“16–22 Dhjetor. Krishtlindja: ‘Ju Lajmëroj Një Gëzim të Madh’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“16–22 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
16–22 Dhjetor
Krishtlindja
“Ju Lajmëroj Një Gëzim të Madh”
Për disa njerëz Krishtlindja mund të jetë një kohë plot tension. Merreni parasysh se si studimi juaj i Dhiatës së Re mund të ndihmojë që të sjellë një frymë paqeje dhe shenjtërie në jetën tuaj. Përsiateni ndikimin e lindjes dhe misionit të Shpëtimtarit në jetën tuaj dhe shënoni ndonjë mbresë shpirtërore që ju vjen.
Shënojini Mbresat Tuaja
Përse sjell gëzim kaq të madh lindja e një foshnje? Ndoshta ngaqë një foshnjë e vogël mund të jetë një simbol shprese. Ka diçka rreth një jete të sapofilluar, të mbushur me mundësi, që na fton të përsiatim se çfarë mund të përmbajë jeta për atë fëmijë dhe çfarë gjërash të mrekullueshme do të realizojë ai ose ajo. Kurrë nuk ka qenë kjo më e vërtetë sesa në lindjen e Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. Kurrë nuk ka pasur më shumë shpresë të vendosur tek një fëmijë dhe kurrë nuk ka pasur një fëmijë të lindur me kaq shumë premtim.
Kur një engjëll i ftoi barinjtë ta kërkonin një fëmijë të sapolindur në një grazhd, ai gjithashtu u dha atyre mesazh rreth atij fëmije. Ishte një mesazh shprese – që kjo foshnjë kishte ardhur në tokë për të përmbushur një mision të shenjtë. Barinjtë e “përhapën” mesazhin e tyre “dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë. [Por] Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj” (Lluka 2:17–19). Ndoshta do të ishte e mirë ta ndiqnit shembullin e Maries këtë Krishtlindje: të përsiatni (meditoni) në zemrën tuaj gjërat që i keni mësuar rreth Shpëtimtarit gjatë këtij viti. Si e përmbushi Ai misionin e Tij të shëlbimit në tregimet që keni lexuar? Dhe më e rëndësishme, si e ka ndryshuar misioni i Tij jetën tuaj?
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Mateu 1:18–25; 2:1–12; Lluka 1:26–38; 2:1–20
Jezu Krishti denjoi të lindej mes nesh në tokë.
Edhe nëse e keni lexuar apo dëgjuar historinë e lindjes së Jezu Krishtit shumë herë më parë, studiojeni këtë herë me këtë mendim në mendje: “Krishtlindja nuk është vetëm një kremtim i mënyrës se si Jezusi erdhi në botë, por edhe i njohjes se kush është Ai – Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti – dhe i arsyes përse erdhi Ai” (Craig C. Christensen, “The Fulness of the Story of Christmas” [takim shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 4 dhjetor 2016], broadcasts.lds.org).
Çfarë dini mbi atë se kush ishte Jezu Krishti përpara se Ai të lindej? (Shih, për shembull, Gjoni 17:5; Mosia 3:5; DeB 76:13–14, 20–24; Moisiu 4:2). Si mund të ndikojë kjo njohuri mbi mënyrën se si ndiheni kur lexoni për lindjen e Tij?
Çfarë dini rreth arsyes përse Jezu Krishti erdhi në tokë? (Shih, për shembull, Lluka 4:16–21; Gjoni 3:16–17; 3 Nefi 27:13–16; DeB 20:20–28). Si mund të ndikojë kjo njohuri te mënyra se si ndiheni rreth Shpëtimtarit? Si ndikon mbi mënyrën se si jetoni?
Shih edhe 2 Korintasve 8:9; Hebrenjve 2:7–18; 1 Nefi 11:13–33; Alma 7:10–13; “The Nativity” [“Lindja e Krishtit”] (material filmik, LDS.org).
1 Korintasve 15:21–26; Kolosianëve 1:12–22; 1 Pjetër 2:21–25
Jezu Krishti e përmbushi misionin e Tij dhe bëri të mundur për mua që të trashëgoj jetë të përjetshme.
Edhe pse historia e lindjes së Krishtit u rrethua nga ngjarje të mrekullueshme, e Tija do të kishte qenë thjesht një tjetër lindje po të mos ishte vepra e madhërishme që Ai realizoi më vonë në jetën e Tij. Siç tha Presidenti Gordon B. Hinkli: “Foshnja Jezus nga Bethlehemi do të ishte veçse një foshnjë tjetër pa Krishtin shëlbues të Gjetsemanit e Kalvarit dhe faktin ngadhënjimtar të Ringjalljes” (“The Wondrous and True Story of Christmas”, Ensign, dhjetor 2000, f. 5).
Prova e misionit hyjnor të Shpëtimtarit dhe dashurisë së Tij të fuqishme për të tjerët gjendet nëpër të gjithë Dhiatën e Re. Çfarë fragmente ose rrëfime ju vijnë në mendje? Ju mund ta ktheni vështrimin pas nëpër këtë burim ose ditarin tuaj të studimit dhe të rishikoni disa prej mbresave që shënuat. Ju gjithashtu mund të lexoni 1 Korintasve 15:21–26; Kolosianëve 1:12–22; 1 Pjetër 2:21–25 dhe të përsiatni se si Shpëtimtari dhe vepra e Tij jua kanë bekuar jetën. Çfarë do të ndiheni të frymëzuar të ndryshoni në jetën tuaj? Si mund të merrni prej fuqisë së Shpëtimtarit?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Si mund ta festoni lindjen e Jezu Krishtit me familjen tuaj? Këtu janë disa ide ose ju vetë mund të krijoni tuajat:
-
Lexoni ose interpretoni me role së bashku pjesë të historisë së Lindjes së Krishtit.
-
Shihni materialin filmik “The Nativity” [“Lindja e Krishtit”] (LDS.org).
-
.
-
Shihni një takim shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë (broadcasts.lds.org;).
-
Këndoni himne të Krishtlindjes ose zgjidhni fqinjë ose miq për t’i vizituar dhe për t’u kënduar atyre (Himne, nr. 120–132).
-
Kryeni një veprim shërbimi.
-
Kërkojuni pjesëtarëve të familjes të kërkojnë hollësi në historinë e Lindjes së Krishtit, të cilat u japin ide për ornamente ose zbukurime që mund t’i bëjnë për t’u kujtuar atyre Jezu Krishtin.
1 Korintasve 15:21–26; Kolosianëve 1:12–22; 1 Pjetër 2:21–25
Përse jeni mirënjohës që Jezu Krishti u lind? Çfarë dhuratash na ka dhënë Ai? Si mund t’ia tregojmë Atij mirënjohjen tonë?
“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”
Nëse dëshironi ta ndihmoni familjen tuaj që të përqendrohet te Shpëtimtari gjatë kohës së Krishtlindjes, ndoshta mund të harxhoni ca kohë duke lexuar e studiuar së bashku deklaratën “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (Ensign ose Liahona, maj 2017, brenda kapakut të përparmë). Ndoshta ju mund të mësoni përmendsh fragmente të deklaratës “Krishti i Gjallë” ose të kërkoni përshkrime të jetës së Shpëtimtarit në Dhiatën e Re që i përkrahin thëniet në të. Ju gjithashtu mund ta ftoni secilin pjesëtar të familjes për ta shkruar dëshminë e vet për Jezu Krishtin dhe, nëse nxitet ashtu, t’ia lexojë atë familjes.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.