Doktrina e Besëlidhje 2021
18–24 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 121–123: “O Perëndi, ku Je Ti?”


“18–24 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 121–123: ‘O Perëndi, ku Je Ti?’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“18–24 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 121–123”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Burgu i Libertisë

Pranverë në Burgun e Libertisë, nga Al Rounds

18–24 Tetor

Doktrina e Besëlidhje 121–123

“O Perëndi, ku Je Ti?”

Teksa studioni te Doktrina e Besëlidhje 121–123, merreni parasysh atë që fëmijët në klasën tuaj e dinë tashmë. Lutuni për të ditur se si të ndërtoni mbi atë që dinë.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Nëse i nxitët fëmijët javën e shkuar që t’u tregojnë familjeve të tyre diçka që e mësuan në orën mësimore, jepuni kohë të tregojnë përvojat e tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 121:7–8; 122:7

Kohët e vështira mund të jenë për të mirën tonë.

Fjalët e Zotit drejtuar Jozef Smithit në burgun e Libertisë japin një mundësi për t’i ndihmuar fëmijët që të dallojnë se nganjëherë jeta është e vështirë, por Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të na ndihmojnë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të mbajnë vesh për fjalën “paqe” teksa u lexoni atyre nga “Kapitulli 46: Jozef Smithi në Burgun e Libertisë” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje f. 173–175) ose Doktrina e Besëlidhje 121:7–8. Ndihmojini fëmijët të mendojnë mënyra se si mund t’i mirëbesojmë Zotit sikurse bëri Jozefi, që ne të mund të ndiejmë paqe. Shpjegoni që, megjithëse Jozefi përjetoi gjëra të vështira, Zoti ishte me të.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët të dallojnë që sprovat tona “do të jenë për të mirën [tonë]” (Doktrina e Besëlidhje 122:7), u flisni atyre rreth mënyrës se si muskujt tanë rriten kur mbajmë diçka të rëndë. Lejojini të bëjnë sikur po ngrenë një send të rëndë ose po bëjnë një punë të rëndë. Shpjegoni se kalimi përmes kohëve të vështira mund t’i ndihmojë shpirtrat tanë të rriten – nëse i drejtohemi Zotit për ndihmë. Jepuni disa shembuj që mund të kenë lidhje me fëmijët të cilëve u jepni mësim. Ftojini të përsëritin me ju frazën: “Gjithë këto gjëra do të … jenë për të mirën t[onë]”.

Doktrina e Besëlidhje 122:8

Jezu Krishti e di se si ndihem unë.

Në burgun e Libertisë, Jezu Krishti i tha Jozef Smithit se Ai kishte zbritur nën të gjitha gjërat (shih Doktrina e Besëlidhje 122:8). Kjo do të thotë që Ai i di gjërat përmes të cilave po kalojmë dhe ne mund t’i drejtohemi Atij.

Veprimtari të Mundshme

  • Për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë që të drejtohen te Krishti kur përjetojnë gjëra të vështira, kërkojuni që t’ju tregojnë se si duken fytyrat e tyre kur janë të trishtuar, të lënduar ose të frikësuar. Kush mund të na ndihmojë kur ndihemi në këtë mënyrë? Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 122:8 dhe shpjegoni se kjo do të thotë që Jezu Krishti e di se si ndihemi dhe Ai mund të na ndihmojë.

  • Këndoni së bashku “Jezusi Dikur një F’mij’ Ishte” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 34) dhe dëshmoni se Jezu Krishti mund të na ndihmojë ngaqë Ai e di se si ndihemi.

    Jezusi përtokë në Gjetseman

    Jezusi e kupton vuajtjen tonë. Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti, nga Walter Rane.

Doktrina e Besëlidhje 123:17

Perëndia dëshiron që unë ta bëj me gëzim atë që mundem.

Edhe pse Jozef Smithi ishte në burg dhe shenjtorët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, ai i nxiti shenjtorët që t’i “bë[nin] me gëzim të gjitha gjërat që [ishin] në fuqinë [e tyre]”.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve vargun te Doktrina e Besëlidhje 123:17 dhe ftojini të ngrihen në këmbë dhe të brohorasin kur dëgjojnë frazën “me gëzim”. Ftojini të hiqen sikur po bëjnë veprime të ndryshme shërbimi me gëzim.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth shërbimit me gëzim, të tillë si “Kur Ndihmojm’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 108). Ndihmojini fëmijët të mendojnë mënyra se si mund t’u shërbejnë me gëzim familjes dhe miqve të tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 121:7–9; 122:7–9

Sprovat e mia mund të jenë për të mirën time.

Një mënyrë se si Shpëtimtari e ngushëlloi Jozef Smithin ndërkohë që vuante në burgun e Libertisë, ishte duke i mësuar atij se “gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde” (Doktrina e Besëlidhje 122:7). Kjo e vërtetë mund t’i bekojë fëmijët kur përballen me sprovat e veta.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth përvojës së Jozef Smithit në burg dhe shenjtorëve që po dëboheshin me forcë nga Misuri (shih kapitujt 45–47 te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 167–179). Pyetini fëmijët se si do të ndiheshin nëse do të ishin Jozef Smithi ose njëri nga shenjtorët në atë kohë. Lexoni me fëmijët te Doktrina e Besëlidhje 121:7–9; 122:7–9 dhe ftojini të gjejnë diçka që Zoti tha se do t’u kishte sjellë atyre paqe. Si mund të “jenë për të mirën [tonë]” përvojat tona të vështira?

  • Kërkojuni dy fëmijëve të mbajnë fundet e një spangoje që është e gjatë sa e gjithë dhoma. Kërkojini një fëmije tjetër që ta kapë me gishta spangon në një vend. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 121:7–8 dhe shpjegoni se spangoja përfaqëson vitet e përjetësisë dhe se pika e vogël që është kapur, është si vitet tona në tokë. Çfarë do të thotë që sprovat tona në tokë janë për “një çast [të] shkurtër”?

  • Ndihmojini fëmijët të përfytyrojnë se si do të ishte po të harxhonin katër muaj në një vend si burgu i Libertisë. Për çfarë do të na merrte malli më shumë? Si do ta kalonim kohën? Çfarë mësoi Jozef Smithi te Doktrina e Besëlidhje 121:7–9; 122:7–9 që e ndihmoi ta duronte këtë përvojë? Nxitini fëmijët t’i shkruajnë një letër dikujt që po kalon një kohë të vështirë dhe sugjeroni që ata të përdorin diçka nga Doktrina e Besëlidhje 121:7–9; 122:7–9 në letrën e tyre.

Doktrina e Besëlidhje 121:34–46

Ne duhet të jemi të drejtë që të kemi “fuqitë e qiellit”.

Ndihmojini fëmijët të cilëve u jepni mësim, të dallojnë se ne mund të kemi fuqinë e Perëndisë në jetën tonë vetëm nëse jemi të drejtë.

Veprimtari të Mundshme

  • Vizatoni një vijë me fjalët fuqi e lartë në njërin skaj dhe fuqi e ulët në skajin tjetër. Vizatoni një shigjetë që të tregojë drejt mesit të vijës. Zgjidhini disa fjalë ose fraza nga Doktrina e Besëlidhje 121:34–46 që na mësojnë se si e pakësojmë ose forcojmë fuqinë qiellore në jetën tonë (të tilla si “mbulojmë mëkatet tona”, “krenari[a]”, “mirësjellj[a]” dhe “dashuri[a]”). Ftojini fëmijët ta bëjnë me radhë që të zgjedhin një fjalë, të vendosin nëse fjala çon drejt pakësimit ose forcimit në fuqi dhe ta lëvizin shigjetën siç duhet. Flisni me fëmijët rreth njerëzve që ata i njohin, të cilët kanë qenë një ndikim i mirë mbi të tjerët ngaqë e ndjekin këshillën e Zotit në këto vargje.

  • Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 121:41–42, 45 dhe kërkojuni fëmijëve të renditin nga këto vargje cilësitë të cilat Zoti dëshiron që ne t’i kemi. Ndihmojini të përkufizojnë ndonjë fjalë që nuk e kuptojnë. Caktojini secilit fëmijë një cilësi dhe ftojini të mendojnë një mënyrë se si mund ta shfaqin atë. Pasi të kenë treguar të tërë, kërkojuni të lexojnë vargjet 45–46 dhe të renditin bekimet që do t’i marrin nëse i zhvillojnë këto cilësi.

  • Lexoni së bashku rreshtin e parë nga Doktrina e Besëlidhje 121:46. Si mund të jetë Fryma e Shenjtë “shoqëruesi y[në] i vazhdueshëm”? Këndoni së bashku “Fryma e Shenjtë” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 59) ose një këngë tjetër rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë. Çfarë na mëson kënga rreth arsyes përse dëshirojmë që Fryma e Shenjtë të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të mendojnë për dikë që po kalon një kohë të vështirë. Ndihmojini të përcaktojnë diçka që Jozef Smithi e mësoi në burgun e Libertisë, që mund t’ia tregojnë atij personi.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përkraheni të mësuarit në shtëpi. “Prindërit janë mësuesit më të rëndësishëm të ungjillit për fëmijët e tyre – ata kanë si përgjegjësinë kryesore edhe fuqinë më të madhe për të ndikuar te fëmijët e tyre (shih Ligji i Përtërirë 6:6–7). Teksa u jepni mësim fëmijëve në kishë, me lutje kërkoni mënyra për t’i mbështetur prindërit e tyre në rolin e tyre thelbësor” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).