“7–13 Shkurt. Zanafilla 12–17; Abraham 1–2: ‘Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“7–13 Shkurt. Zanafilla 12–17; Abraham 1–2”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
7–13 Shkurt
Zanafilla 12–17; Abraham 1–2
“Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë”
Ndërsa lexoni për Abramin dhe Sarain (të quajtur më vonë Abraham dhe Sara) dhe familjen e tyre, përsiatni se si ju frymëzojnë shembujt e tyre. Shënoni mbresat rreth asaj që mund të bëni që “të je[ni një] ndjekës më i madh i drejtësisë” (Abraham 1:2).
Shënojini Mbresat Tuaja
Për shkak të besëlidhjes që Perëndia bëri me të, Abrahami është quajtur “ati i besimtarëve” (Doktrina e Besëlidhje 138:41) dhe “miku i Perëndisë” (Jakob [Bibël] 2:23). Miliona njerëz sot e nderojnë atë si paraardhësin e tyre të drejtpërdrejtë dhe të tjerë janë birësuar në familjen e tij nëpërmjet kthimit në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit. Megjithatë, vetë Abrahami erdhi nga një familje me probleme – babai i tij, i cili e kishte braktisur adhurimin e vërtetë të Perëndisë, u përpoq që tʼua flijonte Abrahamin perëndive të rreme. Pavarësisht nga kjo, dëshira e Abrahamit qe që “të [ishte] ndjekës më i madh i drejtësisë” (Abraham 1:2) dhe rrëfimi i jetës së tij tregon se Perëndia e nderoi dëshirën e tij. Jeta e Abrahamit qëndron si një dëshmi se pavarësisht se si ka qenë historia familjare e një personi, e ardhmja mund të jetë e mbushur me shpresë.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Perëndia do të më bekojë për besimin dhe dëshirat e mia të drejta.
Ashtu si shumë prej nesh, Abrahami jetoi në një mjedis të lig, por prapëseprapë ai dëshironte të ishte i drejtë. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim mbi rëndësinë e pasjes së dëshirave të drejta: “Aq e rëndësishme sa është që të humbasësh çdo dëshirë për mëkat, [prapë] jeta e përjetshme kërkon më tepër. Për të arritur të ardhmen tonë të përjetshme ne do të dëshirojmë dhe punojmë për ato cilësi që kërkohen për t’u bërë një qenie e përjetshme. … Nëse kjo duket tepër e vështirë – dhe sigurisht nuk është e lehtë për asnjërin prej nesh – atëherë ne duhet të fillojmë me një dëshirë për cilësi të këtilla dhe t’i kërkojmë ndihmë Atit tonë të dashur Qiellor në lidhje me ndjenjat tona [shih Moroni 7:48]” (“Dëshirë”, Liahona, maj 2011, f. 45). Ndërsa i lexoni vargjet tek Abraham 1:1–19, merrni parasysh se si e tregojnë këto vargje atë që dha mësim Presidenti Ouks. Pyetje si këto mund të ndihmojnë:
-
Çfarë dëshironte dhe kërkonte Abrahami? Çfarë bëri ai për ta treguar besimin e tij?
-
Cilat janë dëshirat tuaja? A ka diçka që mendoni se duhet të bëni për t’i pastruar dëshirat tuaja?
-
Me çfarë sfidash u përball Abrahami për shkak të dëshirave të tij të drejta? Si e ndihmoi atë Perëndia?
-
Çfarë mesazhesh kanë këto vargje për ata njerëz pjesëtarët e familjes së të cilëve nuk e dëshirojnë drejtësinë?
Shih edhe Mateu 7:7; “Deliverance of Abraham” [“Çlirimi i Abrahamit”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org; “Educate Your Desires, Elder Andersen Counsels” [“Edukojini Dëshirat Tuaja, Këshillon Plaku Andersen”] (ChurchofJesusChrist.org).
Kush përfshihet në besëlidhjen e Abrahamit?
Kur Zoti e bëri besëlidhjen e Tij me Abrahamin, Ai premtoi se kjo besëlidhje do të vazhdonte te pasardhësit e Abrahamit, ose “fara”, dhe që “të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill do të … llogariten si fara jote” (Abraham 2:10–11). Kjo do të thotë që premtimet e besëlidhjes së Abrahamit gjejnë zbatim për anëtarët e Kishës sot, qofshin ata pasardhës të mirëfilltë të Abrahamit ose të birësuar në familjen e tij nëpërmjet pagëzimit dhe kthimit në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit (shih Galatasve 3:26–29; Doktrina e Besëlidhje 132:30–32). Që të llogaritet si fara e Abrahamit, një individ duhet t’iu bindet ligjeve dhe ordinancave të ungjillit.
Zanafilla 12:1–3; 13:15–16; 15:1–6; 17:1–8, 15–22; Abraham 2:8–11
Besëlidhja e Abrahamit më bekon mua dhe familjen time.
Për shkak se të gjithë anëtarët e Kishës janë të përfshirë në besëlidhjen e Abrahamit, ju mund të doni të shpenzoni pak kohë duke përsiatur se pse kjo besëlidhje është domethënëse për jetën tuaj. Shënojini mendimet tuaja rreth pyetjeve vijuese:
Si mund të më bekojnë mua dhe familjen time premtimet që gjenden tek Abraham 2:8–11? (Shih edhe Zanafilla 12:1–3; 13:15–16.)
Çfarë mësoj rreth besëlidhjes së Abrahamit nga Zanafilla 15:1–6; 17:1–8, 15–22?
Çfarë ndihem i frymëzuar të bëj që të ndihmoj për përmbushjen e premtimit se “të gjitha familjet e tokës do të bekohen”? (Abraham 2:11.)
Ju mund të merrni parasysh se disa nga bekimet tokësore që iu premtuan Abrahamit dhe Sarës, të tilla si trashëgimi i një toke të premtuar dhe të qenit prindër të pasardhësve të shumtë, kanë ngjashmëri të përjetshme. Këto përfshijnë një trashëgimi në mbretërinë çelestiale (shih Doktrina e Besëlidhje 132:29) dhe martesën e përjetshme me pasardhës të përjetshëm (shih Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; 132:20–24, 28–32). Është “në tempull”, dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, që “ne marrim bekimet tona përfundimtare, si fara e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit” (“Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Liahona, nëntor 2006, f. 80; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 107).
Shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 15:9–12; 17:3–12 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta); “Besëlidhje e Abrahamit”; “Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Besëlidhja”, në këtë burim.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Zanafilla 13:5–12.Çfarë bëri Abrahami për të krijuar paqe në familjen e tij? Ndoshta pjesëtarët e familjes suaj mund të ushtrohen që të jenë paqebërës ashtu si Abrahami duke interpretuar me role se si t’i zgjidhin konfliktet që ka gjasa të lindin në familjen tuaj.
-
Zanafilla 13:16; 15:2–6; 17:15–19.Si mund ta ndihmoni familjen tuaj të kuptojë premtimin e Zotit në këto vargje – që edhe pse Abrahami dhe Sara nuk kishin ende fëmijë, pasardhësit e tyre do të ishin aq të shumtë sa pluhuri i tokës, yjet në qiell apo rëra në bregdet? (Shih edhe Zanafilla 22:17.) Ndoshta ju mund t’u tregoni pjesëtarëve të familjes një enë me rërë, të shikoni yjet ose të përdorni figurën që e shoqëron këtë përvijim. Si mund t’u mirëbesojmë premtimeve të Perëndisë edhe kur ato duken të pamundura?
-
Zanafilla 14:18–20.Çfarë mësojmë për Melkizedekun nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:25–40? (Tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta; shih edhe Alma 13:13–19.) Si mund të “vendos[im] … drejtësi” ashtu siç bëri Melkizedeku? (Vargu 36.) Çfarë tjetër na frymëzon nga shërbesa e Melkizedekut?
-
Zanafilla 16.Leximi për Agarin mund të jetë një mundësi për të diskutuar se si na ndihmon Zoti kur mendojmë se na është bërë padrejtësi. Ju mund të doni të vini në dukje se “Ishmael” do të thotë “Perëndia dëgjon”. Kur e kemi ndier se Zoti na dëgjoi dhe na ndihmoi kur menduam se na ishte bërë padrejtësi? (Shih Zanafilla 16:11.)
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Dua t’Jetoj Ungjillin”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 72.