“28 Tetor–3 Nëntor. 1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit: ‘Bëhu Shembull për Besimtarët’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“28 Tetor–3 Nëntor. 1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
28 Tetor–3 Nëntor
1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit
“Bëhu Shembull për Besimtarët”
Nganjëherë është e dobishme ta filloni studimin tuaj të shkrimeve të shenjta me një ose dy pyetje në mendje. Ftojeni Shpirtin t’ju udhërrëfejë drejt përgjigjeve teksa studioni dhe shënojeni ndonjë frymëzim që merrni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Në letrat që Pali u shkroi Timoteut, Titit dhe Filemonit, ne hedhim një vështrim të shpejtë brenda zemrës së një shërbëtori të Zotit. Ndryshe nga letrat e tjera të Palit drejtuar bashkësive, këto u shkruan për individë – miq të ngushtë dhe bashkëpunëtorë të Palit në punën e Perëndisë – dhe kur i lexojmë është sikur po dëgjojmë një bashkëbisedim. E shohim Palin duke u dhënë kurajë Timoteut dhe Titit, dy udhëheqës bashkësish, në shërbimin e tyre në Kishë. E shohim atë duke e nxitur mikun e tij, Filemonin, që ta falte një bashkëshenjtor dhe ta trajtonte si vëlla në ungjill. Fjalët e Palit nuk na u drejtuan neve drejtpërsëdrejti dhe ai mund të mos e kishte pritur kurrë që një ditë kaq shumë njerëz do t’i lexonin ato. Prapëseprapë ne gjejmë në këto letra këshillë dhe nxitje për ne, cilado qoftë shërbesa jonë vetjake në shërbimin e Krishtit.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
1 dhe 2 Timoteut; Titit
Cilët ishin Timoteu dhe Titi?
Timoteu dhe Titi kishin shërbyer me Palin në disa prej udhëtimeve të tij misionare. Gjatë shërbimit të tyre, ata fituan respektin dhe mirëbesimin e Palit. Më vonë Timoteu u thirr si udhëheqës i Kishës në Efes dhe Titi u thirr si udhëheqës në Kretë. Në këto letra, Pali u dha udhëheqësve udhëzim e nxitje lidhur me përgjegjësitë e tyre, të cilat përfshinin predikimin e ungjillit dhe thirrjen e burrave për të shërbyer si peshkopë.
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, “Timote”, “Tit(i)”.
Nëse jam “shembull për besimtarët”, unë mund t’i udhëheq të tjerët drejt Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij.
Timoteu ishte relativisht i ri, por Pali e dinte se ai mund të ishte një udhëheqës i madh i Kishës pavarësisht nga mosha e tij e re. Çfarë këshille i dha Pali Timoteut te 1 Timoteut 4:10–16? Si mund t’ju ndihmojë kjo këshillë që t’i udhëhiqni të tjerët drejt Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij?
Shih edhe Alma 17:11.
“Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.”
2 Timoteut besohet të jetë letra e fundit që shkroi Pali dhe duket se ai e dinte që koha e tij në tokë ishte e shkurtër (shih 2 Timoteut 4:6–8). Ndërkohë që e lexoni këtë letër, mendoni rreth mënyrës se si mund të ishte ndier Timoteu kur mësoi se shpejt mund të ishte pa këshilltarin dhe udhëheqësin e tij të besuar. Çfarë tha Pali për t’i dhënë kurajë atij? Çfarë ju mësojnë fjalët e Palit rreth përballjes me vetë sprovat dhe frikën tuaj?
Të jetuarit e ungjillit jep siguri ndaj rreziqeve shpirtërore të ditëve të fundit.
Ne po jetojmë në “ditët e fundit” për të cilat foli Pali dhe “kohë[t e] vështira” kanë ardhur (2 Timoteut 3:1). Teksa lexoni 2 Timoteut 3, shkruani rreziqet e ditëve të fundit që përmenden (shih edhe 1 Timoteut 4:1–3):
A mund të mendoni shembuj të këtyre rreziqeve në botën përreth jush – ose në vetë jetën tuaj? Në ç’mënyrë këto rreziqe, sikurse njerëzit e përshkruar në vargun 6, “futen nëpër shtëpi[në tuaj] dhe [ju] bëjnë për vete”? Çfarë këshille gjeni te 2 Timoteut 3 dhe kudo tjetër në këto letra, që mund t’ju mbajë ju dhe familjen tuaj të sigurt ndaj këtyre rreziqeve shpirtërore? (Shih, për shembull, 1 Timoteut 1:3–11; 2 Timoteut 2:15–16; Titit 2:1–8.)
Kush ishte Filemoni?
Filemoni ishte një i krishterë që ishte kthyer në besim tek ungjilli nëpërmjet Palit. Ai ishte pronari i një skllavi të quajtur Onesim, i cili u arratis nga skllavëria, takoi Palin dhe u kthye edhe ai në besimin tek ungjilli. Në një letër drejtuar Filemonit, Pali e nxiti mikun e tij ta falte Onesimin dhe ta pranonte atë “jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur” (vargu 16).
Pasuesit e Krishtit e falin njëri-tjetrin.
A jeni ndodhur ndonjëherë në një situatë kur dikush kërkoi faljen tuaj? Mendoni për atë situatë teksa lexoni letrën drejtuar Filemonit. Çfarë i dha mësim Pali Filemonit rreth arsyes përse duhej ta falte Onesimin? A ka ndonjë mesazh për ju në këtë letër?
Shih edhe 1 Nefi 7:16–21; Mosia 26:30–31.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Ndërsa aspekte të këshillës së Palit për gratë që të vishen me modesti, nuk gjejnë zbatim për kohën tonë, ne të gjithë mund të mësojmë nga këshilla e tij që të “vishe[mi] … me vepra të mira”. Familja juaj mund të kënaqet duke organizuar së bashku një shfaqje mode, me pjesëtarët e familjes të veshur me rroba ose bizhuteri të emërtuara me lloje të ndryshme veprash të mira. Cilat janë disa vepra të mira që mund t’i bëjë familja juaj këtë javë?
Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes suaj që të jenë “shembull për besimtarët”, merreni parasysh t’i ftoni të vizatojnë figura të mënyrës se si njerëzit kanë qenë shembuj të mirë për ta. Si na kanë frymëzuar këta njerëz që ta ndjekim Jezu Krishtin? Mesazhi i Presidentit Tomas S. Monson “Jini një Shembull dhe një Dritë” (Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 86–88) mund të japë disa ide.
Si mendoni, përse “lakmia për para” konsiderohet “rrënja e gjithë të këqijave”? Cilat janë rreziqet e përqendrimit të jetës sonë te paratë? Si mund të jemi të kënaqur me bekimet që kemi?
Sipas këtyre vargjeve, çfarë bekimesh u vijnë atyre që i njohin dhe i studiojnë shkrimet e shenjta? Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të japin shkrime të shenjta që për ta kanë qenë veçanërisht “[të] dobish[me]”.
Çfarë ishte i gatshëm të bënte Pali për Onesimin? Si është kjo e ngjashme me atë që Shpëtimtari me gatishmëri e bëri për ne? (Shih edhe 1 Timoteut 2:5–6; DeB 45:3–5.) Si mund t’i ndjekim shembujt e Palit dhe të Shpëtimtarit?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.