Eja, Më Ndiq
4–10 Nëntor. Hebrenjve 1–6: “Jezu Krishti ‘Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar’”


“4–10 Nëntor. Hebrenjve 1–6: ‘Jezu Krishti “Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar”’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“4–10 Nëntor. Hebrenjve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Krishti duke qëndruar me një vajzë të re dhe një burrë

Balsami i Galaadit, nga Anne Henrie

4–10 Nëntor

Hebrenjve 1–6

Jezu Krishti, “Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar”

Shënimi i mbresave shpirtërore ju ndihmon të dalloni atë që dëshiron t’jua mësojë Fryma e Shenjtë. Veprimi sipas mbresave tuaja tregon besimin tuaj se ato nxitje janë të vërteta.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ne të gjithë duhet të heqim dorë nga diçka me qëllim që ta pranojmë ungjillin e Jezu Krishtit – qofshin ato zakone të këqija, bindje të pasakta, shoqëri të pashëndetshme apo diçka tjetër. Për johebrenjtë kthimi në besim shpesh do të thoshte braktisjen e perëndive të rreme. Për hebrenjtë (judenjtë), gjithsesi, kthimi në besim u provua se ishte, nëse jo më i vështirë, paksa më i ndërlikuar. Në fund të fundit të gjitha bindjet dhe traditat e dashura i kishin rrënjët në adhurimin e Perëndisë së vërtetë dhe mësimet e profetëve të Tij, që shtriheshin pas mijëra vjet. Prapëseprapë Apostujt dhanë mësim se ligji i Moisiut ishte përmbushur në Jezu Krishtin dhe se një ligj më i lartë ishte tani standardi për besimtarët. A do të thoshte pranimi i krishterimit se hebrenjtë duhej të hiqnin dorë prej bindjeve dhe historisë së tyre të mëparshme? Letra drejtuar Hebrenjve u përpoq të ndihmonte për zgjidhjen e pyetjeve të tilla nëpërmjet mësimdhënies se ligji i Moisiut, profetët dhe ordinancat janë të gjitha të rëndësishme, por Jezu Krishti është më i madhërishëm (shih Hebrenjve 1:1–4; 3:1–6; 7:23–28). Në fakt të gjitha këto gjëra çojnë drejt Krishtit dhe dëshmojnë për Krishtin si Birin e Perëndisë dhe Mesian e premtuar, për të cilin judenjtë kishin qenë duke pritur. Mesazhi për hebrenjtë dhe për të gjithë ne është se nganjëherë duhet të heqim dorë nga traditat që ta bëjmë Jezu Krishtin qendrën e adhurimit tonë dhe të jetës sonë – sepse është nëpërmjet Krishtit që ne “marrim mëshirë” (Hebrenjve 4:16).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Hebrenjve

Kush e shkroi Letrën drejtuar Hebrenjve?

Shumë studiues e kanë vënë në dyshim nëse Pali e shkroi Letrën drejtuar Hebrenjve. Stili gjuhësor i Hebrenjve nganjëherë është i ndryshëm nga letrat e tjera të Palit dhe variantet më të hershme të tekstit nuk e jepnin emrin e një autori. Megjithatë, ngaqë idetë e shprehura te Hebrenjve janë në përputhje me mësimet e tjera të Palit, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, duke e ruajtur traditën e krishterë, në përgjithësi e kanë pranuar që Pali të paktën ishte i përfshirë në shkruarjen e kësaj letre.

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”.

Hebrenjve 1–5

Jezu Krishti është “vula e qenies” së Atit Qiellor.

Shumë judenj e patën të vështirë ta pranonin Jezu Krishtin si Birin e Perëndisë. Letra drejtuar Hebrenjve na mëson se gjithçka rreth Jezusit dëshmon për Atin e Tij dhe është një shembull i Atit të Tij. Teksa lexoni pesë kapitujt e parë të Hebrenjve, ju mund të mbani një listë të titujve, roleve, tipareve dhe veprave të Jezu Krishtit që i gjeni të përmendura. Çfarë ju mësojnë këto gjëra rreth Shpëtimtarit? Çfarë ju mësojnë rreth Atit Qiellor?

Çfarë i shton thënia vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland të kuptuarit tuaj për mësimet që gjenden në këta kapituj? “Jezusi … erdhi për ta përmirësuar këndvështrimin e njerëzve për Perëndinë dhe për t’iu përgjëruar atyre që ta donin Atin e tyre Qiellor, ashtu sikurse Ai i ka dashur gjithmonë dhe do t’i dojë gjithmonë ata. … Prandaj, duke ushqyer të uriturit, duke shëruar të sëmurët, duke qortuar hipokrizinë, duke bërë thirrje për besim – ky ishte Krishti që na tregon udhën e Atit” (“The Grandeur of God”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 72).

Hebrenjve 2:9–18; 4:12–16; 5:7–8

Jezu Krishti vuajti tundim dhe dobësi që Ai të mund të më kuptojë dhe të më ndihmojë mua.

A e ndieni se mund “t’i afrohe[ni] … me guxim fronit të hirit” dhe të kërkoni mëshirë? (Hebrenjve 4:16). Një mesazh i Letrës drejtuar Hebrenjve është që pavarësisht nga mëkatet dhe dobësitë tona, Perëndisë mund t’i afrohemi dhe hiri i Tij është i arritshëm. Çfarë gjeni te Hebrenjve 2:9–18; 4:12–16; 5:7–8 që e forcon vetëbesimin tuaj se Jezu Krishti do t’ju ndihmojë në sfidat tuaja të vdekshmërisë? Merreni parasysh të mbani shënim në ditar mendimet dhe ndjenjat tuaja rreth asaj që Shpëtimtari ka bërë për ju.

Shih edhe Mosia 3:7–11; Alma 7:11–1334.

Hebrenjve 3:7–4:11

Me qëllim që të marr bekimet e Perëndisë, unë duhet të “mos [e] ngurtëso[j]” zemrën time.

Edhe pse ishin kthyer në besimin e krishterë, disa shenjtorë judeas e patën të vështirë që ta pranonin tërësisht ungjillin e Jezu Krishtit dhe bekimet e tij. Duke ritreguar historinë e izraelitëve të lashtë, Pali shpresoi që t’i bindte judenjtë për t’iu shmangur gabimit që bënë paraardhësit e tyre – mohimit të bekimeve të Perëndisë për shkak të mosbindjes. (Historinë që përmendi Pali, ju mund ta lexoni te Numrat 14:1–12, 26–35.)

Merreni parasysh se si Hebrenjve 3:7–4:11 mund të gjejë zbatim për ju. Për ta bërë këtë ju mund të përsiatni pyetje të tilla si këto:

  • Si e provokuan izraelitët Zotin? (Shih Hebrenjve 3:8–11.) Cilat janë pasojat e pasjes së një zemre të ngurtësuar?

  • Kur e kam lejuar zemrën time të bëhet e ngurtësuar? A ka ndonjë bekim që Perëndia dëshiron të ma japë, të cilin nuk po e marr për shkak të mungesës së besimit?

  • Çfarë mund të bëj që të zhvilloj një zemër të butë dhe të penduar? (Shih Ethëri 4:15; Fjalët e Urta 3:5–6; Alma 5:14–15.)

Shih edhe 1 Nefi 2:16; 15:6–11; Jakobi [LiM] 1:7–8; Alma 12:33–36.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Hebrenjve 1:8–9

Në ç’mënyra ka treguar Jezusi se Ai e do drejtësinë dhe e urren paudhësinë? Nëse kemi dëshira të padrejta, çfarë mund të bëjmë për t’i ndryshuar ato?

Hebrenjve 2:1–4

A mund të mendoni një mësim me sende për ta ndihmuar familjen tuaj që ta kuptojë se çfarë do të thotë të kapemi pa u lëkundur tek të vërtetat e ungjillit “që [i] dëgjuam”? Mund ta ilustroni këtë me një send tek i cili është e vështirë të mbahemi. Si janë përpjekjet tona për ta ruajtur dëshminë tonë të ngjashme me kapjen dhe mbajtjen e këtij sendi? Si mund të sigurohemi që gjërat “që [i] dëgjuam” nuk “shkasi[n]” prej nesh? (Vargu 1.)

Hebrenjve 2:9–10

Për ta shqyrtuar frazën “realizuesin e shpëtimit të tyre”, ju mund ta filloni duke diskutuar se çfarë është një realizues. Çfarë bën një realizues? Në ç’mënyrë Jezu Krishti është si një realizues për ne dhe shpëtimin tonë?

Hebrenjve 5:1–5

Këto vargje mund t’ju ndihmojnë të keni një diskutim rreth asaj që do të thotë të thirresh nga Perëndia prej dikujt që ka autoritet për të mbajtur priftërinë ose për të përmbushur të gjitha thirrjet e tjera të Kishës. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jezu Krishtit për marrjen dhe përmbushjen e thirrjeve?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Provoni metoda të ndryshme. Në vend të studimit gjithmonë të shkrimeve të shenjta në të njëjtën mënyrë, merrni parasysh ide të ndryshme studimi. Për disa ide, shihni pjesën “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta” në fillim të këtij burimi.

Krishti u shfaqet nefitëve

Krishti Viziton Botën e Re, nga Walter Rane