Doktrina e Besëlidhje 2021
25–31 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 124–125: “Një Shtëpi për Emrin Tim”


“25–31 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 124–125: ‘Një Shtëpi për Emrin Tim’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“25–31 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 124–125”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Navuja

Navuja, i Bukuri, nga Larry Winborg

25–31 Tetor

Doktrina e Besëlidhje 124–125

“Një Shtëpi për Emrin Tim”

Çfarë mësimesh kanë nevojë të mësojnë fëmijët nga Doktrina e Besëlidhje 124–125? Përsiateni këtë pyetje teksa studioni këtë javë.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Paraqitni një figurë të tempullit më të afërt për ju. Pyetini fëmijët se çfarë dinë rreth tempujve. Lejojini të shprehin ndjenjat e tyre rreth vajtjes në tempull një ditë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 124:15, 20

Jezusi është i lumtur kur unë përpiqem të bëj mirë.

Në zbulesën e shënuar te seksioni 124, Zoti shprehu miratimin e Tij për Hajrëm Smithin dhe Xhorxh Millerin, sepse ata po përpiqeshin fort ta ndiqnin Atë. Si do t’i ndihmoni fëmijët të dallojnë se Zoti është i kënaqur kur ata përpiqen të bëjnë mirë?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë rreth gjërave që mund t’i bëjnë, të cilat janë të mira. Tregojuni figura që t’u jepni ide (ju mund të gjeni disa figura te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose revistat e Kishës). Kërkojuni fëmijëve të tregojnë me gisht drejt këtyre gjërave të mira. Lexojuni fëmijëve nga Doktrina e Besëlidhje 124:15 dhe kërkojuni të dëgjojnë se si u ndie Zoti kur Hajrëm Smithi zgjodhi të bënte mirë. Si ndihet Jezusi kur ne përpiqemi të bëjmë gjëra të mira?

  • Jepuni fëmijëve zemra prej letre dhe kërkojuni të vizatojnë figura të vetes së tyre duke bërë gjëra të mira. Ftojini që t’ia tregojnë klasës atë që vizatuan. Si ndihemi kur bëjmë diçka të mirë? Dëshmoni se Jezusi është i lumtur kur ne përpiqemi të bëjmë gjënë e drejtë.

  • Këndoni një këngë rreth bërjes së gjërave që Jezusi do që ne të bëjmë, të tillë si “Jezus’ më Do Rreze Dielli” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 38).

Doktrina e Besëlidhje 124:28–29, 39

Jezusi i urdhëron njerëzit e Tij që të ndërtojnë tempuj.

Tempujt kanë qenë gjithmonë pjesë e planit të Atit Qiellor për fëmijët e Tij. Të kuptuarit e kësaj gjëje do t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të ndiejnë nderim më të madh për tempullin.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se kur shenjtorët gjetën një vendndodhje të re në Navu, Zoti u tha atyre që të ndërtonin një tempull (shih “Kapitulli 49: Shenjtorët në NavuHistori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 183–184, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Ftojini fëmijët të bëjnë sikur po ndërtojnë një tempull.

  • Lexoni me fëmijët këtë frazë: “Shtëpi[a] ime [e] shenjtë, të cilën njerëzit e mi gjithmonë urdhërohen ta ndërtojnë për emrin tim të shenjtë” (Doktrina e Besëlidhje 124:39). Lejojini fëmijët të mbajnë një figurë të një tempulli të lashtë (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 52 ose faqen e veprimtarisë së kësaj jave) dhe një figurë të një tempulli në zonën tuaj. Shpjegoni se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti gjithmonë i kanë urdhëruar njerëzit e Tyre që të ndërtojnë tempuj – në kohët e lashta dhe në kohën tonë. Përdorni fjalë dhe fraza nga Doktrina e Besëlidhje 124:28–29 për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë përse Zoti dëshiron që ne të ndërtojmë tempuj.

  • Ftojini fëmijët ta plotësojnë faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar të kuptojnë se ne jemi njerëzit e Perëndisë dhe se njerëzit e Perëndisë gjithmonë janë urdhëruar të ndërtojnë tempuj.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 124:12–21

Zoti është i kënaqur kur unë jam besnik/e.

Te seksioni 124, Zoti i përgëzoi disa shenjtorë për besnikërinë e tyre. Fjalët e Tij mund t’i ndihmojnë fëmijët të përcaktojnë cilësitë që duhet të zhvillojnë.

Veprimtari të Mundshme

  • Zgjidhni disa cilësi të mira, të përmendura te Doktrina e Besëlidhje 124:12–21 dhe shkruajini në tabelë përreth një figure të Shpëtimtarit. Kërkojuni fëmijëve që të shqyrtojnë vargjet 12–21, duke i kërkuar këto fjalë. Ndihmojini të kuptojnë fjalët që mund të mos i njohin. Sipas këtyre vargjeve, si ndihet Zoti rreth njerëzve që i zhvillojnë këto cilësi?

  • Shkruajeni në tabelë fjalën integriteti. Ftojini fëmijët që të mësojnë atë që tha Zoti rreth integritetit [moral] te Doktrina e Besëlidhje 124:15, 20. Për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se çfarë është integriteti moral, lexoni këtë thënie: “Integritet moral do të thotë të mendosh dhe veprosh siç është e drejtë gjatë gjithë kohës, pavarësisht pasojave” (Për Forcën e Rinisë, f. 19). Ju gjithashtu mund të tregoni shembuj të një fëmije që po demonstron integritet moral nga vetë përvoja juaj ose nga revistat Miku apo Liahona. Sfidojini fëmijët që të caktojnë një synim për të vepruar me më shumë integritet moral këtë javë.

Doktrina e Besëlidhje 124:28–30, 38–41

Jezusi i urdhëron njerëzit e Tij që të ndërtojnë tempuj.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, shpejt do të jenë në moshën e duhur për të shkuar në tempull dhe për të marrë pjesë në ordinancat e tempullit. Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar ata që të përgatiten?

Veprimtari të Mundshme

  • Mbuloni një figurë ose vizatim të tempullit. Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 124:38–41 për të dhëna orientuese rreth asaj që është në figurë. Lejojini fëmijët ta zbulojnë figurën dhe të diskutojnë atë që na mësojnë këto vargje rreth arsyes përse Zoti dëshiron që ne të ndërtojmë tempuj.

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 124:28–30 që të kërkojnë arsyet të cilat Zoti ia dha Jozef Smithit për ndërtimin e Tempullit të Navusë. Shprehni ndjenjat tuaja rreth tempullit dhe ndonjë përvoje që mund ta keni pasur duke bërë pagëzime për të vdekurit. Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë se sa kohë do të duhet derisa të arrijnë moshën e duhur për të kryer pagëzime për të vdekurit në tempull.

  • Nëse keni një rekomandim tempulli, tregojuani fëmijëve ose ftoni një të ri apo të re nga lagjja që t’ua tregojë fëmijëve rekomandimin e tij ose të saj. Tregojuni fëmijëve përse një rekomandim tempulli është i rëndësishëm dhe çfarë nevojitet të bëjmë për ta marrë atë. Nxitini të fillojnë që të përgatiten tani për ta marrë vetë rekomandimin e tyre.

    Jozef Smithi me burra [të tjerë] duke ndërtuar Tempullin e Navusë

    Jozef Smithi tek Tempulli i Navusë, nga Gary E. Smith

Doktrina e Besëlidhje 124:91–92

Një bekim patriarkal mund të më japë udhërrëfim frymëzues.

Nëse e keni marrë një bekim patriarkal, rishikojeni atë përpara se t’u jepni mësim fëmijëve rreth këtyre bekimeve. Pse jeni mirënjohës për bekimin tuaj patriarkal? Si do t’i frymëzoni fëmijët që të përgatiten për të marrë bekimet e tyre patriarkale?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni njërin nga fëmijët të lexojë te Doktrina e Besëlidhje 124:91–92 dhe ftojeni klasën të dëgjojë për atë që Zoti e thirri Hajrëm Smithin të bënte. Çfarë dinë fëmijët rreth bekimeve patriarkale? Nëse e keni marrë një bekim patriarkal, tregojuni fëmijëve se çfarë pamje ka ai. (Mbajeni mend se është e shenjtë përmbajtja e veçantë e bekimit tuaj patriarkal.) Shpjegoni se bekimet patriarkale janë bekime të veçanta që i marrim nga patriarkët. Këto bekime mund të na ndihmojnë të mësojmë më shumë rreth vetes dhe asaj që Ati Qiellor dëshiron që ne të bëjmë.

  • Merreni parasysh të ftoni një prind apo një vëlla ose motër të njërit prej fëmijëve të cilëve u jepni mësim, që t’i tregojnë klasës përse ata janë mirënjohës për bekimin e tyre patriarkal. Kërkojuni të tregojnë se si vendosën që dëshironin ta merrnin bekimin e tyre. Jepni dëshminë tuaj për bekimet patriarkale.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ndihmojini fëmijët t’i tregojnë një pjesëtari të familjes një gjë që e mësuan rreth tempujve dhe përse dëshirojnë të shkojnë në tempull një ditë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Fëmijët mund ta dallojnë ndikimin e Shpirtit. Mësojuni fëmijëve se ndjenjat e paqes, të dashurisë dhe ngrohtësisë që i kanë kur flasin ose këndojnë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, vijnë nga Fryma e Shenjtë. Këto ndjenja mund t’i forcojnë dëshmitë e tyre.