“1–7 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11: ‘Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“1–7 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
1–7 Maj
Lluka 12–17; Gjoni 11
“Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur”
Lexoni plot lutje kapitujt te Lluka 12–17 dhe Gjoni 11, duke kërkuar mënyrën se si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që t’i kuptojnë të vërtetat në këta kapituj dhe ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor.
Ftojini të Tregojnë
Kujtojuni fëmijëve disa nga shëmbëlltyrat dhe historitë që gjenden te Lluka 12–17 dhe Gjoni 11, si dhe ftojini që të tregojnë se çfarë dinë rreth këtyre historive.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Ati Qiellor do që të gjithë fëmijët e Tij të kthehen tek Ai.
Mendoni për fëmijët në klasën tuaj, përfshirë ata që mund të mos vijnë rregullisht. Si mund t’i ndihmoni ata që ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor? Si mund t’i frymëzoni fëmijët e tjerë që t’ju ndihmojnë për t’iu afruar atyre me dashuri?
Veprimtari të Mundshme
-
Jepini një fëmije një monedhë, një fëmije tjetër një figurë të një deleje dhe një fëmije tjetër një figurë të djalit plëngprishës (shih ChurchofJesusChrist.org ose faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Tregojini të trija shëmbëlltyrat që gjenden te Lluka 15 dhe ftojini fëmijët ta mbajnë lart monedhën apo figurën e tyre kur ju e përmendni atë. Ju mund t’i ftoni fëmijët që t’ia ritregojnë shëmbëlltyrat njëri-tjetrit me vetë fjalët e tyre.
-
Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë për një rast kur ata humbën diçka. Si e gjetën atë? Shpjegoni se njerëzit mund të humbasin shpirtërisht kur ata nuk e ndjekin Atin Qiellor. Dëshmoni se Perëndia dëshiron që njerëzit të cilët humbasin, të vijnë tek Ai dhe ne mund t’i ndihmojmë ata.
-
Ftojini fëmijët të mendojnë për fëmijë të tjerë që nuk vijnë në Fillore. Ndihmojini ata që të ngjyrosin ose shkruajnë shënime duke i ftuar këta fëmijë që ta frekuentojnë Filloren apo një aktivitet të Fillores. Në ç’mënyrë tjetër mund t’i ndihmojmë këta fëmijë që ta ndiejnë dashurinë që ka Ati Qiellor për ta?
Unë mund ta tregoj dashurinë time për Atin Qiellor duke qenë mirënjohës/e për bekimet e mia.
Si mund t’i nxitë fëmijët historia e dhjetë lebrosëve që të jenë mirënjohës?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojeni historinë e dhjetë lebrosëve të cilët u shëruan nga Jezusi. Paraqiteni figurën që gjendet në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ftojini fëmijët që të numërojnë me gishta deri në dhjetë. Pastaj kërkojuni që t’i ulin nëntë gishta për të treguar të vetmin lebros që e falënderoi Jezusin. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për dikë që mund ta falënderojnë për një veprim të mirë ose të dobishëm.
-
Ftojeni secilin fëmijë që të luajë me role diçka për të cilën ai ose ajo është mirënjohëse, dhe vëreni pjesën tjetër të fëmijëve që të marrin me mend se çfarë është ajo. Kërkojuni fëmijëve që të thonë mënyrat se si mund t’i tregojmë Atit Qiellor që jemi mirënjohës për bekimet tona.
Ne besojmë se Jezusi është Biri i Perëndisë.
Marta, që ishte motra e Llazarit, i tha Jezusit: “Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë” (Gjoni 11:27). Historia e Maries, Martës dhe Llazarit mund ta forcojë dëshminë e fëmijëve për Jezu Krishtin.
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni historinë e Jezusit kur ngriti nga vdekja Llazarin (shih edhe “Kapitulli 43: Jezusi Rikthen në Jetë Llazarin”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 107–109, ose materialin filmik përkatës në ChurchofJesusChrist.org). Tregojuni fëmijëve një degë të tharë dhe një bimë të gjallë dhe pyetini se cila është e tharë dhe cila është e gjallë. Jepni dëshminë tuaj se, për shkak të fuqisë së Jezu Krishtit, njerëzit që kanë vdekur do të ringjallen dhe do të jetojnë përgjithmonë.
-
Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh frazën që Jezusi i tha Martës: “Unë jam ringjallja dhe jeta” (Gjoni 11:25). Shpjegoni se për shkak të Ringjalljes së Shpëtimtarit, ne do t’i shohim edhe një herë njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund ta ndihmoj Jezusin që të gjejë delet e Tij të humbura.
Ne të gjithë njohim dikë që është në njëfarë mënyre si delja e humbur, monedha e humbur ose djali plëngprishës në shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit. Merreni parasysh se si mund t’i frymëzoni fëmijët që t’u afrohen këtyre njerëzve me dashuri.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të lexojnë shëmbëlltyrën e deles së humbur ose shëmbëlltyrën e monedhës së humbur, të cilat gjenden te Lluka 15:1–10 dhe të tregojnë atë që mësuan.
-
Shkruajini këto emra në tabelë: atë, djalë më i madh dhe djalë më i vogël. Shfaqeni materialin filmik “The Prodigal Son” [“Djali Plëngprishës”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe ndalojeni atë herë pas here, në mënyrë që fëmijët të mund të shkruajnë në tabelë disa prej ndjenjave të njerëzve të renditur. Si ndihen Ati Qiellor dhe Jezusi rreth njerëzve që kanë mëkatuar?
-
Kërkojini një fëmije të largohet nga dhoma ndërkohë që fëmijët e tjerë fshehin një monedhë apo një dele prej letre. Kërkojini fëmijës që të kthehet dhe të kërkojë monedhën ose delen. Cilat janë disa nga mënyrat se si njerëzit mund të ndihen “të humbur” si monedha ose delja? Ftojini fëmijët të sugjerojnë mënyra se si ata mund t’u afrohen për t’i ndihmuar këta njerëz. Këndoni me fëmijët një këngë që lidhet me këtë, të tillë si “Pranë Zemrës së Bariut” (Himne, nr. 138) dhe dëshmoni për gëzimin që vjen kur njerëzit kthehen te Perëndia.
-
Shpjegoni se Jezusi e përdori delen e humbur, monedhën e humbur dhe djalin plëngprishës për të përfaqësuar njerëz që kanë “humbur” ngaqë nuk i kanë bekimet e ungjillit. Ftojini fëmijët të mendojnë për njerëz që i njohin, të cilët nuk i kanë këto bekime në jetën e tyre. Çfarë mund të bëjnë ata për t’i ndihmuar këta njerëz që ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor për ta?
Unë mund ta tregoj dashurinë time për Atin Qiellor duke qenë mirënjohës/e për bekimet e mia.
Historia e dhjetë lebrosëve mund të jetë një mënyrë e mirë për t’i frymëzuar fëmijët që t’i shprehin Atit Qiellor mirënjohje për bekimet e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojeni së bashku rrëfimin e dhjetë lebrosëve. Si u bekua për mirënjohjen e tij lebrosi që dha falënderime? Përse është e rëndësishme që ta falënderojmë Perëndinë për bekimet tona?
-
Ftojini fëmijët të renditin gjëra për të cilat janë mirënjohës, që fillojnë me secilën germë të emrit të tyre.
-
Kërkojuni fëmijëve që t’i shkruajnë shënime falënderimi Atit Qiellor për bekimet që Ai u jep atyre. Ata mund t’i varin shënimet pranë shtratit të tyre për t’i kujtuar ata që të shprehin mirënjohje kur luten.
Ne besojmë se Jezusi është Biri i Perëndisë.
Si mund ta përdorni historinë e Maries, Martës dhe Llazarit për t’i ndihmuar fëmijët që ta dinë, ashtu siç e dinte Marta, se Jezusi është “Krishti, Biri i Perëndisë”? (Gjoni 11:27.)
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë disa thënie të shprehura nga njerëzit te Gjoni 11. Kërkojuni fëmijëve të përcaktojnë se kush e tha secilën thënie dhe ftojini që të kërkojnë te Gjoni 11 për t’i kontrolluar përgjigjet e tyre. Si do të ndiheshin po të ishin Jezusi, Marta, Maria apo Llazari? Si mund të na ndihmojë besimi te Jezusi kur jemi të trishtuar apo të frikësuar?
-
Lexojeni dëshminë e Martës, që gjendet te Gjoni 11:20–27. Vërini fëmijët të kërkojnë për fjalë dhe fraza që tregojnë se Marta kishte besim te Jezu Krishti. Çfarë mund të bëjmë për të pasur besim tek Ai?
-
Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh vargun te Gjoni 11:25. Shpjegoni se çdo njeri do të ringjallet, por vetëm të drejtët do të marrin jetë të përjetshme dhe do të jetojnë përsëri me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Jepuni fëmijëve disa fletë letre që mund t’i përdorin për të shkruar ose vizatuar gjëra për të cilat ata janë mirënjohës gjatë gjithë javës.