Dhiata e Vjetër 2022
17–23 Janar. Zanafilla 5; Moisiu 6: “T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu”


“17–23 Janar. Zanafilla 5; Moisiu 6: ‘T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“17–23 Janar. Zanafilla 5; Moisiu 6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Adami dhe Eva jashtë Kopshtit të Edenit

Më Mirë sesa Parajsa, nga Kendal Ray Johnson

17–23 Janar

Zanafilla 5; Moisiu 6

“T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu”

Teksa i lexoni dhe përsiatni kapitujt te Zanafilla 5 dhe Moisiu 6, mbajini shënim mbresat shpirtërore që merrni. Çfarë mesazhesh gjeni që janë me vlerë për ju dhe familjen tuaj?

Shënojini Mbresat Tuaja

Shumica e kapitullit Zanafilla 5 është një listë e brezave midis Adamit e Evës dhe Noeut. Ne lexojmë shumë emra, por nuk mësojmë shumë rreth tyre. Më pas ne lexojmë për Enokun, gjashtë breza pas Adamit, i cili përshkruhet me këtë rresht që ngjall kureshtje, por pa dhënë shpjegime: “Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete” (Zanafilla 5:24). Me siguri, ka një histori prapa saj. Por pa një shpjegim të mëtejshëm, rifillon lista e brezave.

Fatmirësisht, Moisiu 6 zbulon hollësitë e historisë së Enokut – dhe është goxha histori. Ne mësojmë për përulësinë e Enokut, pasiguritë e tij, potencialin që Perëndia pa tek ai dhe punën e madhe që ai kreu si profet i Perëndisë. Ne gjithashtu marrim një pamje më të qartë të familjes së Adamit dhe Evës, ndërsa përparonte brez pas brezi. Ne lexojmë për “zotërim[in e] madh” të Satanit, por gjithashtu për prindër që u mësuan fëmijëve të tyre “udhët e Perëndisë” dhe për “predikues të së drejtës” të cilët “folën e profetizuan” (Moisiu 6:15, 21, 23). Veçanërisht e çmuar është ajo që mësojmë për doktrinën që dhanë mësim këta prindër dhe predikues: besimin, pendimin, pagëzimin dhe marrjen e Frymës së Shenjtë (shih Moisiu 6:50–52). Ajo doktrinë, ashtu si priftëria që e shoqëron atë, “ishte në fillim [dhe] do të jetë edhe në fund të botës” (Moisiu 6:7).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Moisiu 6:26–36

Një profet është shikues.

Ndërsa i studioni vargjet te Moisiu 6:26–36, çfarë mësoni për sytë, errësirën dhe të parit? Në kohën e Enokut, kush nuk mund të “sh[ihte] larg”? Përse këta njerëz ishin të paaftë për ta parë të vërtetën? Çfarë ishte në gjendje të shihte Enoku? Çfarë e ka ndërtuar besimin tuaj se profetët e ditëve moderne janë shikues? (Shih te vargu 36; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shikues”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.)

Moisiu 6:26–47

Perëndia na thërret të bëjmë punën e Tij pavarësisht nga papërshtatshmëritë tona.

Nuk është e pazakontë të ndihemi të mbingarkuar emocionalisht me atë që Zoti na ka thirrur të bëjmë. Madje edhe Enoku u ndje në këtë mënyrë kur Zoti e thirri të ishte profet. Ndërsa lexoni te Moisiu 6:26–36, kërkoni arsye përse Enoku u ndie i mbingarkuar emocionalisht dhe çfarë tha Zoti për t’i dhënë kurajë atij. Te vargjet 37–47, kërkoni për mënyrat se si Zoti e përkrahu Enokun dhe e fuqizoi që të bënte punën e Tij (shih edhe Moisiu 7:13). Ju mund ta krahasoni përvojën e Enokut me atë të profetëve të tjerë të cilët u ndien të papërshtatshëm, të tillë si Moisiu (shih Eksodi 4:10–16), Jeremia (shih Jeremia 1:4–10), Nefi (shih 2 Nefi 33:1–4) dhe Moroni (shih Ethëri 12:23–29). Çfarë mendoni se dëshiron Perëndia që ju të mësoni nga këto shkrime të shenjta në lidhje me punën që Ai ju ka dhënë të bëni?

Shih edhe Jakobi [LiM] 4:6–8.

Moisiu 6:48–68

Doktrina e Krishtit është qendrore në planin e Perëndisë për shpëtimin.

Për shkak se kemi librin e Moisiut, ne e dimë se që prej fillimit, Perëndia u ka mësuar fëmijëve të Tij se si të gjejnë falje dhe shëlbim. Në shkrimet e shenjta, këto mësime nganjëherë quhen doktrina e Krishtit (shih 2 Nefi 31:13–21). Teksa studioni vargjet te Moisiu 6:48–68, kërkoni atë që duhet ta dimë dhe ta bëjmë për t’u shëlbuar. Ju mund ta gjeni të dobishme të shkruani vetë përmbledhjen tuaj të asaj që dha mësim Enoku. Pse është e rëndësishme të dini se këto të vërteta janë dhënë mësim që nga koha e Adamit dhe Evës? Çfarë ndiheni të nxitur të bëni si pasojë e studimit të këtyre mësimeve?

Moisiu 6:51–62

“T’ua mësosh këto gjëra lirisht fëmijëve të tu.”

Adamit dhe Evës iu mësuan të vërtetat e çmuara të ungjillit të Jezu Krishtit. Por fjalët e Zotit te Moisiu 6:27–28 sqarojnë se në brezat para Enokut, shumë njerëz nuk po i jetonin më ato të vërteta. Zoti donte që Enoku të rivendoste të vërtetat që kishin humbur – së bashku me urdhërimin që i ishte dhënë fillimisht Adamit: “T’ua mësosh këto gjëra lirisht fëmijëve të tu” (Moisiu 6:58). Ndërsa i lexoni vargjet te Moisiu 6:51–62, çfarë mësoni për Jezu Krishtin? Çfarë gjeni që do të ishte veçanërisht me vlerë për brezin e ri? Çfarë mund të bëni për të ndihmuar që këto të vërteta t’i kalohen brezit të ardhshëm?

familje duke studiuar shkrimet e shenjta

Prindërit duhet t’ua mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Zanafilla 5; Moisiu 6:5–25, 46.Leximi rreth “lib[rit të] kujtime[ve]” që mbajti familja e Adamit dhe Evës, mund ta frymëzojë familjen tuaj që të bëjë librin e vet të kujtesës. Diskutoni si familje se çfarë do të dëshironit të përfshinit. Ndoshta ju keni fotografi, histori ose dokumente nga historia juaj familjare. Ju mund të zgjidhni të përfshini gjëra që po ndodhin tani në familjen tuaj. Çfarë do të gjejnë me vlerë brezat e ardhshëm? Ju mund të diskutoni gjithashtu se si frazat “me anë të shpirtit të frymëzimit” (Moisiu 6:5) dhe “modelit të dhënë nga gishti i Perëndisë” (Moisiu 6:46) mund të udhërrëfejnë përpjekjet tuaja. Merreni parasysh ta ruani informacionin nga libri juaj i kujtimeve te FamilySearch.org.

Moisiu 6:53–62.Si do t’i përgjigjeshim pyetjes së Adamit që gjendet te Moisiu 6:53? Çfarë përgjigjesh gjejmë te vargjet 57–62?

Moisiu 6:59.Çfarë do të thotë të “lindeni përsëri në mbretërinë e qiellit”? Çfarë mund të bëjmë që të vazhdojmë të lindemi përsëri gjatë gjithë jetës sonë? Për ndihmë, shihni tek Alma 5:7–14, 26; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lindur (I) Përsëri, Lindur (I) Nga Perëndiascriptures.ChurchofJesusChrist.org; Dejvid A. Bednar, “Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja” (Liahona, maj 2016, f. 59–62).

Moisiu 6:61.Çfarë mësojmë për Frymën e Shenjtë nga ky varg?

Moisiu 6:63.Cilat janë disa nga gjërat që “japin dëshmi për [Krishtin]”? (Shih edhe 2 Nefi 11:4.) Merreni parasysh t’i ftoni pjesëtarët e familjes të tregojnë diçka që ata e shohin “në qiejt lart” ose “në tokë”, që i ndihmon të mësojnë rreth Jezu Krishtit. Për shembull, si na kujtojnë pemët, shkëmbinjtë ose dielli për Shpëtimtarin? Çfarë na mësojnë për Të titujt “uj[i i] gjallë” dhe “buka e jetës”? (Gjoni 4:10–14; 6:35.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj”, Himne, nr. 173.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni simbole. Në shkrimet e shenjta, sendet ose ngjarjet shpesh mund të paraqesin ose simbolizojnë të vërteta shpirtërore. Këto simbole mund ta pasurojnë të kuptuarit tuaj për doktrinën. Për shembull, çfarë mësoni nga simbolet e syve dhe të baltës te Moisiu 6:35?

Adami dhe Eva me fëmijët

Adami dhe Eva Duke u Dhënë Mësim Fëmijëve të Tyre, nga Del Parson