“4–10 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 111–114: ‘Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“4–10 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 111–114”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021
4–10 Tetor
Doktrina e Besëlidhje 111–114
“Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj”
Motra Sheril A. Esplin, ish‑këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, dha mësim se ne duhet t’i “ndihm[ojmë] … fëmijë[t tanë] që t[a] fusin doktrinën në zemrat e tyre në një mënyrë që … pasqyrohet në qëndrimet dhe sjelljen e tyre gjatë gjithë jetës” (“Të Mësojmë Fëmijët Tanë të Kuptojnë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 10).
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i nxitur fëmijët që të tregojnë, sillni disa sende që lidhen me diçka nga një mësim i mëparshëm. Lërini të flasin rreth asaj që u sjell ndërmend secili send.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Doktrina e Besëlidhje 111:2, 10–11
Gjërat e Perëndisë mund të jenë thesar për mua.
Kur fëmijët mendojnë për fjalën thesar, ata mund të vizatojnë gjëra që janë të ndryshme nga thesaret e nënkuptuara te Doktrina e Besëlidhje 111:2, 10. Si mund t’i ndihmoni ata që të mësojnë t’i ruajnë si thesar gjërat e Zotit?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë atë që u vjen në mendje kur dëgjojnë fjalën thesar. Krahasoni gjërat që bota i sheh si thesare me gjërat që Zoti i ruan si thesare (shih Doktrina e Besëlidhje 111:2, 10–11), të tilla si popullin e Tij, urtësinë, drejtësinë dhe bërjen e zgjedhjeve të mira.
-
Ndihmojini fëmijët të plotësojnë faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Çfarë mësojmë rreth Jezusit nga gjërat që Ai i ruan si thesar? Si mund të jemi më shumë si Ai?
Zoti do të më udhëheqë për dore dhe do t’u përgjigjet lutjeve të mia.
Doktrina e Besëlidhje 112:10 mund t’i ndihmojë fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që të ndërtojnë besimin se Jezu Krishti do t’i udhëheqë dhe udhërrëfejë gjatë gjithë jetës së tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për situata kur është e rëndësishme ta mbani dorën e një pjesëtari të familjes, si për shembull kur kaloni rrugën ose kur jepni ngushëllim. Atyre mund t’u pëlqejë të intrepretojnë me gjeste disa nga shembujt që treguan. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 112:10. Përse duam që Zoti të na “udhëheqë përdore”?
-
Lidhjani sytë njërit prej fëmijëve dhe kërkojini atij ose asaj të ecë përmes dhomës me një fëmijë tjetër duke e udhëhequr atë për dore. Tregoni për një përvojë kur e ndiet se Zoti po ju udhëhiqte për dore.
Jezusi dëshiron që unë ta dua çdo njeri.
Ndihmojini fëmijët ta dinë se Shpëtimtari dëshiron që ne ta duam çdo njeri, edhe ata që mund të mos na trajtojnë me dashamirësi.
Veprimtari të Mundshme
-
Teksa u lexoni “Kapitullin 41: Shqetësime në Kirtland” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje f. 158–160), kërkojuni fëmijëve që me duart e tyre të krijojnë formën e një zemre kur dëgjojnë rreth dikujt që po e bën diçka siç duhet. Ndihmojini të kuptojnë se Zoti dëshiron që ne ta duam çdo njeri, edhe ata që mund të bëjnë zgjedhje të gabuara.
-
Vizatoni një fytyrë të trishtuar në tabelë dhe pyetini fëmijët se si mund të tregojmë dashuri për njerëz të tjerë që nuk janë të lumtur (shih Doktrina e Besëlidhje 112:11). Teksa fëmijët japin ide, vizatojeni sërish fytyrën e trishtuar duke e bërë një fytyrë të lumtur. Jepni dëshminë tuaj për fuqinë që vjen nga dashuria për të tjerët. Këndoni së bashku një këngë rreth dashurisë, të tillë si “Jezus’ Tha t’i Doni t’Gjith’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 39).
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund të jem i përulur dhe të kërkoj udhërrëfimin e Perëndisë.
Ati Qiellor dëshiron që ne të jemi të përulur, kështu që Ai të mund të na udhërrëfejë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si mund të tregojnë përulësi përpara Perëndisë duke bërë gjëra të tilla si t’i luten Atij dhe ta pranojnë këshillën e Tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Pyetini fëmijët se çfarë do të thotë të jesh i përulur. (Ata mund të lexojnë pjesën “Përulësi” te Të Vërtetë Ndaj Besimit [faqet 121–122] nëse nevojitet). Ndihmojini të mendojnë për fjalë ose fraza që lidhen me fjalën “i përulur” dhe ftojini të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 112:10, duke e zëvendësuar një nga këto fjalë ose fraza me fjalën “i përulur” te vargu. Pse dëshiron Ati Qiellor që ne të jemi të përulur? Për të mësuar më shumë, fëmijët mund të lexojnë shkrime të shenjta shtesë, të renditura në pjesën “Përul, Përulësi” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
-
Shkruani në tabelë fjalë nga Doktrina e Besëlidhje 112:10 dhe kërkojuni fëmijëve që t’i lexojnë ato me zë të lartë. Ftojeni një fëmijë të nënvizojë bekimet për ata që janë të përulur, të cilat përmenden në këtë varg. Nxitini fëmijët të tregojnë raste kur kërkuan me përulësi ndihmën e Zotit dhe u udhëhoqën prej Tij, të tillë si rastet kur lutjet e tyre morën përgjigje.
Jezusi dëshiron që unë ta dua çdo njeri.
Jezu Krishti ishte shembulli i përkryer i dashurisë për çdo njeri, edhe për ata që e keqtrajtuan Atë. Edhe Jozef Smithit iu desh të duronte përndjekje nga ata që kishin qenë miqtë e vet. Ndihmojini fëmijët të mësojnë se ne mund t’i duam të tjerët sikurse i deshën Shpëtimtari dhe Jozef Smithi.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët që me radhë të lexojnë nga “Kapitulli 41: Shqetësime në Kirtland” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 158–160). Cilët në këtë histori i përkeqësuan problemet në Kirtland? Kush po përpiqej t’i përmirësonte ato? Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 112:11 dhe të flasin rreth arsyes përse është e rëndësishme që ta duam çdo njeri.
-
Përse është e rëndësishme t’i duam njerëzit që janë të ndryshëm nga ne? Përse mund të ketë bërë Ati Qiellor që ne të jemi të ndryshëm? Si mund ta lejojmë “dashuri[në tonë] … të jetë e madhe për të gjithë”, edhe për ata që janë të ndryshëm nga ne? Këndoni me fëmijët një këngë rreth dashurisë për të tjerët, të tillë si “Do t’Ec’ me Ty” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 78–79).
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë shembuj kur Shpëtimtari i deshi ata që e keqtrajtuan Atë (për shembull, shih Lluka 23:34).
Doktrina e Besëlidhje 112:12–15, 26
Ata që kthehen vërtet në besim, arrijnë ta njohin Jezu Krishtin.
Bërja të kthyer në besimin te Jezu Krishti është një proces që zgjat gjatë gjithë jetës dhe përfshin më shumë sesa thjesht të “shpall[im] se e njohim emrin [e Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 112:26). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë që ta njohim vërtet Shpëtimtarin.
Veprimtari të Mundshme
-
Thuajuni fëmijëve se në vitin 1837, disa prej Apostujve ishin kthyer kundër Profetit Jozef Smith. Përse është e rëndësishme që ta ndjekim profetin? (Shih vargun 15.) Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë të gjërave që Zoti ia tha të bënte Tomas B. Marshit, Presidentit të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (shih Doktrina e Besëlidhje 112:12–15). Përdoreni listën që të diskutoni se si ne mund të bëhemi më të kthyer në besimin tek Jezu Krishti.
-
Pyetini fëmijët që çfarë mendojnë se do të thotë që të shpallim se e njohim Jezu Krishtin, por të mos e njohim Atë me të vërtetë (shih Doktrina e Besëlidhje 112:26). Çfarë na mëson vargu 14 se mund të bëjmë për ta njohur Atë më mirë? Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë do të thotë që të “marr[im] kryqin [tonë]” (Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Mateu 16:25–26 [në Udhëzuesin e Shkrimeve të Shenjta]) ose të “ushqe[jmë] delet e [Tij]”.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të përmbledhin atë që mësuan sot në orën mësimore. Ndihmojini të bëjnë një shënim ose të vizatojnë një figurë që do t’u sjellë ndërmend çfarë mësuan, që të mund t’ua tregojnë familjeve të tyre.