Eja, Më Ndiq
11–17 Nëntor. Hebrenjve 7–13: ‘Kryeprifti i të Mirave që do të Vijnë’


“11–17 Nëntor. Hebrenjve 7–13: ‘Kryeprifti i të Mirave që do të Vijnë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“11–17 Nëntor. Hebrenjve 7-13”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Melkisedeku duke i dhënë bekim Abramit

Melkisedeku Bekon Abramin, nga Walter Rane

11–17 Nëntor

Hebrenjve 7–13

“Kryeprifti i të Mirave që do të Vijnë”

Ndërsa lexoni Hebrenjve 7–13, ju mund të merrni mbresa nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Merreni parasysh se si t’i shënoni ato; për shembull, ju mund t’i shënoni në këtë përvijim, në anë të faqeve të shkrimeve tuaja të shenjta ose në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Shënojini Mbresat Tuaja

Edhe shenjtorët besnikë me raste vuajnë “fyerje dhe mundime” që mund ta lëkundin vetëbesimin e tyre (shih Hebrenjve 10:32–38). Pali e dinte se judenjtë e kthyer në besimin e krishterë po përjetonin përndjekje të rëndë për shkak të besimit të tyre të ri. Për t’i nxitur që të qëndronin të vërtetë ndaj dëshmive të tyre, ai iu kujtoi atyre traditën e gjatë të besimtarëve besnikë nga vetë historia e tyre: Abelin, Enokun, Noeun, Abrahamin, Sarën, Jozefin, Moisiun – “një re … dëshmimtarësh” që premtimet e Perëndisë janë të vërteta dhe ia vlen të presim për to (Hebrenjve 12:1). Kjo trashëgimi besimi tregohet prej të gjithë atyre që i drejtojnë sytë “te Jezusi [si] kreu dhe plotësonjësi i besimit [tonë]” (Hebrenjve 12:2). Në saje të Tij, kurdoherë që kundërshtari na bën të dëshirojmë që të “tërhiqe[mi] prapa”, përkundrazi ne mund “t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi” (Hebrenjve 10:22, 38). Për ne, sikurse për shenjtorët e lashtë, Jezu Krishti është “kryeprifti [ynë] i të mirave që do të vijnë” (Hebrenjve 9:11).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Hebrenjve 7:1–22

Priftëria Melkizedeke është priftëria më e lartë.

Për shekuj, judenjtë e kishin ushtruar Priftërinë Levitike, gjithashtu të njohur si Priftëria Aarone. Por, me plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit, erdhi Priftëria më e madhe Melkizedeke, e cila ofroi bekime edhe me të mëdha. Çfarë mësoni për Priftërinë Melkizedeke nga Hebrenjve 7? Këtu janë disa shembuj të të vërtetave që mund të gjeni:

Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Hebrenjve 7:3, 21:Ata që shugurohen në Priftërinë Melkizedeke “bëhen të ngjashëm me Birin e Perëndisë” dhe janë “prift[ërinj] vazhdimisht”.

Hebrenjve 7:11:Priftëria Levitike nuk ofron “përkryerj[e]” dhe si rrjedhim u zëvendësua nga Priftëria Melkizedeke (shih DeB 84:18–22).

Hebrenjve 7:19–20:Priftëria Melkizedeke merret nëpërmjet një betimi (shih DeB 84:19–44).

Çfarë bekimesh keni marrë nga Priftëria Melkizedeke dhe ordinancat që lidhen me të?

Shih edhe Alma 13:1–13; Doktrina e Besëlidhje 121:36–46; Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Melkizedek”, scriptures.lds.org; Henry B. Eyring, “Faith and the Oath and Covenant of the Priesthood”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 61–64; Dallin H. Oaks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 49–52.

Hebrenjve 9:1–10:22

Ordinancat e lashta dhe moderne çojnë drejt Jezu Krishtit.

Lexuesit fillestarë hebrenj të kësaj letre do të kishin qenë shumë të njohur me tabernakullin e lashtë dhe ordinancat e përshkruara nga Pali. Por disa nuk arritën ta kuptonin tërësisht se qëllimi i këtyre ordinancave ishte që të çonin drejt flijimit shlyes të Jezu Krishtit.

Në kohët biblike, në një festë të përvitshme, të quajtur Dita e Shlyerjes, një prift i lartë (ose kryeprift) hynte në vendin më të shenjtë (ose në Shenjtëroren e Shenjtëroreve) në tempullin e Jerusalemit dhe flijonte një dhi ose një qengj për të shlyer për mëkatet e Izraelit. Pali shpjegoi se Jezu Krishti është një kryeprift i cili ofron një flijim të vetëm – vetë jetën e Tij – që të shlyejë për mëkatet e botës (shih Hebrenjve 9:24–10:14).

Mendoni për ordinancat në të cilat merrni pjesë sot. Si ju çojnë këto ordinanca drejt Jezu Krishtit?

 

Hebrenjve 11

Besimi kërkon mirëbesim te premtimet e Perëndisë.

Nëse dikush ju kërkon që ta përcaktoni besimin, çfarë do të thoshit? Motra En C. Pingri, ish‑anëtare e Presidencës së Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, u mbështet te fjalët nga Hebrenjve 11 për të dhënë këtë përkufizim: “Besimi, aftësia shpirtërore që të bindemi ndaj premtimeve që shihen ‘që nga larg’, por të cilat mund të mos merren në këtë jetë, është një përmasë e sigurt e atyre që besojnë me të vërtetë” (“Seeing the Promises Afar Off”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 14).

Merreni parasysh të zhvilloni vetë përkufizimin tuaj për besimin teksa përsiatni idetë te Hebrenjve 11. Çfarë ju mësojnë rreth besimit shembujt e njerëzve të përmendur në këtë kapitull? (Shih edhe Ethëri 12:6–22.)

Shih edhe Alma 32:21, 26–43; Jeffrey R. Holland, “An High Priest of Good Things to Come”, Ensign, nëntor 1999, f. 36–38.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Hebrenjve 10:32–36

Ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të tregojnë përvoja kur ata u ndien të “ndriçua[r]” me të vërtetën. Si mund të na ndihmojnë këto përvoja që të “mos e [hedhim] tej guximin [tonë]” në kohë vështirësie apo dyshimi?

Hebrenjve 11

Si mund t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes suaj që të mësojnë nga shembujt e besimit të përmendur te Hebrenjve 11? Mund të jetë argëtuese t’i luani me role historitë e disa prej këtyre shembujve. Ose ndoshta familja juaj mund të diskutojë shembujt e njerëzve të tjerë besimtarë që i njihni – përfshirë paraardhës, udhëheqës të Kishës dhe anëtarë të komunitetit tuaj.

Hebrenjve 12:2

Sipas këtij vargu, përse Jezusi ishte i gatshëm t’i duronte dhembjen dhe vuajtjen në kryq? Çfarë na mëson kjo rreth mënyrës se si mund t’i durojmë sprovat tona? Presidenti Rasëll M. Nelson dha disa ide ndihmuese për këtë varg në mesazhin e tij “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore” (Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 81–84).

Hebrenjve 12:5–11

Përse Zoti na qorton dhe korrigjon? Çfarë vënë re pjesëtarët e familjes rreth mënyrës se si Zoti e sheh qortimin, ndërkohë që i studioni së bashku këto vargje? Si ndikojnë këto vargje në mënyrën se si e jepni apo e pranoni qortimin?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni muzikë që ta ftoni Shpirtin dhe të mësoni doktrinën. Presidenca e Parë tha: “Muzika ka fuqi të pafundme për nxitjen [tonë] drejt shpirtshmërisë … më të madh[e] ndaj ungjillit” (“Hyrje nga Presidenca e Parë”, Himne, f. x). Ndoshta një këngë rreth besimit, e tillë si “T’Vërtet’ Ndaj Besimit” (Himne, nr. 162), do ta zgjeronte një diskutim familjar prej Hebrenjve 11.

model i Jerusalemit të lashtë

Simbolet e tempullit të lashtë dhe ordinancat e tij jepnin mësim për rolin e Jezu Krishtit.