Eja, Më Ndiq
25 Nëntor – 1 Dhjetor. 1 dhe 2 Pjetër: ‘Ngazëllohuni nga një Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme’


“25 Nëntor – 1 Dhjetor. 1 dhe 2 Pjetër: ‘Ngazëllohuni nga një Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“25 Nëntor – 1 Dhjetor. 1 dhe 2 Pjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Jezu Krishti duke predikuar ungjillin në botën e shpirtrave

Krishti duke Predikuar në Botën e Shpirtrave, nga Robert T. Barrett

25 Nëntor – 1 Dhjetor

1 dhe 2 Pjetër

“Ngazëllohuni nga një Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme”

Teksa lexoni Letrën e Pjetrit, ju mund të merrni nxitje për të vepruar. Shënojini këto nxitje ndërkohë që jeni “ende në Shpirt” (DeB 76:80), me qëllim që të mund ta kuptoni me saktësi atë që po u mësohet.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pak kohë pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari bëri një profeci që duhet ta ketë shqetësuar Pjetrin. Ai tha se, kur Pjetri të ishte i moshuar, atë do ta çonin “atje ku [ai] nuk do të do[nte] … , për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë” (Gjoni 21:18–19). Kur Pjetri e shkroi letrën e tij, ai e dinte se ky martirizim i profetizuar ishte pranë: “Së shpejti më duhet ta lë këtë tendën time, sikurse ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht” (2 Pjetër 1:14). Për fat të keq, përndjekje e tillë e rëndë ishte e zakonshme për shenjtorët në provincat romake, të cilëve po u shkruante Pjetri (shih 1 Pjetër 1:1). Dhe prapëseprapë fjalët e tij nuk ishin të mbushura me frikë ose pesimizëm. Në vend të kësaj, ai u dha mësim shenjtorëve që të “gëzoh[eshin]”, edhe pse ishin “të trisht[uar] nga prova të ndryshme”. Ai i këshilloi ta mbanin mend se “prova e besimit [të tyre]” do të çonte në “lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit” dhe në “shpëtimin e shpirtrave [të tyre]” (1 Pjetër 1:6–7, 9). Besimi i Pjetrit duhet të ketë qenë ngushëllues për ata shenjtorë të hershëm, sikurse është nxitës për shenjtorët sot, të cilët gjithashtu janë “pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzohe[mi] dhe të ngazëllohe[mi]” (1 Pjetër 4:13).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Pjetër 1:3–9; 2:19–24; 3:14–17; 4:12–19

Unë mund të gjej gëzim gjatë kohëve të sprovës dhe vuajtes.

Fillimisht mund të duket e çuditshme që Pjetri përdori fjalë si gëzohuni, gëzoheni, lavdisë dhe ngazëlloheni në lidhje me fjalë që zakonisht shoqërohen me vështirësinë: trishtoheni, prova, shtrëngime, provën e zjarrtë dhe mundimeve (shih 1 Pjetër 1:6; 2:19; 4:12–13). Mesazhi i Pjetrit për shenjtorët e hershëm ishte i njëjti mesazh i dhënë mësim nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Shenjtorët mund të jenë të lumtur në çdo rrethanë. … Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit” (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 82).

Teksa lexoni 1 Pjetër 1:3–9; 2:19–24; 3:14–17; 4:12–19, çfarë ju jep shpresë se mund të gjeni gëzim edhe në mes të rrethanave të vështira?

1 Pjetër 3:18–20; 4:1–6

Ungjilli u predikohet të vdekurve që ata të mund të gjykohen me drejtësi.

Një ditë, çdo njeri do të qëndrojë te shufra e gjykimit dhe do të “jap[ë] llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur” (1 Pjetër 4:5). Disa njerëz mund të pyetin me vete se si Perëndia mund t’i gjykojë të gjithë njerëzit me drejtësi kur mundësitë e tyre për ta kuptuar e jetuar ungjillin janë kaq të ndryshme. Vini re doktrinën që Pjetri e dha mësim te 1 Pjetër 3:18–20; 4:6 për t’i ndihmuar shenjtorët në kohën e tij që ta kuptonin se gjykimet e Perëndisë do të jenë të drejta. Si e forcojnë këto vargje besimin tuaj te drejtësia dhe paanësia e Perëndisë?

Që ta studioni më tej këtë doktrinë, shqyrtoni Doktrinën e Besëlidhjet 138, një zbulesë që e mori Presidenti Jozef F. Smith ndërkohë që përsiaste këto shkrime të Pjetrit. Çfarë bekimesh ju vijnë atyre që i vënë ordinancat e ungjillit në dispozicion të pjesëtarëve të familjeve të tyre, të cilët kanë vdekur dhe ende po presin për ato ordinanca?

 

2 Pjetër 1:1–11

Nëpërmjet fuqisë së Jezu Krishtit unë mund ta zhvilloj natyrën time hyjnore.

A e ndieni ndonjëherë që bërja si Jezu Krishti dhe zhvillimi i cilësive të Tij nuk janë të mundura? Plaku Robert D. Hejls ofroi këtë mendim nxitës rreth mënyrës se si mund të zhvillojmë cilësi si të Krishtit: “Cilësitë e Shpëtimtarit … janë … të ndërthurura, që i shtohen njëra-tjetrës, të cilat zhvillohen brenda nesh në mënyra ndërvepruese. Me fjalë të tjera, ne nuk mund ta marrim një karakteristikë si të Krishtit pa i fituar e pa ndikuar edhe tek të tjerat. Teksa një karakteristikë bëhet e fortë, kështu bëhen edhe shumë të tjera” (“Të Bërit një Dishepull i Zotit Tonë Jezu Krisht”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 46).

tapiceri me thurje të ndërlikuar

Çdo cilësi si e Krishtit që e zhvillojmë, na ndihmon të thurim një tapiceri shpirtërore të dishepullimit.

Merreni parasysh të lexoni 2 Pjetër 1:1–11 në lidhje me mesazhin e Plakut Hejls. Çfarë mësoni nga këta Apostuj që ju ndihmon në përpjekjet tuaja për t’u bërë më shumë si Krishti?

Shih edhe 1 Pjetër 4:8; Dejvid A. Bednar, “Premtimet e Çmueshme dhe Shumë të Mëdha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 90–93.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

1 Pjetër 2:5–10

Teksa i lexoni këto vargje me familjen tuaj, merreni parasysh të përdorni gurë që t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes të përfytyrojnë mësimet e Pjetrit që Shpëtimtari është “gur[i ynë kryesor i qoshes]”. Si jemi të ngjashëm me “gurë[t e] gjallë” që Perëndia po i përdor për ta ndërtuar mbretërinë e Tij? Çfarë mësojmë nga Pjetri rreth Shpëtimtarit dhe rolit tonë në mbretërinë e Tij? Cili ishte mesazhi i Pjetrit për familjen tuaj?

1 Pjetër 3:8–17

Si mund të jemi “gjithnjë gati për t’u përgjigjur” atyre që na pyesin rreth besimit tonë? Familja juaj mund të kënaqet me situata interpretimi me role në të cilat dikush iu afrohet atyre me një pyetje rreth ungjillit.

1 Pjetër 3:18–20; 4:6

Çfarë mund të bëni si familje për të mësuar rreth paraardhësve tuaj të vdekur? Ndoshta në ditëlindjen e një paraardhësi të vdekur ju mund të gatuani një vakt ushqimor të parapëlqyer nga paraardhësi, të paraqitni fotografi ose të tregoni histori nga jeta e paraardhësit tuaj. Nëse është e mundur, ju mund të planifikoni gjithashtu që të merrni ordinanca për këtë paraardhës në tempull.

2 Pjetër 1:16–21

Në këto vargje Pjetri i kujtoi shenjtorët për përvojën e tij në Malin e Shpërfytyrimit (shih edhe Mateu 17:1–9). Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth mësimeve të profetëve? (Shih edhe DeB 1:38.) Çfarë na jep vetëbesim për ta ndjekur profetin tonë të gjallë sot?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

“Jini gjithnjë gati.” Çastet joformale të mësimdhënies në shtëpi mund të vijnë e të shkojnë shpejt, prandaj është e rëndësishme të përfitoni prej tyre kur ato shfaqen. Si mund të përpiqeni të “jini gjithnjë gati” për t’ua dhënë mësim pjesëtarëve të familjes suaj të vërtetat e ungjillit dhe për t’u treguar për “shpresën që është në ju” (1 Pjetër 3:15) kur shfaqen çaste mësimdhënieje? (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 16.)

Pjetri duke i predikuar një grupi njerëzish

Edhe pse Pjetri u përball me shumë përndjekje dhe kundërshtim, ai qëndroi i palëkundur në dëshminë e tij për Krishtin.