Doktrina e Besëlidhje 2021
18–24 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 121–123: “O Perëndi, Ku Je Ti?”


“18–24 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 121–123: ‘O Perëndi, Ku Je Ti?’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“18–24 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 121–123”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Burgu i Libertisë

Burgu i Libertisë në Pranverë, nga Al Rounds

18–24 Tetor

Doktrina e Besëlidhje 121–123

“O Perëndi, Ku Je Ti?”

Përvoja juaj e studimit të shkrimeve të shenjta do të jetë më e begatë nëse synimi juaj është ta zbuloni të vërtetën. Filloni me një lutje, dëgjojeni Shpirtin dhe mbajini shënim mbresat tuaja.

Shënojini Mbresat Tuaja

Kati i poshtëm i burgut të kontesë në Liberti të Misurit, njihej si biruca. Muret ishin të trasha, dyshemeja e gurtë ishte e ftohtë dhe e pistë, ushqimi – aq pak sa ishte – qe i prishur dhe e vetmja dritë që hynte, vinte nga dy dritare të ngushta me shufra hekuri afër tavanit. Në këtë birucë Jozef Smithi dhe disa nga vëllezërit e tij e kaluan kohën më të madhe të burgimit të tyre – katër muaj të akullt gjatë dimrit të vitit 1838–1839 – në pritje të gjyqit ndaj akuzave për tradhti kundër shtetit të Misurit. Gjatë kësaj kohe, Jozefi po merrte vazhdimisht lajme rreth vuajtjeve të shenjtorëve. Paqja dhe optimizmi i Far‑Uestit kishin zgjatur vetëm pak muaj dhe tani shenjtorët kishin mbetur sërish të pastrehë, të dëbuar në vendin e shkretë në kërkim të një vendi tjetër për t’ia nisur nga e para – kësaj here me Profetin e tyre në burg.

Nuk është çudi që Jozef Smithi thirri: “O PERËNDI, ku je ti?” Përgjigjet që mori ai, “dituri[a]… prej qiellit” që i erdhi duke u “derdh[ur]” [mbi të] në atë burg të mjerueshëm, tregojnë se edhe pse jo gjithmonë mund ta ndiejmë kësisoj, Perëndia nuk është kurrë tepër larg. Asnjë fuqi nuk mund “t’i ndalojë qiejt”, mësoi për vete Profeti. “Perëndia do të jetë me [shenjtorët e Tij besnikë] përherë e përgjithmonë.” (Doktrina e Besëlidhje 121:1, 33; 122:9.)

Shih Saints, 1:323–396; “Within the Walls of Liberty Jail”, Revelations in Context, f. 256–263.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 121:1–10, 23–33122

Fatkeqësitë mund të “jenë për të mirën [time]”.

Kur ne ose njerëzit që i duam, jemi mes vuajtjeve, është normale ta pyetim veten a është Perëndia në dijeni për ne. Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 121:1–6, mendoni për rastet kur keni pasur pyetje ose ndjenja të ngjashme me ato të Jozef Smithit. Çfarë gjeni te përgjigjja e Zotit që mund t’ju ndihmojë kur i keni ato pyetje ose ato ndjenja? Për shembull, te vargjet 7–10, 26–33, vini re bekimet që Ai ua premton atyre që i “duro[jnë] mirë [mjerimet]”. Teksa e lexoni seksionin 122, merrni parasysh se si Zoti dëshiron që ju t’i shihni fatkeqësitë tuaja.

Shih edhe Henri B. Ajring, “Ku Është Tenda?Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 72–75.

Doktrina e Besëlidhje 121:34–46

Ne mund t’i përdorim “fuqitë e qiellit”.

Në atë që dukej si një rrethanë e pashpresë [për të bërë diçka], në burgun e Libertisë, Jozefit iu dha zbulesë rreth fuqisë – jo për fuqitë politike apo ushtarake që ishin ushtruar mbi shenjtorët, por për “fuqitë e qiellit”. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 121:34–46, çfarë mësoni rreth fuqisë së Perëndisë? Si është ajo e ndryshme nga fuqia e botës? Për shembull, shikoni fjalët që përdor Zoti te vargjet 41–43 për të përshkruar “fuqi[në] apo ndikim[in]”. Çfarë na mësojnë ato rreth mënyrës se si Perëndia e mban “fuqi[në] apo ndikim[in]” e Tij? Ndoshta këto vargje mund t’ju frymëzojnë që të përsiatni mbi jetën tuaj dhe se çfarë mund të bëni për të qenë një ndikim për mirë në marrëdhëniet tuaja me të tjerët.

Doktrina e Besëlidhje 122

Jezu Krishti ka zbritur nën të gjitha gjërat.

Jozef Smithin e burgosën padrejtësisht për më shumë se katër muaj, ndërkohë që miqtë dhe familjarët e tij i dëbuan nga shtëpitë e tyre. Puna, ndaj së cilës e kishte përkushtuar jetën, dukej se ishte drejt shkatërrimit. Çfarë mësoni për Jezu Krishtin nga fjalët e Tij drejtuar Jozefit te seksioni 122? Çfarë mësoni për Jozefin? Çfarë mësoni për veten tuaj?

Shih edhe Alma 7:11–13; 36:3; Doktrina e Besëlidhje 88:6.

Jezusi përtokë në Gjetseman

Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti, nga Walter Rane.

Doktrina e Besëlidhje 123

“Le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë.”

Në mars 1839, mund të dukej sikur shenjtorët nuk kishin shumë në dorë për ta ndryshuar situatën e tyre pikëlluese. Por në letrat që i shkroi nga burgu i Libertisë, Jozefi u tha atyre se çfarë mund të bënin: “Mbl[idhni] dituri të të gjitha fakteve” dhe “qëndro[ni] të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 123:1, 17). Teksa merrni parasysh mashtrimin dhe “dinakërinë … e njerëzve” në botë sot, mendoni se çfarë gjërash “janë në fuqinë [tuaj]” për t’i bërë (vargjet 12, 17). Përse është e rëndësishme që t’i bëjmë këto gjëra “me gëzim”? (Vargu 17.) A njihni ndonjërin, i cili “mbahe[t] larg nga e vërteta” (vargu 12) dhe si mund ta ndihmoni këtë person që ta gjejë atë?

Shumë prej rrëfimeve që Jozefi i kërkoi në këtë letër, iu dorëzuan qeverisë dhe u botuan si një seri me 11 pjesë në një gazetë të Navusë, Times and Seasons (shih “A History, of the Persecution, of the Church of Jesus Christ, of Latter Day Saints in Missouri, December 1839–October 1840”, [josephsmithpapers.org]).

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 121:1–10.“Biruca” në burgun e Libertisë ishte vetëm 4,2 me 4,4 metra). Si mund ta ndihmoni familjen tuaj që të përfytyrojë se si do të kishte qenë po të mbylleshin në një hapësirë të asaj përmase për katër muaj të ftohtë akull? Mund të gjeni hollësi të tjera rreth kushteve në burgun e Libertisë në “Kapitullin 46: Jozef Smithi në Burgun e Libertisë” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 172–174). Mund të lexoni edhe “Zëra të Rivendosjes: Burgu i Libertisë” në fund të këtij përvijimi ose të shihni një përshkrim filmik për kohën që kaloi Jozefi në burgun e Libertisë në materialin filmik Joseph Smith: Prophet of the Restoration (ChurchofJesusChrist.org, fillon në 43:00). Si ndikon ky informacion te mënyra se si ndihemi rreth parimeve te Doktrina e Besëlidhje 121:1–10?

Doktrina e Besëlidhje 121:34–36, 41–45.Ndoshta një analogji do ta ndihmojë familjen tuaj për t’i kuptuar “fuqitë e qiellit”. Për shembull, ju mund ta krahasoni fuqinë e Perëndisë me fuqinë elektrike; çfarë mund ta pengojë një pajisje elektrike që të mos marrë energji? Çfarë na mëson kjo analogji, bashkë me vargjet 34–36, 41–45, rreth mënyrës se si ta rritim fuqinë tonë shpirtërore? Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të tregojnë histori nga jeta e Shpëtimtarit që i ilustrojnë këto cilësi.

Doktrina e Besëlidhje 122:7–9.Ndoshta pjesëtarëve të familjes do t’u pëlqente të bënin gjeste të vogla që paraqitin frazat nga këto vargje që i frymëzojnë ata. Këto gjeste mund t’i paraqitni në shtëpinë tuaj. Përse është e rëndësishme të dimë se “Biri i Njeriut ka zbritur nën” të gjitha gjërat?

Doktrina e Besëlidhje 123:12.Si mund t’i ndihmojmë njerëzit që ta “dinë se ku ta gjejnë” të vërtetën?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Ku Mund të Gjej Paqe?Himne, nr. 67.

ikona zëra të rivendosjes

Zëra të Rivendosjes

Burgu i Libertisë

Ndërsa ishte i burgosur në Liberti të Misurit, Jozef Smithi mori letra që e vunë në dijeni rreth gjendjes së rrezikshme të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, të cilët po dëboheshin nga shteti me urdhër të guvernatorit. Një letër mallëngjyese i erdhi nga bashkëshortja e tij, Ema. Fjalët e saj dhe letrat e Jozefit si përgjigje, shprehin vuajtjet e tyre si edhe besimin e tyre gjatë kësaj kohe të vështirë në historinë e Kishës.

Letër nga Ema Smithi drejtuar Jozef Smithit, 7 mars 1839

“I dashur bashkëshort,

Duke qenë se kam mundësinë ta dërgoj letrën me një mik, po bëj përpjekje për të shkruar, por nuk do të përpiqem të shkruaj gjithë ndjenjat e mia njëherësh, pasi situata në të cilën je, muret, hekurat dhe shulët e dyerve, lumenjtë vërshues, rrëketë e rrjedhshme, kodrat e përpjeta, luginat e thella dhe rrafshinat e gjera që na ndajnë, dhe padrejtësia mizore që të hodhi fillimisht në burg dhe që të mban atje akoma, bashkë me shumë arsye të tjera, më bëjnë që të mos gjej fjalë për t’i përshkruar ndjenjat e mia.

Po të mos isha e vetëdijshme për pafajësinë dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të mëshirës hyjnore, jam shumë e sigurt se nuk do të kisha qenë kurrë në gjendje të duroja skenat e vuajtjes që kam kaluar … , por jam ende gjallë dhe jam ende e gatshme të vuaj më shumë, në qoftë se është vullneti i Perëndisë së dashur, që unë duhet të vuaj për hirin tënd.

Tani për tani jemi mirë të gjithë, përveç Frederikut që është tepër i sëmurë.

Aleksandri i vogël, që tani e kam në krahë, është fëmija më i bukur që mund të kesh parë ndonjëherë në jetën tënde. Është kaq i fortë sa mund të vrapojë rreth e qark dhomës me ndihmën e një karrigeje. …

Askush përveç Perëndisë nuk i di mendimet e mendjes sime dhe ndjenjat e zemrës sime kur lashë pas shtëpinë tonë dhe thuajse gjithçka që zotëronim, me përjashtim të fëmijëve tanë të vegjël dhe mora rrugën për të ikur nga shteti i Misurit, duke të të lënë ty të mbyllur në atë burg të shkretë. Por ai kujtim është më i rëndë nga ç’duhet të durojë natyra njerëzore. …

… Shpresoj që ende të na vijnë ditë më të mira në të ardhmen. … Jam përgjithmonë jotja, plot dashuri.

Ema Smith”1

Letër nga Jozef Smithi drejtuar Ema Smithit, 4 prill 1839

“E dashur – dhe e dhembshur – bashkëshorte.

Të enjten mbrëma, u ula tamam kur dielli po perëndonte, siç po e shikonim vjedhurazi përmes shufrave të dritareve të këtij burgu të shkretë, për të të shkruar ty, që të ta bëj të ditur gjendjen time. Besoj se tani, janë bërë rreth pesë muaj dhe gjashtë ditë2 që kur jam nën ngërdheshjen e një roje natë e ditë dhe brenda mureve, hekurave dhe dyerve prej hekuri që kërcasin të një burgu të shkretë, të errët e të pistë. Me emocione që vetëm Perëndia i di, e shkruaj këtë letër. Në rrethana të tilla, soditjet e mendjes për t’ia përshkruar apo shprehur qenies njerëzore që nuk e ka provuar kurrë, atë që ne provojmë, i bëjnë sfidë penës, apo gjuhës, apo engjëjve. … Ne mbështetemi te krahu i Jehovës dhe tek askush tjetër për çlirimin tonë dhe nëse Ai nuk e bën, nuk do të bëhet, të jesh e sigurt, pasi ka etje të madhe për gjakun tonë në këtë shtet; jo ngaqë jemi fajtorë për ndonjë gjë. … Ema ime e dashur, unë mendoj vazhdimisht për ty dhe fëmijët. … Dëshiroj të shoh Frederikun e vogël, Jozefin, Xhulian, Aleksandrin, Xhoanën dhe majorin plak [qenin e familjes].… Me gëzim do të vija që këtu deri tek ty, i zbathur, e kokëzbuluar, e gjysmë i zhveshur që të të shihja dhe do ta mendoja kënaqësi të madhe, dhe kurrë nuk do ta quaja si mundim. … Po e duroj me guxim gjithë zgjedhën time; po kështu bëjnë dhe ata që janë me mua; as dhe një prej nesh nuk është zmbrapsur ende. Dua prej teje që [të] mos i lësh [fëmijët tanë] të më harrojnë. Thuaju atyre se Babai i do me një dashuri të përkryer dhe se po bën gjithçka mundet që t’i shpëtojë turmës dhe të vijë tek ata. … Thuaju atyre që Babai thotë se ata duhet të jenë fëmijë të mirë dhe t’i binden nënës së tyre. …

I yti,

Jozef Smith i Riu.”3

Shënime

  1. Letter from Emma Smith, 7 mars 1839”, Letterbook 2, f. 37, josephsmithpapers.org; germëzimi, pikësimi dhe gramatika e modernizuar.

  2. Jozefi dhe shoqëruesit e tij u arrestuan më 31 tetor 1838 dhe u mbajtën nën vëzhgim të rreptë ditë e natë. Pas një gjyqi paraprak në Riçmond të Misurit, ata i çuan në burgun e Libertisë më 1 dhjetor.

  3. Letter to Emma Smith, 4 prill 1839”, f. 1–3, josephsmithpapers.org; germëzimi, pikësimi dhe gramatika e modernizuar.

Jozef Smithi në Burgun e Libertisë

Ndërkohë që Jozef Smithi vuante në burgun e Libertisë, Zoti e ngushëlloi dhe i zbuloi atij të vërteta të mëdha.