“11–17 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 115–120: ‘Sakrifica e Tij do të Jetë më e Shenjtë sesa Suksesi i Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“11–17 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 115–120”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
11–17 Tetor
Doktrina e Besëlidhje 115–120
“Sakrifica e Tij do të Jetë më e Shenjtë sesa Suksesi i Tij”
Zoti dëshiron t’ju flasë juve. Teksa i studioni shkrimet e shenjta, lutuni dhe kërkojini Atij t’ju ndihmojë që të zbuloni mesazhet e Tij për ju.
Shënojini Mbresat Tuaja
Kishte arsye për të qenë optimist rreth vendit më të ri të mbledhjes së shenjtorëve në Far‑Uest të Misurit, në korrik 1838. Qyteti po popullohej me shpejtësi, toka dukej e begatë dhe u mor zbulesa se në një distancë të shkurtër drejt veriut ndodhej Adam-ondi-Ahmani, një vend me rëndësi të madhe shpirtërore (shih Doktrina e Besëlidhje 107:53–56; 116). Prapëseprapë, duhet të ketë qenë e vështirë për shenjtorët që të mos mendonin për atë që kishin humbur. Ata u dëbuan nga Indipendënsi, vendi qendror që qe caktuar për Sionin, dhe gjasat ishin ndoshta të pakta që të ktheheshin atje brenda një kohe të shkurtër. Përveç të tjerash, shenjtorëve u duhej të arratiseshin nga Kirtlandi në Ohajo, duke e lënë tempullin e tyre të dashur vetëm pas dy vjetësh nga ndërtimi. Dhe këtë herë nuk ishin vetëm armiqtë jashtë Kishës që po shkaktonin probleme – shumë anëtarë të shquar u kthyen kundër Jozef Smithit, përfshirë Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe katër anëtarë të Të Dymbëdhjetëve. Disa njerëz mund ta kenë pyetur veten: “A po bëhet vërtet më e fortë mbretëria e Perëndisë apo po bëhet më e dobët?”
Sidoqoftë besnikët nuk i lejuan pyetje të tilla që t’i ndalnin. Përkundrazi, ata filluan të ndërtonin një vend të ri, të shenjtë, këtë herë në Far‑Uest. Ata bënë plane për një tempull të ri. U thirrën katër Apostuj të rinj, përfshirë dy – Xhon Tejlorin dhe Uillford Udrafin – të cilët më vonë do të bëheshin Presidentë të Kishës (shih Doktrina e Besëlidhje 118:6). Shenjtorët mësuan se kryerja e veprës së Perëndisë nuk do të thotë që të mos biesh kurrë; do të thotë “të ngrihe[sh] përsëri”. Edhe pse do t’ju duhet të hiqni dorë nga disa gjëra, ato sakrifica do të jenë të shenjta për Perëndinë, madje “më të shenjt[a] sesa suksesi [juaj]” (Doktrina e Besëlidhje 117:13).
Shih Saints, 1:296–299; “Far West and Adam-ondi-Ahman”, Revelations in Context, f. 235–241.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Emri i Kishës u përcaktua nga Zoti.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha se emri i Kishës është “një çështje me rëndësi të madhe” (“Emri i Saktë i Kishës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 87). Mendoni se përse është e vërtetë kjo, teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 115:4–6. Çfarë lidhje ka emri i Kishës me veprën dhe misionin e saj?
Shih edhe 3 Nefi 27:1–11.
Sioni dhe kunjet e tij japin “strehim nga stuhia”.
Pavarësisht nga vështirësitë që po hasnin shenjtorët në vitin 1838, Zoti ende kishte pritshmëri të larta për ta. Kërkoni fjalë te Doktrina e Besëlidhje 115:5–6 që e theksojnë rolin të cilin Zoti dëshiron që Kisha dhe anëtarët e saj ta përmbushin në botë. Për shembull, çfarë ndieni se duhet të bëni që të “ngriheni e shkëlqeni”? (Vargu 5.) Çfarë stuhish shpirtërore vini re përreth jush dhe si gjejmë ne “strehim” nëpërmjet mbledhjes? (Vargu 6.)
Shih edhe 3 Nefi 18:24.
Sakrificat e mia janë të shenjta për Zotin.
Largimi nga Kirtlandi mund të ketë qenë veçanërisht i vështirë për njerëz si Njull K. Uitni, i cili kishte ndërtuar një jetë të begatë për familjen e tij atje. Çfarë gjeni te Doktrina e Besëlidhje 117:1–11 që mund t’i ketë ndihmuar ata për ta bërë këtë sakrificë? Si e ndryshojnë këto vargje këndvështrimin tuaj mbi atë që është vërtet e rëndësishme?
Sakrifica që iu kërkua Oliver Granxherit ishte ndryshe: Zoti e caktoi atë që të qëndronte në Kirtland dhe të rregullonte financat e Kishës. Ishte një detyrë e vështirë dhe ndërsa ai e përfaqësoi Kishën me integritet moral, në fund ai nuk mundi të rifitonte shumë para. Merrni parasysh se si fjalët e Zotit te vargjet 12–15 mund të gjejnë zbatim për gjërat që Zoti ka kërkuar prej jush.
Shih edhe Mateu 6:25–33; Boyd K. Packer, “The Least of These”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 86–88; “Far West and Adam-ondi-Ahman”, Revelations in Context, f. 239–240.
Duke paguar të dhjetën, unë ndihmoj që ta ndërtoj dhe ta “shenjtëroj… tokën e Sionit”.
Udhëzimet te seksionet 119 dhe 120 duken të ngjashme me mënyrën se si vepra e Zotit financohet në kohën tonë. Sot, shenjtorët dhurojnë “një të dhjetën e gjithë interesit të tyre [tani nënkuptohet si të ardhurat] çdo vit” (Doktrina e Besëlidhje 119:4) dhe këto fonde administrohen nga një këshill që përbëhet nga Presidenca e Parë, Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve dhe Peshkopata Kryesuese. Merrini parasysh pyetjet vijuese teksa i studioni këto seksione:
-
Në ç’mënyrë zbatimi i ligjit të së dhjetës e “shenjtëro[n] tokën e Sionit”? Si ndihmon ky ligj për ta bërë vendin ku jetoni “një tokë [të] Sionit për ju”? (Doktrina e Besëlidhje 119:6.)
-
Çfarë është domethënëse për ju rreth frazës “me anë të zërit tim për ta” te Doktrina e Besëlidhje 120?
Shih edhe Malakia 3:8–12; Dejvid A. Bednar, “Pragjet e Qiellit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 17–20; “The Tithing of My People”, Revelations in Context, f. 250–255.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 115:4–6.A do të funksiononte për familjen tuaj leximi i këtyre vargjeve ndërkohë që shihni lindjen e diellit? Mund t’ju ndihmojë që të diskutoni se ç’do të thotë fraza “ngrihuni e shkëlqeni” (vargu 5). Ose mund të diskutoni edhe se si është të kërkosh strehim gjatë një stuhie. Si mund të jetë ajo përvojë e njëjtë me gjetjen e “strehim[it]” në Kishë? (Vargu 6.) Më pas mund të flitni rreth mënyrave se si familja juaj mund t’i ndihmojë të tjerët të gëzohen nga strehimi që siguron Kisha.
-
Doktrina e Besëlidhje 117:1–11.Familja juaj mund ta krahasojë një “copëz” me diçka me më shumë “peshë” (vargu 8), si për shembull një kanë me ujë. Kjo mund të çojë drejt një diskutimi për gjërat më pak të rëndësishme në jetën tonë, të cilat mund të na pengojnë që të marrim bekime të shumta nga Perëndia.
-
Doktrina e Besëlidhje 119.Mund të këndoni një këngë të tillë si “I Want to Give the Lord My Tenth” (Children’s Songbook, f. 150). Çfarë na mëson kënga dhe seksioni 119 rreth arsyes përse e paguajmë të dhjetën? Për fëmijët e vegjël mund të jetë i dobishëm gjithashtu një mësim me sende: mund t’u jepni atyre sende të vogla, ndihmojini ta llogaritin një të dhjetën dhe tregojuni atyre se përse e paguani të dhjetën. (Shih edhe Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 39–41.)
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “I Want to Give the Lord My Tenth”, Children’s Songbook, f. 150.