“15–21 Maj. Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12: ‘Ja po … Vjen Mbreti Yt’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“15–21 Maj. Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
15–21 Maj
Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12
“Ja po … Vjen Mbreti Yt”
Ndërsa lexoni kapitujt te Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20 dhe Gjoni 12, kushtojuni vëmendje mbresave që merrni nga Fryma e Shenjtë. Referojuni pjesës “Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël” në fillim të këtij burimi për gjëra që t’i mbani në mendje kur i jepni mësim këto parime.
Ftojini të Tregojnë
Tregoni një figurë nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth asaj që po ndodh në figurë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Ati Qiellor dhe Jezusi më njohin me emër.
Ndërkohë që lexoni rreth ndërveprimit të Shpëtimtarit me Zakeun, çfarë mesazhesh gjeni që mund t’i bekojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një figurë të Zakeut në Pemën e Fikut (në këtë përvijim të mësimit ose në ChurchofJesusChrist.org). Ndihmojini fëmijët të gjejnë Zakeun dhe ta thonë emrin e tij. Krijoni veprime për fëmijët që t’i bëjnë, ndërkohë që u tregoni historinë e Zakeut dhe të Jezusit – për shembull, të qëndrojnë në majë të gishtave për të parë mbi një turmë ose të bëjnë sikur po ngjiten në pemë. Shpjegoni se Shpëtimtari e pa Zakeun dhe e thirri me emër. Dëshmoni që Shpëtimtari gjithashtu e njeh secilin prej fëmijëve dhe i di emrat e tyre.
-
Sillni në klasë një kornizë fotografie bosh ose bëni një kornizë prej letre. Ftojeni secilin fëmijë ta mbajë me radhë kornizën përpara fytyrës së vet, ndërkohë që pjesa tjetër e klasës thotë: “Ati Qiellor dhe Jezusi e njohin [emri i fëmijës]”.
-
Këndoni së bashku një këngë për dashurinë e Atit Qiellor, të tillë si “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3). Ndihmojini fëmijët të mbajnë vesh për gjëra që i ndihmojnë të dinë se Ati Qiellor i do ata.
Tempulli është një vend i shenjtë.
Nderimi i Jezusit për tempullin, siç përshkruhet në këto vargje, mund t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të kuptojnë se tempulli është një vend i shenjtë.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni figurën Jezusi Pastron Tempullin (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 51) dhe tregoni historinë e shënuar te Mateu 21:12–14. Ndihmojini fëmijët të gjejnë paratë dhe kafshët në figurë. Më pas diskutoni se përse Shpëtimtari dëshironte që të largoheshin nga tempulli këmbyesit e monedhave dhe njerëzit që shisnin kafshë.
-
Tregoni fotografi të tempujve (për shembull, shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 117–119) dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë se si ndihen kur shohin një tempull. Mund të shpjegoni se tempulli është një vend ku shkojmë për të bërë premtime me Perëndinë, për të kërkuar përgjigje për lutjet dhe për t’u ndier pranë Perëndisë. Ndihmojini fëmijët të dallojnë ndjenja kur Fryma e Shenjtë po u thotë se tempulli është një vend i veçantë. Kërkojuni fëmijëve të veprojnë siç do të bënin po të ishin brenda tempullit. Për shembull, ata mund të flasin duke pëshpëritur dhe të ulen me nderim.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth tempullit, të tillë si “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99) dhe ftojini fëmijët ta kenë si synim që të shkojnë brenda tempullit një ditë.
Unë mund të jem i/e bindur.
Ati Qiellor dëshiron që ne të jemi të bindur. Shëmbëlltyra e dy bijve është një mundësi për të dhënë mësim rreth rëndësisë së bindjes.
Veprimtari të Mundshme
-
Vizatoni një figurë të dy bijve në tabelë dhe përdorini vizatimet ndërkohë që tregoni shëmbëlltyrën te Mateu 21:28–32. Cili bir bëri gjënë e drejtë më në fund? Kërkojuni fëmijëve të përmendin gjëra që mund t’i bëjnë për të qenë të bindur në shtëpi. Lejojini të vizatojnë figura të vetes së tyre duke bërë njërën prej atyre gjërave.
-
Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja që i kanë pasur kur ishin të bindur ndaj prindërve të tyre. Si u bekuan ngaqë ishin të bindur?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Kur e kërkoj Shpëtimtarin, unë vërtet do ta gjej Atë.
Ju mund ta përdorni tregimin për Zakeun që t’i ndihmoni fëmijët të mendojnë për gjëra që mund t’i bëjnë për të ardhur më pranë Shpëtimtarit.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni vargjet te Lluka 19:1–10, duke bërë ndalesë pas disa vargjesh për të diskutuar atë që vargjet zbulojnë rreth Zakeut. Çfarë bëri Zakeu që të mund ta shihte Jezusin? Si u përgjigj ai kur Jezusi i kërkoi të zbriste nga pema? Kërkojini secilit fëmijë të tregojë një arsye përse ata do të donin ta shihnin Jezusin. Nëse Shpëtimtari do të vinte në qytetin tonë, çfarë do të bënim që të përgatiteshim?
-
Ftojini fëmijët të mendojnë rreth njerëzve që i njohin, të cilët, si Zakeu, mund të jenë duke kërkuar Shpëtimtarin. Pyetini fëmijët se çfarë mund të bëjnë për ta ndihmuar dikë tjetër që të mësojë rreth Shpëtimtarit.
-
Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja kur e ndien se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ishin të vetëdijshëm për ta dhe i deshën ata.
Tempulli është një vend i shenjtë që unë duhet ta respektoj.
Si mund t’ju ndihmojë tregimi i Shpëtimtarit duke pastruar tempullin që t’u mësoni fëmijëve rreth shenjtërisë së tempujve?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te Mateu 21:12–14. Tregoni figurën Jezusi Pastron Tempullin (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 51) dhe pyetini se cili varg përshkruhet në figurë.
-
Ftojini fëmijët të tregojnë se si janë ndier kur kanë hyrë brenda një tempulli, kur vizituan mjediset rrethuese të tempullit ose panë fotografitë e tempujve. Çfarë i ndihmoi të dinë se tempulli është një vend i shenjtë? Mund t’u tregoni fëmijëve arsyen përse e pëlqeni shumë tempullin. Përse është i shenjtë për ju?
-
Ftoni një ose më shumë të rinj ose të reja që të vijnë në klasë dhe të flasin rreth mënyrës se si janë përgatitur për të hyrë në tempull. Nëse ata kanë qenë në tempull, kërkojuni të flasin rreth asaj se si u ndien kur ishin atje.
-
Pritni një fotografi të një tempulli në pjesëza figurëformuese dhe jepini secilit fëmijë një pjesëz. Kërkojuni fëmijëve të shkruajnë në anën e pasme të pjesës së tyre figurëformuese, një gjë që mund ta bëjnë për t’u përgatitur që të hyjnë në tempull. Ndërsa secili fëmijë jep një ide, ia shtoni pjesën e tij ose të saj figurëformueses.
-
Në tabelë shkruani sa vijon: mund të më ndihmojë të përgatitem për të shërbyer në tempull. Ftojini fëmijët të sugjerojnë mënyra se si ta plotësojnë këtë fjali. Disa ide mund të përfshijnë “Mbajtja e besëlidhjeve të mia të pagëzimit” ose “Fryma e Shenjtë”.
Jezusi dëshiron që unë të jem i drejtë në veprimet e mia dhe në dëshirat e mia.
Jezusi u dha mësim skribëve dhe farisenjve rreth rëndësisë së të jetuarit të vërtetë të ungjillit – jo thjesht të shtiremi se jemi të drejtë. Çfarë do t’i ndihmonte fëmijët ta kuptonin këtë të vërtetë?
Veprimtari të Mundshme
-
Teksa lexoni me fëmijët te Mateu 23:25–28, merreni parasysh t’u thoni këtë përkufizim të fjalës hipokrit nga Bible Dictionary [Fjalori Biblik]: “Një njeri që shtiret sikur është besimtar kur në të vërtetë nuk është”. Përse është e keqe të jesh hipokrit?
-
Tregojuni fëmijëve një gotë që është e pastër nga jashtë, por e pistë nga brenda, që ju ndihmon ta ilustroni metaforën te Mateu 23:25. Si mund të sigurohemi që jemi të pastër e të dëlirë nga brenda?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për diçka që e mësuan në orën mësimore, të cilën mund t’ua tregojnë familjeve të tyre në shtëpi.