“12–18 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 77–80: ‘Unë do t’ju Udhëheq përgjatë Udhës’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“12–18 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 77–80”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021
12–18 Korrik
Doktrina e Besëlidhje 77–80
“Unë do t’ju Udhëheq përgjatë Udhës”
Ndërsa studioni te Doktrina e Besëlidhje 77–80, kërkoni fraza ose vargje që mund t’i ndihmojnë fëmijët t’i kuptojnë më mirë parimet e ungjillit. Ndihuni të lirë të tregoni për vargjet që gjetët, edhe nëse ato nuk jepen në veprimtaritë më poshtë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët të përmendin gjëra për të cilat janë mirënjohës. Çfarë bëjnë ata dhe familjet e tyre që t’i tregojnë Atit Qiellor se janë mirënjohës për bekimet e Tij?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Perëndia krijoi çdo krijesë në tokë.
Të mësuarit për gjërat që krijoi Perëndia, mund t’i ndihmojë fëmijët ta ndiejnë dashurinë e Tij për ta.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve figura të kafshëve, përfshirë insekte dhe zogj. Teksa i lexoni fjalët “bisha[t]”, “zvarranikë[t]” dhe “shpendë[t e] ajrit” nga Doktrina e Besëlidhje 77:2, ftojini fëmijët të tregojnë me gisht drejt figurave përkatëse. Dëshmoni se Perëndia i krijoi të gjitha këto gjëra ngaqë Ai na do dhe dëshiron që ne të jemi të lumtur (shih edhe Doktrina e Besëlidhje 59:16–20).
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth krijimeve të Perëndisë, të tillë si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16). Pyetini fëmijët se si gjërat për të cilat po këndojnë, i ndihmojnë ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë.
Unë mund t’i ndaj gjërat që kam me të tjerët.
Ati Qiellor dëshiron që ne t’i ndajmë bekimet tona lirisht me njëri‑tjetrin, në mënyrë që të mund të jemi “të barabartë në gjëra tokësore” dhe në “gjëra qiellore” (vargu 6).
Veprimtari të Mundshme
-
Për të dhënë mësim se çfarë do të thotë të jemi “të barabartë në gjëra tokësore” (vargu 6), jepuni fëmijëve figura të njerëzve nevojtarë (të tillë si njerëz që janë të uritur, të lënduar ose në të ftohtë). Më pas jepuni fëmijëve të tjerë sende që do të ndihmonin (të tilla si një ushqim, një fashë ose një batanije). Ftojini këta fëmijë të japin ato që kanë, në mënyrë që t’i ndihmojë njerëzit në figura. Lejoni fëmijë të tjerë që të japin me radhë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se Ati Qiellor dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij ta kenë atë që iu nevojitet, dhe për ta bërë këtë gjë Ai shpesh na kërkon ta ndajmë atë që kemi me të tjerët.
-
Lexojuni fëmijëve fjalitë nën dy figurat e para të “Kapitullit 28: Profeti Jozef Shkon Përsëri në Misuri” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 108). Kërkojuni fëmijëve të bëjnë sikur po ndihmojnë dikë që të ndërtojë një shtëpi, po japin nga ushqimi i tyre ose po shërbejnë në një mënyrë tjetër. Si ndihemi kur po i ndihmojnë dhe po u japim të tjerëve? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që Jezu Krishti ndan me ne.
Jezu Krishti do të më udhëheqë përgjatë udhës.
Nëse jemi të gatshëm ta lejojmë Zotin të na “udhëheq[ë] përgjatë udhës”, ne mund të “m[arrim] zemër”, edhe nëse ka gjëra që ne “nuk mund t’i duro[jmë] … tani” (vargu 18).
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të tregojnë për raste kur kanë qenë udhëheqës, të tilla si kur ishin në krye të një rreshti ose kur drejtonin muzikën. Çfarë bën një udhëheqës/e? Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit teksa lexoni frazën vijuese nga Doktrina e Besëlidhje 78:18: “Merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës”. Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët të mendojnë për mënyra se si ne mund ta ndjekim Shpëtimtarin.
-
Ftojini fëmijët ta ndjekin Jezusin dhe udhëhiqini nëpër dhomë ndërkohë që mbani të ngritur lart një figurë të Tij. Teksa e bëni këtë, këndoni së bashku një këngë për ndjekjen e Jezu Krishtit, të tillë si “Përpiqem t’Jem si Jezusi” ose “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41, 82). Lërini fëmijët që ta mbajnë lart me radhë figurën dhe t’i udhëheqin fëmijët e tjerë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund të marr përgjigje për pyetjet e mia rreth shkrimeve të shenjta.
Mësimdhënia ndaj fëmijëve për mënyrën se si Jozef Smithi kërkoi përgjigje për pyetjet e tij, mund t’i ndihmojë ata të dinë se Ati Qiellor do t’u përgjigjet kur e kërkojnë udhërrëfimin e Tij. Merreni parasysh të tregoni përvoja kur ju keni marrë përgjigje nga Ai.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve fjalët nën tri figurat e para të “Kapitullit 27: Puna e Profetit Jozef Smith” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 104). Pyetini fëmijët nëse ata, ashtu si Jozefi, e kanë ndier ndonjëherë se nuk e kuptonin diçka në shkrimet e shenjta. Lejojini të tregojnë përvojat e tyre. Çfarë bëri Jozefi që të gjente përgjigje? Tregojuni fëmijëve për një rast kur Ati Qiellor ju ndihmoi të kuptoni diçka në shkrimet e shenjta.
-
Fëmijëve të cilëve u jepni mësim, mund t’u pëlqejë të lexojnë disa nga vargjet në librin e Zbulesës për të cilët Jozef Smithi pati pyetje. Më pas mund të shihni te Doktrina e Besëlidhje 77 për atë që Zoti donte që ai të kuptonte. Zgjidhni disa vargje që e ndieni se do të ishin domethënëse.
Unë mund të ndihmoj “për ta çuar përpara kauzën” e Jezu Krishtit.
Në seksionin 78, Zoti dha udhëzime të posaçme për disa udhëheqës të Kishës që do t’i ndihmonin “për ta çuar përpara kauzën” e Zotit (vargu 4). Ndihmojini fëmijët të shqyrtojnë se cilat mund të jenë rolet e tyre për ta çuar përpara kauzën e Zotit.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 78:4. Cila është “kauz[a]” për të cilën u “zotua[m]” (e pranuam ose zgjodhëm ta përkrahim) kur u pagëzuam? Nxitini të shohin për përgjigje të mundshme te fragmente të shkrimeve të shenjta si këto: Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:37; Moisiu 1:39.
-
Shpjegojuni fëmijëve se Njull K. Uitni ishte pronar i një dyqani dhe se Zoti u kërkoi atij dhe burrave të tjerë tʼi përdornin një pjesë të parave të tyre që të ndihmonin për të paguar për veprën e Zotit (shih Doktrina e Besëlidhje 63:42–43). Ftojini të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 78:3–7 dhe të kërkojnë arsyet përse këtyre burrave iu kërkua ta bënin këtë gjë. Si do të ishim ndier nëse na kërkohej të jepnim ashtu siç bëri Njulli? Ndihmojini të mendojnë për mënyra se si njerëzit japin ndihmesë në punën e Zotit në kohën tonë, të tilla si pagimi i së dhjetës dhe i ofertave të agjërimit, shërbimi në thirrje e kështu me radhë.
Unë duhet t’i pranoj “të gjitha gjërat me falënderim”.
Shpesh Zoti na bekon më shumë nëse jemi mirënjohës për atë që Ai na e ka dhënë tashmë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të jenë mirënjohës për bekimet e tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Vërini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 78:19 dhe të gjejnë atë që Zoti u premton atyre që janë mirënjohës. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë çfarë do të thotë “njëqindfish”, ndoshta duke u treguar një send të vogël dhe më pas 100 sende si ai.
-
Këndoni një këngë rreth mirënjohjes, të tillë si “I Am Glad for Many Things” [“Jam Mirënjohës për Shumë Gjëra”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 151) ose shikoni materialin filmik “Think to Thank” [“Mendo që të Falënderosh”] (ChurchofJesusChrist.org). Jepuni fëmijëve kohë që të bëjnë lista të gjërave për të cilat janë mirënjohës. Nxitini të renditin sa më shumë gjëra që është e mundur brenda kohës që u jepni atyre.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Merreni parasysh të viheni në kontakt me prindërit e fëmijëve të cilëve u jepni mësim, dhe sugjeroni një pyetje që mund t’ua bëjnë fëmijëve të tyre rreth diçkaje që mësuan në orën mësimore.