“31 Janar – 6 Shkurt. Zanafilla 6–11; Moisiu 8: ‘Noeu Gjeti Hir në Sytë e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“31 Janar – 6 Shkurt. Zanafilla 6–11; Moisiu 8”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
31 Janar – 6 Shkurt
Zanafilla 6–11; Moisiu 8
“Noeu Gjeti Hir në Sytë e Zotit”
Historitë në shkrimet e shenjta shpesh mund të na mësojnë mësime të shumta shpirtërore. Ndërsa lexoni për Përmbytjen e Madhe dhe Kullën e Babelit, kërkoni frymëzim rreth mënyrës se si gjejnë zbatim këto rrëfime për ju.
Shënojini Mbresat Tuaja
Brezat e lexuesve të Biblës janë frymëzuar nga historia e Noeut dhe Përmbytjes. Por ne që jetojmë në ditët e mëvonshme, kemi arsye të veçantë për t’i kushtuar vëmendje asaj. Kur Jezu Krishti dha mësim rreth mënyrës se si duhet të presim për Ardhjen e Tij të Dytë, Ai tha: “Ashtu siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të Njeriut” (Joseph Smith – Mateu 1:41). Përveç kësaj, frazat që përshkruajnë kohën e Noeut, të tilla si “prishur” dhe “plot me dhunë”, mund të përshkruajnë po kaq lehtë kohën tonë (Zanafilla 6:12–13; Moisiu 8:28). Historia e Kullës së Babelit gjithashtu mendohet se gjen zbatim për kohën tonë, me përshkrimin e saj për krenarinë, e ndjekur nga pështjellimi dhe përçarja midis fëmijëve të Perëndisë.
Këto rrëfime të lashta janë me vlerë jo vetëm sepse na tregojnë që ligësia përsëritet gjatë gjithë historisë. Më e rëndësishmja, ato na mësojnë se çfarë të bëjmë lidhur me këtë gjë. Noeu “gjeti hir në sytë e Zotit” (Moisiu 8:27) pavarësisht nga ligësia përreth tij. Dhe familjet e Jaredit dhe të vëllait të tij iu drejtuan Zotit dhe u çuan larg nga ligësia në Babel (shih Ethëri 1:33–43). Nëse e pyetim veten se si ta mbajmë veten dhe familjet tona të sigurta gjatë vetë kohës sonë me korrupsion e dhunë, historitë e njohura në këta kapituj kanë shumë për të na mësuar.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Ka siguri shpirtërore në ndjekjen e profetit të Zotit.
Falë ungjillit të rivendosur, ne dimë shumë më tepër për Noeun sesa ajo që gjendet në Dhiatën e Vjetër. Përkthimi i frymëzuar prej Jozef Smithit i kapitullit Zanafilla 6, që gjendet te Moisiu 8, zbulon se Noeu ishte njëri prej profetëve të mëdhenj të Perëndisë. Ai u shugurua dhe u dërgua për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit, ai eci dhe bisedoi me Perëndinë dhe ai u zgjodh që t’i rivendoste fëmijët e Perëndisë në tokë pas Përmbytjes (shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 108, 210–211). Çfarë mësoni rreth profetëve nga përvojat e Noeut?
Ndërsa lexoni për kohën e Noeut, ju mund të vini re ngjashmëritë me kohën tonë. Për shembull:
-
Moisiu 8:18, 20–21, 23–24 (mospranimi i shërbëtorëve të Perëndisë)
-
Moisiu 8:21 (vetëkënaqësi dhe gjërat e botës)
-
Moisiu 8:22 (imagjinatë dhe mendime të këqija)
-
Moisiu 8:28 (korrupsion dhe dhunë)
Çfarë po japin mësim profetët sot rreth ungjillit të Jezu Krishtit që mund t’ju mbajë të sigurt në botën e sotme? Ndërsa lexoni rreth përvojave të Noeut, çfarë ju frymëzon për t’i ndjekur profetët e Zotit sot?
Shih edhe Mosia 13:33; Doktrina e Besëlidhje 21:4–7.
Shenjat ose simbolet na ndihmojnë të kujtojmë besëlidhjet tona me Zotin.
Besëlidhjet e ungjillit mund të përfaqësohen me anë të një treguesi, simboli ose “shenj[e]” (Zanafilla 9:12). Për shembull, mendoni se si buka dhe uji i sakramentit ose ujërat e pagëzimit ju sjellin në mendje të vërteta të shenjta që lidhen me besëlidhjet tuaja. Sipas vargjeve te Zanafilla 9:8–17, çfarë mund tʼju sjellë në mendje një ylber? Çfarë i shton të kuptuarit tuaj Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 9:21–25 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)? Pse Zoti dëshiron që ju tʼi kujtoni Atë dhe besëlidhjet që keni bërë?
Shih edhe Gerit W. Gong, “Gjithmonë Kujtojeni Atë”, Liahona, maj 2016, f. 108–111.
E vetmja rrugë për të arritur qiellin është duke ndjekur Jezu Krishtin.
Babeli i lashtë, ose Babilonia, është përdorur prej një kohe të gjatë si një simbol për ligësinë dhe gjërat e botës (shih Zbulesa 18:1–10; Doktrina e Besëlidhje 133:14). Ndërsa studioni vargjet te Zanafilla 11:1–9, përsiatni për idetë që jepen nga profeti Mormoni, i cili shkroi se ishte Satani “që ua futi në zemër njerëzve, që të ndërtonin një kullë mjaft të lartë që ata të arrinin në qiell” (Helamani 6:28; shih edhe vargjet 26–27). Çfarë paralajmërimesh ka për ju historia e Kullës së Babelit?
Shih edhe Psalmeve 127:1.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Zanafilla 6–8.Si mund ta përdorni historinë e arkës së Noeut për t’i mësuar familjes suaj se ndjekja e profetit mund të na mbajë shpirtërisht të sigurt? (Shih “Noeu”, te Histori të Dhjatës së Vjetër). Ndoshta familja juaj mund të punojë së bashku për të ndërtuar një barkë të thjeshtë lodër, të bërë me letër ose kuba. Ndërsa lexoni kapitujt te Zanafilla 6–7, ju mund të krahasoni sigurinë që na jep barka me sigurinë që gjejmë në ndjekjen e profetit. Ju mund të dëshironi të diskutoni për këshillat e kohëve të fundit nga profeti dhe t’i shkruani fjalët e tij këshilluese në barkën tuaj.
Çfarë tjetër na ka dhënë Perëndia që mund të krahasohet me arkën që e shpëtoi familjen e Noeut? Këto burime sugjerojnë disa përgjigje, edhe pse ka shumë të tjera: 2 Nefi 9:7–13; Doktrina e Besëlidhje 115:5–6; dhe mesazhi i Presidentit Rasëll M. Nelson “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme” (Liahona, nëntor 2018, f. 113–114).
-
Moisiu 8:17.Çfarë do të thotë që Shpirti i Zotit “ndeshet” me ne? (Shih 1 Nefi 7:14; Doktrina e Besëlidhje 1:33.) Kur e kemi përjetuar që Shpirti është ndeshur me ne?
-
Zanafilla 9:8–17.Fëmijët e vegjël mund të kënaqen duke vizatuar ose duke ngjyrosur një ylber ndërkohë që ju flisni rreth asaj që ai përfaqëson (shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 9:21–25 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Ju gjithashtu mund të diskutoni për gjëra që na ndihmojnë t’i kujtojmë besëlidhjet tona, siç është sakramenti, i cili na ndihmon të kujtojmë besëlidhjen tonë të pagëzimit për të ndjekur Jezu Krishtin (shih Doktrina e Besëlidhje 20:75–79).
-
Zanafilla 11:1–9.Mund të jetë e dobishme të lexoni tek Ethëri 1:33–43 ndërsa familja juaj studion kapitullin te Zanafilla 11 dhe mëson rreth Kullës së Babelit. Çfarë mësojmë nga familjet e Jaredit dhe vëllait të tij që mund ta ndihmojë familjen tonë të gjejë siguri shpirtërore pavarësisht nga ligësia në botë? Çfarë mësimesh të tjera mësojmë nga Noeu dhe familja e tij teksa u përballën me një sfidë të ngjashme? (Shih Moisiu 8:13, 16–30.)
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Ndiqe Profetin”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58 (strofa 3).