“17–23 Janar. Zanafilla 5; Moisiu 6: ‘T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“17–23 Janar. Zanafilla 5; Moisiu 6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
17–23 Janar
Zanafilla 5; Moisiu 6
“T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu”
Përgatitja juaj për të dhënë mësim fillon ndërsa studioni te Zanafilla 5 dhe Moisiu 6. Teksa e bëni këtë, dëgjojini mbresat nga Fryma e Shenjtë rreth asaj që fëmijët kanë nevojë të mësojnë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Në copa letre, shkruani disa fjalë kyç që mund t’i ndihmojnë fëmijët të kujtojnë diçka që e mësuan në shtëpi këtë javë ose në një mësim të mëparshëm të Fillores. Lërini fëmijët që me radhë të përzgjedhin në mënyrë të rastësishme një fjalë. Pasi të përzgjedhin një fjalë, ftojeni secilin prej fëmijëve të tregojë diçka që ka mësuar në lidhje me atë fjalë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Perëndia mund të më ndihmojë të bëj gjëra të vështira.
Kur Enoku u thirr për ta predikuar ungjillin, ai druante se mos nuk do t’ia dilte mbanë. Por Perëndia e ndihmoi të bënte gjëra të mëdha.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë për një rast kur iu kërkua të bënin diçka që ishte e vështirë dhe e frikshme për ta. Tregoni historinë e thirrjes së Enokut për të qenë profet, që gjendet te Moisiu 6:27, 31–34 (shih edhe “Enoku”, te Histori të Dhjatës së Vjetër). Theksoni se ndonëse Enoku nuk u ndie gati për të qenë një profet, Perëndia i premtoi atij se do ta ndihmonte. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë disa mënyra se si na ndihmon Perëndia kur na kërkohet të bëjmë gjëra të vështira.
-
Tregoni disa shembuj nga shkrimet e shenjta kur Perëndia i ndihmoi njerëzit të bënin gjëra të vështira, për shembull, Noeun kur ndërtoi arkën, Davidin kur luftoi me Goliathin, Amonin kur mbrojti grigjën e mbretit ose Samuel lamanitin kur predikoi. (Për referenca figurash dhe shkrimesh të shenjta, shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 7, 19, 78, 81.) Tregoni një përvojë kur Zoti ju ndihmoi të bëni diçka të vështirë.
Ungjilli më mëson se si të kthehem tek Ati Qiellor.
Perëndia i mësoi Adamit atë që kemi nevojë të bëjmë për t’u kthyer tek Ai – të kemi besim, të pendohemi, të pagëzohemi dhe të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë më shumë mbi këto gjëra?
Veprimtari të Mundshme
-
Gjeni ose bëni vizatime që përfaqësojnë besimin, pendimin, pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Vendosini figurat në një rresht që ju çojnë për te figura e Jezu Krishtit. Lexojuni fëmijëve nga Moisiu 6:52 dhe kërkojuni të qëndrojnë në anë të figurës së duhur kur i dëgjojnë fjalët që përfaqëson figura (në këtë varg fjala “beson” përdoret për fjalën “besim”).
-
Këndoni këngë që na mësojnë parimet te Moisiu 6:52, të tilla si “Besimi”, “Ndihmom’, At’ i Dashur” (vargu 2), “Kur Un’ t’Pagëzohem” dhe “Fryma e Shenjtë” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41, 52, 53, 56). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se bërja e gjërave që jepen mësim te këngët, do të na ndihmojë të kthehemi tek Ati Qiellor.
Ati Qiellor dëshiron që prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre.
Që nga koha e Adamit dhe Evës, prindërit janë urdhëruar t’ua mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre. Si mund t’i nxitni fëmijët të dëgjojnë dhe të ndjekin mësimet e drejta të prindërve të tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve nga Moisiu 6:58 dhe tregojuni figurat e familjes së Adamit dhe Evës në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ndihmojini fëmijët të përsëritin frazën “t’ua mësosh këto gjëra lirisht fëmijëve të tu”. Shpjegoni se Perëndia dëshiron që të gjithë prindërit ta ndjekin shembullin e Adamit dhe Evës duke i mësuar fëmijëve të tyre rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Pyetini fëmijët se çfarë mund të bëjnë ata kur prindërit e tyre ose njerëz të tjerë ua mësojnë atyre ungjillin.
-
Ndihmojini fëmijët të përputhin fotografi të vetes së tyre me prindërit e tyre ose figura të të vegjëlve të kafshëve me kafshët e rritura. Si i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre? Çfarë u mësojnë ata atyre? Kërkojuni fëmijëve të bëjnë vizatime të familjeve të tyre në rastet kur prindërit i mësojnë fëmijët, të tilla si leximi i shkrimeve të shenjta së bashku, lutja së bashku ose ngrënia së bashku.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Perëndia mund të më ndihmojë të bëj gjëra të vështira.
Ndonëse Enoku u ndie i papërshtatshëm, Perëndia e ndihmoi atë që ta përmbushte thirrjen e Tij si profet. Perëndia gjithashtu mund t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim që të bëjnë gjëra të vështira.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni me fëmijët nga Moisiu 6:26–34. Përse Enoku ndiente se nuk mund ta predikonte ungjillin? (Shih Moisiu 6:31.) Si e ndihmoi Perëndia Enokun? (Shih Moisiu 6:32–34; 7:13.)
-
Ftojini fëmijët të përmendin disa gjëra të vështira që bëjnë nganjëherë fëmijët në moshën e tyre (të tilla si përfundimi i një detyre për shkollën, të qenit i sjellshëm me dikë që është i pasjellshëm, ose të thonë të vërtetën kur kanë bërë gabim). Ndihmojini fëmijët të gjejnë fraza te Moisiu 6:32–34 që mund t’i ndihmojnë ata. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë për një rast kur Perëndia i ndihmoi të bëjnë diçka të vështirë. Tregoni gjithashtu vetë përvojën tuaj.
Besimi, pendimi, pagëzimi dhe marrja e Frymës së Shenjtë më përgatitin mua që të kthehem te Perëndia.
Adami dhe Enoku u dhanë mësim njerëzve të tyre parimet dhe ordinancat e para të ungjillit: besimin, pendimin, pagëzimin dhe marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë (shih edhe Nenet e Besimit 1:4). Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar fëmijët që ta kuptojnë rëndësinë e këtyre parimeve dhe ordinancave në jetët e tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të lexojnë nga Moisiu 6:52, 57 për të gjetur parimet dhe ordinancat e ungjillit që përmenden në nenin e katërt të besimit.
-
Shkruajeni në tabelë nenin e katërt të besimit dhe ftojini fëmijët ta lexojnë atë. Pastaj fshini një ose dy fjalë dhe kërkojuni që ta lexojnë sërish, duke plotësuar fjalët që mungojnë me aq sa mbajnë mend. Përsëriteni këtë proces derisa fëmijët ta kenë mësuar nenin e besimit.
-
Ftojini fëmijët të shkruajnë një bisedë të shkurtër rreth besimit, pendimit, pagëzimit ose marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë – diçka që mund t’ua tregojnë familjeve të tyre. Çdo bisedë mund të përfshijë një shkrim të shenjtë, një përvojë dhe një dëshmi. Biseda mund të shpjegojë gjithashtu se si na ndihmon parimi që të kthehemi tek Ati Qiellor.
Prindërit janë përgjegjës për t’i mësuar fëmijët e tyre.
Perëndia u mirëbeson prindërve që të jenë mësuesit kryesorë të ungjillit në familjet e tyre. Si mund t’i nxitni fëmijët që t’i përkrahin prindërit e tyre në këtë rol?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini një fëmije të lexojë te Moisiu 6:58. Çfarë urdhërimi u dha Ati Qiellor prindërve në këtë varg? Tregoni një figurë të Adamit dhe Evës duke i mësuar fëmijët e tyre (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe lërini fëmijët të flasin për atë që shohin te figura. Nxitini që të flasin rreth të vërtetave të rëndësishme të ungjillit që kanë mësuar nga familjet e tyre.
-
Ndihmojini fëmijët t’u shkruajnë shënime falënderimi prindërve të tyre ose të planifikojnë mënyra të tjera të thjeshta për të shprehur vlerësimin për prindërit e tyre. Këndoni një këngë rreth familjeve, të tillë si “Dashuri Këtu Ka” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 102–103). Si mund t’i ndihmojmë prindërit tanë që të krijojnë një atmosferë dashurie në shtëpitë tona?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të vazhdojnë të mësojnë jashtë orës mësimore? Ju mund t’i nxitni ata ta kujtojnë historinë e Enokut kur të përballen me diçka të vështirë këtë javë.