“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Besëlidhja”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Besëlidhja”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh
Besëlidhja
Në të gjithë Dhiatën e Vjetër, ju do ta lexoni shpesh fjalën besëlidhje. Sot ne zakonisht i mendojmë besëlidhjet si premtime të shenjta me Perëndinë, por në botën e lashtë, besëlidhjet ishin gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ndërveprimeve të njerëzve me njëri‑tjetrin. Për sigurinë dhe mbijetesën e tyre, njerëzve u nevojitej që të mund t’i mirëbesonin njëri‑tjetrit dhe besëlidhjet ishin një mënyrë për ta siguruar atë mirëbesim.
Kështu që kur Perëndia u foli Noeut, Abrahamit ose Moisiut për besëlidhjet, Ai po i ftonte ata që të hynin në një marrëdhënie mirëbesimi me Të. Një nga shembujt më të mirënjohur të një besëlidhjeje në Dhiatën e Vjetër është ai i besëlidhjes që Perëndia bëri me Abrahamin dhe Sarën – dhe më pas ajo u përtëri me pasardhësit e tyre, Isakun dhe Jakobin (i quajtur gjithashtu Izrael). Ne shpesh e quajmë këtë besëlidhja e Abrahamit, megjithëse në Dhiatën e Vjetër ajo njihej thjesht si “besëlidhja”. Ju do të shihni se Dhiata e Vjetër është në thelb historia e njerëzve që e panë veten si trashëgimtarët e kësaj besëlidhjeje – populli i besëlidhjes.
Besëlidhja e Abrahamit vazhdon të jetë e rëndësishme sot, veçanërisht për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Përse? Sepse ne jemi gjithashtu populli i besëlidhjes, pavarësisht nëse jemi apo jo pasardhës të drejtpërdrejtë të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit (shih Galatasve 3:27–29). Për këtë arsye, është e rëndësishme të kuptoni se çfarë është besëlidhja e Abrahamit dhe si zbatohet ajo për ne sot.
Çfarë Është Besëlidhja e Abrahamit?
Abrahami dëshironte “të [ishte] ndjekës më i madh i drejtësisë” (Abraham 1:2), kështu që Perëndia e ftoi atë në një marrëdhënie në besëlidhje. Abrahami nuk ishte i pari që e kishte këtë dëshirë dhe nuk ishte i pari që mori një besëlidhje. Ai kërkoi “bekimet e etërve” (Abraham 1:2) – bekime që iu ofruan me anë të besëlidhjes Adamit dhe Evës dhe më pas atyre që i kërkuan me zell këto bekime.
Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin premtoi bekime të mrekullueshme: një trashëgimi toke, pasardhës të shumtë, të drejtë përdorimi të ordinancave të priftërisë dhe një emër që do të nderohej në brezat që do të vinin. Por përqendrimi i kësaj besëlidhjeje nuk ishte vetëm te bekimet që do të merrnin Abrahami dhe familja e tij, por gjithashtu te bekimi që ata do të ishin për pjesën tjetër të fëmijëve të Perëndisë. “Ti do të jesh një bekim”, shpalli Perëndia, dhe “te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës” (Zanafilla 12:2–3).
A u dha kjo besëlidhje Abrahamit, Sarës dhe pasardhësve të tyre një status të privilegjuar midis fëmijëve të Perëndisë? Vetëm në kuptimin se t’i bekosh të tjerët është një privilegj. Familja e Abrahamit, duhej “ta mba[nte] këtë shërbesë dhe Priftëri për të gjitha kombet”, duke i përhapur “bekimet e Ungjillit, të cilat janë bekimet e shpëtimit, madje të jetës së përjetshme” (Abraham 2:9, 11).
Kjo besëlidhje ishte bekimi që Abrahami e dëshironte fort. Pasi e mori atë, Abrahami tha në zemrën e vet: “Shërbëtori yt të ka kërkuar me shumë zell; tani unë të kam gjetur” (Abraham 2:12).
Kjo ishte mijëra vjet më parë, por kjo besëlidhje është rivendosur në kohën tonë (shih 1 Nefi 22:8–12). Dhe aktualisht po përmbushet në jetën e popullit të Perëndisë. Në fakt, përmbushja e besëlidhjes po merr hov në ditët e mëvonshme ndërsa vepra e Perëndisë përparon, duke i bekuar familjet kudo në botë. Dhe kushdo që, ashtu si Abrahami, dëshiron të jetë një ndjekës më i madh i drejtësisë, kushdo që e kërkon Zotin me zell, mund të jetë pjesë e saj.
Çfarë Kuptimi Ka për Mua Besëlidhja e Abrahamit?
Ju jeni një fëmijë i besëlidhjes. Ju bëtë një besëlidhje me Perëndinë kur u pagëzuat. Ju e përtërini atë besëlidhje çdo herë që merrni sakramentin. Dhe ju bëni besëlidhje të shenjta në tempull. Së bashku, këto besëlidhje ju bëjnë pjesëmarrës në besëlidhjen e Abrahamit, plotësia e së cilës gjendet në ordinancat e tempullit. Ashtu siç dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson: “Së fundi, në tempullin e shenjtë, ne mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë të bekimeve të pasjes së një familjeje të përjetshme, siç iu premtua dikur Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre”1.
Nëpërmjet këtyre besëlidhjeve dhe ordinancave, ne bëhemi populli i Perëndisë (shih Eksodi 6:7; Ligji i Përtërirë 7:6; 26:18; Ezekiel 11:20). Ne bëhemi të ndryshëm nga bota përreth nesh. Besëlidhjet tona bëjnë të mundur që ne të jemi dishepuj të vërtetë, të zotuar të Jezu Krishtit. “Besëlidhjet tona”, shpjegoi Presidenti Nelson, “na lidhin me Të dhe na japin fuqi të perëndishme”2. Dhe kur Perëndia i bekon njerëzit e Tij me fuqinë e Tij, është me ftesën dhe pritshmërinë se ata do t’i bekojnë të tjerët – se ata do të “je[në] një bekim” për “të gjitha familjet e tokës” (Abraham 2:9, 11).
Ky është kuptimi i çmuar që na është dhënë për shkak të Rivendosjes së besëlidhjes së Abrahamit nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Prandaj, kur lexoni për besëlidhjet në Dhiatën e Vjetër, mos mendoni vetëm për marrëdhënien e Perëndisë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. Mendoni gjithashtu për marrëdhënien e Tij me ju. Kur lexoni rreth premtimit për pasardhës të panumërt (shih Zanafilla 28:14), mos mendoni vetëm për miliona njerëz që sot e quajnë Abrahamin atin e tyre. Mendoni gjithashtu për premtimin e Perëndisë ndaj jush për familje të përjetshme dhe rritje të përjetshme (shih Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; 132:20–24). Kur lexoni rreth premtimit për një tokë trashëgimie, mos mendoni vetëm për tokën që iu premtua Abrahamit. Mendoni gjithashtu për fatin qiellor të vetë tokës – një trashëgimi që iu premtua “zemërbutë[ve]” që “shpresojnë tek Zoti” (Mateu 5:5; Psalmeve 37:9, 11; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 88:17–20). Dhe kur lexoni për premtimin se populli i besëlidhjes me Perëndinë do t’i bekojë “të gjitha familjet e tokës” (Abraham 2:11), mos mendoni vetëm për shërbesën e Abrahamit ose profetët që rrodhën prej tij. Mendoni gjithashtu për atë që mund të bëni ju – si një pasues besëlidhës i Jezu Krishtit – që të jeni një bekim për familjet përreth jush.