“22–28 Maj. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21: ‘Biri i Njeriut [do të Vijë]’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“22–28 Maj. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023
22–28 Maj
Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13; Lluka 21
“Biri i Njeriut [do të Vijë]”
Përsiatni se çfarë kanë nevojë të mësojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim nga Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 24–25; Marku 12–13 dhe Lluka 21. Ndjehuni lirshëm që t’ua përshtatni fëmijëve më të vegjël idetë në këtë përvijim të mësimit për fëmijët më të mëdhenj dhe anasjelltas.
Ftojini të Tregojnë
Sillni në klasë një send ose figurë që lidhet me njërën nga shëmbëlltyrat ose historitë në leximin e kësaj jave (të tillë si vaji për të përfaqësuar dhjetë virgjëreshat ose monedhat për të përfaqësuar talentat ose monedhat e së vesë). Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth shëmbëlltyrës ose historisë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Përpara se Jezusi të vijë sërish, ungjilli do të predikohet në të gjithë botën.
Një nga shenjat që Jezusi do të kthehet së shpejti, është që ungjilli i Tij po predikohet anembanë botës. Fëmijët mund të ndihmojnë që të përmbushet kjo profeci nëpërmjet përhapjes së ungjillit.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni një hartë, glob ose figurë të tokës (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 3) dhe ndihmojini fëmijët të thonë: “Ky Ungjill … do të predikohet në të gjithë botën” (Joseph Smith – Mateu 1:31). Përse dëshiron Perëndia që të gjithë fëmijët e Tij ta dëgjojnë ungjillin e Tij?
-
Ftojini fëmijët të marshojnë në vend ndërsa këndoni së bashku një këngë rreth përhapjes së ungjillit, të tillë si “Un’ Dua të Jem Misionar Tani” ose “Thirrur t’i Shërbejm’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 90, 94–95).
-
Shfaqni materialin filmik “I’ll Go Where You Want Me to Go” [“Do të Shkoj ku Ti Do që të Shkoj”] (ChurchofJesusChrist.org). Teksa fëmijët shohin, ndihmojini të numërojnë mënyrat se si mund ta përhapin ungjillin, që i shikojnë në materialin filmik. Për çfarë mënyrash të tjera për ta përhapur ungjillin mund të mendojnë ata?
Unë mund të përdor dhuratat që m’i ka dhënë Perëndia.
Fëmijët e vegjël janë duke i zbuluar dhuratat dhe aftësitë e tyre. Ndihmojini të kuptojnë se këto dhurata dhe aftësi vijnë nga Ati Qiellor.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni disa monedha që t’i përdorni teksa tregoni shëmbëlltyrën e talentave, që gjendet te Mateu 25:14–30. Ju mund t’u kërkoni tre fëmijëve që të përfaqësojnë tre shërbëtorët. Shpjegoni se në kohën e Jezusit, fjala talent iu drejtohej parave, por sot talent mund të nënkuptojë dhuntitë dhe aftësitë tona.
-
Kërkojuni fëmijëve të përmendin mënyra se si prindërit, vëllezërit, motrat, mësuesit ose shokët dhe shoqet e tyre i kanë ndihmuar ata. Çfarë talentesh kanë këta njerëz që i ndihmojnë ata për t’u shërbyer të tjerëve?
-
Shkruajuni një shënim të vogël fëmijëve duke i treguar secilit prej tyre rreth dhuratave apo aftësive që i vini re tek ata. Ndërsa i tregoni secilit prej fëmijëve për talentet që i shihni tek ata, nxitini t’i përmirësojnë dhuntitë e tyre dhe t’i përdorin ato për t’u shërbyer të tjerëve.
Jezusi dëshiron që unë t’u shërbej të tjerëve.
Ne u shërbejmë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit duke u shërbyer njerëzve përreth nesh. Ndihmojini fëmijët të marrin parasysh mënyra se si ata mund t’u shërbejnë të tjerëve.
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni shëmbëlltyrën te Mateu 25:34–46. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se kur u shërbejmë të tjerëve, ne po i shërbejmë Jezusit.
-
Ngrini lart një figurë të një fëmije me një figurë të Jezusit të fshehur prapa saj. Çfarë mund të bëjmë që t’i shërbejmë këtij fëmije? Hiqeni fotografinë e fëmijës dhe shpjegoni se kur i shërbejmë njëri-tjetrit, ne po i shërbejmë Jezusit.
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të vetes së tyre duke u shërbyer të tjerëve në mënyrat që Shpëtimtari i përshkruan te Mateu 25:35–36. Kërkojuni fëmijëve të tjerë të gjejnë se çfarë po vizatojnë ata.
-
Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja kur dikush u ka dhënë atyre ose familjeve të tyre shërbim si të Krishtit.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Përpara se Jezusi të vijë sërish, ungjilli do të predikohet në të gjithë botën.
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund të ndihmojnë për ta predikuar ungjillin në të gjithë botën përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të flasin për bekime që i kanë marrë ose do t’i marrin ngaqë janë anëtarë të Kishës së Krishtit. Lexoni së bashku te Joseph Smith – Mateu 1:31 dhe pyetini fëmijët se si e ndiejnë që ungjilli do t’i bekojë fëmijët e Perëndisë anembanë botës.
-
Tregojuni fëmijëve një hartë të botës ose të atdheut tuaj dhe ndihmojini të përcaktojnë disa vende ku një pjesëtar i familjes ose një mik apo mikeshë e kanë predikuar ungjillin në një mision.
-
Ftojini disa fëmijë që të vijnë të përgatitur për të treguar se si iu paraqit ungjilli pjesëtarëve të familjes së tyre ose paraardhësve të tyre.
-
Kërkojini secilit fëmijë të shkruajë emrin e dikujt të cilit ai ose ajo mund t’i flasë për Jezu Krishtin ose ta ftojë në kishë. Gjithashtu kërkojuni fëmijëve të renditin gjëra që mund t’i bëjnë që të jenë misionarë tani.
Unë jam përgjegjës/e për kthimin tim vetjak në besimin te Jezu Krishti.
Shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave na mëson se ne nuk mund ta marrim hua prej të tjerëve kthimin tonë në besimin te Shpëtimtari. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mbajnë përgjegjësi për kthimin e tyre në besim?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini një fëmije të vijë i/e përgatitur për të treguar se si mësuan rreth shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave në shtëpi këtë javë.
-
Vizatoni në tabelë një llambë vaji dhe emërtojeni atë dëshmia. Jepini secilit fëmijë një fletë letre në formën e një pike vaji dhe kërkojini secilit fëmijë të shkruajë në të diçka që ai ose ajo do të bëjë që të bëhet më i/e kthyer në besimin te Shpëtimtari. Ngjitini pikat e tyre në tabelë përreth llambës.
-
Ftojini fëmijët t’ju ndihmojnë të bëni një listë të gjërave që duhen bërë për t’u përgatitur për një vizitor të veçantë. Si janë këto gjëra të ngjashme me apo të ndryshme nga mënyrat se si mund të përgatitemi shpirtërisht për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?
-
Në pesë shirita letre, shkruani gjëra që nuk mund të merren hua. Në pesë shirita të tjerë letre, shkruani gjëra që mund të merren hua. Përziejini shiritat dhe kërkojuni fëmijëve t’i ndajnë në këto dy grupe. Lexoni së bashku te Mateu 25:1–13. Përse është e rëndësishme që të mos mbështetemi tek të tjerët për kthimin tonë në besimin te Jezu Krishti?
Në Gjykimin e Fundit, ne vërtet do t’i japim Zotit llogari për jetën tonë.
Pas Ringjalljes, Zoti do të na gjykojë mbi bazën e bindjes sonë ndaj urdhërimeve të Tij dhe pranimit të flijimit të Tij shlyes. Shëmbëlltyra e talentave dhe shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve na japin mësim rreth këtij Gjykimi të Fundit.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë te Mateu 25:14–30 dhe gjysmën tjetër të lexojë te Mateu 25:31–46. Kërkojuni grupeve që t’i luajnë me role shëmbëlltyrat për klasën. Çfarë po na mëson Zoti në këto shëmbëlltyra?
-
Ftojini fëmijët të lexojnë në dyshe te Mateu 25:35–36 dhe të shkruajnë një listë të gjërave që mund t’i bëjnë për të treguar dashurinë e tyre për Jezu Krishtin.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Kërkojuni fëmijëve t’u tregojnë familjeve të tyre për mënyra se si mund të jenë misionarë më të mirë dhe të flasin me familjet e tyre rreth njerëzve të cilëve mund t’iu tregojnë për ungjillin.