“1–7 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 125–128: ‘Një Zë Gëzimi për të Gjallët dhe të Vdekurit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“1–7 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 125–128”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021
1–7 Nëntor
Doktrina e Besëlidhje 125–128
“Një Zë Gëzimi për të Gjallët dhe të Vdekurit”
Nëse u jepni mësim fëmijëve më të vegjël dhe keni nevojë për ndihmë shtesë, shihni pjesën “Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël” në fillim të këtij burimi.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për diçka që e mësuan këtë javë në shtëpi ose Fillore. Jepuni atyre disa minuta që të bëjnë një vizatim të asaj që menduan dhe t’ia tregojnë atë klasës.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë e dua familjen time.
Pasi Brigam Jangu u kthye në shtëpi prej predikimit të ungjillit, Zoti i tha atij të përqendrohej te përkujdesi për familjen e tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Jepuni fëmijëve informacionin për Brigam Jangun nga “Kapitulli 49: Shenjtorët në Navu” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 184) ose përmblidheni me fjalët tuaja seksionin te Doktrina e Besëlidhje 126. Pastaj lexojuni fëmijëve vargun te Doktrina e Besëlidhje 126:3, duke theksuar frazën “të kujdesesh në mënyrë të veçantë për familjen tënde”. Çfarë do të thotë të kujdesemi për familjet tona? Ndihmojini fëmijët të mendojnë mënyra se si mund ta tregojnë dashurinë për pjesëtarët e familjes së tyre.
-
Përpara orës mësimore, ftojini fëmijët të sjellin një fotografi të familjes së tyre (ose kërkojuni të bëjnë vizatime). Më pas kërkojuni të tregojnë diçka që e pëlqejnë shumë rreth familjes së tyre. Tregoni një fotografi të familjes suaj dhe bëni të njëjtën gjë. Shpjegoni përse Ati Qiellor dëshiron që ne të kujdesemi për pjesëtarët e familjes sonë. Këndoni një këngë që e jep mësim këtë të vërtetë, të tillë si “Kur Ndihmojm’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 108).
Doktrina e Besëlidhje 128:5, 12
Të gjithë fëmijët e Perëndisë kanë nevojë për mundësinë që të pagëzohen.
Përveç që t’i ndihmoni fëmijët të përgatiten për të bërë vetë besëlidhjet e tyre të pagëzimit, jepuni mësim atyre se ne mund t’i ndihmojmë ata që kanë vdekur pa u pagëzuar, që të marrin të njëjtat bekime.
Veprimtari të Mundshme
-
Shfaqni një figurë të Jezu Krishtit duke u pagëzuar (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 35) ose shfaqni materialin filmik “The Baptism of Jesus” [“Pagëzimi i Jezusit”] (ChurchofJesusChrist.org). Pyetini fëmijët nëse e kanë parë ndonjëherë dikë të pagëzohet. Çfarë mbajnë mend për atë pagëzim? Përdoreni figurën ose materialin filmik që t’u tregoni fëmijëve se kur pagëzohemi, ne futemi tërësisht nën ujë dhe më pas ngrihemi lart, sikurse bëri Jezusi. Hapeni librin te Doktrina e Besëlidhje 128:12 dhe shpjegoni se Jozef Smithi dha mësim që pagëzimi na kujton për Ringjalljen.
-
Tregojuni fëmijëve rreth dikujt që e njihni (të tillë si një paraardhës/e) që vdiq pa u pagëzuar. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 128:5 dhe lejojini ta mbajnë me radhë një figurë të një vaske pagëzimi në tempull (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Dëshmoni se Ati Qiellor na lejon të pagëzohemi në tokë për njerëz që kanë vdekur. Në këtë mënyrë të gjithë fëmijët e Perëndisë mund të pagëzohen dhe të bëjnë besëlidhje me Të.
Ati Qiellor dëshiron që unë të mësoj për historinë e familjes sime.
Ka mënyra të thjeshta sipas të cilave fëmijët e vegjël mund të marrin pjesë në punën për historinë familjare. Ndihmojini të ndiejnë dashuri për njerëzit në pemën e tyre familjare.
Veprimtari të Mundshme
-
Krijoni një zinxhir prej letre me emrat e njerëzve në familjen tuaj (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave) dhe silleni që t’ia tregoni klasës. Tregoni disa gjëra për njerëzit në zinxhirin tuaj. Lexojuni fëmijëve nga Doktrina e Besëlidhje 128:18 dhe shpjegoni që Jozef Smithi dha mësim se “ka një lidhje bashkëngjitëse … midis etërve dhe fëmijëve”. Ndihmojini fëmijët të bëjnë zinxhirët e vetë familjeve të tyre dhe ftojini t’i çojnë zinxhirët në shtëpi dhe t’u kërkojnë prindërve që t’i ndihmojnë për të shtuar emra të paraardhësve.
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë diçka rreth njërit prej gjyshërve të tyre. Tregoni një prej historive tuaja të parapëlqyera rreth prindërve ose gjyshërve tuaj. Paraqitni fotografi nëse është e mundshme. Nxitini fëmijët të mësojnë më shumë rreth gjyshërve të tyre dhe paraardhësve të tjerë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund të ndihmoj për t’u kujdesur për familjen time.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që t’u shërbejnë pjesëtarëve të familjes së tyre në mënyra domethënëse?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku vargun te Doktrina e Besëlidhje 126:3. Përse Ati Qiellor mund t’i ketë kërkuar Brigam Jangut që të “kujdese[j] në mënyrë të veçantë për familjen [e tij]”? Si mund ta bëjmë të njëjtën gjë për familjet tona? Bëni një listë të gjërave që mund të bëjmë tani për t’u shërbyer familjeve tona. Si do të na ndihmojë bërja e këtyre gjërave që të bëhemi më shumë si Ati Qiellor?
-
Tregojuni fëmijëve historinë e Motrës Karol M. Stivens rreth nipit të saj, Porterit (shih “Kemi Arsye të Madhe për t’u Gëzuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 115). Çfarë bëri Porteri që të kujdesej për familjen e tij? Si mund ta ndjekim shembullin e tij?
Doktrina e Besëlidhje 128:1, 15–18
Pagëzimi për të vdekurit krijon “një lidhje bashkëngjitëse” midis meje dhe paraardhësve të mi.
Jozef Smithi dha mësim se pagëzimi për të vdekurit na lidh me paraardhësit tanë si lidhja e hallkave të një zinxhiri. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta ndiejnë gëzimin që vjen kur mësojmë për paraardhësit tanë dhe sigurohemi që puna në tempull të bëhet për ta?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndajeni klasën në dy grupe dhe kërkojini grupit të parë që të lexojë te Doktrina e Besëlidhje 128:1 për të gjetur se cila çështje e kishte pushtuar mendjen e Jozef Smithit. Kërkojini grupit tjetër të lexojë vargun 17 dhe të gjejë se cilën çështje ai e konsideronte “më të lavdishmen”. Lërini të tregojnë atë që zbuluan dhe flisni rreth arsyes përse kjo temë është kaq e lavdishme. Nëse është e mundur, ftojeni një të ri ose të re që ka bërë pagëzime për të vdekurit, që të tregojë përvojën e vet dhe të shpjegojë përse e bëjmë këtë punë.
-
Merreni parasysh të përdorni një mësim me sende për të treguar se ne kemi nevojë t’i ndihmojmë paraardhësit tanë që nuk u pagëzuan. Për shembull, paraqitni një dhuratë ose një ëmbëlsirë, por vendoseni larg nga njëri prej fëmijëve. Thojini atij fëmije se ai ose ajo mund ta marrë sendin, por nuk mund të lëvizë nga karrigia e vet. Pyetini fëmijët e tjerë se çfarë mund të bëjnë për ta ndihmuar fëmijën që ta marrë atë. Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 128:15 dhe flitni rreth mënyrës se si lidhet ky varg me mësimin me send.
-
Ftojini fëmijët të bëjnë një zinxhir prej letre me emrat e prindërve, gjyshërve, stërgjyshërve të tyre e kështu me radhë (shih faqen e veprimtarisë për këtë mësim). Nëse fëmijët nuk i dinë emrat e paraardhësve të tyre, nxitini t’i gjejnë emrat dhe t’i shkruajnë te zinxhiri kur të jenë në shtëpi. Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 128:18 për të zbuluar se cila është “lidhj[a] bashkëngjitëse” që e bën historinë e familjes sonë “[të] plotë dhe [të] tërë”. Tregoni një histori rreth një paraardhësi që ju ndihmon të ndiheni të lidhur me të. Ose shfaqni materialin filmik “Courage: I Think I Get It from Him” [“Guximi: Mendoj se e Marr prej Tij”] (ChurchofJesusChrist.org).
-
Tregojuni fëmijëve një rekomandim tempulli dhe u thoni se si ta marrin një të tillë. Ndihmojini të presin me padurim ditën kur do të marrin vetë rekomandimet e tyre të tempullit që të mund të shkojnë në tempull dhe të pagëzohen për vetë paraardhësit e tyre.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i kërkojnë dikujt në shtëpi që t’i ndihmojë për të mësuar më shumë rreth historisë së familjes së tyre. Ata mund të kërkojnë që të dëgjojnë disa histori rreth një paraardhësi ose të përdorin FamilySearch.org që të gjejnë emra paraardhësish të cilët nuk janë pagëzuar.