Dhiata e Re 2023
27 Mars – 2 Prill. Mateu 14; Marku 6; Gjoni 5–6: “Mos Kini Frikë”


“27 Mars – 2 Prill. Mateu 14; Marku 6; Gjoni 5–6: ‘Mos Kini Frikë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“27 Mars – 2 Prill. Mateu 14; Marku 6; Gjoni 5–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Jezusi duke ecur me dishepujt që mbanin shporta me bukë

27 Mars – 2 Prill

Mateu 14; Marku 6; Gjoni 5–6

“Mos Kini Frikë”

Ndërsa lexoni kapitujt te Mateu 14; Marku 6 dhe Gjoni 5–6, kërkoni të vërteta që janë domethënëse për ju. Ju mund t’i bëni vetes pyetje të tilla si: “Si lidhen rrëfimet në këta kapituj me mua?” “Çfarë mesazhesh gjej për jetën time?” ose “Çfarë do të doja t’i tregoja familjes sime apo të tjerëve?”

Shënojini Mbresat Tuaja

Çfarë mund ta ketë frymëzuar Pjetrin që të largohej nga siguria e barkës së tij, në mes të detit të Galilesë gjatë një stuhie të fortë? Çfarë e bëri atë të besonte që, nëse Jezusi mund të ecte mbi ujë, edhe ai mund të ecte mbi ujë? Nuk mund ta dimë me siguri, por ndoshta Pjetri e kuptoi se Biri i Perëndisë nuk erdhi vetëm për të bërë gjëra të mrekullueshme për njerëzit, por për t’i fuqizuar njerëzit si Pjetri që edhe ata të bënin gjëra të mrekullueshme. Mbi të gjitha, ftesa e Jezusit ishte: “Eja e më ndiq” (Lluka 18:22). Pjetri e kishte pranuar një herë këtë ftesë dhe ishte i gatshëm ta pranonte atë sërish, edhe nëse nënkuptonte përballjen me frikën e tij dhe bërjen e diçkaje që dukej e pamundur. Ndofta Zoti nuk do të na kërkojë që të dalim nga barka në mes të një stuhie apo të japim ofertën sasisë së pakët të bukës kur mijëra vetë kanë nevojë të hanë, por Ai mund të na kërkojë që të pranojmë udhëzime edhe kur nuk i kuptojmë ato plotësisht. Cilatdo qofshin ftesat e Tij për ne, ato ndonjëherë mund të duken befasuese ose madje frikësuese. Por mrekullitë mund të ndodhin nëse, ashtu si Pjetri, ne do ta lëmë mënjanë frikën tonë, dyshimet tona dhe kuptueshmërinë tonë të kufizuar dhe ta ndjekim Atë me besim.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Gjoni 5:16–47

Jezu Krishti e nderon Atin e Tij.

Marrëdhënia midis Atit Qiellor dhe secilit prej fëmijëve të Tij ka për qëllim të jetë një marrëdhënie e shenjtë. Në këto vargje, Jezu Krishti na dha një model frymëzues që ta ndjekim në marrëdhënien tonë me Atin Qiellor. Lexojini vargjet te Gjoni 5:16–47 dhe shenjojini ose vini një shënim te çdo shembull i fjalëve Atë, Ati. Si e nderon Biri Atin dhe si mund ta ndiqni shembullin e Tij? Çfarë mësoni rreth mënyrës se si ndihet Ati rreth Birit? Çfarë jeni të frymëzuar që të bëni për ta forcuar marrëdhënien tuaj me Atin tuaj Qiellor?

Shih edhe Gjoni 17; Jeffrey R. Holland, “The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 70–73.

bukë dhe peshq

Jezusi ushqeu mrekullisht pesë mijë njerëz me pesë bukë dhe dy peshq.

Mateu 14:15–21; Marku 6:33–44; Gjoni 6:5–14

Shpëtimtari mund ta lartësojë ofertën time të përulur për t’i përmbushur qëllimet e Tij.

A jeni ndier ndonjëherë të paaftë për t’i plotësuar të gjitha nevojat që shihni përreth jush – në shtëpinë tuaj, në marrëdhëniet tuaja apo në shoqërinë tuaj? Dishepujt e Jezusit duhet të jenë ndier të paaftë kur Ai u kërkoi atyre që të ushqenin mbi pesë mijë njerëz të uritur kur kishte vetëm pesë bukë dhe dy peshq në dispozicion. Ndërsa lexoni për mrekullinë që ndodhi më pas, përsiatni mbi mënyrën se si Perëndia mund t’i përdorë ofertat tuaja të përulura të shërbesës për t’i bekuar ata që janë përreth jush. Si i ka lartësuar Ai përpjekjet tuaja ndërsa i keni shërbyer Atij? Merrni parasysh këtë thënie nga Motra Mishel D. Krejg: “Unë dhe ju mund t’ia japim atë që kemi Krishtit dhe Ai do ta shumëfishojë [efektshmërinë e] përpjekjeve tona. Ajo që keni për të dhënë, është më tepër sesa mjaftueshëm – madje edhe me dobësitë dhe të metat tuaja njerëzore – nëse mbështeteni te hiri i Perëndisë” (“Pakënaqësia e Shenjtë”, Liahona, nëntor 2018, f. 54).

Mateu 14:22–33; Marku 6:45–52; Gjoni 6:15–21

Jezu Krishti më fton që t’i lë mënjanë frikën dhe dyshimet e mia e të ushtroj besim tek Ai.

Përfytyroni në mendjen tuaj hollësitë e tablosë së përshkruar te Mateu 14:22–33; Marku 6:45–52 dhe Gjoni 6:15–21. Përfytyroni se si mund të jenë ndier Pjetri dhe dishepujt e tjerë. Çfarë mësoni rreth dishepullimit nga fjalët dhe veprimet e Shpëtimtarit në këto vargje? Çfarë mësoni nga fjalët dhe veprimet e Pjetrit? (Shih edhe 1 Nefi 3:7.) Çfarë po ju fton Zoti të bëni që mund të jetë sikur po dilni nga barka? Çfarë gjeni në këto vargje që ju jep guxim për ta ushtruar besimin tuaj te Jezu Krishti?

Gjoni 6:22–71

Si një dishepull i Jezu Krishtit, unë duhet të jem i/e gatshëm/me ta besoj dhe ta pranoj të vërtetën, edhe kur është e vështirë për ta bërë.

Kur Jezusi iu referua vetes së Tij si “buka e jetës” (Gjoni 6:48), shumë njerëzve iu duk si një “e folur … e rëndë” (Gjoni 6:60). Si mund t’ju ndihmojnë fjalët e Pjetrit te Gjoni 6:68–69 gjatë rasteve kur doktrina e Shpëtimtarit ju duket e vështirë për ta pranuar ose për të jetuar? Çfarë ju lë mbresa rreth dëshmisë së Pjetrit? Cilat janë disa “fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68) që ju ndihmojnë të qëndroni të zotuar për ta ndjekur Shpëtimtarin?

Shih edhe M. Rasëll Ballard, “Te Kush të Shkojmë?”, Liahona, nëntor 2016, f. 90–92.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Mateu 14:15–21.Merrni parasysh se si mund ta ndihmoni familjen tuaj të përfytyrojë se sa bukë dhe peshq do të duhen për të ushqyer pesë mijë njerëz. Çfarë na mëson mrekullia te Mateu 14:15–21 rreth Shpëtimtarit? Merrni parasysh të tregoni një përvojë kur ndiet se nuk kishit mjaftueshëm për të dhënë dhe se Shpëtimtari jua shumëfishoi përpjekjet.

Mateu 14:22–33.Familja juaj mund të kënaqet duke e rivënë në skenë historinë në këto vargje. Përse ishin të frikësuar dishepujt? Përse ishte Pjetri në gjendje ta mposhte frikën e tij dhe të dilte nga barka? Si tregoi ai besim edhe kur filloi të zhytej? Në ç’mënyrë jemi ne nganjëherë si Pjetri?

Gjoni 5:1–16.Ftojini pjesëtarët e familjes të vërejnë rastet e frazës “shërohej” në këto vargje. Në çfarë mënyrash mund t’i shërojë Jezu Krishti njerëzit? Kur dhe si na ka shëruar Ai?

Gjoni 6:28–58.Jepini çdo pjesëtari të familjes një copë bukë për të ngrënë dhe diskutoni mbi përfitimet që marrim nga buka dhe ushqime të tjera të shëndetshme. Më pas shqyrtojini këto vargje së bashku, duke kërkuar arsyen përse Jezu Krishti e quajti veten e Tij “buka e jetës” (Gjoni 6:35). Çfarë kuptimi mund të ketë që të “hash” bukën e jetës? (Shih D. Tod Kristoferson, “Buka e Gjallë që Zbriti nga Qielli”, Liahona, nëntor 2017, f. 36–39).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “O sa Urti dhe Dashuri”, Himne, nr. 110.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni vetë idetë tuaja shpirtërore. Gjatë studimit tuaj vetjak dhe familjar, mos e kufizoni veten tuaj te fragmentet e shkrimit të shenjtë që trajtohen në këto përvijime të mësimeve. Zoti ka të ngjarë që të ketë mesazhe për ju në këta kapituj që nuk përfshihen këtu. Kërkojini ato plot lutje.

Jezusi duke e nxjerrë Pjetrin nga uji

Against the Wind [Kundër Erës], nga Liz Lemon Swindle