Doktrina e Besëlidhje 2021
8–14 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 129–132: “Kur Ne Fitojmë Ndonjë Bekim nga Perëndia, Është me Anë të Bindjes”


“8–14 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 129–132: ‘Kur Ne Fitojmë Ndonjë Bekim nga Perëndia, Është me Anë të Bindjes’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“8–14 Nëntor. Doktrina e Besëlidhje 129–132”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Jozef Smithi duke dhënë mësim në Navu

Jozef Smithi në Navu, 1840, nga Theodore Gorka

8–14 Nëntor

Doktrina e Besëlidhje 129–132

“Kur Ne Fitojmë Ndonjë Bekim nga Perëndia, Është me Anë të Bindjes”

Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi: “Vetëm të folurit dhe të treguarit nuk [janë] mësim[dhënie]. Predikimi i ungjillit sipas mënyrës së Zotit përfshin vrojtimin, dëgjimin dhe dallimin” (“Të Bërit një Misionar për Predikimin e Ungjillit Tim”, Liahona tetor 2013, f. 50). Çfarë ju mëson Shpirti teksa i vëzhgoni dhe i dëgjoni fëmijët të cilëve u jepni mësim?

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Zgjidhni një temë nga seksionet 129–132 dhe lejojini fëmijët t’ju tregojnë atë që e kanë mësuar tashmë rreth kësaj teme. Për shembull, çfarë dinë rreth Atit Qiellor ose Kreut‑Perëndi? Rreth martesës së përjetshme? Rreth mbretërisë çelestiale?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 130:20–21; 132:5

Bekimet vijnë nga bindja ndaj Perëndisë.

Jozef Smithi dha mësim se çdo bekim nga Perëndia bazohet te bindja jonë ndaj ligjeve të Tij. Si mund ta jepni mësim këtë parim në një mënyrë që fëmijët do ta kuptojnë?

Veprimtari të Mundshme

  • Thuajuni fëmijëve një krahasim të thjeshtë që tregon se sa e rëndësishme është të ndiqni udhëzimet; për shembull, flisni me ta rreth hapave që duhet të ndjekim për të përgatitur ushqimin ose për të luajtur një lojë apo për të ndërtuar diçka. Çfarë ndodh kur nuk i ndjekim udhëzimet? (Mbase ju keni një përvojë vetjake që mund ta tregoni.) Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 130:21 dhe krahasojini këto udhëzime me urdhërimet që duhet t’i ndjekim për të marrë bekime nga Ati Qiellor.

  • Pyetini fëmijët nëse mund të mendojnë për një rast kur ata iu bindën njërit prej urdhërimeve të Perëndisë. Si u ndien? Këndoni së bashku një këngë rreth bindjes, të tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 68–69) dhe përcaktoni bekimet e bindjes që përmenden në këtë këngë. Diskutoni disa prej gjërave që Perëndia na ka urdhëruar të bëjmë. Si na bekon Perëndia kur i zbatojmë ato urdhërime?

Doktrina e Besëlidhje 130:22

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë trupa të pavdekshëm fizikë.

Kur e kuptojmë që Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti kanë trupa si trupat tanë, ne ndihemi më pranë Tyre dhe forcohet marrëdhënia jonë me Ta.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqituni fëmijëve një figurë të Jezu Krishtit dhe ftojini të tregojnë me gisht te sytë, goja ose pjesë të tjera të trupit të Tij. Pastaj ftojini të ngrihen në këmbë dhe të tregojnë me gisht drejt po atyre pjesëve të vetë trupave të tyre. Lexoni nga Doktrina e Besëlidhje 130:22: “Ati ka një trup prej mishi e kockash … ; Biri gjithashtu”. Dëshmoni se trupat tanë janë të ngjashëm me trupat e Atit Qiellor dhe të Jezusit.

  • Këndoni së bashku një këngë për trupat tanë, të tillë si “Kok’, Shpatull’, Gjunj’, Gishta” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 129) dhe ftojini fëmijët të bëjnë veprime që përputhen me fjalët. Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë disa gjëra që mund t’i bëjnë me trupat e tyre. Shprehni mirënjohjen tuaj për trupin që Perëndia jua ka dhënë. Si mund të tregojmë se jemi mirënjohës për këtë dhuratë të veçantë?

  • Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe vetes së tyre. Ndihmojini të kuptojnë se si trupat tanë janë të ngjashëm me trupat e Atit Qiellor dhe të Jezusit.

Doktrina e Besëlidhje 132:19

Ati Qiellor bëri të mundur që familjet të jenë së bashku përgjithmonë.

Nëpërmjet fuqisë vulosëse të Zotit dhe ordinancave të tempullit, marrëdhëniet tona familjare mund të zgjatin përjetësisht në qoftë se ne i mbajmë besëlidhjet tona.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për shembuj të gjërave që nuk zgjatin përgjithmonë – ushqime që prishen, lule që thahen e kështu me radhë. Paraqitni një fotografi të familjarëve tuaj dhe tregoni se si ndiheni për ta. Dëshmoni se Zoti e ka bërë të mundur, nëpërmjet ordinancave të tempullit, që familjet të zgjatin përgjithmonë.

  • Hapeni librin Doktrina e Besëlidhje te seksioni 132 dhe tregojuni fëmijëve se kjo është një zbulesë që iu dha Jozef Smithit rreth martesës dhe familjeve. Tregojuni atyre vargun 19 dhe vini në dukje fjalët “përmes gjithë përjetësisë” teksa i lexoni ato. Ftojini fëmijët t’i lexojnë këto fjalë me ju.

  • Ndihmojini fëmijët të bëjnë kukulla prej letre që përfaqësojnë pjesëtarë të familjes së tyre (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Pritini kukullat dhe vendosini në një zarf ose kapini së bashku me një kapëse letrash për të përfaqësuar fuqinë vulosëse që mund t’i bëjë të përjetshme familjet tona.

    grua dhe vajzë e vogël në territorin e tempullit

    Ordinancat e tempullit i lejojnë familjet që të jenë së bashku përgjithmonë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 130:18–19

Ati Qiellor dëshiron që unë të fitoj dije dhe inteligjencë.

Shumë gjëra që i fitojmë në këtë jetë, nuk do t’i marrim me vete në jetën pas kësaj. Por “dij[en] dhe inteligjenc[ën]” tonë do ta marrim (Doktrina e Besëlidhje 130:19).

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë diçka për të cilën po mësojnë në shkollë ose nga prindërit e tyre. Ftojini të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 130:18–19 për të gjetur atë që do t’i ndodhë dijes dhe inteligjencës sonë në jetën pas kësaj.

  • Çfarë na mëson vargu 19 rreth mënyrës se si mund të fitojmë dije dhe inteligjencë? Si mund të jemi të zellshëm dhe të bindur kur përpiqemi të mësojmë? (Për më shumë lidhur me këtë temë, shihni “Arsimi” te broshura Për Forcën e Rinisë [faqet 9–10].)

Doktrina e Besëlidhje 130:20–21; 132:5, 21–23

Bekimet vijnë nga bindja ndaj Perëndisë.

Përsiatni se si Zoti ju bekon kur iu bindeni ligjeve të Tij. Çfarë përvojash mund t’u tregoni fëmijëve që t’i frymëzoni ata?

Veprimtari të Mundshme

  • Këndoni një këngë rreth bindjes, të tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 68–69) dhe ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 130:20–21 dhe 132:5. Ndihmojini të gjejnë fjalë dhe ide në shkrimet e shenjta që janë të ngjashme me ato në këtë këngë. Si marrim bekime nga Perëndia? Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se si janë bekuar nga bindja ndaj ligjeve të Perëndisë.

  • Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 132:21–23 dhe ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të cilat përfaqësojnë atë që e mësojnë nga këto vargje. Nxitini të jenë krijues dhe sugjeroni që ata të përfshijnë në vizatimet e tyre ligjet ose urdhërimet që na ndihmojnë të qëndrojmë në udhën e ngushtë drejt jetës së përjetshme.

Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; 132:15, 19

Ati Qiellor bëri të mundur që familjet të jenë së bashku përgjithmonë.

Pavarësisht nga gjendja e tanishme e familjes sonë, ne mund të bëjmë zgjedhje tani që do të na përgatitin për të marrë bekimet e një familjeje të përjetshme në të ardhmen.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni disa prej fëmijëve të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4 dhe të tjerëve të lexojnë te 132:15. Ndihmojini të zbulojnë se çfarë na mësojnë këto vargje rreth martesës. Përzgjidhni fraza kyç nga Doktrina e Besëlidhje 132:19 (të tilla si “nëse një burrë martohet me një grua”, “besëlidhje … [e] përjetshme”, “vuloset”, “duroni besëlidhjen time”, “përmes gjithë përjetësisë” dhe “përherë e përgjithmonë”) dhe kërkojuni fëmijëve t’i gjejnë këto fraza në këtë varg. Çfarë na mësojnë këto fraza rreth martesës?

  • Këndoni “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 98) ose rishikoni “Kapitullin 54: Një Zbulesë rreth Martesës” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 198). Kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë dhe të përgatiten për të treguar atë që të duhet të bëjmë me qëllim që familjet tona të mund të jenë të përjetshme. Dëshmoni se pavarësisht nga gjendja e tanishme e familjes sonë, ne mund të përgatitemi që të jemi pjesë e një familjeje të përjetshme.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre se sa shumë i duan ata dhe se dëshirojnë të jenë të bashkuar si familje përjetësisht.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jini të ndjeshëm ndaj situatave familjare. “Fëmijët sot e gjejnë veten në trajta shumë të ndryshme dhe të ndërlikuara të familjes. … Ne kemi nevojë që t’u shtrijmë dorën atyre që ndihen të vetmuar, të lënë prapa, ose jashtë gardhit” (Nil L. Andersen, “Kushdo që i Pranon Ata, më Pranon Mua”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 49, 52).