“22–28 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21: ‘Zoti na Kishte Thirrur që t’[a] Shpallim … Ungjillin’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“22–28 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
22–28 Korrik
Veprat e Apostujve 16–21
“Zoti na Kishte Thirrur që t’[a] Shpallim … Ungjillin”
Ndërsa lexoni rreth përpjekjeve të Palit për ta predikuar ungjillin, Shpirti mund t’ju nxitë mendime ose ndjenja. Shkruajini këto nxitje dhe planifikoni të veproni sipas tyre.
Shënojini Mbresat Tuaja
Mes fjalëve të fundit të Zotit drejtuar Apostujve të Tij ishte urdhërimi: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mateu 28:19–20). Ndërkohë që Apostujt afërmendsh nuk ia dolën të shkonin te të gjithë popujt, Veprat e Apostujve 16–21 tregojnë vërtet që Pali dhe shokët e tij bënë me të vërtetë përparim të dukshëm në ngritjen e Kishës. Ata dhanë mësim, pagëzuan dhe dhanë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ata kryen mrekulli, madje ngritën një burrë nga vdekja dhe parathanë Braktisjen e Madhe (Veprat e Apostujve 20:7–12; 20:28–31). Dhe puna që ata filluan vijon me Apostujt e gjallë sot, bashkë me dishepuj të përkushtuar si ju, të cilët po ndihmojnë në përmbushjen e porosisë së Shpëtimtarit në mënyra që Pali mund të mos i ketë përfytyruar kurrë. Ndoshta jeni në dijeni të njerëzve që nuk e njohin Atin e tyre Qiellor apo ungjillin e Tij. Ndoshta keni ndier që “po [ju] ziente fryma përbrenda” për të folur me ta rreth asaj që dini për Të (Veprat e Apostujve 17:16). Nëse e ndiqni shembullin e përulësisë dhe të guximit të Palit në shpërndarjen e ungjillit, ju mund të gjeni dikë të cilit “Zoti ia [ka] hap[ur] zemrën” (Veprat e Apostujve 16:14).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Shpirti do të më udhëheqë në përpjekjet e mia për ta shpërndarë ungjillin.
Gjithësecili ka nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit, por disa njerëz janë më të përgatitur sesa të tjerë për ta pranuar atë. Kjo është një arsye përse kemi nevojë për Frymën e Shenjtë kur e shpërndajmë ungjillin – që të na udhëheqë tek ata që janë gati. Ndërsa i lexoni Veprat e Apostujve 16–21, vini re raste në të cilat Shpirti e udhërrëfeu Palin dhe shokët e tij. Çfarë bekimesh erdhën për shkak se ata e ndoqën Shpirtin? Kur e keni ndier Shpirtin t’ju nxiste në përpjekjet tuaja për ta shpërndarë ungjillin?
Shih edhe Alma 7:17–20; Dallin H. Ouks, “Shpërndarja e Ungjillit të Rivendosur”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 57–60; Predikoni Ungjillin Tim, f. 94–95.
Unë mund ta shpall ungjillin në të gjitha rrethanat.
Flakja në burg për shkak të predikimit të ungjillit mund të duket si një arsye e kuptueshme për të ndaluar së predikuari. Por për Palin dhe Silën, ajo u bë një mundësi për ta kthyer në besim një rojtar burgu (shih Veprat e Apostujve 16:16–34). Gjatë gjithë Veprave të Apostujve 16–21, kërkoni shembuj të tjerë të gatishmërisë së Palit për të folur për dëshminë e tij me këdo. Si mendoni ju, përse ishte ai aq guximtar dhe i patrembur? Çfarë mësoni nga shembulli i Palit?
Ka shumë më tepër mesazhe lidhur me shpërndarjen e ungjillit në kapitujt 16–21. Nëse kërkoni me kujdes, ju mund të gjeni disa mesazhe që janë posaçërisht të zbatueshme për ju. Përpiquni t’i lexoni këta kapituj me këtë qëllim në mendje. Çfarë gjeni?
“Ne jemi pasardhës të Perëndisë.”
Në Athinë, Pali gjeti një popull me gjithfarë opinionesh dhe pikëpamjesh fetare. Ata përpiqeshin përherë të “dëgj[onin] ndonjë fjalë të re” dhe ajo që kishte për të ofruar Pali, ishte pa dyshim e re për ta (shih Veprat e Apostujve 17:19–21). Ata adhuronin shumë perëndi, përfshirë njërin që e quanin “Perëndi[a i] panjohur” (Veprat e Apostujve 17:23), por ata besonin se perënditë ishin fuqi apo forca, jo qenie të gjalla në formën e një personi dhe sigurisht jo Ati ynë. Lexojeni atë që Pali tha për t’i ndihmuar që të arrinin ta njihnin Perëndinë dhe vini re karakteristikat që gjeni për Perëndinë. Çfarë do të thotë për ju të jeni “pasardhës të Perëndisë”? (Veprat e Apostujve 17:29). Sipas mendimit tuaj, si është të qenit fëmijë i Perëndisë ndryshe nga të qenit thjesht një prej krijimeve të Tij? Nëse do të kishit qëndruar krah Palit, ndërsa ai po dëshmonte, çfarë do t’u kishit thënë grekëve të lashtë rreth Atit tonë Qiellor? A njihni ndonjë që mund të ketë dobi nga të dëgjuarit e dëshmisë suaj?
Shih edhe Romakëve 8:16; 1 Gjoni 5:2; “We Are the Offspring of God” [“Ne Jemi Pasardhësit e Perëndisë”] (material filmik, LDS.org).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Për ta ndihmuar familjen tuaj ta përfytyrojë atë që po ndodh në këta kapituj, mund të jetë dëfryese, që ndërsa lexoni së bashku, t’i shenjoni në hartë qytetet që vizitoi Pali (shih hartën në fund të këtij përvijimi).
Si mund të jemi më shumë si shenjtorët në këto shkrime të shenjta? Si na bën më “fisnikë” të studiuarit e përditshëm të shkrimeve të shenjta? (Veprat e Apostujve 17:11). Çfarë mund të bëjmë që të jemi “njohës [të] Shkrimit”? (Veprat e Apostujve 18:24).
Këto mësime nga Profeti Jozef Smith mund ta ndihmojnë familjen tuaj të diskutojë për Veprat e Apostujve 19:1–7: “Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë. … ‘Të lindësh nga uji dhe nga Fryma’ donte të thoshte, të zhyteshe në ujë për të hequr mëkatet dhe për të marrë pas kësaj dhuratën e Frymës së Shenjtë. Kjo jepej me anë të vënies së duarve nga dikush që kishte autoritetin që i ishte dhënë nga Perëndia” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 99–100). Çfarë bekimesh na kanë ardhur nga marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë?
Çfarë i frymëzoi njerëzit në këto vargje që t’i digjnin librat e tyre me vlerë “pesëdhjetë mijë pjesë argjendi”? (Veprat e Apostujve 19:19). A ka pasuri apo veprimtari tokësore nga të cilat duhet të heqim dorë në mënyrë që të marrim bekime qiellore?
Kur e ka përjetuar familja juaj mësimin e Krishtit se “ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh”? (Veprat e Apostujve 20:35). A ka ndonjë njeri që mund të përfitojë nga shërbimi, koha apo dhuratat që mund të japë familja juaj? Si familje, diskutoni rreth disa ideve dhe bëni një plan për t’i shërbyer dikujt. Si ndihemi kur u shërbejmë të tjerëve? Përse ka më shumë lumturi të japësh, sesa të marrësh?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.