“21–27 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 67–70: ‘Vlerë … sa Pasuritë e Gjithë Tokës’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“21–27 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 67–70”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren
21–27 Qershor
Doktrina e Besëlidhje 67–70
“Vlerë … sa Pasuritë e Gjithë Tokës”
Përpara se të lexoni sugjerimet në këtë përvijim, studioni kapitujt te Doktrina e Besëlidhje 67–70 dhe shënojini mbresat shpirtërore që merrni. Këto mbresa do t’ju ndihmojnë të krijoni një plan të frymëzuar të mësimdhënies. Më pas shtojeni atë plan me ide nga ky përvijim, nga Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose nga revista të Kishës.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët që të vizatojnë një figurë të diçkaje që e mësuan nga studimi i tyre i shkrimeve të shenjta në shtëpi ose Fillore. Nëse e kanë të vështirë të mendojnë se çfarë të vizatojnë, ju mund t’u kujtoni disa nga temat te Doktrina e Besëlidhje 67–70, të tilla si pagëzimi, marrja e një dëshmie për shkrimet e shenjta ose prindërit që po u japin mësim ungjillin fëmijëve.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Doktrina e Besëlidhje përmban zbulesa nga Perëndia.
Në nëntor 1831, udhëheqësit e Kishës vendosën t’i botonin zbulesat e Jozef Smithit në një libër që të lexohej nga çdo njeri. Sot këto zbulesa janë të shtypura te Doktrina e Besëlidhje.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve për mënyrën se si zbulesat e Jozef Smithit arritën të shtypeshin në një libër (shih “Kapitulli 23: Doktrina e Besëlidhje”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 90–92, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Jepni dëshminë tuaj se Doktrina e Besëlidhje përmban zbulesa që mund të na ndihmojnë ne sot. Lexoni njërin nga vargjet tuaja të parapëlqyera nga Doktrina e Besëlidhjet.
-
Tregojuni fëmijëve secilën nga veprat standarde, një e nga një, dhe ndërsa e ngrini lart secilën, tregoni pak për mënyrën se si u mor ajo (shikoni hyrjen e secilit libër tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Kur të ngrini lart librin Doktrina e Besëlidhje, tregojuni fëmijëve se çfarë e bën të pashoq këtë libër të shkrimeve të shenjta (për shembull, ajo përmban zbulesa të dhëna për kohën tonë).
Doktrina e Besëlidhje 68:25–28
Unë mund të pagëzohem kur të bëhem tetë vjeç/e.
Te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28, Zoti i tha Jozef Smithit se fëmijët duhet të mësojnë që të kenë besim te Jezu Krishti, të pendohen, si dhe të pagëzohen kur janë tetë vjeç. Ai gjithashtu tha se ata duhej të mësonin të luteshin dhe t’i zbatonin urdhërimet e Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të numërojnë deri në tetë duke përdorur gishtat e tyre. Çfarë është e veçantë rreth të qenit tetë vjeç/e? Ndihmojini fëmijët të dallojnë se kur të jenë tetë vjeç, ata mund të pagëzohen. Duke përdorur fjalë dhe fraza që gjenden te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28, u tregoni për disa prej gjërave që Zoti dëshiron që ata t’i mësojnë përpara se të jenë tetë vjeç (shih edhe Nenet e Besimit 1:4). Ndihmojini të kuptojnë koncepte që mund të mos jenë të njohura për ta.
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth pagëzimit, të tillë si “Pagëzimi” ose “Kur Un’ t’Pagëzohem” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 54, 53). Kërkojuni fëmijëve të flasin për mënyrën se si ndihen rreth pagëzimit dhe çfarë mund të bëjnë që të përgatiten.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Zbulesat e dhëna nëpërmjet Jozef Smithit janë të vërteta.
Shumica e udhëzimeve te Doktrina e Besëlidhje 67–70 ka të bëjë me përpjekjet e shenjtorëve që të botonin zbulesat e Jozef Smithit. Kjo mund të jetë një mundësi për t’i ndihmuar fëmijët që të dallojnë se në këto zbulesa, tani të botuara te Doktrina e Besëlidhje, ne mund të gjejmë zërin e Zotit.
Teksa përgatiteni të jepni mësim, ju mund të shqyrtoni Saints, 1:140–143 ose “Kapitulli 23: Doktrina e Besëlidhje” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 90–92).
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve Biblën, Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë në tabelë të gjërave që e bëjnë të ndryshëm secilin libër të shkrimit të shenjtë dhe të gjërave që i bëjnë ata të ngjashëm. Nëse kanë nevojë për ndihmë, lexojuni përshkrimet e këtyre librave tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Pyetini fëmijët se si mund ta dimë se shkrimet e shenjta janë të vërteta. Çfarë mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 67:4, 9 rreth zbulesave që Zoti ia dha Jozef Smithit?
-
Jepni një varg nga Doktrina e Besëlidhje që e forcon “dëshmi[në tuaj] për të vërtetën e këtyre urdhërimeve” (vargu 4). Jepuni fëmijëve mundësi që të thonë vargun e tyre të parapëlqyer. Shpjegojuni fëmijëve se udhëheqësit e Kishës në këtë kohë vendosën të botonin dëshminë e tyre për zbulesat që kishte marrë Jozef Smithi. Kur i botuan, njëri nga udhëheqësit, Levi Henkoku, shkroi pranë emrit të tij: “Për të mos u fshirë kurrë” (shih “Testimony, circa 2 November 1831”, Revelation Book 1, f. 121, josephsmithpapers.org). Përse mund të kishte dashur Levi Henkoku që emri i tij “të mos fshi[hej] kurrë” nga dëshmia e botuar? Jepuni fëmijëve mundësi që t’i shkruajnë dëshmitë e tyre për atë që kanë mësuar deri tani te Doktrina e Besëlidhje.
Kur udhëheqësit e Kishës flasin me anë të frymëzimit, ata flasin “fjal[ën] e Zotit”.
Kur shërbëtorët e Zotit flasin me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, fjalët e tyre janë vullneti, mendja, fjala dhe zëri i Zotit (shih vargun 4). Njohja e kësaj të vërtete mund t’i ndihmojë fëmijët të duan t’i dëgjojnë dhe t’i ndjekin mësimet e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 68:3–4 në grupe të vogla dhe t’i tregojnë njëri‑tjetrit atë që mësojnë nga këto vargje. Ftojini fëmijët të shkruajnë në tabelë diçka që e mësuan. Përse është kjo një e vërtetë e rëndësishme për ta ditur?
-
Pasi të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 68:3–4, jepuni fëmijëve kopje të disa mesazheve të kohëve të fundit nga konferenca e përgjithshme. Ftojini të gjejnë brenda mesazheve të vërtetat që Zoti na i mësoi nëpërmjet shërbëtorëve të Tij.
Unë mund të jem “i vërtetë dhe besnik”.
Kur Oliver Kaudërit iu desh të udhëtonte drejt Misurit, Zoti e thirri Xhon Uitmerin, dikë që ishte “i vërtetë dhe besnik” (vargu 1), që të shkonte me të. Si mund të jenë fëmijët të vërtetë dhe besnikë ashtu siç ishte Xhon Uitmeri?
Veprimtari të Mundshme
-
Thuajuni fëmijëve se kur Zoti e dërgoi Oliver Kaudërin në Misuri, Ai tha se dikush “i vërtetë dhe besnik” (vargu 1) duhej të shkonte me të, prandaj Ai dërgoi gjithashtu Xhon Uitmerin. Çfarë do të thotë të jesh i vërtetë dhe besnik? Si mund të sigurohemi që jemi të vërtetë dhe besnikë në mënyrë që Zoti të mund të na përdorë për t’i bekuar të tjerët?
-
Ftojini disa fëmijë të tregojnë rreth dikujt që e njohin, për të cilin mendojnë se është “i vërtetë dhe besnik”. Si e dinë që personi është i vërtetë dhe besnik? Ndihmojini të kuptojnë se Zoti i mirëbesoi Xhon Uitmerit ngaqë ai ishte, në atë kohë, i vërtetë dhe besnik (shih Doktrina e Besëlidhje 69:1–2). Këndoni së bashku një këngë që i nxit fëmijët të jenë të vërtetë dhe besnikë si Shpëtimtari, të tillë si “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40).
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i shpjegojnë dikujt në shtëpi se çfarë është Doktrina e Besëlidhje, nga erdhi dhe përse është e rëndësishme për ta.