Doktrina e Besëlidhje 2021
22–28 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 135–136: “Ai i ‘Ka Vulosur Misionin e Tij dhe Veprat e Tij me Vetë Gjakun e Tij’”


“22–28 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 135–136: ‘Ai i “Ka Vulosur Misionin e Tij dhe Veprat e Tij me Vetë Gjakun e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“22–28 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 135–136”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

pamje e jashtme e burgut të Karthixhit

Burgu i Karthixhit

22–28 Nëntor

Doktrina e Besëlidhje 135–136

Ai i “Ka Vulosur Misionin e Tij dhe Veprat e Tij me Vetë Gjakun e Tij”

Ndërsa studioni te Doktrina e Besëlidhje 135–136, Zoti mund t’ju nxitë me ide për t’ju ndihmuar që ta vini në jetë atë që lexoni. Kur kjo ndodh, shkruajeni atë që Ai ju mëson.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pasditja e 27 qershorit 1844, i gjeti edhe njëherë Jozef dhe Hajrëm Smithin në burg, të shoqëruar nga Xhon Tejlori dhe Uillard Riçardsi. Ata besonin se ishin të pafajshëm nga çdo krim, por iu nënshtruan arrestimit, duke shpresuar që ta parandalonin dhunën kundrejt shenjtorëve në Navu. Kjo nuk ishte hera e parë që armiqtë e Kishës e kishin futur në burg Profetin Jozef, por kësaj here ai dukej se e dinte që nuk do të kthehej i gjallë. Ai dhe miqtë e tij u përpoqën ta ngushëllonin njëri‑tjetrin duke lexuar nga Libri i Mormonit dhe duke kënduar himne. Pastaj u dëgjuan të shtëna dhe brenda pak minutave jetës në vdekshmëri të Jozef Smithit dhe vëllait të tij, Hajrëm Smithit, i kishte ardhur fundi.

Por sidoqoftë, nuk ishte fundi i kauzës hyjnore që kishin përqafuar ata. Dhe as nuk ishte fundi i Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Kishte më shumë punë për t’u bërë dhe më shumë zbulesë që do ta udhërrëfente Kishën përpara. Vrasja e Profetit nuk mund ta vriste veprën e Perëndisë.

Shih Saints [Shenjtorët], 1:521–552.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 135; 136:37–39

Jozef dhe Hajrëm Smithi i vulosën dëshmitë e tyre me gjakun e tyre.

Përfytyroni se si do të ishit ndier nëse do të kishit jetuar në Navu kur Jozef dhe Hajrëm Smithi u vranë (shih Saints [Shenjtorët], 1:554–555). Si do të ishit përpjekur për t’i dhënë kuptim kësaj ngjarje tragjike? Doktrina e Besëlidhje 135, e botuar fillimisht më pak se tre muaj pas martirizimit, mund të ketë ndihmuar. Mund të shenjoni fjalë dhe fraza që do t’ju kishin sjellë kuptueshmëri dhe siguri. Çfarë do t’i thoshit dikujt që pyet: “Përse do ta lejonte Perëndia që Profeti i Tij të vritej?”

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 5:21–22; 6:29–30; “Remembering the Martyrdom”, Revelations in Context, f. 299–306; Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, 557–558, 563–576; M. Rasëll Ballard, “A Nuk do të Vazhdojmë në një Kauzë Kaq të Madhe?Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 8–11.

Doktrina e Besëlidhje 135:3

Jozef Smithi ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin tonë.

Mendoni për bekimet që ju kanë ardhur si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit. Sa prej tyre janë rrjedhojë e misionit të përmbushur nga Profeti Jozef Smith? Doktrina e Besëlidhje 135:3 përmend disa nga gjërat e mëdha që përmbushi Jozef Smithi në 24 vjetët që vijuan pas Vegimit të Parë. Si kanë ndikuar këto gjëra te ju dhe marrëdhënia juaj me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Merreni parasysh që ta shënoni dëshminë tuaj për Profetin Jozef Smith. Kush mund të ketë nevojë ta dëgjojë dëshminë tuaj?

Doktrina e Besëlidhje 136

Zoti më jep këshillë për “udhëtimet” e mia në jetë.

Pasi u dëbuan nga Navuja, shenjtorët u përballën me një udhëtim të gjatë drejt luginës së Solt‑Lejkut dhe qindra kilometrat e parë ishin të ngadaltë dhe të mjerueshëm. Brigam Jangu, i cili tanimë e udhëhiqte Kishën, si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u shqetësua rreth faktit se si do t’i mbijetonin shenjtorët rrugëtimit që kishte mbetur. Ai ngriti një koloni të përkohshme, të quajtur Lagjet Dimërore, dhe u lut për udhërrëfim. Si përgjigje, Zoti i dha një zbulesë, tani seksioni 136. Ndër të tjera, kjo zbulesë u kujtoi shenjtorëve “se sjellja e tyre gjatë rrugëtimit ishte po aq e rëndësishme sa vendmbërritja e tyre” dhe “do të ndihmonte ta kthente migrimin drejt perëndimit nga një nevojë fatkeqe në një përvojë të rëndësishme shpirtërore të përbashkët” (“This Shall Be Our Covenant”, Revelations in Context, f. 308).

Mbajeni këtë kontekst në mendje teksa studioni seksionin 136. Çfarë këshille gjeni që mund të ndihmonte për ta kthyer një sprovë të vështirë në jetën tuaj “në një përvojë të rëndësishme shpirtërore”? Mund të përsiatni gjithashtu se si mund t’ju ndihmojë këshilla që ta përmbushni vullnetin e Zotit në vetë jetën tuaj, siç i ndihmoi shenjtorët e hershëm të bënin rrugëtimin e vështirë drejt Perëndimit.

Shih edhe “This Shall Be Our Covenant”, Revelations in Context, f. 307–314; Church History Topics, “Succession of Church Leadership”, ChurchofJesusChrist.org/study/history/topics.

Lagjet Dimërore

Lagjet Dimërore, nga Greg Olsen

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 135:1, 3.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes të kuptojnë se ç’do të thotë që Jozef Smithi i “vulos[i] misionin e tij dhe veprat e tij me vetë gjakun e tij”, familja juaj mund të shohë materialin filmik “Testimony of the Book of Mormon” [“Dëshmia e Librit të Mormonit”] (ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Xhefri R. Holland, “Siguri për Shpirtin Njerëzor”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 88–90). Çfarë na bën përshtypje nga këto vargje? Si mund të jemi më besnikë ndaj dëshmive tona, edhe nëse nuk na kërkohet të japim jetën për to?

Doktrina e Besëlidhje 135:3.Për të diskutuar se çfarë kuptimi ka thënia që Jozef Smithi bëri “më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër”, merrni parasysh që të shqyrtoni se çfarë ka mësuar familja juaj rreth Jozef Smithit këtë vit. Ju mund të përdorni figura nga ky burim, për t’i ndihmuar ata që të kujtojnë atë që kanë mësuar dhe ftojini të tregojnë histori ose mësime të parapëlqyera. Pse jemi mirënjohës për Profetin Jozef Smith dhe për atë që Zoti përmbushi nëpërmjet tij? Mund të shihni gjithashtu materialin filmik “Joseph Smith: The Prophet of the Restoration” [“Jozef Smithi: Profeti i Rivendosjes”] (ChurchofJesusChrist.org).

Doktrina e Besëlidhje 136.Kur Zoti ua zbuloi seksionin 136, shenjtorët i priste një udhëtim i gjatë dhe i vështirë përpara, nën drejtimin e Brigam Jangut (shih kapitujt 5860 dhe 62 te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 206–208, 211–216, 222–224). Teksa e lexoni së bashku seksionin 136, mendoni për gjërat e vështira me të cilat mund t’i duhet të përballet familjes suaj. Çfarë këshille gjejmë në këtë zbulesë që mund të na ndihmojë të marrim ndihmën dhe fuqinë e Zotit?

Doktrina e Besëlidhje 136:4.Çfarë do të thotë të “ec[ësh] në të gjitha ordinancat e Zotit”? Si ndikojnë ordinancat që kemi marrë në jetën tonë të përditshme?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Lavdi Burrit”, Himne, nr. 19.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Gjejeni dashurinë e Perëndisë. Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Ungjilli është një ungjill dashurie – dashuri për Perëndinë dhe dashuri për njëri‑tjetrin” (“God’s Love for His Children”, Ensign, maj 1988, f. 59). Teksa i lexoni shkrimet e shenjta, merreni parasysh të shënoni ose shenjoni prova të dashurisë së Perëndisë.

turma në burgun e Karthixhit duke sulmuar Jozef Smithin dhe të tjerët

Askush s’Ka Dashuri më të Madhe, nga Casey Childs