“24–30 Prill. Gjoni 7–10: ‘Unë Jam Bariu i Mirë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“24–30 Prill. Gjoni 7–10”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
24–30 Prill
Gjoni 7–10
“Unë Jam Bariu i Mirë”
Teksa lexoni kapitujt te Gjoni 7–10, mendoni rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Shumë prej ideve për fëmijët më të mëdhenj në këtë përvijim të mësimit mund të përshtaten edhe për fëmijë më të vegjël apo anasjelltas.
Ftojini të Tregojnë
Kujtojuni fëmijëve diçka që i ftuat ta bënin në mësimin e mëparshëm. Kërkojuni atyre të tregojnë se çfarë bënë që të vepronin sipas ftesës.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Zbatimi i urdhërimeve do të më ndihmojë të di se ato janë të vërteta.
Jezusi dha mësim se ne mund të fitojmë një dëshmi për të vërtetat që Ai tregoi kur i jetojmë ato. Paqja që ndiejmë kur u bindemi urdhërimeve, na ndihmon të dimë se ato janë të vërteta. Merreni parasysh se si mund t’ua mësoni fëmijëve këtë të vërtetë.
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni vargun te Gjoni 7:17 me fjalë që fëmijët do t’i kuptojnë. Ndihmojini të dinë se bindja ndaj urdhërimeve na ndihmon të ndihemi më pranë Jezu Krishtit. Për shembull, ju mund të këndoni së bashku një këngë, të tillë si “Mbaj Urdhërimet” ose “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 68–69, 82). Kërkojuni fëmijëve që të mbajnë vesh për mënyrën se si do të bekohemi kur i zbatojmë urdhërimet.
-
Tregoni një përvojë kur ju fituat dëshmi se një urdhërim ishte nga Perëndia ngaqë e jetuat atë, të tilla si pagesa e së dhjetës apo falja e dikujt që nuk ishte i mirë. Ftojini fëmijët të mendojnë për një përvojë që e patën kur iu bindën një urdhërimi. Kërkojuni atyre të tregojnë se si u ndien kur u bindën.
-
Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të vetes duke iu bindur një urdhërimi. (Ndihmojini të mendojnë për shembujt.) Ftojini që t’ia tregojnë njëri‑tjetrit figurat e tyre dhe të flasin rreth lumturisë që fitojnë nga bindja ndaj atij urdhërimi.
Jezusi iu bind Atit të Tij.
Jezu Krishti bëri përherë gjëra që e kënaqën Atin e Tij në Qiell. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të gjejnë mënyra për ta ndjekur shembullin e Tij?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët ta përsëritin atë që tha Jezusi rreth Atit Qiellor te Gjoni 8:29: “Bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë”. Kërkojuni atyre të tregojnë gjërat që bëri Jezusi, të cilat e bënë të lumtur Atin Qiellor. Tregojuni disa figura nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit për t’u dhënë disa ide.
-
Pyetini fëmijët se çfarë i bën ata të lumtur. Ose ftojeni një prind të njërit prej fëmijëve që të tregojë një përvojë kur fëmija bëri diçka që e bëri prindin të ndihet i kënaqur ose i lumtur. Çfarë mund të bëjmë ne për ta bërë të lumtur Atin Qiellor? Ftojini fëmijët ta vizatojnë veten e tyre duke i bërë ato veprimtari, t’i çojnë në shtëpi dhe të jenë si kujtues për ta.
Jezusi më njeh dhe më do.
Shëmbëlltyra e bariut të mirë mund t’i ndihmojë fëmijët të kuptojnë se Jezusi i do dhe i njeh se kush janë ata.
Veprimtari të Mundshme
-
Jepuni fëmijëve figura që përfaqësojnë diçka në shëmbëlltyrën e bariut të mirë, të tilla si dele, një bari ose një ujk. Përzgjidhni disa vargje nga Gjoni 10:1–16 për t’ua lexuar fëmijëve dhe kërkojuni që t’i ngrenë lart figurat e tyre kur dëgjojnë se po lexoni për gjërat në figurat e tyre. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyra se si Jezusi është si një bari për ne. Jepni dëshminë tuaj se Shpëtimtari na do dhe do të na udhërrëfejë që të kthehemi tek Ai.
-
Tregoni figurën e Jezusit dhe të qengjave në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Si e dimë që Jezusi i do qengjat? Si mund ta dallojmë se qengjat e duan Jezusin? Si mund t’ia tregojmë Jezusit se ne e duam Atë?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Zbatimi i urdhërimeve do të më ndihmojë të di se ato janë të vërteta.
Ju dhe fëmijët të cilëve u jepni mësim mund të keni pasur përvoja duke i jetuar të vërtetat e ungjillit dhe duke mësuar se ato janë të vërteta. Si mund të ndërtoni mbi këto përvoja ndërsa jepni mësim?
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruajeni secilin varg te Gjoni 7:14–17 në copa të ndryshme letre dhe paraqitini ato në rend rastësor. Kërkojuni fëmijëve që t’i vendosin ato në rendin e duhur dhe kontrolloni vargjet te Gjoni 7:14–17 për të parë nëse ato janë siç duhet. Ftojini fëmijët të ndahen në dyshe dhe t’i thonë shokut ose shoqes së tyre si e kuptojnë secilin varg. Si i ka ndihmuar bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë të dinë se urdhërimet janë të vërteta?
-
Tregoni shembuj nga shkrimet e shenjta të cilat paraqesin mënyrën se si u bekuan njerëzit ngaqë i jetuan të vërtetat e ungjillit, të tillë si Danieli (shih Daniel 6) ose Elizabeta (shih Lluka 1:5–14). Çfarë bekimesh na janë dhënë ngaqë iu bindëm urdhërimeve?
-
Pak ditë përpara orës mësimore, ftojeni njërin prej fëmijëve që të shkruajë rreth një rasti kur ai ose ajo fitoi dëshmi për një urdhërim duke e jetuar atë. Gjatë orës mësimore kërkojini fëmijës të tregojë atë që ai ose ajo shkroi.
E vërteta mund të më bëjë të lirë.
Disa njerëz mendojnë se të jetuarit e ungjillit u vë kufizime atyre. Si mund t’i përdorni vargjet te Gjoni 8:31–36 që t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se të jetuarit e ungjillit në fakt na bën të lirë?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te Gjoni 8:31–36 dhe të tregojnë atë që mendojnë se do të thotë të jesh shërbëtor i mëkatit. Si na ndihmojnë mësimet e Jezusit që të jemi të lirë?
-
Tregoni një dry për të përfaqësuar mëkatin dhe një çelës për të përfaqësuar mënyrën se si mund të na bëjnë të lirë të vërtetat e ungjillit. Për shembull, njohuria rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit mund të na japë liri për t’u penduar dhe për të marrë falje për mëkatet tona. Ose njohuria rreth Fjalës së Urtësisë mund të na japë liri për t’iu shmangur varësive.
Jezusi është si një bari për mua.
Ndërsa e studioni shëmbëlltyrën e bariut të mirë, kërkoni të vërteta që japin mësim rreth marrëdhënies sonë me Shpëtimtarin. Si do t’i bekojë fëmijët njohuria për këto të vërteta?
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë bari i mirë dhe mëditës. Shpjegoni se një mëditës është dikush që punësohet për ta bërë një punë për para. Kërkojuni fëmijëve që të renditin ndryshimet që gjejnë te Gjoni 10:1–18 midis një bariu të mirë dhe një mëditësi. Përse do të donit ta ndiqnit bariun e mirë në vend të mëditësit? Në ç’mënyrë Jezusi është si një bari për ne?
-
Vizatoni ose paraqitni një figurë të një dere. Lexoni së bashku te Gjoni 10:7–8 dhe pyetini fëmijët se si Jezusi është si një derë. Sipas vargut 9, çfarë bekimesh u vijnë atyre që “hyj[n]ë” në derë? Si hyjmë te dera që na siguron Jezu Krishti?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për një urdhërim të cilit ata mund t’i binden më plotësisht. Kërkojuni që të përpiqen t’i binden atij urdhërimi gjatë javës së ardhshme.