Eja, Më Ndiq
9–15 Dhjetor. Zbulesa 1–11: ‘Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve’


“9–15 Dhjetor. Zbulesa 1–11: ‘Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“9–15 Dhjetor. Zbulesa 1–11”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Krishti duke vëzhguar një tufë delesh

Bariu i Mirë, nga Del Parson

9–15 Dhjetor

Zbulesa 1–11

“Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve”

Merreni parasysh të shkruani pyetje që i keni rreth asaj që lexoni te Zbulesa. Më pas mund të bëni kërkime për përgjigje ndaj pyetjeve tuaja ose t’i diskutoni ato me një pjesëtar të familjes ose në orët mësimore të Kishës.

Shënojini Mbresat Tuaja

A keni pasur vështirësi t’ua shprehnit të tjerëve atë që ndiet gjatë një përvoje të fuqishme shpirtërore? Gjuha e përditshme mund të ndihet e papërshtatshme për të përshkruar ndjenja dhe mbresa shpirtërore. Ndoshta kjo është arsyeja përse Gjoni përdori simbolikë dhe figura kaq të pasura për ta përshkruar zbulesën e tij madhështore. Ai thjesht mund të kishte thënë se e pa Jezu Krishtin, por që të na ndihmonte ta kuptonim përvojën e vet, ai e përshkroi Shpëtimtarin duke përdorur fjalë si këto: “Sytë e tij [i] ngjanin një flake zjarri”, “nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe” dhe “fytyra e tij [ishte] si dielli që ndrin me forcën e tij” (Zbulesa 1:14–16). Teksa lexoni librin e Zbulesës, përpiquni të zbuloni mesazhet që Gjoni dëshironte t’i mësonit e t’i ndienit, edhe nëse nuk e kuptoni domethënien pas çdo simboli. Përse mund t’i ketë krahasuar ai bashkësitë e Kishës me shandanët, Satanin me një dragua dhe Jezu Krishtin me një qengj? Në fund të fundit, juve nuk ju duhet ta kuptoni çdo simbol te Zbulesa që të kuptoni temat e rëndësishme të saj, përfshirë temën e saj më të spikatur: Jezu Krishti dhe pasuesit e Tij do të triumfojnë mbi mbretëritë e njerëzve dhe të Satanit.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Zbulesa

Si mund ta kuptoj librin e Zbulesës?

Libri i Zbulesës mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar, por mos e humbni kurajën. Premtimi i Gjonit mund t’ju frymëzojë që të vazhdoni të përpiqeni: “Bekuar janë ata që lexojnë dhe ata që dëgjojnë e kuptojnë fjalët e kësaj profecie, dhe që zbatojnë ato gjëra që shkruhen në të, pasi koha e ardhjes së Zotit po afrohet” (Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zbulesa 1:3 [në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta], theksimi i shtuar).

Pyetjet dhe burimet vijuese mund t’ju japin ide ndërkohë që studioni Zbulesën:

  • Kush ishte Gjoni? (Shih 1 Nefi 14:18–27; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjon, Bir i Zebedeut”.)

  • Si u organizua libri dhe cilat janë disa nga temat që duhen kërkuar? (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Zbulesë e Gjonit”.)

  • Çfarë përfaqësojnë simbolet në librin e Zbulesës? (Shih Doktrina e Besëlidhje 77; New Testament Student Manual [Manuali i Studentit për Dhiatën e Re] [Church Educational System manual, 2014], f. 525–568.)

Mund të jetë e dobishme gjithashtu që të kërkoni ide te Përkthimi prej Joseph Smith‑it i fragmenteve të ndryshme të Zbulesës. (Shih poshtëshënimet në Biblën në anglisht dhe Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.)

Zbulesa

Vegimi i Gjonit na mëson se si Ati Qiellor i shpëton fëmijët e Tij.

Teksa filloni studimin e librit të Zbulesës, mendoni se si gjërat që i lexoni lidhen me atë që dini rreth planit të Atit Qiellor për shëlbimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të Tij. Mund ta filloni duke rishikuar përmbledhjen e planit të shpëtimit te Predikoni Ungjillin Tim (faqet 47–59). Më pas, teksa lexoni rrëfimin e Gjonit për vegimin e tij, bëjini vetes pyetje si këto: Çfarë të vërtetash mësoj nga Zbulesa rreth asaj që Ati Qiellor ka bërë për të më ndihmuar që të kthehem tek Ai? Si mund të më ndihmojë kjo që ta kuptoj planin e Perëndisë për mua?

Mund t’ju ndihmojë të dini se në përgjithësi:

Zbulesa 2–3

Jezu Krishti më njeh personalisht dhe do të më ndihmojë t’i kapërcej sfidat e mia.

Fjalët e Shpëtimtarit te Zbulesa 2–3 zbulojnë që Ai i kupton sukseset dhe vështirësitë e pashoqe të secilës degë të Kishës në kohën e Gjonit. Ai i siguroi shenjtorët në disa bashkësi që Ai ishte i vetëdijshëm, mes gjërave të tjera, për “veprat”, “shtrëngimin”, “varfërinë” dhe “dashurinë” e tyre (Zbulesa 2:2, 9, 19) – së bashku me disa mënyra se si ata mund të përmirësoheshin.

Këta kapituj mund t’ju kujtojnë se Shpëtimtari i kupton anët e forta dhe dobësitë tuaja dhe dëshiron t’ju ndihmojë që t’i mposhtni sfidat tuaja tokësore. Çfarë u premton Zoti atyre që i mposhtin ato? Çfarë ndryshimesh ndiheni të nxitur të bëni për t’i mposhtur sfidat tuaja?

Zbulesa 5

Vetëm Jezu Krishti mund ta bënte të mundur planin e Atit Qiellor.

Edhe pse nuk e mbani mend atë, ka të ngjarë që ishit të pranishëm në ngjarjet që Gjoni i përshkroi te Zbulesa 5. Teksa lexoni për këto ngjarje, merreni parasysh se si do të ketë qenë kur ne të gjithë e kuptuam se Jezu Krishti (“Qengji”) do ta bënte të mundur planin e Atit Qiellor (do ta hapte librin dhe do t’i zgjidhte të shtatë vulat). Përse vetëm Jezu Krishti mund ta bënte këtë gjë? Si mund ta tregoni besimin tuaj tek Ai si Shpëtimtari juaj?

Shih edhe Jobit 38:4–7.

Zbulesa 6–11

Rivendosja e parapriu shkatërrimin që do të ndodhë përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.

Zbulesa 6–11 përshkruan ngjarje që do të ndodhin gjatë ekzistencës së përkohshme të tokës (shih DeB 77:6), përfshirë Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme (shih Zbulesa 7). Teksa lexoni rreth ngjarjeve që profetizoi Gjoni dhe shihni disa prej tyre të shpalosen, çfarë frymëzoheni të bëni që ta përgatitni më mirë veten tuaj dhe familjen tuaj për Ardhjen e Dytë?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Zbulesa 2–3

Bëni sikur Gjonit iu kërkua t’i jepte një mesazh familjes suaj, si ato që ua dha kishave gjatë kohës së vet. Çfarë do të thoshte ai se po shkon mirë? Si mund të përmirësoheni?

Zbulesa 3:20

Paraqitni figurën e Shpëtimtarit duke trokitur në derë (shih figurën që e shoqëron këtë përvijim). Ftojeni familjen ta lexojë Zbulesën 3:20 dhe diskutoni pyetje si ato vijueset: Përse Jezusi troket në vend që thjesht të hyjë brenda? Si mund ta ftojmë ndikimin e Tij në shtëpinë tonë?

Zbulesa 7:9, 13–14

Çfarë na mësojnë këto vargje rreth arsyes përse veshim rroba të bardha për ordinancat e tempullit?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxitni pyetje. Pyetjet janë tregues që pjesëtarët e familjes janë gati të mësojnë, dhe japin ide se si ata po i përgjigjen asaj që po u mësohet. Mësojani familjes suaj se si të gjejë përgjigje në shkrimet e shenjta. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25–26)

Krishti duke trokitur në derë

Lëreni të Hyjë, nga Greg K. Olsen