Doktrina e Besëlidhje 2021
10–16 Maj. Doktrina e Besëlidhje 49–50: “Ajo që Është prej Perëndisë, Është Dritë”


“10–16 Maj. Doktrina e Besëlidhje 49–50: ‘Ajo që Është prej Perëndisë, Është Dritë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“10–16 Maj. Doktrina e Besëlidhje 49–50”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

liqen në agim

10–16 Maj

Doktrina e Besëlidhje 49–50

“Ajo që Është prej Perëndisë, Është Dritë”

“Ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë” (Doktrina e Besëlidhje 50:24). Përsiatni se si po merrni dritë duke vazhduar në Perëndinë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Shpëtimtari është “bariu [ynë] i mirë” (Doktrina e Besëlidhje 50:44). Ai e di se nganjëherë delet enden dhe se shkretëtira ka shumë rreziqe. Kështu Ai me dashuri na udhëheq drejt sigurisë së doktrinës së Tij, larg prej rreziqeve të tilla si “shpirtra të rremë të cilët janë shpërndarë nëpër botë, duke mashtruar botën” (Doktrina e Besëlidhje 50:2). Ta ndjekësh Atë shpesh do të thotë të mos i besosh më idetë apo zakonet e pasakta. Kjo ishte e vërtetë për Liman Koplin dhe të tjerët në Ohajo që e pranuan ungjillin e rivendosur, por gjithsesi vazhduan të kishin disa bindje që thjesht nuk ishin të sakta. Te Doktrina e Besëlidhje 49, Zoti shpalli të vërteta që i korrigjuan bindjet e mëparshme të Limanit rreth temave të tilla si martesa dhe Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit. Dhe kur të kthyerit në besim në Ohajo “pranua[n] … shpirtra që nuk mund t’i kuptoni[n]”, Zoti u mësoi atyre se si t’i dallonin shfaqjet e vërteta të Shpirtit (Doktrina e Besëlidhje 50:15). Bariu i Mirë ishte i duruar; Ai e dinte se këta shenjtorë të hershëm ishin – ashtu si të gjithë ne – “fëmijë të vegjël” që “duhet të rriten në hir dhe në diturinë e së vërtetës” (Doktrina e Besëlidhje 50:40).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 49:5–23

Të vërtetat e ungjillit mund të më ndihmojnë t’i dalloj mësimet e rreme.

Përpara se të bashkohej me Kishën, Liman Kopli kishte qenë pjesë e një grupi fetar të njohur si Shoqata e Bashkuar e Besimtarëve në Shfaqjen e Dytë të Krishtit, të njohur gjithashtu si shejkërat (shih “Leman Copley and the Shakers”, Revelations in Context, f. 117–121). Pas një bisede me Limanin, Jozef Smithi kërkoi sqarime nga Zoti për disa nga mësimet e shejkërave dhe Zoti u përgjigj me zbulesën te seksioni 49.

Ju mund t’i gjeni disa prej bindjeve fetare të shejkërave të përmendura te kreu i seksionit 49. Merrni parasysh t’i shenjoni ose shënoni të vërtetat te vargjet 5–23 që i korrigjojnë ato bindje. Mendoni rreth mësimeve ose traditave të tjera të rreme që ka në botë sot. Cilat të vërteta të ungjillit mund t’ju ndihmojnë që ta mbroni veten tuaj kundrejt tyre?

Doktrina e Besëlidhje 49:15–17

Martesa midis burrit dhe gruas është thelbësore për planin e Perëndisë.

Çfarë të vërtetash rreth martesës mësoni nga Doktrina e Besëlidhje 49:15–17? Përse mendoni se martesa midis një burri dhe një gruaje është thelbësore për planin e Atit Qiellor? Plaku Dejvid A. Bednar dha dy arsye: “Arsyeja 1: Natyrat e shpirtit të mashkullit dhe të femrës e plotësojnë dhe e përsosin njëri‑tjetrin, dhe prandaj burrat dhe gratë janë të caktuar të përparojnë së bashku drejt ekzaltimit. … Arsyeja 2: Sipas planit hyjnor, duhen që të dy, një burrë dhe një grua për të sjellë fëmijë në vdekshmëri dhe për të siguruar kushtet më të mira për rritjen dhe edukimin e fëmijëve” (Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 83–84).

Shih edhe Zanafilla 2:20–24; 1 Korintasve 11:11; “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 145.

çift jashtë tempullit

Martesa midis një burri dhe një gruaje është shuguruar nga Perëndia.

Doktrina e Besëlidhje 50

Mësimet e Zotit mund të më mbrojnë nga mashtrimet e Satanit.

Të kthyerit e rinj në besim në Ohajo ishin të etur për të marrë shfaqjet shpirtërore të premtuara në shkrimet e shenjta, por edhe Satani ishte i etur për t’i mashtruar ata. Ata pyesnin veten: “Kur dikush bërtet ose i bie të fikët, a është ky ndikimi i Shpirtit?”

Përfytyroni sikur t’ju kërkohej që t’i ndihmonit këta të kthyer të rinj në besim të kuptonin se si t’i njihnin shfaqjet e vërteta të Frymës së Shenjtë dhe të shmangin të qenit të mashtruar nga imitimet e Satanit. Çfarë parimesh gjeni te Doktrina e Besëlidhje 50 për të cilat mund të tregoni? (Shihni veçanërisht vargjet 22–25, 29–34, 40–46.)

Shih edhe 2 Timoteut 3:13–17.

Doktrina e Besëlidhje 50:13–24

Mësuesit dhe nxënësit lartësohen së bashku me anë të Shpirtit.

Një mënyrë se si mund t’i studioni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 50:13–24 është të vizatoni një figurë të një mësuesi dhe një nxënësi dhe, pranë secilit, të bëni një listë fjalësh dhe frazash nga këto vargje që ju mësojnë diçka rreth të mësuarit dhe mësimdhënies së ungjillit. Kur keni pasur përvoja që ju mësuan rëndësinë e Shpirtit në mësimdhënie dhe në të mësuar? Merrni në shqyrtim se çfarë mund të bëni për t’i përmirësuar përpjekjet tuaja si nxënës dhe mësues të ungjillit.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 49:2.Çfarë do të thotë të “dëshirojnë ta dinë të vërtetën pjesërisht, por jo të gjithën”? Ndoshta ju mund të tregoni një figurë të mbuluar pjesërisht dhe t’i lini pjesëtarët e familjes të hamendësojnë se çfarë është. Çfarë ndodh kur ne pranojmë vetëm një pjesë të së vërtetës? (Shih 2 Nefi 28:29.) Si është plotësia e ungjillit një bekim për ne?

Doktrina e Besëlidhje 49:26–28.Si jemi bekuar nga premtimi i Zotit: “Unë do të shkoj përpara jush dhe do të jem praparoja juaj; dhe unë do të jem në mes jush”? Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë përvoja kur e ndien që Zoti “shko[i] përpara [tyre]” ose ndien që Ai ishte “në mes [tyre]”.

Doktrina e Besëlidhje 50:23–25.Ju mund të mblidheni në një dhomë të errët për të lexuar te Doktrina e Besëlidhje 50:23–25 dhe gradualisht të shtoni më shumë dritë duke ndezur qirinj ose duke i ndezur dritat një e nga një. Ju gjithashtu mund t’i lexoni këto vargje ndërkohë që shikoni lindjen e diellit në mëngjes. Çfarë mund të bëjmë ne për ta bërë dritën tonë të ungjillit të vazhdojë të rritet? Kur pjesëtarët e familjes mësojnë diçka të re në lidhje me ungjillin gjatë javës, inkurajojini që t’ia tregojnë atë familjes, duke shkruar një shënim dhe duke e ngjitur te një llambë ose dritë tjetër në shtëpi.

Doktrina e Besëlidhje 50:40–46.Pasi të keni lexuar te Doktrina e Besëlidhje 50:40–46, ju mund të tregoni figurën e Shpëtimtarit që e shoqëron këtë përvijim dhe të bëni pyetje si këto: Si mund ta dalloni që Shpëtimtari i do delet? Në ç’mënyrë Shpëtimtari është si një bari për ne? Cilat fraza nga shkrimet e shenjta e pasqyrojnë idenë se Shpëtimtari është një bari dhe ne jemi delet e Tij?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Shkëlqe”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 96.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jini të ndryshueshëm. Çastet më të mira mësimore, veçanërisht në shtëpi, shpesh janë të paplanifikuara dhe të papritura: një vakt familjar mund të frymëzojë një diskutim se si të ushqehemi me bollëk me fjalën e Perëndisë, dhe një stuhi me shi mund të jetë një mundësi për të dëshmuar për ujin e gjallë. Nëse jeni të përgatitur shpirtërisht, Zoti mund t’ju japë “në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni” (Doktrina e Besëlidhje 100:6).

Jezusi me një qengj

Bariu i Butë, nga Kim Yongsung