“15–21 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 133–134: ‘Përgatituni Ju për Ardhjen e Dhëndrit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“15–21 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 133–134”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
15–21 Nëntor
Doktrina e Besëlidhje 133–134
“Përgatituni Ju për Ardhjen e Dhëndrit”
Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Rivendosja e ungjillit filloi me një pyetje të përulur, të përsiatur në një shtëpi të përulur, dhe ajo mund të vazhdojë në secilën nga shtëpitë tona” (“Një Shtëpi ku Banon Shpirti i Zotit”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 25).
Shënojini Mbresat Tuaja
Kur Kisha kishte gati 19 muaj që ishte organizuar, Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës hartuan plane ambicioze për t’i përpiluar në një vëllim zbulesat e Perëndisë në ditët e mëvonshme dhe për të shtypur 10 000 kopje – dyfishin e kopjeve të botimit të parë të Librit të Mormonit. Fatkeqësisht, çmimet e larta u bënë pengesë për këto plane dhe turmat e sulmuan shtypshkronjën e Kishës ndërkohë që shtypja ishte në proces. Ata i hapërdanë fletët e palidhura dhe, ndonëse shenjtorët e guximshëm i ruajtën disa prej tyre, asnjë kopje e plotë e Librit të Urdhërimeve nuk dihet që të ketë shpëtuar.
Ajo që dimë tani, është se seksioni 133 te Doktrina e Besëlidhje synohej që të ishte një shtesë e Librit të Urdhërimeve, si një thirrmë në fund të zbulesave të botuara të Zotit. Ai paralajmëron për një ditë gjykimi që do të vijë dhe e përsërit thirrjen që gjendet gjatë gjithë zbulesës moderne: “Largojuni botës, siç simbolizohet nga Babilonia; ndërtoni Sionin; përgatituni për Ardhjen e Dytë; dhe përhapuani këtë mesazh ‘çdo kombi dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli’” (vargu 37). Ndërkohë që planet fillestare për Librin e Urdhërimeve nuk u përmbushën, kjo zbulesë është një kujtues dhe një dëshmi se vepra e Zotit nuk mund të pengohet “sepse ai do ta zhveshë krahun e tij të shenjtë … e të gjitha kombe[t] dhe të gjitha skajet e botës do ta shohin shpëtimin e Perëndisë së tyre” (vargu 3).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Të vërtetat te Doktrina e Besëlidhje mund të më përgatitin që të kryej veprën e Perëndisë.
Nganjëherë librat mbyllen me një konkluzion që i rithekson ose i përmbledh pikat kryesore të librit. Seksioni 133 si fillim synohej që të ishte përmbyllja e Librit të Urdhërimeve dhe mund të jetë me vlerë që ky seksion të lexohet me atë ide në mendje. Çfarë pikash thekson Zoti rreth veprës së Tij? Çfarë ju mësojnë vargjet 57–62 rreth rolit që Zoti dëshiron që ju të luani në veprën e Tij?
Doktrina e Besëlidhje 133:1–19
Zoti dëshiron që unë të përgatitem për Ardhjen e Tij të Dytë.
Si seksioni 1, parathënia e Zotit për librin Doktrina e Besëlidhje, ashtu edhe seksioni 133, shtojca fillestare e librit, fillojnë me një kërkesë të ngjashme nga Zoti: “Mbani vesh, O ju njerëz të kishës sime” (Doktrina e Besëlidhje 1:1; 133:1). Çfarë do të thotë të dëgjosh [ose të mbash vesh]? (Shih Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta “Vë Veshin”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ndaj cilave ftesash dhe urdhërimesh do Zoti që të mbani vesh te Doktrina e Besëlidhje 133:1–19? Çfarë frymëzoheni të bëni që të jeni të përgatitur më mirë për ardhjen e Tij? Si do t’i ndihmoni njerëzit përreth jush për t’u përgatitur?
Shih edhe Mateu 25:1–13; D. Tod Kristoferson, “Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 81–84.
Doktrina e Besëlidhje 133:19–56
Ardhja e Dytë do të jetë e gëzueshme për të drejtët.
Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 133:19–32 rreth ngjarjeve që do ta shoqërojnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, ju mund të përsiatni se çfarë sugjerojnë përshkrimet e këtyre ngjarjeve për ju rreth Shpëtimtarit dhe veprës së Tij. Çfarë zbatimesh të mundshme shpirtërore mund të gjeni te këto përshkrime?
Teksa e lexoni përshkrimin e kthimit të Shpëtimtarit te vargjet 32–56, çfarë ju shtyn që ta prisni me padurim atë ditë të madhe? Çfarë fjalësh ose frazash e përshkruajnë dashurinë e Zotit për njerëzit e Tij? Merreni parasysh të shënoni përvojat tuajat vetjake me “dashamirësinë e Zotit [tuaj] dhe gjithçka që ai [ju] ka dhënë sipas mirësisë së tij dhe sipas dashamirësisë së tij” (vargu 52).
“Qeveritë u krijuan nga Perëndia për përfitimin e njeriut.”
Marrëdhënia e hershme e shenjtorëve me qeverinë ishte e ndërlikuar. Kur shenjtorët u detyruan që të largoheshin nga konteja Xhekson në Misuri, në 1833, ata nuk morën përkrahje ose dëmshpërblim nga qeveria vendore ose kombëtare, pavarësisht nga kërkesat e tyre për ndihmë. Në të njëjtën kohë, disa njerëz jashtë Kishës i interpretuan mësimet rreth Sionit sikur shenjtorët nuk e pranonin autoritetin e qeverive tokësore. Doktrina e Besëlidhje 134 u shkrua, pjesërisht, për të sqaruar qëndrimin e Kishës lidhur me qeverinë.
Çfarë duhet të ndiejnë anëtarët e Kishës rreth qeverive? Teksa e studioni seksionin 134, merreni parasysh të bëni dy lista: një listë me parime që i mësoni rreth qeverisë, dhe një tjetër rreth përgjegjësive të qytetarëve. Si mund të kenë qenë të dobishme këto ide për shenjtorët e hershëm? Si gjejnë zbatim ato në vendin ku jetoni?
Shih edhe Nenet e Besimit 1:11–12; Gospel Topics, “Religious Freedom”, topics.ChurchofJesusChrist.org.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 133:4–14.E kundërta shpirtërore e termit Sion është termi Babiloni – një qytet i lashtë që nëpër shkrime të shenjta simbolizon ligësinë dhe robërinë shpirtërore (shih D. Tod Kristoferson, “Ejani në Sion”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 37; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Babel, Babiloni”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). A ka ndonjë gjë që keni nevojë të bëni si familje që, në një kuptim shpirtëror, të “ikni nga Babilonia” (vargu 5) dhe të “shkoni … në … Sion”? (Vargu 9.)
-
Doktrina e Besëlidhje 133:20–33.Teksa i lexoni këto vargje së bashku, familja juaj mund të bëjë vizatime rreth asaj që mendojnë se si do të jetë Ardhja e Dytë. Gjithashtu mund të luani ose të këndoni një këngë rreth Ardhjes së Dytë, e tillë si “Kur Ai të Vij’ Përs’ri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47), dhe të diskutoni se ç’mund të bëjë familja juaj që të përgatitet për Ardhjen e Tij.
-
Doktrina e Besëlidhje 133:37–39.A do t’i pëlqente familjes suaj po t’i lexonte këto vargje “me një zë të lartë”? (Vargu 38.) Çfarë do të thotë ta përhapësh ungjillin me një zë të lartë? Çfarë të vërtetash mund të tregojmë?
-
Doktrina e Besëlidhje 134:1–2.Për ta ndihmuar familjen tuaj që ta kuptojë rëndësinë e qeverisë, ju mund të diskutoni për pyetje si këto: Në ç’mënyrë është bekuar familja jonë nga pasja e rregullave? Në ç’mënyrë është bekuar atdheu ynë nga pasja e rregullave? Gjithashtu mund të bëni ose të ngjyrosni një vizatim të flamurit të atdheut tuaj ose të mësoni përmendsh nenet e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë të besimit.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Eni, Ju F’mij’ të Zotit”, Himne, nr. 58.