“19–25 Prill. Doktrina e Besëlidhje 41–44: ‘Ligji Im për të Qeverisur Kishën Time’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“19–25 Prill. Doktrina e Besëlidhje 41–44”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
19–25 Prill
Doktrina e Besëlidhje 41–44
“Ligji Im për të Qeverisur Kishën Time”
“Në qoftë se do të kërkosh”, premtoi Zoti, “ti do të marrësh zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie” (Doktrina e Besëlidhje 42:61). Çfarë pyetjesh mund të bëni me qëllim që të merrni zbulesën që ju nevojitet?
Shënojini Mbresat Tuaja
Rritja e shpejtë e Kishës në vitet 1830 dhe 1831 – veçanërisht ngutja e të kthyerve të rinj në besim për të ardhur në Kirtland të Ohajos – ishte emocionuese dhe nxitëse për shenjtorët. Por ajo paraqiti edhe disa sfida. Si mund të bashkosh një trup besimtarësh që po rritet me të shpejtë, veçanërisht kur ata po sjellin me vete doktrinë dhe praktika nga besimet e tyre të mëparshme fetare? Për shembull, kur Jozef Smithi mbërriti në Kirtland në fillim të shkurtit 1831, ai gjeti anëtarë të rinj duke ndarë pronësinë e përbashkët në një përpjekje të mirëfilltë për të imituar të krishterët e Dhiatës së Re (shih Veprat e Apostujve 4:32–37). Zoti bëri disa korrigjime dhe qartësime të rëndësishme për këtë dhe çështje të tjera, gjerësisht me anë të një zbulese të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 42, që Ai e quajti “ligji im për të qeverisur kishën time” (vargu 59). Në këtë zbulesë mësojmë të vërteta që janë themelore në krijimin e Kishës së Zotit në ditët e mëvonshme, përfshirë një premtim të rëndësishëm që e bën të qartë se ka gjithmonë më shumë për të mësuar: “Në qoftë se do të kërkosh, ti do të marrësh zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie” (Doktrina e Besëlidhje 42:61).
Shih edhe Saints [Shenjtorët], 1:114–119.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
“Ai që e pranon ligjin tim dhe e bën atë, ai është dishepulli im.”
Në fillim të vitit 1831, shenjtorët po fillonin të mblidheshin në Ohajo, duke pritur me padurim të merrnin ligjin që Perëndia kishte premtuar t’ua zbulonte atje (shih Doktrina e Besëlidhje 38:32). Por fillimisht Zoti u mësoi se si dishepujt e Tij duhej të përgatiteshin për ta marrë ligjin e Tij. Çfarë parimesh gjeni te vargjet 1–5 që do t’i ndihmonin shenjtorët për ta pranuar ligjin e Perëndisë? Si mund t’ju ndihmonin këto parime për të marrë udhëzim prej Tij?
Ligjet e Perëndisë qeverisin Kishën e Tij dhe mund të qeverisin jetën tonë.
Shenjtorët e konsideruan zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 42:1–72, të ishte një nga zbulesat më të rëndësishme që kishte marrë Profeti. Ishte nga të parat që u botuan, duke u paraqitur në dy gazeta të Ohajos, dhe njihej thjesht si “ligji”. Shumë prej parimeve në këtë seksion ishin zbuluar nga Zoti më parë. Ndërkohë që seksioni nuk përfshin çdo urdhërim që Zoti donte që t’i bindeshin shenjtorët e Tij, ia vlen të përsiatim përse këto parime ishin të rëndësishme për t’iu përsëritur Kishës së saporivendosur.
Mund t’ju ndihmojë leximi i seksionit 42 në pjesë më të vogla si ato vijuese dhe përcaktimi i parimeve të dhëna mësim në secilën pjesë. Teksa e bëni atë, merrni në shqyrtim se si ky ligj për ta udhëzuar Kishën mund të ndihmojë edhe për ta udhëzuar jetën tuaj vetjake.
Shih edhe 3 Nefi 15:9.
Doktrina e Besëlidhje 42:30–42
Si i “përkusht[uan] … prona[t e] t[yre]” shenjtorët për të përkrahur të varfrit?
Një pjesë e rëndësishme e ligjit të zbuluar në seksionin 42 është ajo që u bë e njohur si ligji i përkushtimit dhe kujdestarisë. Ky ligj u mësoi shenjtorëve se si mund t’i kishin, sikurse pasuesit e Krishtit në lashtësi, “të gjitha gjërat e përbashkëta” (Veprat e Apostujve 2:44; 4 Nefi 1:3), pa “të varfër mes tyre” (Moisiu 7:18). Shenjtorët e përkushtuan pronën e tyre duke ia dhënë Zotit, nëpërmjet peshkopit (shih Doktrina e Besëlidhje 42:30–31). Peshkopi u kthente atë që iu nevojitej (shih vargun 32) – zakonisht atë që kishin përkushtuar dhe madje më shumë. Anëtarët e dhuronin tepricën e tyre për të ndihmuar të varfrit (shih vargjet 33–34). Ky ligj ishte një bekim i madh për shenjtorët, veçanërisht për ata që kishin lënë gjithçka për të ardhur në Ohajo. Shumë shenjtorë ishin bujarë me dhurimet e tyre.
Edhe pse sot e bëjmë atë ndryshe, shenjtorët e ditëve të mëvonshme ende e jetojnë ligjin e përkushtimit. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 42:30, përsiatni se si mund ta përkushtoni atë që jua ka dhënë Perëndia për të ndërtuar mbretërinë e Tij dhe për të bekuar njerëzit nevojtarë.
Shih edhe Linda K. Barton, “Isha i Huaj”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 13–15; “The Law”, Revelations in Context, f. 93–95, history.ChurchofJesusChrist.org.
Doktrina e Besëlidhje 42:61, 65–68; 43:1–16
Perëndia jep zbulesë për të udhëzuar Kishën e Tij.
Përfytyroni se po bëni bashkëbisedim me një anëtar të ri të Kishës që është i/e gëzuar të dijë se Kisha udhëzohet nëpërmjet zbulesës. Si mund t’i përdorni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 43:1–16 për t’i shpjeguar atij ose asaj modelin e Zotit për udhëzimin e Kishës së Tij nëpërmjet profetit të Tij? Si mund t’i përdorni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 42:61, 65–68 për të dhënë mësim rreth marrjes së zbulesës vetjake?
Shih edhe “All Things Must Be Done in Order”, Revelations in Context, f. 50–53, history.ChurchofJesusChrist.org.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 41:1–5.Cilët janë disa shembuj të ligjeve civile dhe si na sjellin përfitim ato ligje? Si na bekojnë ligjet ose urdhërimet e Atit Qiellor? Pjesëtarët e familjes mund të vizatojnë figura të vetes së tyre duke iu bindur ligjeve të Perëndisë.
-
Doktrina e Besëlidhje 42:45, 88.Çfarë do ta ndihmonte familjen tuaj të “jeto[nte] së bashku në dashuri”? (Shih edhe Mosia 4:14–15.) Merrni parasysh të shkruani ose thoni gjëra pozitive për njëri‑tjetrin ose të këndoni një himn rreth dashurisë brenda familjes, të tillë si “Dashuri në Shtëpi” (Himne, nr. 191).
-
Doktrina e Besëlidhje 42:61.Ndoshta mund ta lexoni këtë varg teksa bëni së bashku një figurëformuese. Përdoreni figurëformuesen që të jepni mësim se si Perëndia i zbulon misteret e Tij – “zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie”. Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë se si Perëndia ua ka zbuluar të vërtetën pak e nga pak.
-
Doktrina e Besëlidhje 43:25.Ndoshta ka diçka që familja juaj mund ta përdorë për të krijuar tinguj të një bubullime si mënyrë për të filluar një diskutim rreth vargut 25. Në ç’mënyrë është zëri i Zotit si një “zë [i] bubullimave”? Kërkojeni vargun së bashku për mënyra se si Zoti mund të na bëjë thirrje për t’u penduar. Si mund t’i përgjigjemi më mirë zërit të Zotit?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Dua t’Jetoj Ungjillin”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 72; shih “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”.