Dhiata e Re 2023
17–23 Prill. Mateu 18; Lluka 10: “Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?”


“17–23 Prill. Mateu 18; Lluka 10: ‘Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“17–23 Prill. Mateu 18; Lluka 10”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
Samaritani i mirë

The Good Samaritan [Samaritani i Mirë], nga Dan Burr

17–23 Prill

Mateu 18; Lluka 10

“Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?”

Çfarë të vërtetash te Mateu 18 dhe Lluka 10 kanë nevojë të mësojnë fëmijët? Mbani vesh për nxitje nga Fryma e Shenjtë ndërsa i lexoni këta kapituj. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund të ndihmojë për ta udhërrëfyer studimin tuaj dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju japë ide për mësimdhënien.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni fëmijëve të tregojnë diçka që e kanë mësuar rreth Jezu Krishtit në shtëpi ose në Fillore.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Mateu 18:21–35

Unë duhet t’i fal të tjerët gjithmonë.

Ndërsa lexoni te Mateu 18:21–35, merrni parasysh përvojat tuaja vetjake me faljen dhe atë që fëmijët kanë nevojë të dinë rreth këtij parimi.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm (shih Mateu 18:23–35). Shpjegoni që kur dikush nuk është i mirë ose i drejtë, ne ndoshta do të ndihemi të zemëruar apo të trishtuar në fillim. Por falja do të thotë që ne mund të ndiejmë paqe përsëri. Kur e falim dikë, ne vendosim të mos jemi të zemëruar më me të. (Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se, në qoftë se dikush nuk është i mirë ose i drejtë me ta, ata duhet t’u kërkojnë ndihmë prindërve të tyre ose një njeriu tjetër të mirëbesuar në moshë madhore.)

  • Shkruani në tabelë Unë të fal dhe u thoni fëmijëve se këto fjalë mund të ndihmojnë për t’i kthyer çastet e trishtuara në çaste të lumtura. Vizatoni një fytyrë të trishtuar në tabelë dhe tregoni disa shembuj të fëmijëve që e falin njëri-tjetrin. Pas çdo shembulli, ftojeni një fëmijë që ta ndryshojë fytyrën e trishtuar në një fytyrë të lumtur.

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth faljes, të tillë si “Ndihmom’, At’ i Dashur” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 52). Jepni dëshminë tuaj se Ati Qiellor do të na ndihmojë që t’i falim të tjerët.

Lluka 10:25–37

Jezusi më mësoi që t’i shoh të gjithë njerëzit si të afërmit e mi dhe t’i dua ata.

Shëmbëlltyra e samaritanit të mirë mund t’u tregojë fëmijëve se cilët janë të afërmit tanë dhe se si duhet t’i trajtojmë ata. Mendoni për mënyrat se si mund t’i frymëzoni fëmijët që të “shko[jnë] dhe të bëj[në] kështu edhe [ata]” (Lluka 10:37).

Veprimtari të Mundshme

  • Pyeteni çdo fëmijë: “Kush është i afërmi yt?” Përmblidhni rrëfimin te Lluka 10:25–37 dhe tregoni mënyrën se si iu përgjigj Jezusi asaj pyetjeje. Çfarë dha mësim Jezusi rreth mënyrës se si duhet t’i trajtojmë të afërmit tanë?

  • Lexoni te Lluka 10:25–37 ndërsa fëmijët luajnë me role shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë. Ndihmojini të mendojnë për mënyrat se si mund të jenë sikurse samaritani i mirë duke treguar dashuri dhe mirësi ndaj të tjerëve.

  • Shkruani disa shembuj situatash ku dikujt do t’i nevojitej ndihmë dhe fshihini letrat nëpër dhomë. Kërkojuni fëmijëve t’i gjejnë letrat. Lexojini situatat dhe ftojini fëmijët të shprehin se si mund të tregojnë mirësi ndaj personit në atë situatë.

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth mirësisë, të tillë si “Jezus’ Tha t’i Doni t’Gjith’” ose “Mir’sia Fillon tek Ti” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 39, 83). Ndihmojini fëmijët të mendojnë për disa mënyra se si tregojnë dashuri dhe mirësi ndaj të tjerëve. Ata gjithashtu mund të vizatojnë figura të vetes së tyre duke i bërë këto gjëra.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Mateu 18:21–35

Ati Qiellor do të më falë kur unë i fal të tjerët.

Shëmbëlltyra e shërbëtorit të pamëshirshëm mund të jetë një mënyrë e paharrueshme për t’u mësuar fëmijëve se Ati Qiellor dëshiron që ne të falim çdo njeri.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me fëmijët te Mateu 18:23–35. Shpjegoni se mbreti ose zotëria përfaqëson Atin Qiellor, shërbëtori na përfaqëson ne dhe shërbëtori tjetër përfaqëson ata që na kanë bërë diçka të gabuar. Bëjuni fëmijëve pyetje si: “Çfarë ju mëson kjo histori rreth mënyrës se si duhet t’i trajtoni të tjerët? Kur e keni pasur të vështirë ta falni dikë? Si hoqët dorë nga ato ndjenja të lëndimit? Kur keni pasur nevojë të faleni për një zgjedhje të gabuar?”

  • Shfaqeni materialin filmik “Forgive Every One Their Trespasses: The Parable of the Unmerciful Servant” [“Faljani Çdo Njeriu Shkeljet e Tij: Shëmbëlltyra e Shërbëtorit të Pamëshirshëm”] (ChurchofJesusChrist.org) për t’i ndihmuar fëmijët që ta përfytyrojnë këtë shëmbëlltyrë.

  • Shkruani në tabelë problemin me shumëzim 70 x 7 dhe ndihmojini fëmijët që ta zgjidhin atë. Kërkojini dikujt që të lexojë vargjet te Mateu 18:21–22 dhe shpjegoni se Jezusi e përdori këtë numër për të na mësuar se duhet të falim gjithmonë.

  • Kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë që të mendoni për disa situata ku dikush mund të ketë nevojë ta falë një person tjetër. Ftojini fëmijët që ta luajnë me role mënyrën se si do të tregonin falje në ato situata.

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth faljes, të tillë si “Ndihmom’, At’ i Dashur” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 52). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë na mëson kënga rreth faljes së të tjerëve.

Lluka 10:30–37

Unë mund t’i dua të tjerët dhe t’u shërbej atyre, veçanërisht njerëzve nevojtarë.

Përsiatni për raste në vetë jetën tuaj kur dikush ka qenë një “samaritan i mirë” për ju. Si mund t’i frymëzoni fëmijët që të jenë “samaritanë të mirë” ndaj të tjerëve?

Veprimtari të Mundshme

  • Caktojeni çdo fëmijë që në heshtje të lexojë pjesë nga shëmbëlltyra e samaritanit të mirë. Ftojini fëmijët t’i tregojnë pjesët e tyre të shëmbëlltyrës sipas radhës që ndodhën ngjarjet.

  • Shpjegojuni fëmijëve se judenjtë i urrenin samaritanët kaq shumë saqë kur udhëtonin nga Jerusalemi drejt Galilesë, ata do t’i binin përreth Samarisë për të shmangur ndërveprimin me ndonjë samaritan. Për ta ilustruar këtë, tregoni hartën 1 të Biblës tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta: “Harta Fizike e Tokës së Shenjtë”. Përse do ta përdorte Jezusi një samaritan si një shembull të mirësisë në këtë shëmbëlltyrë? Çfarë na mëson kjo histori rreth ndihmës ndaj të tjerëve në nevojë? (Shih edhe Mosia 4:16–22.)

  • Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë një përvojë kur dikush ishte si samaritani i mirë ndaj tyre.

  • Sfidojini fëmijët që të vendosin një synim për të qenë si samaritani i mirë këtë javë. Mund t’i pyesni ata nëse njohin dikë që është i sëmurë ose i vetmuar apo dikë që nuk e frekuenton kishën rregullisht. Pyetini fëmijët se si mund ta ndihmonin atë njeri. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si shërbimi ndaj të tjerëve i ndihmon të mbajnë premtimet që bënë në pagëzim (shih Mosia 18:8–10).

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët që t’u tregojnë familjeve të tyre se çfarë planifikojnë të bëjnë që të jenë më falës ose më shumë si samaritani i mirë këtë javë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Mësojini fëmijët t’i shënojnë mbresat. Nëse fëmijët mund ta mësojnë zakonin e shënimit të mbresave, kjo do t’i ndihmojë që ta dallojnë dhe ndjekin Shpirtin. Fëmijët mund t’i shënojnë mbresat duke i shenjuar shkrimet e shenjta, duke vizatuar figura ose duke shkruar pjesë të thjeshta në ditar.

Shtyp në Letër