“24–30 Janar. Moisiu 7: ‘Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“24–30 Janar. Moisiu 7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
24–30 Janar
Moisiu 7
“Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion”
Ndërsa e lexoni dhe e përsiatni kapitullin Moisiu 7, mbajini shënim mbresat tuaja shpirtërore. Duke e bërë këtë, ju tregoni se e vlerësoni udhërrëfimin nga Zoti dhe se doni të merrni më shumë udhërrëfim prej Tij.
Shënojini Mbresat Tuaja
Gjatë gjithë historisë, njerëzit janë përpjekur të arrijnë atë që arritën Enoku dhe populli i tij: ndërtimin e një shoqërie ideale ku nuk ka varfëri apo dhunë. Si populli i Perëndisë, ne kemi të njëjtën dëshirë. Ne e quajmë atë “ndërtimi i Sionit” dhe përfshin – përveç kujdesit për të varfrit dhe nxitjes së paqes – bërjen e besëlidhjeve, të jetuarit së bashku me drejtësi dhe bërjen një me njëri‑tjetrin dhe me Jezu Krishtin, “Mbreti[n e] Sionit” (Moisiu 7:53). Për shkak se puna për themelimin e Sionit vazhdon edhe në ditët tona, është me dobi të pyesni: “Si e bënë këtë Enoku dhe populli i tij?” Si u bënë ata “të një zemre dhe të një mendjeje” (Moisiu 7:18) pavarësisht nga ligësia përreth tyre? Ndër hollësitë e shumta që na jep Moisiu 7 për Sionin, një hollësi veçanërisht e çmuar për shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të jetë kjo: Sioni nuk është thjesht një qytet – është një gjendje e zemrës dhe e shpirtit. Sioni, ashtu siç ka dhënë mësim Zoti, është “të kulluarit në zemër” (Doktrina e Besëlidhje 97:21). Pra, ndoshta mënyra më e mirë për ta ndërtuar Sionin është të fillojmë me vetë zemrat dhe shtëpitë tona.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Përpjekjet e Enokut janë një model për ndërtimin e Sionit në vetë jetën tonë.
Për shkak se Moisiu 7 është një anal i mënyrës se si pasuesit e Perëndisë e ndërtuan me sukses Sionin, ai mund të na udhëzojë dhe frymëzojë sot, ndërsa përpiqemi fort të bëjmë të njëjtën gjë. Merreni parasysh të përdorni një tabelë si kjo për të shënuar atë që mësoni rreth Sionit nga vargjet te Moisiu 7:16–21, 27, 53, 62–69.
Vargu |
Çfarë mësoni për Sionin? |
Çfarë sugjeron kjo rreth përpjekjeve tuaja për të ndërtuar Sionin? |
---|---|---|
Vargu | Çfarë mësoni për Sionin? Populli i Sionit ishin “të një zemre dhe të një mendjeje”. | Çfarë sugjeron kjo rreth përpjekjeve tuaja për të ndërtuar Sionin? Nevojitet që ne të jemi të bashkuar si familje dhe si Kishë. |
Vargu | Çfarë mësoni për Sionin? “Me kalimin e kohës, [Sioni] u mor në qiell.” | Çfarë sugjeron kjo rreth përpjekjeve tuaja për të ndërtuar Sionin? Ndërtimi i Sionit është një proces gradual. |
Vargu | Çfarë mësoni për Sionin? | Çfarë sugjeron kjo rreth përpjekjeve tuaja për të ndërtuar Sionin? |
Vargu | Çfarë mësoni për Sionin? | Çfarë sugjeron kjo rreth përpjekjeve tuaja për të ndërtuar Sionin? |
Populli i Perëndisë duhet të përpiqet fort që të jetë “[i] një zemre dhe [i] një mendjeje”.
Moisiu 7:18–19 rendit karakteristika të rëndësishme të popullit që Perëndia e quajti Sion. Si mendoni, përse këto karakteristika janë të nevojshme për ta ndërtuar Sionin? Në ç’mënyrë është Sioni, siç përshkruhet në këtë kapitull, i ndryshëm nga grupe ose organizata të tjera të bashkuara në botë? Pasi ta përsiatni këtë pyetje, ju mund të mendoni rreth këtyre fjalëve të Jezu Krishtit në vargun 53: “Unë jam Mesia, Mbreti i Sionit”. Çfarë do të thotë ta kemi Jezu Krishtin si Mbretin tonë? Si na ndihmon Ai t’i zhvillojmë karakteristikat e Sionit?
Shih edhe Filipianëve 2:1–5; 4 Nefi 1:15–18; Doktrina e Besëlidhje 97:21; 105:5.
Çfarë ndodhi me qytetin e Enokut?
Frazat “u mor” (Moisiu 7:21, 23), “i ngritur” (Moisiu 7:24), “u morën” (Moisiu 7:27) dhe “u arratis” (Moisiu 7:69) i referohen Sionit dhe popullit të Enokut që u ngrit dhe u mor në qiell. Njerëzit që ngrihen në qiell janë “persona që ndryshohen që të mos provojnë dhembje ose vdekje” si të vdekshëm (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Qenie të Ngritura në Qiell”, “Sion”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe 3 Nefi 28:4–9, 15–18, 39–40).
Perëndia vajton për fëmijët e Tij.
Disa njerëz e shohin Perëndinë si një qenie të largët, i cili nuk ndikohet emocionalisht nga ajo që na ndodh neve. Por Enoku pa një vegim në të cilin Perëndia vajtonte për fëmijët e Tij. Teksa lexoni te Moisiu 7:28–40, kërkoni arsyet pse vajtoi Perëndia. Në pjesën e mbetur të vegimit të Sionit, që përshkruhet te Moisiu 7:41–69, çfarë provash gjeni që Perëndia është i “mëshirshëm dhe i mirë përgjithmonë”? (Moisiu 7:30; shih vargjet 43, 47 dhe 62 për shembuj).
Në ditët e fundit, Perëndia do t’i mbledhë të zgjedhurit e Tij.
Vargu 62 përshkruan ngjarje të ditëve të fundit. Merreni parasysh se çfarë kuptimi mund të kenë fraza si këto: “drejtësi do të dërgoj nga qiejt”, “të vërtetë do të dërgoj nga toka”, “drejtësi dhe të vërtetë do të bëj të derdhet mbi tokë si në një përmbytje”. Çfarë ju mësojnë këto fraza rreth veprës së Perëndisë në ditët e mëvonshme?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Moisiu 7:18–19.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes të përfytyrojnë se çfarë do të thotë të jenë “të një zemre”, ndoshta ju mund të bëni një zemër prej letre dhe ta prisni në copëza si një figurëformuese, të mjaftueshme që secili pjesëtar i familjes të ketë një copëz. Pjesëtarët e familjes mund të shkruajnë emrin e tyre në copëzën e tyre të letrës dhe më pas të punojnë me njëri‑tjetrin për ta bashkuar zemrën. Ndërkohë që e plotësoni figurëformuesen, ju mund të flisni rreth gjërave që ju pëlqejnë shumë te secili pjesëtar i familjes.
-
Moisiu 7:28–31, 35.Çfarë mësojmë për Perëndinë nga këto vargje?
-
Moisiu 7:32.Përse Perëndia na dha lirinë e zgjedhjes? Çfarë mund t’i thoshim dikujt që ndien se urdhërimet e Perëndisë e kufizojnë lirinë tonë të zgjedhjes? Leximi te 2 Nefi 2:25–27 mund t’i shtojë ide këtij diskutimi.
-
Moisiu 7:59–67.Teksa familja juaj lexon te Moisiu 7:59–67, përpiquni të shenjoni ose të shënoni gjërat që Zoti i tha Enokut për ditët e fundit – për shembull, se Perëndia do t’i “mbledh[ë] të zgjedhurit e [Tij]” (vargu 62) dhe se do të ketë “shumë vuajtje mes të ligjve” (vargu 66). Si mund të kemi besim dhe shpresë pavarësisht nga ligësia në ditët e fundit? Si pjesë e këtij diskutimi, merreni parasysh të lexoni këto fjalë nga Plaku Ronald A. Rasband: “Merrni zemër, vëllezër e motra. Po, ne jetojmë në kohë të rrezikshme, por teksa qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve, nuk nevojitet të kemi frikë. Ju bekoj që, teksa e bëni këtë gjë, ju nuk do të shqetësoheni nga kohët në të cilat jetojmë ose shqetësimet që na shfaqen në rrugën tonë. Ju bekoj të zgjidhni që të qëndroni në vende të shenjta dhe të mos lëvizni. Ju bekoj të besoni te premtimet e Jezu Krishtit, se Ai jeton dhe se Ai po vëzhgon mbi ne, kujdeset për ne dhe qëndron përkrah nesh” (“Mos u Shqetësoni”, Liahona, nëntor 2018, f. 21).
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Dashuri në Shtëpi”, Himne, nr. 191.