Dhiata e Re 2023
27 Mars – 2 Prill. Mateu 14; Marku 6; Gjoni 5–6: “Mos Kini Frikë”


“27 Mars – 2 Prill. Mateu 14; Marku 6; Gjoni 5–6: ‘Mos Kini Frikë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“27 Mars – 2 Prill. Mateu 14; Marku 6; Gjoni 5–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Jezusi duke ecur me dishepujt që mbanin shporta me bukë

27 Mars – 2 Prill

Mateu 14; Marku 6; Gjoni 5–6

“Mos Kini Frikë”

Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim nga Mateu 14; Marku 6 dhe Gjoni 5–6, kërkoni mesazhe që janë domethënëse për jetën e fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Si mendoni, çfarë do t’i ndihmojë ata që t’i kuptojnë këto mesazhe? Ky përvijim i mësimit mund t’ju japë disa ide.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Paraqitni një figurë ku Jezusi ecën mbi ujë (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 43) dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth historisë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Gjoni 5:1–9

Jezu Krishti e di se çfarë më nevojitet dhe Ai mund të më ndihmojë.

Përsiatni rrëfimin e Jezusit duke shëruar burrin te pellgu i Betesdës. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë atë që na mëson historia rreth mirësisë, dashurisë dhe cilësive të tjera të Jezusit?

Veprimtari të Mundshme

  • Përdoreni figurën Krishti Shëron të Sëmurin në Betesda (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 42) për t’u treguar fëmijëve historinë te Gjoni 5:1–9. Ose shfaqni materialin filmik “Jesus Heals a Man on the Sabbath” [“Jezusi Shëron një Burrë në Shabat”] (ChurchofJesusChrist.org). Kërkojuni fëmijëve që të përfytyrojnë sikur ata janë njeriu që Jezusi e shëroi. Si do të ndiheshin kur Jezusi t’i shëronte ata?

    3:3
  • Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që janë të vështira për ta ose që i bëjnë të trishtuar. Tregojuni atyre një rast nga jeta juaj kur morët ndihmë nga Shpëtimtari gjatë një sprove të vështirë. Dëshmoni se Jezusi i di të gjitha problemet tona dhe dëshiron të na ndihmojë.

Mateu 14:13–21

Unë e ndjek shembullin e Jezusit kur jam dashamirës/e me të tjerët.

Një mënyrë se si Jezusi tregoi dashuri, ishte duke i ushqyer pasuesit e Tij kur ata ishin të uritur. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë t’u shërbejnë të tjerëve ashtu siç bëri Jezusi?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një shportë dhe pak bukë ndërsa rrëfeni historinë te Mateu 14:13–21. Shpjegoni që edhe pse Jezusi ishte përpjekur të gjente një vend ku të ishte vetëm, njerëzit donin të ishin pranë Tij. Tregojuni fëmijëve pjesën tjetër të historisë dhe kërkojuni të dëgjojnë atë që bëri Jezusi për t’u treguar dashamirësi dhe dashuri njerëzve.

  • Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë mënyrat se si dikush ka qenë dashamirës me ta. Më pas ndihmojini të mendojnë për gjëra që mund t’i bëjnë këtë javë që të jenë dashamirës me të tjerët. Për çdo përgjigje që japin, vizatoni në tabelë një bukë apo një peshk. U thoni fëmijëve se kur i bëjnë këto gjëra, ata po ndjekin shembullin që dha Jezusi kur Ai ushqeu pesë mijë njerëz të cilët ishin të uritur.

Mateu 14:22–33

Besimi te Jezu Krishti mund të më ndihmojë që të mos kem frikë.

Pjetri tregoi besim të madh kur eci mbi ujë drejt Jezusit. Çfarë mësimesh mund të ketë në këtë histori për fëmijët?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni figurën në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet (shih edhe Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 43) teksa tregoni me vetë fjalët tuaja historinë nga Mateu 14:22–33. Merreni parasysh që ta përdorni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët që t’jua tregojnë sërish historinë. Ju gjithashtu mund të sillni një tas të vogël me ujë dhe t’i ftoni fëmijët që të bëjnë sikur “eci[n]” me gishtat e tyre përgjatë sipërfaqes së ujit.

  • Shfaqeni materialin filmik “Wherefore Didst Thou Doubt?” [“Pse Dyshove?”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe kërkojuni fëmijëve përse Pjetri ishte i frikësuar. Pastaj kërkojuni atyre të tregojnë raste kur u ndien të frikësuar dhe të thonë se çfarë i ndihmoi ata. Ndihmojini të kuptojnë se besimi te Jezu Krishti na ndihmon që ta mposhtim frikën.

2:6
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Gjoni 5:17–47

Jezu Krishti më mëson rreth Atit Qiellor.

Si mund t’i ndihmojnë fëmijët mësimet e Jezusit për Atin e Tij që ata të mësojnë rreth Atit Qiellor?

Veprimtari të Mundshme

  • Krijoni dy lloje kartash që përputhen, të emërtuara me fjalë që Jezusi i përdori për të dhënë mësim rreth Atit Qiellor te Gjoni 5, të tilla si dashuri, jetë dhe vepra (shih Gjoni 5:20, 26, 36). Vërini kartat përmbys dhe kërkojuni fëmijëve që të shohin se cilat përputhen, duke kthyer dy karta në të njëjtën kohë. Kur ndodh një përputhje, lexojeni vargun që e përmban fjalën dhe pyetini fëmijët se çfarë na mëson fjala rreth Atit Qiellor.

  • Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te Gjoni 5:30 dhe më pas të plotësojnë këtë fjali: “Nuk kërkoj vullnetin tim, por …”. Si e bëri Jezu Krishti vullnetin e Atit të Tij Qiellor? Si mund ta bëjmë ne vullnetin e Atit Qiellor?

bukë dhe peshq

Jezusi ushqeu mrekullisht pesë mijë njerëz me pesë bukë dhe dy peshq.

Gjoni 6:5–14

Ofertat e mia të vogla mund të sjellin ndryshim.

Ishte një djalë i vogël që siguroi bukën dhe peshqit, të cilat Jezusi i përdori për të ushqyer pesë mijë njerëz. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të kuptojnë se si mund të japin ndihmesë në punën e Zotit?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët që të përfytyrojnë se sa e madhe do të ishte një turmë me pesë mijë njerëz. Si do të ishte të ushqeje aq shumë njerëz me vetëm pesë bukë dhe dy peshq?

  • Ftojeni një fëmijë që ta tregojë me fjalët e tij apo të saj historinë e ushqyerjes së pesë mijë njerëzve. Theksoni se ishte një djalë i vogël që i dha bukën dhe peshqit, të cilat Zoti i përdori për të kryer këtë mrekulli. Në ç’mënyrë mund të jemi si djali i përshkruar te Gjoni 6:9? Ftojini fëmijët të vizatojnë bukë dhe peshq në letër dhe të shkruajnë mbi to disa nga gjërat që mund t’ia japin Zotit për ta ndihmuar në punën e Tij.

  • Jepuni fëmijëve një figurëformuese të vogël për ta plotësuar. Çfarë do të ndodhte nëse njëra prej pjesëzave të figurëformueses do të mungonte? Shpjegoni që secili prej nesh është si një pjesëz e figurëformueses – ne të gjithë jemi të rëndësishëm dhe ne të gjithë kemi nevojë për njëri‑tjetrin. Ndihmojini fëmijët të përmendin arsye se përse janë të rëndësishëm në familjet e tyre, në klasën e tyre të Fillores, në familjen e Perëndisë dhe në grupe të tjera.

Mateu 14:22–33

Besimi te Jezu Krishti mund të më ndihmojë që të mos kem frikë.

Besimi dhe frika luajnë role të spikatura në historinë ku Jezusi dhe Pjetri ecën mbi det. Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga ky tregim?

Veprimtari të Mundshme

  • Shfaqni figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet (shih edhe Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 43). Kërkojuni fëmijëve të gjejnë fraza te Mateu 14:22–33 që e përshkruajnë figurën.

  • Kërkojuni fëmijëve që të kërkojnë shenja besimi dhe shenja frike ndërsa lexojnë vargjet te Mateu 14:22–33. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “Wherefore Didst Thou Doubt?” [“Pse Dyshove?”] ChurchofJesusChrist.org). Çfarë do të thotë që të keni besim te Jezu Krishti? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për rastet kur besimi i tyre i ndihmoi ta mposhtnin frikën.

    2:6
  • Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë sikur ishin të pranishëm dhe kishin një aparat fotografik kur Jezusi dhe Pjetri ecën mbi det. Cilin çast do të zgjidhnin për ta fotografuar dhe përse? Sugjeroni që ata të shqyrtojnë vargjet te Mateu 14:22–33 për ide. Ftojini të vizatojnë një fotografi të çastit që zgjodhën, t’i tregojnë fotografitë e tyre dhe të shpjegojnë arsyen përse e zgjodhën atë çast.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nëse fëmijët e kanë plotësuar faqen e veprimtarisë së kësaj jave, ftojini që ta përdorin atë për t’u mësuar familjeve të tyre atë që mësuan në orën mësimore. Ose jepuni një kopje të faqes për ta plotësuar me familjet e tyre në shtëpi.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ftojini të tregojnë. Pyetini fëmijët rreth mendimeve, ndjenjave dhe përvojave të tyre. Ju do të zbuloni se shpesh ata kanë ide që janë të thjeshta, por prapëseprapë të fuqishme.