“12–18 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 77–80: ‘Unë do t’ju Udhëheq përgjatë Udhës’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“12–18 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 77–80”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
12–18 Korrik
Doktrina e Besëlidhje 77–80
“Unë do t’ju Udhëheq përgjatë Udhës”
Zoti i tha Jozef Smithit se Ai do t’i “fl[iste] në veshët [e tij] fjalët e urtësisë” (Doktrina e Besëlidhje 78:2). Çfarë fjalësh urtësie merrni ndërkohë që studioni te Doktrina e Besëlidhje 77–80?
Shënojini Mbresat Tuaja
Më pak se dy vjet pasi u rivendos Kisha e Jezu Krishtit, ajo ishte rritur në mbi 2000 anëtarë dhe po përhapej me të shpejtë. Në mars 1832, Jozef Smithi u takua me udhëheqës të tjerë të Kishës që “të diskutonin punë të Kishës”: nevojën për të botuar zbulesat, blerjen e tokës për t’u mbledhur dhe kujdesin për të varfrit (shih Doktrina e Besëlidhje 78, kreu i seksionit). Për t’i plotësuar këto nevoja, Zoti i kërkoi një numri të vogël udhëheqësish të Kishës që të formonin Ndërmarrjen e Bashkuar, një grup që do t’i bashkonte përpjekjet e tyre “për ta çuar përpara kauzën” e Zotit (vargu 4) në këto fusha. Por edhe në çështje të tilla administrative, Zoti u përqendrua te gjërat e përjetësisë. Përfundimisht, qëllimi i një shtypshkronje ose një shtëpie të ruajtes – si gjithçka tjetër në mbretërinë e Perëndisë – është për t’i përgatitur fëmijët e Tij që të marrin “një vend në botën çelestiale” dhe “pasuritë e përjetësisë” (vargjet 7, 18). Dhe nëse ato bekime janë të vështira për t’u kuptuar pikërisht tani, mes morisë së punëve të jetës së përditshme, Ai na siguron sërish: “Merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës” (vargu 18).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Perëndia ua zbulon misteret e Tij atyre që përpiqen t’i dinë ato.
Dymbëdhjetë vjet pas Vegimit të Parë, ftesa te Jakob [Bibël] 1:5 që të “kërko[nte] nga Perëndia”, vazhdoi ta udhëhiqte Jozef Smithin kur atij i mungonte urtësia. Kur ai dhe Sidni Rigdoni patën pyetje rreth librit të Zbulesës teksa punonin me përkthimin e frymëzuar të Biblës, Jozefi natyrisht kërkoi urtësi nga Perëndia. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 77, merrni parasysh të mbani shënim idetë tuaja për kapitujt përkatës në librin e Zbulesës.
Përveç kësaj, përsiatni se si mund ta ndiqni shembullin e Profetit Jozef kur studioni shkrimet e shenjta. Ju mund ta pyesni Atin Qiellor: “Çfarë duhet të kuptoj?”
Çfarë ishte Ndërmarrja e Bashkuar?
Ndërmarrja e Bashkuar u krijua që të administronte punët e botimit dhe të biznesit të Kishës në Ohajo dhe Misuri. Ajo përbëhej nga Jozef Smithi, Njull K. Uitni dhe udhëheqës të tjerë të Kishës, të cilët i grumbulluan burimet e tyre që të plotësonin nevojat materiale të Kishës në rritje. Për fat të keq, Ndërmarrja e Bashkuar hyri në borxh dhe u shkri në vitin 1834 kur borxhet u bënë të paadministrueshme.
Shih edhe “Newel K. Whitney and the United Firm”, Revelations in Context, f. 142–147; “United Firm”, Church History Topics, ChurchofJesusChrist.org/study/church‑history.
Unë mund të ndihmoj “për ta çuar përpara kauzën” e Kishës.
Zoti u tha Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës se administrimi i një shtëpie të ruajtjes dhe një shtypshkronje do të ndihmonte “për ta çuar përpara kauzën, për të cilën [ishin] zotuar” (Doktrina e Besëlidhje 78:4). Cila do të thoni se është “kauz[a]” e Kishës? Përsiatni për këtë ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 78:1–7. Ndoshta të menduarit rreth këtyre vargjeve mund të ndikojë mbi mënyrën se si e përmbushni thirrjen tuaj në Kishë apo i shërbeni familjes suaj. Si mund ta “ç[ojë] përpara kauzën” e Zotit shërbimi juaj? Si po ju përgatit ai për “një vend në botën çelestiale”? (vargu 7).
Doktrina e Besëlidhje 78:17–22
Zoti do të më udhëheqë përgjatë udhës.
A ndiheni ndonjëherë si fëmijë i vogël, ndoshta për shkak të diçkaje që “nuk [e] keni kuptuar ende” ose që “nuk mund t[a] duroni”? (Doktrina e Besëlidhje 78:17–18). Kërkoni këshillë në këto vargje që mund t’ju ndihmojë të “merrni zemër” (vargu 18) në kohë të tilla. Përse mendoni se Zoti nganjëherë i thërret pasuesit e Tij “fëmijë të vegjël”? (Vargu 17.) Ju gjithashtu mund të përsiatni se si Zoti mund të jetë duke ju “udhëheq[ur] përgjatë udhës” (vargu 18).
Thirrja për t’i shërbyer Perëndisë ka më shumë rëndësi sesa vendi ku shërbej.
Lidhur me seksionin te Doktrina e Besëlidhje 80, Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Ndoshta një nga mësimet që Shpëtimtari po na mëson në këtë zbulesë, është se një caktim për të punuar në një vend të posaçëm është thelbësor dhe i rëndësishëm, por dytësor krahasuar ndaj thirrjes për veprën” (“Thirrur për Veprën”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 68). Mendoni për thirrjet tuaja të tanishme dhe të mëparshme në Kishë. Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të mësoni se fjalët e Plakut Bednar janë të vërteta? Çfarë mësimesh shtesë mund t’i gjeni te Doktrina e Besëlidhje 79–80 që mund ta ndihmojnë dikë që sapo ka marrë një thirrje të re?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 77:2.Pas leximit të këtij vargu, pjesëtarët e familjes mund të vizatojnë figura të “bishave, … zvarranikëve, … [ose] shpendëve të ajrit” të tyre të parapëlqyera, të krijuara nga Perëndia. Çfarë mësojmë rreth krijimeve të Perëndisë nga ky varg? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 59:16–20.) Ju mund të këndoni një këngë rreth krijimeve të Perëndisë, të tillë si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, nr. 16) dhe paraqitni vizatimin që e shoqëron këtë përvijim.
-
Doktrina e Besëlidhje 77:14.Ky varg shpjegon se Gjoni hëngri një libër që simbolizonte misionin e tij për të mbledhur Izraelin. Çfarë sugjeron simbolika e ngrënies rreth mënyrës se si ne duhet t’i drejtohemi rolit tonë në mbledhjen e Izraelit ose në bërjen e gjërave të tjera që Zoti dëshiron që ne të bëjmë? Këtu janë disa shkrime të tjera të shenjta në të cilat ngrënia përdoret për të dhënë mësim një të vërtetë shpirtërore: Gjoni 6:48–51; 2 Nefi 32:3; Moroni 4. Ndoshta mund të bëni një ushqim të parapëlqyer të familjes për ta ngrënë së bashku gjatë këtij diskutimi.
-
Doktrina e Besëlidhje 78:17–19.Pjesëtarët e familjes mund të vizatojnë figura të bekimeve nga Perëndia për të cilat janë mirënjohës. Çfarë po bëjmë ne që të shprehim mirënjohjen tonë për këto bekime? Ju gjithashtu mund të diskutoni se si familja juaj po ndjek këshillën që t’i merrni “të gjitha gjërat me falënderim” (vargu 19). Çfarë u premton Zoti atyre që e bëjnë këtë gjë?
-
Doktrina e Besëlidhje 79:1.Jepni dëshminë tuaj për “fuqinë” që keni marrë kur u shuguruat ose u veçuat në thirrje në Kishë. Me çfarë dhuratash të veçanta dhe çfarë frymëzimi ju bekoi Zoti teksa shërbyet?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Numëro Bekimet”, Himne, nr. 152.