“17–23 Prill. Mateu 18; Lluka 10: ‘Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“17–23 Prill. Mateu 18; Lluka 10”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
17–23 Prill
Mateu 18; Lluka 10
“Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?”
Ndërsa i lexoni dhe përsiatni plot lutje kapitujt te Mateu 18 dhe Lluka 10, kushtojuni vëmendje nxitjeve të qeta të Frymës së Shenjtë. Ai do t’ju tregojë mënyrën se si zbatohen këto mësime dhe histori për ju. Shënojini mbresat që merrni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Kur i bëni një pyetje Zotit, ju mund të merrni një përgjigje që nuk e prisnit. Kush është i afërmi im? Çdokush që ka nevojë për ndihmën dhe dashurinë tuaj. Kush është më i madhi në mbretërinë e qiejve? Një fëmijë. A është e mjaftueshme ta falni shtatë herë një person që ju ka fyer? Jo, ju duhet ta falni shtatëdhjetë herë shtatë. (Shih Lluka 10:29–37; Mateu 18:4, 21–22.) Përgjigjet e papritura nga Zoti mund të na ftojnë ta ndryshojmë mënyrën se si mendojmë, si ndihemi dhe si veprojmë. Nëse po kërkoni vullnetin e Zotit ngaqë me të vërtetë doni të mësoni prej Tij, Zoti do t’ju mësojë se si të jetoni në një mënyrë që çon drejt jetës së përjetshme me Të.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Unë duhet t’i fal të tjerët nëse dua të marr falje nga Zoti.
Sugjerimi i Pjetrit se ai mund ta falte dikë shtatë herë, mund të duket shumë zemërgjerë, por Jezusi dha mësim një ligj më të lartë. Përgjigja e Tij, “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë” (vargu 22), ishte një mësim jo rreth numrave, por për më tepër rreth qëndrimit si të Krishtit ndaj faljes. Ndërsa e lexoni shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm, përsiatni për rastet kur ju i keni ndier mëshirën dhe dhembshurinë e Perëndisë. A ekziston ndonjë njeri që ka nevojë të ndiejë mëshirë dhe dhembshuri prej jush?
Plaku Dejvid E. Sorensen dha këtë paralajmërim të rëndësishëm: “Megjithëse duhet ta falim një fqinj që na lëndon, ne ende duhet të punojmë në mënyrë ndërtuese për të parandaluar përsëritjen e asaj padrejtësie. … Falja nuk na kërkon ta pranojmë apo ta tolerojmë të ligën. … Por ndërsa luftojmë kundër mëkatit, ne nuk duhet ta lejojmë zemërimin apo inatin që të kontrollojë mendimet ose veprimet tona” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Liahona, maj 2003, f. 12).
Kush janë Të Shtatëdhjetët?
Duke ndjekur një model të vendosur në kohët e Dhiatës së Vjetër (shih Eksodi 24:1; Numrat 11:16), Jezu Krishti “caktoi [të] shtatëdhjetë të tjerë” përveç Dymbëdhjetë Apostujve të Tij, që të dëshmonin për Të, ta predikonin ungjillin e Tij dhe ta ndihmonin në punën e Tij. Ky model vazhdon në Kishën e rivendosur. Të Shtatëdhjetët thirren që të ndihmojnë Të Dymbëdhjetët në misionin e tyre si dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit për të gjithë botën.
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 107:25–26, 33–34, 97.
Për të marrë jetë të përjetshme, duhet ta dua Perëndinë dhe ta dua të afërmin tim porsi vetveten.
Është e dobishme të kujtojmë se shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë ishte mënyra e Jezusit për t’iu përgjigjur dy pyetjeve: “Çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?” dhe “Kush është i afërmi im?” (Lluka 10:25, 29.) Ndërsa e lexoni këtë shëmbëlltyrë, mbajini në mendje këto pyetje. Çfarë përgjigjesh gjeni?
Deri në kohën e Jezusit, armiqësia midis judenjve dhe samaritanëve kishte zgjatur për shekuj. Samaritanët ishin pasardhës të judenjve që jetonin në Samari, të cilët ishin bashkuar në martesë me johebrenjtë. Judenjtë mendonin se samaritanët ishin korruptuar nga shoqërimi i tyre me johebrenjtë dhe e kishin braktisur besimin. Judenjtë udhëtonin për kilometra të tërë që ta shmangnin kalimin përmes Samarisë. (Shih edhe Lluka 9:52–54; 17:11–18; Gjoni 4:9; 8:48.)
Si mendoni, përse Shpëtimtari zgjodhi një samaritan, dikë që urrehej nga judenjtë, si shembull të dhembshurisë dhe dashurisë për një njeri të afërm? Çfarë ju frymëzon kjo shëmbëlltyrë që të bëni?
Shih edhe Mosia 2:17; “Parable of the Good Samaritan” [“Shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë”] dhe “A Good Samaritan” [“Një Samaritan i Mirë”] (materiale filmike), ChurchofJesusChrist.org.
Ne duhet të zgjedhim “pjesën më të mirë” duke bërë zgjedhje të përditshme që çojnë drejt jetës së përjetshme.
Te Lluka 10:38–42, Jezusi me butësi e ftoi Martën të mendonte ndryshe për mënyrën se si ajo po e kalonte kohën e vet. Pasi citoi këto vargje, Motra Karol F. Mek‑Konki dha mësim: “Në mënyrë që të jemi të shenjt[ë], ne duhet të mësojmë që të ulemi te këmbët e Të Shenjtit të Izraelit dhe t’i japim kohë shenjtërisë. A e lëmë mënjanë telefonin, listën e pafund të ‘gjërave për t’u bërë’ dhe shqetësimet rreth gjërave të botës? Lutja, studimi dhe mbajtja vesh e fjalës së Perëndisë e ftojnë dashurinë e Tij pastruese dhe shëruese në shpirtrat tanë. Le të gjejmë kohë të jemi të shenjta, që të mund të mbushemi me Shpirtin e Tij të shenjtë dhe shenjtërues” (“Shkëlqimi i Shenjtërisë”, Liahona, maj 2017, f. 11). Ju mund të doni të shqyrtoni se si e kaloni kohën tuaj – madje edhe me gjërat e mira. A ka diçka më “[të] nevojshme” (vargu 42) që meriton më shumë vëmendje nga ju?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Mateu 18:1–11.Përse Jezusi do të donte që ne të bëheshim si një fëmijë i vogël? Çfarë cilësish kanë fëmijët që ne mund t’i zhvillojmë për t’u bërë më shumë si Krishti? (Shih Mosia 3:19.)
-
Mateu 18:15.Si mund ta vëmë në zbatim këshillën te Mateu 18:15 në ndërveprimet tona familjare? Si do ta bekojë familjen tonë bërja e kësaj?
-
Mateu 18:21–35.Çfarë na mëson kjo shëmbëlltyrë rreth Jezu Krishtit? Çfarë na mëson ajo rreth mënyrës se si t’i trajtojmë të tjerët?
-
Lluka 10:25–37.Pjesëtarëve të familjes mund t’ju pëlqejë që të veshin kostume dhe ta aktrojnë këtë shëmbëlltyrë. Në ç’mënyrë ne nganjëherë jemi si njerëzit e ndryshëm në shëmbëlltyrë? Në ç’mënyrë Shpëtimtari është si Samaritani i mirë? Si mund të jemi ne si Samaritani i mirë?
Ju mund të merrni parasysh të këndoni së bashku një himn ose një këngë të fëmijëve që i përkrah të vërtetat në këtë shëmbëlltyrë. Një shembull është “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek” (Himne, nr. 137), por ka shumë të tjera. Pjesëtarëve të familjes mund t’iu pëlqejë të gjejnë një himn ose këngë dhe të shpjegojnë se si ai apo ajo lidhet me shëmbëlltyrën.
-
Lluka 10:38–42.A është ndonjëherë e vështirë t’i lidhni gjërat shpirtërore me programin tuaj familjar? Historia e Maries dhe Martës mund ta frymëzojë një këshill familjar apo mbrëmje familjare rreth mënyrës se si ta bëjë këtë më mirë. Si familje, ju mund të bëni një listë të mënyrave për të zgjedhur “pjesën më të mirë” (Lluka 10:42).
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Jezus’ Tha t’i Doni t’Gjith’”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 39.