Dhiata e Re 2023
8–14 Maj. Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18: “Çfarë më Mungon Tjetër?”


“8–14 Maj. Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18: ‘Çfarë më Mungon Tjetër?’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“8–14 Maj. Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

punëtorë në vresht

8–14 Maj

Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18

“Çfarë më Mungon Tjetër?”

Lexojini dhe përsiatini kapitujt te Mateu 19–20; Marku 10 dhe Lluka 18, duke u kushtuar vëmendje nxitjeve që merrni. Mbajini shënim ato nxitje dhe përcaktoni se si do të veproni sipas tyre.

Shënojini Mbresat Tuaja

Po të kishit mundësi t’i bënit një pyetje Shpëtimtarit, cila do të ishte ajo? Kur një i ri pasanik u takua me Shpëtimtarin për herë të parë, ai e pyeti: “Çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?” (Mateu 19:16.) Përgjigjja e Shpëtimtarit tregoi si vlerësimin për gjërat e mira që i kishte bërë tashmë i riu, ashtu edhe nxitje plot dashuri për të bërë më shumë. Kur e përsiatim mundësinë e jetës së përjetshme, ne mund ta pyesim veten në mënyrë të ngjashme nëse ka diçka më shumë që duhet ta bëjmë. Kur pyesim, sipas vetë mënyrës sonë: “Çfarë më mungon tjetër?” (Mateu 19:20), Zoti mund të na japë përgjigje që janë po aq vetjake sa përgjigjja e Tij ndaj të riut pasanik. Çfarëdo gjëje që Zoti na kërkon të bëjmë, duke vepruar sipas përgjigjes së Tij, gjithmonë do të kërkojë që ne të mirëbesojmë tek Ai më shumë sesa te vetë drejtësia jonë (shih Lluka 18:9–14) dhe që ne ta “prano[jmë] mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël” (Lluka 18:17; shih edhe 3 Nefi 9:22).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 19:3–9; Marku 10:2–12

Martesa midis një burri dhe një gruaje është shuguruar nga Perëndia.

Ky shkëmbim midis Shpëtimtarit dhe farisenjve është njëri nga disa raste të shënuara në të cilat Shpëtimtari dha mësim posaçërisht rreth martesës. Pas leximit të vargjeve te Mateu 19:3–9 dhe Marku 10:2–12, bëni një listë të disa pohimeve që e ndieni se përmbledhin pikëpamjet e Zotit mbi martesën. Më pas studioni disa nga burimet që gjenden te “Marriage” [“Martesa”] (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org) dhe shtojini më shumë thënie listës suaj. Si ndikon njohuria juaj për planin e Atit për shpëtimin te mënyra se si mendoni dhe ndiheni rreth martesës?

Mateu 19:3–9; Marku 10:2–12

A dha mësim Jezusi se divorci nuk është kurrë i pranueshëm apo që njerëzit e shkurorëzuar nuk duhet të martohen sërish?

Në një fjalim lidhur me shkurorëzimin, Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim se Ati Qiellor synon që marrëdhënia martesore të jetë e përjetshme. Megjithatë, Perëndia gjithashtu e kupton se shkurorëzimi është ndonjëherë i domosdoshëm. Presidenti Ouks shpjegoi se Zoti “i lejon personat [e shkurorëzuar] që të martohen përsëri pa njollën e imoralitetit të specifikuar në ligjin më të lartë. Përveç nëse një [anëtar/e i/e shkurorëzuar] ka kryer shkelje të rënda, ai ose ajo mund të [ketë të drejtën] për një rekomandim tempulli [sipas] të njëjtave standarde të denjësisë që gjejnë zbatim për anëtarët e tjerë” (“Divorci”, Konfernca e Përgjithshme, prill 2007, f. 83).

Mateu 19:16–22; Marku 10:17–22; Lluka 18:18–23

Nëse i kërkoj Zotit, Ai do të më mësojë atë që kam nevojë të bëj për të trashëguar jetë të përjetshme.

Rrëfimi i të riut pasanik mund ta bëjë të shqetësohet edhe dishepullin që ka qenë besnik gjatë gjithë jetës. Ndërsa lexoni te Marku 10:17–22, çfarë prove gjeni të besnikërisë dhe sinqeritetit të të riut? Si u ndie Zoti ndaj këtij të riu?

Ky rrëfim mund t’ju nxitë të bëni pyetjen: “Çfarë më mungon tjetër?” (Mateu 19:20.) Si na ndihmon Zoti që të shlyejmë për atë që na mungon? (Shih Ethëri 12:27.) Çfarë mund të bëjmë për t’u përgatitur për ta pranuar korrigjimin dhe ndihmën e Tij ndërsa përpiqemi të përmirësohemi?

Shih edhe Leri R. Lorenc, “Çfarë më Mungon Tjetër?”, Liahona, nëntor 2015, f. 33–35; S. Mark Palmer, “Atëherë Jezusi e Vështroi në Fytyrë, Ndjeu Dashuri për Të”, Liahona, maj 2017, f. 114–116.

Mateu 20:1–16

Çdo njeri mund ta marrë bekimin e jetës së përjetshme, pavarësisht se kur e pranon ungjillin.

A shihni te vetja juaj ndonjë lidhje me përvojën e ndonjërit prej punëtorëve në vresht? Çfarë mësimesh gjeni për veten tuaj në këtë fragment? Mesazhi i Plakut Xhefri R. Holland “Punëtorët në Vresht” (Liahona, maj 2012, f. 31–33) mund t’ju ndihmojë të shihni mënyra të reja për ta vënë në zbatim këtë shëmbëlltyrë. Çfarë nxitjesh shtesë ju jep Shpirti?

i përuluri dhe fariseu

The Repentant Publican and the Self-Righteous Pharisee in the Temple [Tagrambledhësi i Penduar dhe Fariseu i Vetëshpallur i Drejtë në Tempull], nga Frank Adams

Lluka 18:9–14

Unë duhet t’i mirëbesoj mëshirës së Perëndisë, jo drejtësisë sime vetjake.

Si do t’i përmblidhnit ndryshimet midis dy lutjeve në këtë shëmbëlltyrë? Përsiatni se çfarë ndieni se duhet të bëni për të qenë më shumë si tagrambledhësi në këtë histori dhe më pak si fariseu.

Shih edhe Filipianëve 4:11–13; Alma 31:12–23; 32:12–16.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Marku 10:13–16; Lluka 18:15–17.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes ta përsiatin rrëfimin në këto vargje, ju mund të këndoni së bashku një këngë që lidhet me to, të tilla si “Mendoj Kur Lexoj për At’ Ngjarje” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 35). Si mund të kishte qenë të ishe mes fëmijëve që bekoi Jezusi? Çfarë mund të nënkuptojë të “prano[sh] mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël”? (Marku 10:15.)

Marku 10:23–27.Cili është ndryshimi midis të pasurit e pasurisë dhe mbështetjes te pasuria? (Shih Marku 10:23–24.) Ndërsa lexoni vargun 27, ju mund të doni të vini në dukje Përkthimin prej Joseph Smith-it: “Me njerëz që mbështeten te pasuria, është e pamundur; por jo e pamundur me njerëz që mbështeten te Perëndia dhe i lënë të gjitha për hirin tim, sepse me të tillë të gjitha këto gjëra janë të mundshme” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 10:26 [te Mark 10:27, poshtëshënimi a te Bibla në anglisht]). Si familje, si po e tregojmë se mbështetemi te Perëndia më shumë sesa te gjërat materiale?

Mateu 20:1–16.Për t’i ilustruar parimet te Mateu 20:1–16, ju mund të krijoni një konkurrim të thjeshtë, të tillë si një garë të shkurtër vrapimi. Pasi çdo njeri ta ketë përfunduar konkurrimin, jepini kujtdo të njëjtin çmim, duke filluar nga personi i cili mbaroi i fundit, dhe duke përfunduar te personi që mbaroi i pari. Çfarë na mëson kjo rreth asaj se kush i merr bekimet e jetës së përjetshme në planin e Atit Qiellor?

Mateu 20:25–28; Marku 10:42–45.Cili është kuptimi i frazës “kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj”? (Mateu 20:27.) Si e mishëroi Jezu Krishti këtë parim? Si mund ta ndjekim shembullin e Tij në familjen tonë, në lagjen apo degën tonë dhe në mëhallën tonë?

Lluka 18:1–14.Çfarë mësojmë rreth lutjes prej dy shëmbëlltyrave në këto vargje?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “F’mij’ të Dashur, Pran’ Ësht’ Zoti”, Himne, nr. 49.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Gjeni një kohë që ju përshtatet. Është shpesh më e lehtë të mësoni kur mund t’i studioni shkrimet e shenjta pa u ndërprerë. Gjeni një orë që ju përshtatet dhe bëni më të mirën që të studioni vazhdimisht në atë orë çdo ditë.

Krishti dhe i riu pasanik

Christ and the Rich Young Ruler [Krishti dhe i Riu Pasanik], nga Heinrich Hofmann