Dhiata e Re 2023
8–14 Maj. Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18: “Çfarë më Mungon Tjetër?”


“8–14 Maj. Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18: ‘Çfarë më Mungon Tjetër?’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“8–14 Maj. Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
punëtorë në vresht

8–14 Maj

Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18

“Çfarë më Mungon Tjetër?”

Lexoni te Mateu 19–20; Marku 10 dhe Lluka 18, duke mbajtur në mendje fëmijët të cilëve u jepni mësim. Mbajeni shënim ndonjë nxitje që merrni. Përgatitja juaj do t’ju ndihmojë t’u mësoni fëmijëve atë që kanë nevojë ta dinë nga këta kapituj.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë çfarëdo gjëje që mbajnë mend nga mësimi i javës së kaluar. Tregoni figura për t’i ndihmuar që të kujtohen.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Marku 10:6–8

Ati Qiellor dëshiron që ne të martohemi në tempull dhe të kemi familje të përjetshme.

Si mund të përfitojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim, prej të mësuarit rreth doktrinës së martesës së përjetshme? Mund të jetë e dobishme që ju të rishikoni të vërtetat rreth martesës te dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org).

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve vargjet te Marku 10:6–8 dhe paraqitni një figurë të një çifti të martuar. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë me gisht drejt burrit dhe gruas kur ju dëgjojnë të lexoni fjalët mashkull dhe femër. Shpjegoni se Ati Qiellor dëshiron që një burrë dhe një grua të martohen me njëri-tjetrin (shih Zanafilla 1:27–28).

  • Paraqitni figurën e një familjeje dhe të një tempulli. Ftojini fëmijët të flasin rreth asaj që shohin te figurat. Shpjegoni se Ati Qiellor dëshiron që ne të vulosemi me familjet tona në tempull që të mund të jemi me ta përgjithmonë. Jini të ndjeshëm ndaj fëmijëve prindërit e të cilëve ende nuk janë vulosur.

  • Këndoni një këngë rreth familjeve, të tillë si “Familje e Lumtur” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 104). Merreni parasysh ta këndoni këngën disa herë. Ftojini fëmijët të tregojnë gjëra argëtuese që i kanë bërë me familjet e tyre. Përse janë ata mirënjohës për familjet e tyre?

  • Këndoni një këngë rreth tempullit, të tillë si “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” ose “Familjet Mund t’Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99, 98). Lërini fëmijët të mbajnë figura të tempujve ose familjeve dhe ftojini që t’i ngrenë lart figurat e tyre kur këndojnë fjalët “tempull” ose “familje”. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për arsyet përse është e rëndësishme që të martohemi në tempull.

Pamja
Jezusi me fëmijët dhe prindërit

Jezusi i do fëmijët, sepse “e tyre është mbretëria e Perëndisë” (Marku 10:14).

Marku 10:13–16

Jezusi dëshiron që fëmijët e vegjël të vijnë tek Ai, që të mund t’i bekojë ata.

Ky rrëfim jep një mundësi për t’i ndihmuar fëmijët që të ndiejnë sesa shumë i do ata Jezusi.

Veprimtari të Mundshme

  • Me vetë fjalët tuaja, tregoni rrëfimin te Marku 10:13–16. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “Suffer the Little Children to Come unto Me” [“I Lini Fëmijët e Vegjël të Vijnë tek Unë”] (ChurchofJesusChrist.org). Ndihmojini fëmijët të mendojnë për raste kur e kanë ndier dashurinë e Jezusit për ta. Jepuni fëmijëve dëshminë tuaj se Jezusi i do dhe dëshiron t’i bekojë ata.

  • Paraqitni figurën Krishti dhe Fëmijët (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 47). Ndihmojini fëmijët të përfytyrojnë se si do të ishte po të ishin njëri nga fëmijët e ulur pranë Jezusit në figurë. Ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë ndiejnë për Jezusin.

  • Lërini fëmijët të vizatojnë piktura të vetes së tyre duke u bekuar nga Jezusi (shih Marku 10:16 dhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave).

Marku 10:17–22

Nëse u bindem urdhërimeve, unë mund të marr jetë të përjetshme.

Jezusi i mësoi të riut pasanik se që të fitonte jetë të përjetshme – një jetë siç e ka Ati Qiellor – ai duhej t’iu bindej urdhërimeve.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve historinë e të riut pasanik te Marku 10:17–22. (Shih edhe “Kapitulli 42: I Riu i Pasur”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 105–106, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org.) Kërkojuni atyre të mbajnë vesh për atë që Jezusi i tha të bënte të riut dhe mënyrën se si u përgjigj i riu.

  • Tregoni një ose më shumë histori rreth fëmijëve që kërkojnë këshillë ose drejtim nga prindërit e tyre, por nuk i ndjekin ato ose nuk binden. Cilat janë disa gjëra që Ati Qiellor na kërkon të bëjmë? Si ndihemi kur iu bindemi urdhërimeve të Tij?

  • Tregoni përvoja kur morët nxitje vetjake që të bënit diçka që të ishit më të mirë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Marku 10:6–8

Ati Qiellor dëshiron që ne të martohemi në tempull dhe të kemi familje të përjetshme.

Gjërat që Jezusi dha mësim rreth martesës mund t’i ndihmojnë fëmijët ta presin me dëshirë martesën në tempull dhe krijimin e një familjeje të përjetshme.

Veprimtari të Mundshme

  • Vëreni njërin prej fëmijëve të lexojë me zë të lartë vargjet te Marku 10:6–8. Vini re se bashkohet do të thotë “ngjitet” ose “mbahet fort pas” diçkaje. Përse është e rëndësishme që bashkëshortët dhe bashkëshortet të bashkohen së bashku, ta duan njëri-tjetrin dhe të punojnë si partnerë?

  • Kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë të mendoni për përgjigje ndaj pyetjeve të tilla si: “Përse janë familjet të rëndësishme në Kishë?” ose “Përse është e rëndësishme për ju që të martoheni në tempull?” Ndihmojini të gjejnë përgjigje te burime si Marku 10:6–8; 1 Korintasve 11:11; Doktrina e Besëlidhje 42:22; 131:1–4; Moisiu 3:18, 21–24 dhe “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth familjeve, të tillë si “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 98). Jepuni fëmijëve dëshminë tuaj për martesën e përjetshme dhe familjen. Ftojini edhe ata të japin dëshmitë e tyre.

Marku 10:17–22

Jezusi mund të më ndihmojë të di se çfarë më nevojitet të bëj që të përparoj.

I riu pasanik e kërkoi Jezusin dhe mori udhëzim të veçantë që kishte për qëllim të jepej posaçërisht për të. Si mund t’i frymëzoni fëmijët që të kërkojnë udhërrëfim të ngjashëm në vetë jetën e tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të gjejnë një varg te Marku 10:17–22, i cili përshkruan figurën në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Shpjegoni se këshilla që Jezusi ia dha të riut, ishte vetjake dhe ne të gjithë mund të marrim drejtim vetjak nga Zoti nëpërmjet Shpirtit.

  • Lexoni së bashku vargjet te Marku 10:17–22. Ftojini fëmijët të shkruajnë në tabelë urdhërimet që Shpëtimtari i tha të riut pasanik që t’u bindej (shih vargun 19). Çfarë tjetër i kërkoi Jezusi atij që të bënte? (Shih vargun 21.) Nxitini fëmijët të mendojnë rreth gjërave që mund të kenë nevojë të fillojnë t’i bëjnë ose të mos i bëjnë më për ta ndjekur më mirë Jezusin. Cilat janë disa mënyra se si mund të gjejmë atë që Jezusi dëshiron që ne të bëjmë?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre se i duan, ndoshta duke u shkruar një shënim ose duke bërë një vepër të mirë shërbimi.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Kushtojuni vëmendje fëmijëve. Si po u përgjigjen fëmijët në klasën tuaj veprimtarive për të mësuar? Nëse nuk duken të përfshirë, mund të jetë koha që të provoni një veprimtari tjetër ose të bëni një ecje të shkurtër, pa zhurmë. Nga ana tjetër, nëse vini re që fëmijët janë të përfshirë dhe po mësojnë nga një pjesë e caktuar e mësimit, mos ndieni detyrim që të vazhdoni më tej thjesht që të siguroheni se po e trajtoni të gjithë materialin mësimor.

Shtyp në Letër