Doktrina e Besëlidhje 2021
11–17 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 115–120: “Sakrifica e Tij do të Jetë më e Shenjtë sesa Suksesi i Tij”


“11–17 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 115–120: ‘Sakrifica e Tij do të Jetë më e Shenjtë sesa Suksesi i Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“11–17 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 115–120”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Far‑Uest

Far‑Uest, nga Al Rounds

11–17 Tetor

Doktrina e Besëlidhje 115–120

“Sakrifica e Tij do të Jetë më e Shenjtë sesa Suksesi i Tij”

Lëreni Shpirtin t’ju udhërrëfejë drejt parimeve që iu nevojiten më shumë fëmijëve. Ju mund të gjeni ide të dobishme në veprimtaritë për fëmijët më të vegjël ose për fëmijët më të mëdhenj.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Me raste, mund të jetë e mirë të flisni paraprakisht me prindërit e njërit prej fëmijëve dhe të sugjeroni që fëmija të vijë në orën mësimore i përgatitur për të treguar diçka që ai ose ajo e ka mësuar në shtëpi. Fëmijës mund t’i pëlqejë që të udhëheqë një veprimtari në orën mësimore, të cilën ai ose ajo e ka bërë me pjesëtarët e familjes.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 115:4–5

Unë i përkas Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të dallojnë bekimet e të qenit pjesë e Kishës së Jezu Krishtit?

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët nëse ndonjëri prej tyre mund ta thotë emrin e plotë të Kishës. Tregojuni logon e Kishës (në një botim të Kishës apo në një etiketë emri të misionarëve), shkruajeni emrin në tabelë ose lexojuani atë nga Doktrina e Besëlidhje 115:4. Kërkojuni fëmijëve ta thonë emrin me ju teksa tregoni me gisht çdo fjalë. Vini në dukje fjalë të rëndësishme në atë emër dhe ndihmojini fëmijët të kuptojnë përse këto fjalë janë të rëndësishme (shih “Kapitulli 43: Jezu Krishti i Jep Emrin Kishës së Tij”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 164).

  • Këndoni së bashku këngën “Kisha e Jezu Krishtit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 48) dhe tregojuni fëmijëve se si ndiheni rreth të qenit anëtar i Kishës së Jezu Krishtit. Lejojini të tregojnë se si ndihen rreth Kishës.

  • Ftojini fëmijët të ngrihen në këmbë kur të lexoni fjalën “ngrihuni” te Doktrina e Besëlidhje 115:5. Ftojini t’i shtrijnë gishtat e tyre si rreze dielli kur ju lexoni fjalën “shkëlqeni”. Këndoni së bashku një këngë rreth të qenit një dritë për të tjerët, të tillë si “Un’ Jam si një Yll” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 84). Kujtojuni fëmijëve se drita jonë vjen nga Jezu Krishti dhe ndihmojini të mendojnë mënyra se si ata mund të “shkëlqe[jnë]”.

Doktrina e Besëlidhje 117:6

Jezu Krishti bëri tokën dhe gjithçka që është në të.

Për t’i nxitur Uilliam Marksin dhe Njull K. Uitnin që të sakrifikonin pronat e tyre dhe të shpërnguleshin në Misuri, Zoti u kujtoi atyre se Ai i krijoi të gjitha gjërat në tokë. Si mund të bekohen fëmijët nga njohja e kësaj të vërtete?

Veprimtari të Mundshme

  • Sillni figura ose bëni vizatime të krijesave te Doktrina e Besëlidhje 117:6 që Zoti tha se Ai i bëri (ose ftojini fëmijët të bëjnë vizatimet e tyre). Ftojini fëmijët të ngrenë lart ose të tregojnë me gisht drejt figurave teksa e lexoni vargun. Thuajuni fëmijëve përse është e rëndësishme për ju që të dini se Jezu Krishti i krijoi këto gjëra.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth krijimeve të Zotit, të tillë si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16). Lejojini fëmijët të flasin rreth disa prej gjërave që ka krijuar Perëndia, të cilat i ndihmojnë ta ndiejnë dashurinë e Tij.

Doktrina e Besëlidhje 119–120

E dhjeta e ndihmon Kishën për të bërë punën e Perëndisë.

Shumë prej fëmijëve të cilëve u jepni mësim, ndoshta janë shumë të vegjël që të fitojnë para dhe të paguajnë të dhjetën, por është mirë për ta që të kuptojnë se si e dhjeta jep ndihmesë në punën e madhërishme që bën Kisha anembanë botës.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni mënyrën se si e paguajmë të dhjetën dhe për çfarë përdoret ajo (shih “Kapitulli 44: E Dhjeta”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 165–166, ose materialin përkatës filmik te ChurchofJesusChrist.org). Vizatoni 10 monedha në tabelë dhe kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë për t’i numëruar ato. Përcaktoni se sa t’i jepni Zotit për të dhjetën.

  • Këndoni së bashku një këngë për të dhjetën, të tillë si “Të Dhjetën Zotit do t’i Jap” (Liahona, tetor 2006) dhe tregojuni fëmijëve përse ju zgjidhni ta paguani të dhjetën. Nëse është e mundur, tregoni një histori vetjake.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 115:4–6

Shembulli im mund t’i ndihmojë të tjerët që të vijnë te Krishti dhe të gjejnë siguri.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, ka mundësi që të njohin njerëz të cilët po ndikohen nga stuhitë e jetës dhe kanë nevojë për “strehim[in]” (vargu 6) që sigurohet në Kishë. Merreni parasysh se si do t’i frymëzoni fëmijët të “ngrih[en] e shkëlqe[jnë]” (vargu 5) dhe t’u tregojnë dritën e tyre këtyre njerëzve.

Veprimtari të Mundshme

  • Kaloni nëpër klasë një elektrik dore, një figurë të diellit ose diçka tjetër që përfaqëson dritën e ungjillit të Shpëtimtarit. Kur të jetë radha e tyre për ta mbajtur dritën, ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 115:4–5 dhe të përmendin diçka që mund ta bëjnë për të “shkëlq[yer]” si një dritë për të tjerët (shih 3 Nefi 18:24).

  • Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim që përshkruan vargun te Doktrina e Besëlidhje 115:6. Për shembull, ata mund të vizatojnë një stuhi, me njerëz që po gjejnë strehim në një godinë të Kishës. Cilat janë disa nga gjërat që mund të përfaqësojë stuhia? Si na siguron Kisha strehim nga këto gjëra?

Doktrina e Besëlidhje 117

Sakrificat e mia janë të shenjta për Zotin.

seksionin 117, Zoti i këshilloi Uilliam Marksin dhe Njull K. Uitnin që t’i sakrifikonin pronat e tyre në Kirtland për bekime më të mëdha në Misuri. Ai gjithashtu e nderoi Oliver Granxherin për sakrificat që bëri. Çfarë ndieni se mund të mësojnë fëmijët nga shembujt e tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur të ishin pronar i suksesshëm i një dyqani në Kirtland, siç ishte Njull K. Uitni. Si do të ndiheshin nëse Zoti u kërkonte ta linin dyqanin e tyre dhe të shpërnguleshin në një vend të ri? Lexojuni fëmijëve vargjet te Doktrina e Besëlidhje 117:1–11 dhe kërkojuni fëmijëve t’ju ndalojnë kur dëgjojnë diçka që do t’i ndihmonte të kenë besimin për të bërë sakrifica dhe për t’iu bindur Zotit. Çfarë sakrifikojmë ne sot që t’i bindemi Zotit?

  • Shkurtimisht tregojuni fëmijëve përse shenjtorëve iu desh të largoheshin nga Kirtlandi ose lejojeni njërin nga fëmijët që ta bëjë këtë gjë (shih “Kapitulli 41: Shqetësime në Kirtland, Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 158–160). Shpjegoni se Zoti i kërkoi Oliver Granxherit të qëndronte në Kirtland dhe të paguante borxhet e Kishës. Përse ajo do të ishte një punë e vështirë? Çfarë tha Zoti te Doktrina e Besëlidhje 117:13 që mund ta ndihmonte Oliverin – ose cilindo prej nesh – për të bërë sakrifica që t’i bindej Zotit?

Doktrina e Besëlidhje 119–120

E dhjeta e ndihmon Kishën për të bërë punën e Perëndisë.

Përsiatni se si do t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se si e dhjeta – madje sasitë e vogla që mund të paguajnë – jep ndihmesë për ndërtimin e mbretërisë së Zotit (shih Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 39–41).

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur një mik/e shikon një godinë të Kishës dhe pyet: “Si paguan Kisha për atë godinë?” Si do t’ia shpjegonim të dhjetën këtij miku ose kësaj mikeje? Sugjeroni që fëmijët t’u drejtohen vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 119:4; 120:1 ndërkohë që e marrin në shqyrtim këtë pyetje.

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë rreth gjërave që Kisha është në gjendje të bëjë për shkak të së dhjetës. Si e bekojnë jetën tonë këto gjëra? Shprehni ndjenjat tuaja rreth ligjit të së dhjetës dhe se si ai ju ka bekuar.

    djalë duke paguar të dhjetën

    Nëpërmjet pagimit të së dhjetës ne mund të tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë dhe të ndihmojmë në punën e Tij.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të vënë re atë që ndien në zemrat e tyre ose mendimet që iu erdhën në mendje gjatë Fillores sot. Nxitini t’u tregojnë familjeve të tyre për ato ndjenja dhe mendime.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përkrahini prindërit. Gjeni mënyra për t’u treguar prindërve atë që fëmijët e tyre po mësojnë në Fillore dhe pyetini se si ju mund t’i përkrahni përpjekjet e tyre si prindër (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).