidhje 23–26

“Forcimi i Kishës”

Teksa përgatiteni të jepni mësim, merrni parasysh ide për veprimtari në të dy pjesët si “Fëmijët Më të Vegjël” edhe “Fëmijët Më të Mëdhenj”.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Shfaqni një figurë të Ema Smithit (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë për të, përfshirë gjëra që mund t’i kenë mësuar duke studiuar te Doktrina e Besëlidhje 25 javën e kaluar. “Kapitulli 13: Jozefi dhe Ema” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 51–55) mund të ndihmojë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 23:6; 26:1

Perëndia do që unë të lutem dhe të mësoj nga shkrimet e shenjta çdo ditë.

Zoti i këshilloi udhëheqësit dhe miqtë e hershëm të Kishës që të luteshin (shih te Doktrina e Besëlidhje 23:6) dhe t’i studionin shkrimet e shenjta (shih te Doktrina e Besëlidhje 26:1). Si mund t’i ndihmoni fëmijët që t’i bëjnë lutjen dhe shkrimet e shenjta pjesë të jetës së tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve nga Doktrina e Besëlidhje 23:6, duke filluar me “duhet të lutesh”. Ndihmojini të dallojnë mënyrat se si Zoti tha që duhet të lutemi, dhe vendet e ndryshme ku duhet të lutemi. Ftojini të bëjnë vizatime të vetes së tyre duke u lutur sipas njërës prej atyre mënyrave ose në njërin nga ato vende.

  • Nëse nevojitet, shpjegojuni fëmijëve se si të luten. Një këngë mbi lutjen, e tillë si “I Pray in Faith” [“Unë Lutem me Besim”] (Children’s Songbook, f. 14), mund të ndihmojë.

  • Lexojuni fëmijëve: “Ju duhet t’ia kushtoni kohën tuaj studimit të shkrimeve të shenjta” (Doktrina e Besëlidhje 26:1). Thuajuni atyre se përse i studioni shkrimet e shenjta. Ndihmojini të mendojnë për mënyra se si mund të mësojnë nga shkrimet e shenjta, edhe pse nuk mund të lexojnë ende.

  • Këndoni së bashku “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66) ose një këngë tjetër për lutjen dhe studimin e shkrimeve të shenjta. Ndihmojini fëmijët të zbulojnë bekimet e premtuara në atë këngë. Tregojuni atyre për ndjenjat shpirtërore që keni pasur kur jeni lutur dhe keni lexuar shkrimet e shenjta.

Doktrina e Besëlidhje 25:11–12

Jezusi e do shumë “këngën e zemrës”.

Zoti tha se muzika e shenjtë “është e kënaqshme për mua”. Ndihmojini fëmijët ta shohin të kënduarit jo thjesht si një veprimtari zbavitëse, por edhe si një mënyrë për ta adhuruar Atë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni secilin fëmijë ta tregojë himnin ose këngën e Kishës të parapëlqyer prej tij apo saj dhe këndojini së bashku disa prej tyre. Lexojuani fëmijëve vargun te Doktrina e Besëlidhje 25:12 dhe ftojini ta përfytyrojnë se si ndihen Ati Qiellor dhe Jezusi kur na dëgjojnë t’i këndojmë këto këngë.

  • Mësojuni fëmijëve një këngë për të kënduarit, të tillë si “Me Zë të Lart’ t’Këndojm’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 124), ose një këngë për Jezu Krishtin, të tillë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20). Ftojini ata ta këndojnë këngën këtë javë me familjet e tyre.

    fëmijë duke kënduar

    Të kënduarit është një mënyrë se si mund ta shfaqim dashurinë tonë për Perëndinë.

Doktrina e Besëlidhje 25:13, 15

Unë mund të përgatitem për të bërë besëlidhje të shenjta.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, po përgatiten të bëjnë besëlidhjen e tyre të parë me Atin Qiellor kur të pagëzohen. Si mund t’i ndihmoni ata të kuptojnë se sa të çmuara janë besëlidhjet tona?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve te Doktrina e Besëlidhje 25:13. Shpjegojuni që fjala “kapu” në këtë varg do të thotë të mbahesh fort te diçka. Për t’i ndihmuar ta kuptojnë, kaloni përreth dhomës diçka të ngurtë, si një gur (ose edhe një shufër të hekurt) dhe ftojini fëmijët ta kapin sendin sa më fort që të munden. Shpjegoni se kapja pas besëlidhjeve tona do të thotë të mbahemi te (ose t’i vëmë në jetë) premtimet që i bëjmë me Atin Qiellor, dhe të mos i lëshojmë kurrë (ose të mos heqim dorë kurrë).

  • Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u dhënë mësim fëmijëve për rastet kur ne bëjmë besëlidhje me Atin Qiellor. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 25:15 dhe shpjegoni se fjalët “kurorë drejtësie” përfaqësojnë bekimin që do të kthehemi të jetojmë me Perëndinë, Mbretin tonë Qiellor.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 23:3–7; 25:7

Jezusi do që unë t’i forcoj njerëzit përreth meje.

Kur Kisha u organizua fillimisht, nuk kishte shumë anëtarë. Zoti u kërkoi shenjtorëve ta ndërtonin Kishën duke e përhapur ungjillin dhe duke e forcuar njëri‑tjetrin. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë sot.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të gjejnë çdo rast të fjalëve “këshillimi”, “këshillim” dhe “këshilluar” te Doktrina e Besëlidhje 23:3–7; 25:7. Ndihmojini ata t’i përkufizojnë këto fjalë. Në ç’mënyrë mund të forcohet dikush nga këshillimi? Ftojini fëmijët të interpretojnë me role “këshillimin” e dikujt, por ta bëjnë atë me dashuri.

  • Si mund të veprojmë më mirë në punën për forcimin e anëtarëve të tjerë të Kishës? Për ta ilustruar këtë parim, jepini një fëmije një detyrë që kërkon shumë ndihmës. Pastaj kërkojuni fëmijëve të tjerë të ndihmojnë dhe diskutoni se sa më e lehtë u bë detyra. Tregoni një përvojë ku ju u forcuat nga shërbimi i një bashkanëtari të Kishës.

Doktrina e Besëlidhje 24:1, 8

Shpëtimtari mund të më shpëtojë “nga të gjitha mundimet” e mia.

Jozef Smithi vuajti shumë sprova, por ai qe në gjendje të “[ishte] i duruar në mundime”, sepse Zoti premtoi që Ai do të ishte gjithmonë me të.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët t’i renditin në tabelë disa nga mundimet ose sfidat me të cilat po përballeshin Jozef Smithi dhe shenjtorët e tjerë të hershëm (shih te “Kapitulli 11: Më Shumë Njerëz Bashkohen me Kishën”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 46–47, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Pastaj ftojini ata ta zbulojnë atë që Zoti i tha Jozefit për mundimet e tij te Doktrina e Besëlidhje 24:1, 8. Si mund ta kërkojmë ndihmën e Shpëtimtarit kur po kalojmë një kohë të vështirë?

  • Për t’u dhënë mësim fëmijëve se nganjëherë na nevojitet të jemi të “duruar në mundime[t]” tona, mund të shfaqni materialin filmik “Continue in Patience” [“Vazhdoni me Durim”] (ChurchofJesusChrist.org). Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për diçka që e duan vërtet, por për të cilën iu duhet të presin. Përse Zoti nganjëherë na kërkon të kemi durim gjatë kohëve me sfida në jetën tonë? Në ç’mënyrë Ai na e bën të ditur se Ai është “me [ne]” gjatë mundimeve tona?

Doktrina e Besëlidhje 25:13

Unë mund të “kap[em] pas besëlidhjeve” që kam bërë.

Pak kohë pasi Ema Smithi u pagëzua, Zoti i tha asaj: “Kapu pas besëlidhjeve që ke bërë”. Merreni parasysh mënyrën se si kjo këshillë mund t’i bekojë fëmijët të cilëve u jepni mësim.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 25:13 dhe pyetini fëmijët se çfarë do të thotë në këtë varg të “kap[emi] pas besëlidhjeve” që bëjmë. Për ta ilustruar, kaloni përreth sende që janë mbërthyer fort së bashku dhe lërini fëmijët të përpiqen që t’i ndajnë. Përse fjala “kapu” është një fjalë e mirë për të përshkruar se si duhet të ndihemi për besëlidhjet tona?

  • Nëse nevojitet, rishikojini me fëmijët besëlidhjet që bëjmë kur pagëzohemi (shih te Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:37). Çfarë do të thotë të “kap[emi]” pas këtyre besëlidhjeve?

  • Rishikojini së bashku disa gjëra që dini rreth jetës së Ema Smithit (shih “Kapitulli 13: Jozefi dhe Ema” [Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 51–55], ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Jepini çdo fëmije një a dy vargje nga seksioni 25 dhe ftojini të tregojnë se si këshilla dhe caktimet nga Zoti mund ta kenë ndihmuar Emën të “kap[ej] pas besëlidhjeve” që kishte bërë. Si mund ta ndjekim shembullin e saj?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të zgjedhin një varg të parapëlqyer që e diskutuat së bashku, ta shkruajnë referencën dhe t’ia tregojnë atë një pjesëtari të familjes ose miku.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxiteni nderimin. Ndihmojini fëmijët që të kuptojnë se një aspekt i rëndësishëm i nderimit është të mendojnë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ju mund t’u kujtoni atyre të tregojnë nderim, duke e kënduar pa zhurmë ose nën zë një këngë, apo duke treguar një figurë të Jezusit.