“28 Qershor – 4 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 71–75: ‘Nuk Ka Asnjë Armë që Formohet kundër Jush, që do të Përparojë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“28 Qershor – 4 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 71–75”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
28 Qershor – 4 Korrik
Doktrina e Besëlidhje 71–75
“Nuk Ka Asnjë Armë që Formohet kundër Jush, që do të Përparojë”
Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim: “Ndikimi i Frymës së Shenjtë më shpesh shoqëron studimin e shkrimeve të shenjta dhe lutjen individuale në shtëpi” (“Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 10).
Shënojini Mbresat Tuaja
Që kur ishte djalosh, Jozef Smithi u përball me njerëz kritikues – madje armiq – teksa përpiqej të bënte punën e Perëndisë. Por duhet të ketë qenë veçanërisht dëshpëruese në fund të vitit 1831 kur Ezra Buthi filloi të qortonte Kishën publikisht, sepse në këtë rast kritikuesi ishte një ish‑besimtar. Ezra e kishte parë Jozefin duke përdorur fuqinë e Perëndisë për të shëruar një grua. Ai ishte ftuar ta shoqëronte Jozefin kur shkuan të shikonin për herë të parë tokën e Sionit në Misuri. Por që nga ajo kohë, ai e kishte humbur besimin dhe, në përpjekje për ta diskredituar Profetin, botoi një seri letrash në një gazetë në Ohajo. Dhe përpjekjet e tij dukej se po funksiononin: “ndjenja jomiqësore … ishin zhvilluar kundër Kishës” në atë zonë (Doktrina e Besëlidhje 71, kreu i seksionit). Çfarë duhet të bëjnë besimtarët në një rast si ky? Ndërkohë që nuk ka një përgjigje të saktë për çdo situatë, duket se shumë shpesh – përfshirë këtë rast në vitin 1831 – pjesë e përgjigjes së Zotit është ta mbrojmë të vërtetën dhe t’i korrigjojmë gënjeshtrat nëpërmjet “shpallje[s së] ungjillit” (vargu 1). Po, puna e Zotit gjithmonë do të ketë kritikues, por në fund, “asnjë armë që formohet kundër jush, [nuk] do të përparojë” (vargu 9).
Shih “Ezra Booth and Isaac Morley”, Revelations in Context, f. 134.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti do t’i ngatërrojë kritikuesit e punës së Tij në vetë kohën e Tij.
Ne mund të shqetësohemi kur dëgjojmë njerëz që i kritikojnë ose tallin Kishën apo udhëheqësit e saj, veçanërisht kur kemi frikë se njerëzit që i njohim dhe i duam do të ndikohen nga ajo kritikë. Kur diçka e ngjashme ndodhi në Ohajo në vitin 1831 (shih kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 71), mesazhi i Zotit drejtuar Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit ishte një mesazh besimi dhe jo frike. Ndërsa studioni te Doktrina e Besëlidhje 71, çfarë gjeni që e ndërton besimin tuaj te Zoti dhe vepra e Tij? Çfarë ju lë mbresë rreth udhëzimit që Zoti ua dha shërbëtorëve të Tij në këtë situatë?
Shih edhe Robert D. Hejls, “Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 72–75; Jörg Klebingat, “Defending the Faith”, Ensign, shtator 2017, f. 49–53.
Peshkopët janë kujdestarë mbi çështjet shpirtërore dhe materiale të mbretërisë së Zotit.
Kur Njull K. Uitni u thirr të shërbente si peshkopi i dytë i Kishës, detyrat e tij ishin pak më të ndryshme nga ato të peshkopëve të sotëm. Për shembull, Peshkopi Uitni mbikëqyri përkushtimin e pronave dhe lejen për t’u vendosur në Misuri, në tokën e Sionit. Por teksa lexoni për thirrjen dhe detyrat e tij te Doktrina e Besëlidhje 72, ju mund të vini re disa lidhje midis asaj që peshkopët bëjnë sot – të paktën në frymën e detyrave të tyre, në qoftë se jo në veçantitë. Për shembull, në çfarë mënyrash i “j[epni] llogari” peshkopit tuaj? (Vargu 5.) Në çfarë kuptimi peshkopi juaj e “mba[n] shtëpinë e ruajtjes së Zotit” dhe i administron përkushtimet e anëtarëve të lagjeve? (Shih vargjet 10, 12.) Si ju ka ndihmuar një peshkop?
Shih edhe Gospel Topics, “Bishop [Peshkopi]”, topics.ChurchofJesusChrist.org.
Unë mund të kërkoj mundësi për të përhapur ungjillin.
Pasi Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni u kthyen nga misioni i tyre i shkurtër predikues që të rregullonin një pjesë të dëmit që kishte bërë Ezra Buthi (shih Doktrina e Besëlidhje 71), Zoti u tha që t’i ktheheshin punës për përkthimin e Biblës (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthim i Joseph Smith‑it”). Por Ai gjithashtu donte që ata të vazhdonin predikimin e ungjillit. Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 73, merrni parasysh se si ju mund ta bëni predikimin e ungjillit një pjesë të vazhdueshme, “[të] praktikueshme” (vargu 4) – ose realiste – të jetës suaj mes përgjegjësive tuaja të tjera.
Zoti i bekon ata që e shpallin besnikërisht ungjillin e Tij.
Duke iu përgjigjur urdhrit që të “shkoni[n] … në të tërë botën” për të predikuar ungjillin (Doktrina e Besëlidhje 68:8), shumë pleq besnikë kërkuan informacion shtesë rreth mënyrës se si Zoti donte që ta përmbushnin këtë urdhër. Çfarë fjalësh dhe frazash gjeni te Doktrina e Besëlidhje 75:1–12 që t’ju ndihmojnë të kuptoni se si ta predikoni ungjillin me efektshmëri? Çfarë bekimesh u premton Zoti misionarëve besnikë? Merrni në shqyrtim se si këto udhëzime dhe bekime zbatohen për ju kur përhapni ungjillin.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 71.Çfarë iu kërkua Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit të bënin kur të tjerët po i kritikonin Kishën dhe udhëheqësit e saj? Si e “përgati[tim] udhën” për njerëzit që t’i pranojnë zbulesat e Perëndisë? (Doktrina e Besëlidhje 71:4.)
-
Doktrina e Besëlidhje 72:2.Si e kanë bekuar peshkopët familjen tonë? Çfarë na ka kërkuar profeti ynë të bëjmë dhe si mund ta mbështetim atë? Ndoshta familja juaj mund të bëjë një kartolinë duke e falënderuar peshkopin për shërbimin e tij.
-
Doktrina e Besëlidhje 73:3–4.A do të përfitonte familja juaj nga të mësuarit rreth Përkthimit të Biblës prej Joseph Smith‑it? (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthim i Joseph Smith‑it”.) Ju mund të shqyrtoni disa fragmente që u rishikuan në Përkthimin prej Joseph Smith‑it dhe të diskutoni për të vërtetat e çmuara që Zoti i zbuloi nëpërmjet Profetit. Për disa shembuj, shihni Përkthimi prej Joseph Smith‑it Zanafilla 14:25–40 dhe Zanafilla 50:24–38 në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.
-
Doktrina e Besëlidhje 74:7.Çfarë na mëson ky varg për Jezu Krishtin dhe fëmijët e vegjël?
-
Doktrina e Besëlidhje 75:3–5, 13, 16.Ju mund ta ndihmoni familjen tuaj të kuptojë se si Zoti dëshiron që ne t’i shërbejmë Atij, duke folur për ndryshimin midis të qenit “dembelë” dhe të “pun[uarit] me fuqi[në]” tonë. Ndoshta ju mund të përzgjidhni disa punë shtëpiake dhe t’i ftoni pjesëtarët e familjes që të demonstrojnë bërjen e atyre punëve me dembellëk dhe më pas me gjithë fuqinë e tyre. Si mund t’i shërbejmë Zotit me gjithë fuqinë tonë? Sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 75:3–5, 13, 16, çfarë u premton Ai shërbëtorëve të Tij besnikë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Punës Le t’i Vihemi”, Himne, nr. 154.