Dhiata e Re 2023
24–30 Prill. Gjoni 7–10: “Unë Jam Bariu i Mirë”


“24–30 Prill. Gjoni 7–10: ‘Unë Jam Bariu i Mirë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“24–30 Prill. Gjoni 7–10”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Jezusi me gruan e rënë në tokë

Neither Do I Condemn Thee [As Unë Nuk të Dënoj], nga Eva Koleva Timothy

24–30 Prill

Gjoni 7–10

“Unë Jam Bariu i Mirë”

Ndërsa i lexoni kapitujt te Gjoni 7–10, ju mund të merrni mbresa nga Fryma e Shenjtë rreth parimeve doktrinore në këta kapituj. Shënimi i mbresave tuaja mund t’ju ndihmojë të bëni një plan për të vepruar sipas tyre.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndonëse Jezu Krishti erdhi për t’u sjellë “paqe … njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij” (Lluka 2:14), pati “përçarje në turmë për shkak të tij” (Gjoni 7:43). Njerëzit që dëshmuan të njëjtat ngjarje arritën në përfundime shumë të ndryshme rreth faktit se kush ishte Jezusi. Disa dolën në përfundimin: “Ai është i mirë”, ndërsa të tjerët thanë: “Ai e mashtron popullin” (Gjoni 7:12). Kur Ai e shëroi një njeri të verbër në ditën e Shabatit, disa ngulën këmbë: “Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën”, ndërkohë që të tjerët pyetën: “Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?” (Gjoni 9:16.) Prapëseprapë, pavarësisht nga pështjellimi, ata që e kërkuan të vërtetën, e dalluan fuqinë në fjalët e Tij, sepse “asnjeri nuk k[ishte] folur kurrë si ai njeri” (Gjoni 7:46). Kur judenjtë i kërkuan Jezusit që t’ua “th[oshte] haptas” nëse ai ishte Krishti, Ai zbuloi një parim që mund të na ndihmojë ta dallojmë të vërtetën nga e gabuara: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim”, tha Ai, “unë i njoh ato dhe ato më ndjekin” (Gjoni 10:24, 27).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Gjoni 7:14–17

Ndërsa i jetoj të vërtetat e dhëna mësim nga Jezu Krishti, unë do të arrij ta di se ato janë të vërteta.

Judenjtë u mrekulluan që Jezusi dinte kaq shumë, meqenëse Ai nuk qe i arsimuar (shih vargun 15) – të paktën, jo në mënyrat me të cilat ishin mësuar ata. Në përgjigjen e Tij, Jezusi dha mësim një mënyrë të ndryshme për ta ditur të vërtetën, e cila është në dispozicion për çdokënd, pavarësisht nga arsimi apo formimi kulturor. Sipas vargjeve te Gjoni 7:14–17, si mund të arrini ta dini se është e vërtetë doktrina që dha mësim Jezusi? Si ju ka ndihmuar ky proces për ta zhvilluar dëshminë tuaj për ungjillin?

Gjoni 8:2–11

Mëshira e Shpëtimtarit është në dispozicion për të gjithë njerëzit.

Kur foli për ndërveprimin midis Shpëtimtarit dhe gruas që ishte kapur duke shkelur kurorën, Plaku Dejll G. Renland tha: “Sigurisht, Shpëtimtari nuk e shfajësoi shkeljen e kurorës. Por Ai gjithashtu nuk e dënoi gruan. Ai i dha asaj kurajë për ta ndryshuar jetën e vet. Ajo u nxit të ndryshonte për shkak të dhembshurisë dhe mëshirës së Tij. Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it dëshmon për kthimin e saj, si rrjedhojë, në një dishepulle: ‘Dhe gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë, dhe besoi në emrin e tij’ [shih Gjoni 8:11, poshtëshënimi c]” (“Bariu Ynë i Mirë”, Liahona, maj 2017, f. 30).

Kur jeni ndier si kjo grua, duke marrë mëshirë në vend të dënimit nga Shpëtimtari? Kur keni qenë si skribët dhe farisenjtë, që i keni akuzuar ose gjykuar të tjerët edhe kur ju vetë nuk jeni pa mëkat? (Shih Gjoni 8:7.) Çfarë tjetër mund të mësoni nga mënyra se si Shpëtimtari ndërveproi me skribët e farisenjtë dhe me gruan e kapur duke shkelur kurorën? Çfarë mësoni rreth faljes së Shpëtimtarit ndërsa i lexoni këto vargje?

Shih edhe “Go and Sin No More” [“Shko dhe Mos Mëkato më”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Gjoni 9

Nëse kemi besim, Perëndia mund ta shfaqë veten e Tij gjatë mundimeve tona.

Çfarë ju mësojnë vargjet te Gjoni 9:1–3 rreth sfidave dhe mundimeve të jetës? Ndërsa lexoni te Gjoni 9, përsiatni se si “[u] dëft[uan] veprat e Perëndisë” në jetën e njeriut që kishte lindur i verbër. Si janë dëftuar ato në jetën tuaj, përfshirë në mundimet tuaja?

Gjoni 10:1–30

Jezu Krishti është Bariu i Mirë.

Edhe nëse nuk keni njohuri për delet dhe të qenit bari, leximi i kapitullit te Gjoni 10, ku Shpëtimtari thotë: “Unë jam bariu i mirë”, mund t’ju mësojë të vërteta të rëndësishme për Të. Për t’i gjetur këto të vërteta, kërkoni fraza që përshkruajnë se si është një bari i mirë dhe pastaj merrni parasysh se si këto fraza gjejnë zbatim për Shpëtimtarin. Më poshtë janë disa shembuj:

  • Vargu 3: “Ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë”.

  • Vargu 11: Ai “jep jetën e vet për delet”.

  • Vargu 16: “Do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm”.

Ja disa pyetje të tjera që t’ju ndihmojnë të përsiatni për këtë kapitull: Si është Jezusi si një derë? (Shih vargjet 7–9.) Në ç’mënyrë Ai ju ka dhënë “jetë … me bollëk”? (Vargu 10.) Kur e keni ndier se Ai ju njeh personalisht? (Shih vargun 14.) Si e njihni zërin e Bariut të Mirë? (Shih vargun 27.)

Shih edhe Psalmeve 23; Ezekiel 34; Alma 5:37–39; 3 Nefi 15:21–16:5; Gerit W. Gong, “Bariu i Mirë, Qengji i Perëndisë”, Liahona, maj 2019, f. 97–101.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Gjoni 7:24.Për ta ndihmuar familjen tuaj që ta kuptojë mësimin e dhënë nga Jezusi te Gjoni 7:24, ju mund t’u tregoni diçka që duket njëlloj nga jashtë por është e ndryshme nga brenda. Ose pjesëtarët e familjes mund të tregojnë përvoja që u mësuan atyre të mos gjykojnë nisur nga pamjet e jashtme. Ju gjithashtu mund të renditni cilësitë e një pjesëtari të familjes që nuk bien në sy (shih edhe 1 Samuelit 16:7; Tomas S. Monson, “Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen”, Liahona, nëntor 2012, f. 68–71).

Gjoni 8:31–36.Çfarë do të thotë të jesh një “skllav i mëkatit”? (Shih edhe Moroni 7:11.) Cilat të vërteta të dhëna mësim nga Jezusi mund të na bëjnë të lirë?

Krishti duke shëruar një burrë të verbër

Jesus Healing the Blind [Jezusi Duke Shëruar të Verbërin], nga Carl Heinrich Bloch

Gjoni 9.Si mund ta ndihmoni familjen tuaj që të përfytyrojë rrëfimin ku Jezusi shëron një burrë të verbër te Gjoni 9? Ju mund ta interpretoni së bashku me gjeste historinë ose mund të shfaqni materialin filmik “Jesus Heals a Man Born Blind” [“Jezusi Shëron një Burrë që u Lind i Verbër”] (ChurchofJesusChrist.org). Ndalojeni historinë nganjëherë në mënyrë që pjesëtarët e familjes të mund t’i lexojë vargjet përkatëse nga Gjoni 9. Ftojini të vënë re çfarëdo mësimi që mësojnë nga rrëfimi, të tillë si ajo se çfarë do të thotë të bëhesh i kthyer në besim në ungjillin e Jezu Krishtit.

Gjoni 10:1–18, 27–29.Për t’i përfshirë pjesëtarët e familjes që të mësojnë nga shëmbëlltyra e bariut të mirë, kërkojini secilit prej tyre që të vizatojë një figurë të njërit prej këtyre që vijojnë: një vjedhës, një derë, një bari, një mëditës (një i punësuar), një ujk dhe një dele. Ftojini ata të lexojnë vargjet te Gjoni 10:1–18, 27–29, dhe më pas diskutoni si familje se çfarë dha mësim Shpëtimtari rreth gjërave që ata vizatuan.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Zoti Ësht’ Bariu Im”, Himne, nr. 56.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni fjalë dhe fraza frymëzuese. Ndërsa lexoni, Shpirti mund të sjellë fjalë ose fraza të caktuara në vëmendjen tuaj që ju frymëzojnë dhe nxitin apo duken sikur janë shkruar pikërisht për ju. Merreni parasysh që ta mbani shënim ndonjë fjalë apo frazë që ju frymëzon te Gjoni 7–10.

Krishti me një qengj

Lost No More [Jo Më të Humbur], nga Greg K. Olsen