Dhiata e Re 2023
10–16 Prill. Mateu 15–17; Marku 7–9: “Ti Je Krishti”


“10–16 Prill. Mateu 15–17; Marku 7–9: ‘Ti Je Krishti’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“10–16 Prill. Mateu 15–17; Marku 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Shpërfytyrimi i Krishtit

The Transfiguration [Shpërfytyrimi], nga Carl Heinrich Bloch

10–16 Prill

Mateu 15–17; Marku 7–9

“Ti Je Krishti”

Teksa përsiatni kapitujt te Mateu 15–17 dhe Marku 7–9, kushtojuni vëmendje nxitjeve shpirtërore që mund t’ju ndihmojnë të dini çfarë u nevojitet fëmijëve në klasën tuaj.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë arsyen përse janë mirënjohës për udhëheqësit në Kishë, përfshirë profetin, apostujt dhe udhëheqësit vendorë. Çfarë i keni dëgjuar të japin mësim kohët e fundit?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Mateu 16:13–17

Unë mund të fitoj një dëshmi se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

Merreni në shqyrtim se si mund ta përdorni dëshminë e Pjetrit dhe përgjigjen e Jezusit që t’u mësoni fëmijëve se çfarë është një dëshmi dhe t’i frymëzoni që të kërkojnë dëshminë e tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë se çfarë tha Pjetri teksa lexoni vargjet te Mateu 16:15–17. (Shih edhe “Kapitulli 32: Pjetri Dëshmon për Krishtin”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 76–77 ose materialin filmik përkatës në ChurchofJesusChrist.org.) Shpjegoni se Pjetri po jepte dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Lexojini vargjet sërish. (Ose shfaqeni sërish materialin filmik.) Këtë herë kërkojuni fëmijëve që të dëgjojnë se kush i tha Pjetrit që Jezu Krishti ishte Biri i Perëndisë.

  • Jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe shpjegoni mënyrën se si e morët atë. Ftojini fëmijët që t’i kërkojnë vetë dëshmitë e tyre nga Ati Qiellor.

Mateu 16:15–19

Jezu Krishti u jep profetëve dhe apostujve çelësa të priftërisë për ta udhëhequr Kishën e Tij.

Shpëtimtari e krahasoi zbulesën me një shkëmb dhe autoritetin e priftërisë me çelësat. Si mund t’i përdorni këto krahasime për t’i ndihmuar fëmijët që të kenë besim tek ata që e udhëheqin Kishën e Tij?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një gur [shkëmb] ndërsa lexoni me ta vargun te Mateu 16:18. Përsëriteni me ta frazën “mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time”, duke shtuar veprime që përputhen me fjalët. Shpjegoni se Kisha është ndërtuar mbi “shkëmb[in]” e zbulesës.

  • Tregojuni fëmijëve disa çelësa dhe pyetini se për çfarë i përdorim ato. Shpjegoni se Pjetri dhe Apostujt e tjerë i morën çelësat e priftërisë nga Jezusi. Këto çelësa “shkyçin” bekime për ne dhe hapin udhën drejt qiellit. Për shembull, çelësat e priftërisë na lejojnë të pagëzohemi dhe të marrim sakramentin. Jepuni fëmijëve çelësa prej letre dhe vërini ata që të shkruajnë disa bekime të cilat “shkyçen” me anë të çelësave të priftërisë.

  • Tregoni një fotografi të Presidentit të Kishës dhe jepni dëshminë tuaj se ai i mban të gjitha çelësat e priftërisë sot, ashtu siç bëri Pjetri.

statuja e Pjetrit duke mbajtur çelësat

Çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë.

Mateu 17:19–20

Besimi im mund të kryejë mrekulli.

Kur e lexoni premtimin e Jezusit se besimi si një farë sinapi mund të lëvizë male, çfarë mbresash merrni rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me fëmijët nga Mateu 17:19–20. Ftojini që të vizatojnë me radhë në tabelë male të mëdha dhe fara të vogla. Shpjegoni se malet janë të ngjashme me gjëra që i kemi të vështira për t’i bërë. Cilat janë disa nga gjërat që mund të duken si male për ne? Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët të mendojnë rreth mënyrës se si mund t’i ndihmojë besimi për të bërë gjërat që Perëndia dëshiron që ata të bëjnë.

  • Vendosni një figurë të një mali në njërën anë të dhomës. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që mund t’i bëjnë për të fituar më shumë besim te Jezu Krishti. Lejojeni çdo fëmijë që sugjeron diçka, ta lëvizë malin më pranë pjesës tjetër të klasës. Lexoni te Mateu 17:19–20 dhe dëshmoni për fuqinë e besimit në jetën tuaj.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth besimit, të tillë si “Besimi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 50–51). Jepini çdo fëmije një farë që ta çojë në shtëpi. Ftojini që ta mbjellin farën dhe ta vendosin diku ku mund ta shohin atë të rritet, për t’i ndihmuar të kujtojnë që të kenë besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Mateu 16:13–17

Një dëshmi për Jezu Krishtin vjen me anë të zbulesës.

Si mund t’i ndihmojë fëmijët dëshmia e Pjetrit te Mateu 16:13–17 ndërkohë që ata ndërtojnë dëshminë e tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët se çfarë do të thoshin nëse dikush do t’i pyeste: “Kush është Jezusi?” Ftojini fëmijët të lexojnë vargjet te Mateu 16:13–17 për të zbuluar mënyrën se si iu përgjigj Pjetri asaj pyetjeje. Si e fitoi ai dëshminë e tij për Jezusin? Çfarë mund të bëjmë ne për t’i forcuar dëshmitë tona?

  • Ndihmojini fëmijët ta krahasojnë mënyrën se si i dimë ne të vërtetat shpirtërore me mënyrat se si i dimë ne të vërtetat e tjera. Për shembull, si e dimë ne se sa i gjatë është një njeri apo se si është moti? Si e dimë ne se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë? Tregojuni fëmijëve se si ju ka dëshmuar Fryma e Shenjtë për Shpëtimtarin.

  • Jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe u drejtoni një sfidë fëmijëve që ta fitojnë ose forcojnë vetë dëshminë e tyre për Të.

Mateu 16:15–19

Kisha e Jezu Krishtit udhëhiqet nga ata që mbajnë çelësa të priftërisë.

Studimi i vargjeve te Mateu 16:15–19 mund ta ndërtojë besimin e fëmijëve se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një rivendosje e së njëjtës Kishë që Jezusi e themeloi ndërkohë që jetoi në tokë.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruajeni në tabelë vargun te Mateu 16:19, duke lënë jashtë disa fjalë, përfshirë fjalën “çelësat”. Kërkojuni fëmijëve t’i gjejnë fjalët që mungojnë.

  • Shfaqeni materialin filmik “Where Are the Keys?” [“Ku Janë Çelësat?”] (ChurchofJesusChrist.org) ose shqyrtojeni pjesën “Çelësa të Priftërisë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Çfarë janë çelësat e priftërisë? Ku ngjasojnë çelësat e priftërisë me çelësat e vërtetë?

  • Ndihmojini fëmijët të renditin në tabelë disa njerëz që i kanë çelësat e priftërisë. “Çelësa të Priftërisë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) ka një listë që mund t’i ndihmojë ata. Ftojeni dikë në lagjen tuaj që i mban këta çelësa, që t’i tregojë shkurtimisht klasës arsyet përse këta çelësa janë të rëndësishëm.

  • Fshihini disa çelësa (apo figura të çelësave) nëpër klasë dhe ftojini fëmijët që t’i gjejnë ato. Pasi ta gjejnë secilin çelës, ndihmojini fëmijët të mendojnë për bekimet që ne gëzojmë për shkak të çelësave të priftërisë (për shembull, familjet e përjetshme, pagëzimin dhe sakramentin).

Mateu 17:1–9

Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

Këto vargje përshkruajnë njërin prej rasteve të pakta në shkrimet e shenjta kur zëri i Perëndisë dëgjohet të dëshmojë për Birin e Tij të Dashur. Studimi i këtij rrëfimi me fëmijët mund ta ndërtojë besimin e tyre te Jezu Krishti.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të ngjarjes së përshkruar te Mateu 17:1–9. Kërkojuni që t’ia shpjegojnë figurat njëri-tjetrit. (Shih “Kapitulli 33: Shfaqja në Lavdi: Shpërfytyrimi”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 78–79 ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org.)

  • Jepuni fëmijëve kohë për të përsiatur se çfarë u mëson atyre rreth Jezu Krishtit rrëfimi te Mateu 17:1–9. Ftojini që t’i shkruajnë mendimet e tyre në tabelë. Ftojini fëmijët që të tregojnë mënyrën se si e dinë që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët që t’i pyesin prindërit apo pjesëtarët e tjerë të familjes së tyre se si i fituan ata dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdoreni muzikën. Këngët e Fillores dhe himnet mund t’i ndihmojnë fëmijët e të gjitha moshave që t’i kuptojnë dhe t’i mbajnë mend të vërtetat e ungjillit. Të kënduarit gjithashtu mund t’i mbajë fëmijët të përfshirë në mënyrë aktive gjatë procesit të të mësuarit. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 22.)