Doktrina e Besëlidhje 2021
21–27 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 67–70: “Vlerë … sa Pasuritë e Gjithë Tokës”


“21–27 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 67–70: ‘Vlerë … sa Pasuritë e Gjithë Tokës’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“21–27 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 67–70”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

revelation manuscript book in display case

21–27 Qershor

Doktrina e Besëlidhje 67–70

“Vlerë … sa Pasuritë e Gjithë Tokës”

Edhe pse shumë prej zbulesave te Doktrina e Besëlidhje u drejtohen njerëzve të veçantë në rrethana të veçanta, ato “janë të dobishme për gjithë njerëzit” (“Dëshmia e Dymbëdhjetë Apostujve për të Vërtetën e Librit Doktrina e Besëlidhje”, parathënia e librit Doktrina e Besëlidhje). Ndërsa studioni, kërkoni të vërteta dhe parime që janë të dobishme për ju.

Shënojini Mbresat Tuaja

Nga viti 1829 deri në vitin 1831, Profeti Jozef Smith mori shumë zbulesa nga Zoti, përfshirë këshilla hyjnore për individë, udhëzime mbi qeverisjen e Kishës dhe vegime të frymëzuara për ditët e mëvonshme. Por shumë prej shenjtorëve nuk i kishin lexuar ato. Zbulesat nuk ishin botuar ende dhe kopjet e pakta që ishin në dispozicion ishin shkruar me dorë në fletë të palidhura, të cilat qarkullonin mes anëtarëve dhe merreshin me vete nga misionarët.

Më pas, në nëntor 1831, Jozefi thirri një këshill të udhëheqësve të Kishës që të diskutonin botimin e zbulesave. Pasi kërkuan vullnetin e Zotit, këta udhëheqës bënë plane që të botonin Librin e Urdhërimeve – pararendësin për librin e sotëm Doktrina e Besëlidhje. Shpejt, çdo njeri do të ishte në gjendje të lexonte vetë fjalën e Perëndisë të zbuluar nëpërmjet një profeti të gjallë, një provë e dukshme që “çelësat e mistereve të mbretërisë së Shpëtimtarit tonë përsëri i janë besuar njeriut”. Për këto dhe shumë arsye të tjera, shenjtorët në atë kohë dhe tani i konsiderojnë këto zbulesa të kenë “vlerë … sa pasuritë e gjithë tokës” (Doktrina e Besëlidhje 70, kreu i seksionit).

Shih Saints [Shenjtorët], 1:140–143.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 67:1–9; 68:3–6

Perëndia qëndron përkrah shërbëtorëve të Tij dhe fjalëve që ata flasin në emër të Tij.

Vendimi për të botuar zbulesat e marra nga Jozef Smithi duket si një vendim i lehtë, por disa udhëheqës të hershëm të Kishës nuk ishin të sigurt se kjo ishte një ide e mirë. Një shqetësim kishte të bënte me papërsosuritë në gjuhën që përdori Jozef Smithi për t’i shkruar zbulesat. Zbulesa te seksioni 67 erdhi si përgjigje ndaj atij shqetësimi. Çfarë mësoni për profetët dhe zbulesën nga vargjet 1–9? Çfarë idesh shtesë fitoni nga Doktrina e Besëlidhje 68:3–6?

Përpara se të shtypej Libri i Urdhërimeve, disa udhëheqës të Kishës nënshkruan një dëshmi të shkruar që zbulesat në libër janë të vërteta. Për të parë një kopje të dëshmisë së tyre, shih “Testimony, circa 2 November 1831”, Revelation Book 1, f. 121, josephsmithpapers.org.

Doktrina e Besëlidhje 68:1–8

Frymëzimi nga Fryma e Shenjtë pasqyron vullnetin e Zotit.

Fjalët në këto vargje u thanë kur Orson Hajdi dhe të tjerë u thirrën “për të shpallur ungjillin e përjetshëm, me anë të Shpirtit të Perëndisë së gjallë, nga populli në popull e nga vendi në vend” (vargu 1). Si mund ta ndihmojë deklarata në vargun 4 dikë që po dërgohet të predikojë ungjillin? Si zbatohen këto fjalë për ju? Mendoni për një rast kur ju u “nxit[ët] nga Fryma e Shenjtë” (vargu 3) që të thoni ose të bëni diçka. Çfarë gjeni në këto vargje që mund t’ju japë vetëbesim për t’i ndjekur nxitjet shpirtërore?

Doktrina e Besëlidhje 68:25–28

Prindërit janë përgjegjës për t’i mësuar fëmijët e tyre.

Motra Xhoi D. Xhons, Presidente e Përgjithshme e Fillores, dha mësim: “Një zgjidhje … për t’i ndihmuar fëmijët që t’i bëjnë ballë mëkatit, është ta fillojmë me dashuri, që në moshat më të vogla, për t’iu mësuar doktrinat dhe parimet bazë të ungjillit – nga shkrimet e shenjta, Nenet e Besimit, broshura Për Forcën e Rinisë, këngët e Fillores, himnet dhe vetë dëshmitë tona vetjake – që do t’i udhëheqin fëmijët drejt Shpëtimtarit” (“Një Brez që i Bën Ballë Mëkatit”, Ensign or Liahona, maj 2017, f. 88).

Sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28, cilat janë disa nga “doktrinat … bazë të ungjillit” të cilat i përmendi Motra Xhons, që prindërit duhet t’ua mësojnë fëmijëve të tyre? Përse kjo përgjegjësi e rëndësishme u jepet prindërve? Çfarë do t’i thoshit një prindi i cili nuk ndihet i kualifikuar për t’ua mësuar këto gjëra fëmijëve të tij ose të saj?

Shih edhe Ted R. Kelister, “Prindërit: Mësuesit Kryesorë të Ungjillit për Fëmijët e Tyre”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 32–34.

familje duke studiuar

Shtëpia është vendi ideal për fëmijët që të mësojnë ungjillin.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 67:10–14.Si na pengojnë xhelozia, frika dhe krenaria që t’i afrohemi më pranë Zotit? Përse një “njeri i natyrshëm” nuk mund të jetë në praninë e Zotit? (Vargu 12; shih edhe Mosia 3:19.) Çfarë gjejmë në këto vargje që na frymëzon të “vazhdo[jmë] me durim derisa të përsose[m]i”? (Vargu 13.)

Si familje, ju gjithashtu mund të rishikoni mesazhin e Plakut Xhefri R. Holland “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht” (Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 40–42).

Doktrina e Besëlidhje 68:3–4.Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë përvoja që e kanë forcuar besimin e tyre që fjalët e shërbëtorëve të Zotit janë “vullneti i Zotit”, “mendja e Zotit” dhe “fuqia e Perëndisë për shpëtim” (vargu 4). Ose ata mund të kërkojnë mesazhe nga konferencat e përgjithshme të kohëve të fundit që gjejnë zbatim për një sfidë me të cilën mund të jetë duke u përballur familja juaj.

Doktrina e Besëlidhje 68:25–35.Këto vargje përmbajnë këshilla të rëndësishme për “banorët e Sionit” (vargu 26). Çfarë frymëzohemi të përmirësojmë pas leximit të këtyre vargjeve? Mund të jetë argëtuese të krijoni figura që përshkruajnë disa parime në këto vargje dhe t’i fshihni nëpër shtëpinë tuaj. Më pas, në ditët në vazhdim kur dikush e gjen një figurë, ju mund ta përdorni atë si mundësi për të dhënë mësim rreth atij parimi. Pse është shtëpia vendi më i mirë për fëmijët që t’i mësojnë këto gjëra?

Doktrina e Besëlidhje 69:1–2.Oliver Kaudëri u dërgua në Misuri me kopje të shkruara të zbulesave të Profetit për t’i shtypur, së bashku me para për të ndihmuar në ndërtimin e Kishës atje. Çfarë këshille dha Zoti në vargun 1 rreth udhëtimit të Oliverit? Përse është e rëndësishme të jemi njerëz “që do të je[në të] vërtetë dhe besnik[ë]”? (Vargu 1.) Kur kanë ndikuar miqtë te ne që të marrim vendime të mira ose të këqija? Në ç’mënyrë mund të jemi një ndikim i mirë për të tjerët?

Doktrina e Besëlidhje 70:1–4.Zoti u dha disa pleqve përgjegjësinë që të mbikëqyrnin botimin e zbulesave. Edhe pse ne nuk e kemi atë përgjegjësi të veçantë, në çfarë kuptimi mund të konsiderohemi “kujdestarë mbi zbulesat dhe urdhërimet”? (Vargu 3.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Parajs’ mund t’Jet’ Shtëpia”, Himne, nr. 193.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Le t’i zbatojmë shkrimet e shenjta për jetën tonë vetjake. Pas leximit të një fragmenti të shkrimeve të shenjta, ftojini pjesëtarët e familjes që ta zbatojnë në jetën e tyre. Për shembull, ju mund t’i ftoni të mendojnë për situata të ngjashme me të cilat mund të përballen, që përfshijnë të njëjtat parime të ungjillit.

shtypshkronja Grandin

Libri i Urdhërimeve, pararendësi i librit Doktrina e Besëlidhje, u shtyp në një shtypshkronjë si kjo.