Doktrina e Besëlidhje 2021
1–7 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 125–128: “Një Zë Gëzimi për të Gjallët dhe të Vdekurit”


“1–7 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 125–128: ‘Një Zë Gëzimi për të Gjallët dhe të Vdekurit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“1–7 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 125–128”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

familje me paraardhësit në botën e shpirtrave

Ne me Ata dhe Ata me Ne, nga Caitlin Connolly

1–7 Nëntor

Doktrina e Besëlidhje 125–128

“Një Zë Gëzimi për të Gjallët dhe të Vdekurit”

Kujtohuni që t’i mbani shënim ndjenjat tuaja teksa studioni nga Doktrina e Besëlidhje 125–128 që të mund të reflektoni për to dhe t’ua tregoni të tjerëve.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në gusht 1840, një grua e brengosur, Xhejn Nejmani, e dëgjoi Profetin Jozef të fliste në varrimin e mikut të tij, Sejmor Bransënit. I biri adoleshent i Xhejnit, Sajrësi, gjithashtu kishte ndërruar jetë kohët e fundit. Ajo që ia shtonte brengën, ishte fakti që Sajrësi nuk ishte pagëzuar kurrë dhe Xhejni shqetësohej se ç’do të thoshte kjo për shpirtin e tij të përjetshëm. Jozefi e dinte se si ndihej ajo; ai e kishte pyetur veten për të njëjtën gjë rreth vëllait të tij të dashur, Alvinit, i cili gjithashtu vdiq përpara se të pagëzohej. Kështu që Profeti vendosi t’i tregonte Xhejnit dhe kujtdo tjetër në varrim, se çfarë i kishte zbuluar Zoti atij rreth atyre që kishin vdekur pa i marrë ordinancat e ungjillit – dhe se çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar.

Doktrina e pagëzimit për të vdekurit i gëzoi shenjtorët; mendja u shkoi menjëherë te prindërit, gjyshërit dhe pjesëtarë të tjerë të familjes që kishin vdekur. Tani kishte shpresë për ta! Jozefi gëzoi bashkë me ta dhe përdori gjuhë të gëzueshme, entuziaste për të shprehur atë që Zoti ia kishte mësuar rreth shpëtimit të të vdekurve: “Malet duhet të bërtasin nga gëzimi dhe të gjitha ju lugina thërrisni me zë të lartë; dhe të gjithë ju dete dhe toka të thata tregoni mrekullitë e mbretit tuaj Emanuel!” (Doktrina e Besëlidhje 128:23.)

Shih Saints, 1:415–27; “Letters on Baptism for the Dead”, Revelations in Context, f. 272–276.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 126

Zoti dëshiron që unë të kujdesem për familjen time.

Pasi u kthye në shtëpi nga disa prej misioneve të tij më të fundit në Angli, Brigam Jangu mori një thirrje tjetër të rëndësishme nga Zoti – që të “kujdese[j] në mënyrë të veçantë për familjen [e tij]” (vargu 3), e cila kishte vuajtur në mungesë të tij. Teksa përsiatni se si kjo dhe këshilla të tjera te seksioni 126 gjejnë zbatim për ju, merrini parasysh këto fjalë nga Presidentja Boni L. Oskarson, ish‑Presidente e Përgjithshme e Të Rejave:

“Kujtoni se disa nga nevojat më të mëdha mund të jenë ato që i keni përpara syve. Fillojeni shërbimin tuaj në vetë shtëpitë tuaja dhe brenda vetë familjeve tuaja. Këto janë marrëdhëniet që mund të jenë të përjetshme. Edhe nëse – e ndoshta sidomos nëse – situata juaj familjare është më pak e përsosur, ju mund të gjeni mënyra për të shërbyer, lartësuar dhe forcuar. Fillojeni nga aty ku jeni, duajini ata siç janë, dhe përgatituni për familjen që doni të keni në të ardhmen” (“Nevojat përpara Vetvetes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 27).

Shih edhe “Take Special Care of Your Family”, Revelations in Context, f. 242–249.

Doktrina e Besëlidhje 127:2–4

Zoti i njeh gëzimet dhe brengat e mia.

Akuzat e rreme dhe kërcënimi për arrestimin e kishin detyruar përsëri Jozef Smithin që të fshihej në gusht 1842. Dhe prapëseprapë fjalët që ai u shkroi shenjtorëve gjatë kësaj kohe (tani Doktrina e Besëlidhje 127), janë plot shpresë dhe gëzim. Çfarë ju mësojnë vargjet 2–4 rreth Perëndisë? Rreth mënyrës se si mund të përballeni me sprovat vetjake?

Merreni parasysh që të shkruani se si ju mbështet Zoti në “uj[in e] thellë” të jetës suaj.

Doktrina e Besëlidhje 127:5–8; 128:1–8

“Çfarëdo që regjistroni në tokë, do të regjistrohet në qiell.”

Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 127:5–8; 128:1–8, kërkoni arsye përse Zoti i dha Jozef Smithit udhëzime të tilla të posaçme rreth regjistrimeve të pagëzimeve për të vdekurit. Çfarë ju mëson kjo rreth Zotit dhe veprës së Tij?

i ri me karta të emrave të familjes

Shërbimi që bëjmë në tempull për paraardhësit tanë, na i lidh zemrat me ta.

Doktrina e Besëlidhje 128:5–25

Shpëtimi i paraardhësve të mi është thelbësor për shpëtimin tim.

Nga ajo që Perëndia zbuloi nëpërmjet Jozef Smithit, është e qartë arsyeja përse paraardhësve tanë që nuk u pagëzuan dot në këtë jetë, u nevojitej ndihma jonë për shpëtimin e tyre. Por si mendoni, përse shpëtimi i paraardhësve tanë është “i nevojshëm dhe thelbësor për shpëtimin tonë”? (Shih Doktrina e Besëlidhje 128:15–18; germat e pjerrëta të shtuara.)

Vargu 5 jep mësim se ordinanca e pagëzimeve për të vdekurit u “përgatit përpara krijimit të botës”. Çfarë ju mëson kjo e vërtetë rreth Perëndisë dhe planit të Tij? Çfarë i shton kuptueshmërisë suaj mesazhi i Presidentit Henri B. Ajring “Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë”? (Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 19–22).

Jozef Smithi përdori fraza si “fuqia … lidhëse”, “lidhje bashkëngjitëse” dhe “bashkim[i] … i përsosur” kur dha mësim për ordinancat e priftërisë dhe pagëzimin për të vdekurit. Kërkojini këto dhe fraza të ngjashme me to ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 128:5–25. Cilat janë disa gjëra që, nëpërmjet Jezu Krishtit, mund të lidhen së bashku për shkak të ordinancave të priftërisë për të vdekurit? Përse fjala “e guximshme” është një fjalë e duhur për ta përshkruar doktrinën e shpëtimit për të vdekurit? (Shih vargjet 9–11.)

Çfarë ju bën përshtypje rreth fjalëve të Jozef Smithit te vargjet 19–25? Si ndikojnë këto vargje te mënyra se si ndiheni rreth shërbimit në tempull për paraardhësit tuaj? Rreth Jezu Krishtit? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni? (Shih FamilySearch.org/discovery për ide.)

Shih edhe 1 Korintasve 15:29; Dejll G. Renland, “Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 46–49; “A Sacrifice of Time” dhe “Their Hearts Are Bound to You”, materiale filmike, ChurchofJesusChrist.org.

2:54
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 126.Leximi i kësaj këshille të Brigam Jangut mund ta frymëzojë familjen tuaj të diskutojë se si mund të kaloni më shumë kohë duke u “kujdes[ur] në mënyrë të veçantë për” (vargu 3) njëri‑tjetrin.

Doktrina e Besëlidhje 128:15–18.Cilat janë disa bekime shpëtuese dhe përsosëse nga puna e historisë familjare? Ju mund të gjeni disa ide te materiali filmik: “The Promised Blessings of Family History” (ChurchofJesusChrist.org) ose te një këngë rreth historisë familjare, e tillë si “Historin’ Familjare Un’ po Bëj” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 100).

3:23

Doktrina e Besëlidhje 128:18.Merreni parasysh të bëni një zinxhir prej letre me pjesëtarët e familjes dhe emrat e paraardhësve mbi secilën hallkë, për të treguar se si historia familjare dhe puna në tempull krijojnë një “lidhje bashkëngjitëse” duke na bashkuar me paraardhësit tanë. Ndoshta ju mund të bëni disa kërkime te FamilySearch.org për të gjetur pjesëtarë të tjerë të familjes dhe të shihni se sa do të zgjatet zinxhiri juaj.

Doktrina e Besëlidhje 128:19–23.Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të kërkojnë te këto vargje fjalë që tregojnë emocionin e Jozef Smithit rreth ungjillit të Jezu Krishtit dhe shpëtimit të të vdekurve. Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë përvoja që i kanë emocionuar rreth kësaj pune gjithashtu – ose mund t’i kërkoni së bashku të tilla përvoja te FamilySearch.org/discovery.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Historin’ Familjare Un’ po Bëj”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 100.

ikona zëra të rivendosjes

Zëra të Rivendosjes

Pagëzimi për të Vdekurit, “një Temë e Re dhe e Lavdishme”

skica e vaskës së pagëzimit në Tempullin e Navusë

Kjo skicë tregon vaskën e pagëzimit të Tempullit të Navusë që qëndron mbi dymbëdhjetë qe.

Fibi dhe Uillford Udrafi

Fibi Udrafi jetonte afër Navusë kur Jozef Smithi filloi të jepte mësim rreth pagëzimit për të vdekurit. Ajo i shkroi për të bashkëshortit të saj, Uillfordit, i cili po shërbente një mision në Angli:

“Vëllai Jozef … ka mësuar me anë të zbulesës se njerëzit në këtë kishë mund të pagëzohen për cilindo nga të afërmit e tyre që kanë vdekur dhe nuk kanë pasur privilegjin ta dëgjonin këtë ungjill, madje për fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat, gjyshërit e gjyshet, ungjit dhe emtat e tyre. … Sapo të pagëzohen për miqtë e tyre, ata lirohen nga burgu dhe ata mund t’i marrin të vdekurit në ringjallje dhe t’i sjellin në mbretërinë çelestiale – kjo doktrinë është pranuar me gjithë zemër nga kisha dhe ata po shkojnë përpara në turma, disa po pagëzohen nga 16 herë … në ditë.”1

Uillford Udrafi më vonë tha për këtë parim: “Që në çastin që dëgjova për të, shpirti më hovi nga gëzimi. … Vijova më tej dhe u pagëzova për të gjithë të afërmit e mi të vdekur, të cilët më erdhën në mendje. … Ndjeva të thosha aleluja kur doli në dritë zbulesa që na bëri të ditur pagëzimin për të vdekurit. Ndjeva se kishim të drejtën të gëzoheshim në bekimet e Qiellit.”2

Vajlet Kimballi

Sikurse Motra Udraf, Vajlet Kimballi dëgjoi rreth pagëzimit për të vdekurit ndërkohë që bashkëshorti i saj, Hibëri, ishte larguar për të predikuar ungjillin. Ajo i shkroi atij:

“Presidenti Smith ka hapur një temë të re dhe të lavdishme … e cila ka shkaktuar mjaft gjallërim në kishë. Ajo është bërja e pagëzimit për të vdekurit. Pali flet për të, në letrën e parë drejtuar Korintasve te kapitulli 15, vargu 29. Jozefi ka marrë një shpjegim më të plotë për të me anë të Zbulesës. … Është privilegji i kësaj kishe për t’u pagëzuar për të gjithë të afërmit e tyre që kanë vdekur para se të dilte në dritë ky Ungjill; madje deri te katragjyshërit dhe katragjyshet e tyre. … Duke e bërë këtë, ne veprojmë si përfaqësues për ta dhe u japim atyre privilegjin për t’u ngritur në ringjalljen e parë. Ai thotë që atyre do t’u predikohet Ungjilli …, por nuk ekziston një gjë e tillë si shpirtra që pagëzohen. … Qëkurse ky urdhër është predikuar këtu, ujërat kanë qenë vazhdimisht të trazuara. Gjatë konferencës, disa herë, pati nga tetë deri në dhjetë Pleq në lumë në të njëjtën kohë që pagëzonin. … Dua të pagëzohem për nënën time. E llogarita që të pres derisa ti të kthehesh në shtëpi, por herën e fundit që Jozefi foli për këtë temë, ai e këshilloi secilin të vinte dhe të ishte mëkëmbës dhe t’i çlironte miqtë e vet nga robëria sa më shpejt që të ishte e mundur. Kështu që mendoj t’i bëj këtë javë, meqenëse shumë nga fqinjët do të shkojnë. Disa janë pagëzuar tashmë shumë herë rresht. … Kështu pra, e sheh se ka mundësi për të gjithë. A s’është kjo një doktrinë e lavdishme?”3

Fibi Çejsi

Sapo përfundoi vaska e pagëzimit në Tempullin e Navusë, pagëzimet për të vdekurit u kryen atje në vend që të bëheshin në lumë. Fibi Çejsi, një banore e Navusë, i shkroi nënës së saj rreth tempullit, duke e përshkruar vaskën e pagëzimit si vendin ku, “mund të pagëzohemi për të vdekurit tanë dhe të bëhemi shpëtimtarë në Malin e Sionit”. Ajo vijoi me shpjegimin se në këtë vaskë, “jam pagëzuar për babanë tim të dashur dhe për të gjithë miqtë e mi që kanë vdekur. … Tani dëshiroj të di si e kanë emrin babai dhe nëna jote, që të mund t’i çliroj ata, pasi kam dëshirë që t’i ndihmoj të Vdekurit. … Zoti ka folur sërish dhe e ka rivendosur urdhrin e lashtë.”4

Salli Randalli

Ndërsa u shkroi miqve dhe familjarëve të saj rreth pagëzimit për të vdekurit, Salli Randalli solli në mendje ndarjen nga jeta të birit të saj, Xhorxhit:

“O çfarë kohe e vështirë qe për mua dhe ende duket sikur nuk mund të pajtohem me këtë situatë, por … i ati është pagëzuar në emër të tij dhe çfarë gjëje e lavdishme është që besojmë dhe të marrim plotësinë e ungjillit ashtu siç predikohet tani dhe që mund të pagëzohemi për të gjithë miqtë tanë të vdekur dhe t’i shpëtojmë ata, duke shkuar pas në kohë deri aq sa mund të dimë për ta.

Unë dua që të më shkruash emrat e të gjithë atyre që kanë lidhje me ne, të cilët kanë vdekur që nga koha e stërgjyshërve dhe stërgjysheve, sido që të jetë. Kam ndërmend të bëj aq sa mundem për t’i shpëtuar miqtë e mi dhe do të lumturohesha shumë nëse ndonjëri prej jush do të vinte dhe do të më ndihmonte, pasi është një punë e madhe për dikë që ta bëjë i vetëm. … E pres që të mendoni se kjo është një doktrinë e çuditshme, por do ta zbuloni që është e vërtetë.”5

Shënime

  1. Letër nga Fibi Udrafi drejtuar Ullford Udrafit, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; germëzimi dhe pikësimi i modernizuar.

  2. Wilford Woodruff, “Remarks”, Deseret News, 27 maj 1857, f. 91; pikësimi i modernizuar.

  3. Letër nga Vajllet Kimballi drejtuar Hibër C. Kimballit, 11 tetor 1840, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; germëzimi dhe pikësimi i modernizuar.

  4. Letër nga Fibi Çejsi, e padatuar, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; germëzimi dhe pikësimi i modernizuar. Kur shenjtorët filluan së pari të kryenin pagëzime për të vdekurit, individët nganjëherë pagëzoheshin në emër të paraardhësve për të dyja gjinitë. Më vonë u zbulua se burrat duhej të pagëzoheshin për burrat dhe gratë për gratë.

  5. Letër nga Selli Randalli, 21 prill 1844, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; germëzimi dhe pikësimi i modernizuar.

vaska e pagëzimit në Tempullin e Ogdenit, Jutë

Vaska e pagëzimit në Tempullin e Ogdenit, Jutë, qëndron mbi kurrizin e dymbëdhjetë qeve.